DR.SALI BYTYҪI: SHAKAXHINJTË E AKADEMISË

(Prishtinë, 11. 10. 2012) – Në një nga shkrimet e mia të disa muajve më parë, lidhur me gjendjen që mbretëron prej dy dekadash në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, jam shprehur pikërisht kështu: “Për një institucion, në të cilin dihet, së paku për 20 vjetët e shkuara, kush ka mundur të hyjë dhe kush jo, por për të cilin që tani dihet, edhe për tri dekadat e ardhshme, se për kë ky institucion e ka derën të hapur e për kë të mbyllur, vetëm po të ishim të çmendur do të thoshim se funksionon normalisht!”…
Ndërsa tani shtoj edhe këtë:
Për një institucion, i cili, nuk ka kurrfarë rregullore për të hyrë në të, përveç vullnetit të atyre që janë brenda, do të ishim dy herë të çmendur po të mendonim se funksionon normalisht! Megjithatë, pjesëtarëve të Akademisë (ose më mirë të themi: zaptuesve të saj) ajo që pata shkruar nuk iu bëri fare përshtypje, por as kjo që po shkruaj tani sigurisht që nuk do t’iu shërbejë! Ata vazhdojnë sipas avazit të vjetër; duke e konsideruar të tyren hapësirën ku jetojnë (deri sa t’i largojë nga aty vetëm Zoti), janë të vendosur deri në fund që njerëzit të cilët hyjnë aty, patjetër duhet të kenë simpatinë e tyre! Pra, ajo është Shtëpia e Tyre; aty mund të hyjnë vetëm ata të cilët janë njësoj me ta; për të tjerët nuk ka vend!

Ndërtesa e Akademisë së Shencave dhe të Arteve të Kosovës.

……………………………………….

Mund të hapet konkurs çdo tre-katër vjet për pranimin e anëtarëve të rinj në Akademi, kjo s’u prish punë fare! Është e drejtë e institucioneve të propozojnë kandidatë për Akademi sa të duan, të dërgojnë recensionet me bio-bibliografinë e të propozuarve, por, nga ana tjetër, edhe banorët e Akademisë, të ashtuquajturit akademikë, e kanë të drejtën që të gjitha ato nominime të mos i marrin parasysh, ndërsa letrat që iu dërgojnë, t’i hedhin në shportë, si dhe të drejtën tjetër, që seksionet e tyre të propozojnë kush është i mirëseardhur aty!
Ashtu sikurse edhe herëve të tjera, kur vinte koha e nominimeve për Akademi, Institucionet Arsimore e Shkencore të Kosovës edhe këtë vit i nominuan kandidatët e tyre për anëtarë të Akademisë. Por, edhe para se t’i nominonin kandidatët për Akademi, dihej rezultati i këtyre nominimeve… Si zakonisht, procesi i këtyre nominimeve do të përfundojë me disa “shporta të bërllokut”, të mbushura me më shumë letra nga dokumentacioni i të nominuarëve…
Në vazhdën e kësaj logjike, shakaxhinjtë e Akademisë edhe sivjet i propozuan njerëzit, të cilët janë të mirëseardhur aty.
Këtë herë po i përmendi vetëm dy:
– Zejnullah Rrahmanin dhe
– Mehmet Halimin (Agën Met).
Pse u propozuan pikërisht këta të dy, ndonëse nga institucionet nga ata vijnë janë propozuar të tjerë?!
Në radhë të parë sepse që të dy e kanë përkatësinë partiake të njëjtë me të tyren. Madje dhe përkatësinë klanore! Shkurt: Janë të një soji me ata të Akademisë dhe kjo është kryesorja për të hyrë aty.
Kush është i pari?
Zejnullah Rrahmani deri në vitet ’90 ka qenë i njohur si prozator, ndërsa prej kësaj kohe i ka hyrë edhe hartimit të librave teoriko-letrarë. Për nivelin e disa prej këtyre librave kam shkruar në disa raste dhe çdokush e ka mundësinë t’i lexojë ato shkrime. Me të vërtetë, librat teoriko-letrarë të Zejnullah Rrahmanit janë të një niveli të tillë, që nuk mund të ekzistojë në asnjë shkencë të letërsisë në botë. Librat e tij janë thjesht kompilime nga literatura botërore e shkencës së letërsisë, por edhe si kompilime, në çdo aspekt, janë të një niveli shumë të ulët. Shkurt, këta libra më mirë do të ishte të mos jenë shkruar fare, se sa që janë shkruar, sepse studentët dhe ata që duan të mësojnë diçka nga shkenca e letërsisë vetëm sa humbin kohë kur t’i lexojnë këto libra! Gjykimi i tij në këta libra nuk shkon më tej se ai i një gjimnazisti mesatar.

Zejnullah Rrahmani dhe Mehmet Halimi (Aga Met) –

dy të nominuarit për anëtarë të ASHAK’së

……………………………………………

Por edhe diçka. Ka një lidhje në mes prozës dhe të ashtuquajturave shkrime teorike-letrare të Zejnullah Rrahmanit. 
Çfarë i lidh ato?
Ato që e lidhin prozën e Zejnullah Rrahmanit me shkrimet e tij kritike e teorike janë “teoretizimet” e tij për shqiptarët, për historinë e tyre, për figurat e kësaj historie, për ngjarjet e veçanta historike, për luftërat e shqiptarëve etj., të cilat ky autor herë pas here i bën në këto libra. Në këtë drejtim Zejnullah Rrahmani është Pseudofishtë e Pseudokonicë njëherësh! Nëse në prozë flet “narratori” dhe autorin nuk mund ta fajësojmë për ato që thuhen aty, në librat teoriko-letrarë flet drejtpërdrejt autori dhe, për çudi, ato që i shpreh narratori në prozë, janë të një fryme me ato që i shpreh autori në librat teorikë!
Përkufizimet negative që iu bën Zejnullah Rrahmani në librat e tij në prozë dhe në ato të ashtuquajtura teoriko-letrare shqiptarëve, historisë së tyre, karakterit etj., janë të afërta me përkufizimet e inteligjencies serbe, e cila me teoretizimet e saj përgjatë pjesës së dytë të shekullit XIX dhe sidomos gjatë kohës së luftërave ballkanike, arsyetonte ndarjen e këtij populli në mes shteteve ballkanike dhe kolonizimin e tij.
Megjithatë, ajo që të bën përshtypje në shkrimet e Zejnullah Rrahmanit është niveli i ulët i tyre. Kur e sheh njeriu këtë nivel, habitet me ndërmarrjen kaq të madhe të tij për të shkuar kaq larg në këtë drejtim!
Me të drejtë, njeriu pyet se ku e gjen motivin Zejnullah Rrahmani për t’u marrë kaq shumë me këto teori? Por, si njeri që kam përcjellë prodhimtarinë shkrimore të tij, e cila nuk ka asnjë vlerë të mirëfilltë shkencore, para disa vjetësh e pata nuhatur motivin e tij: për të hyrë në Akademi!
Para se ta përmbyll këtë pjesë për Z. Rrahmanin, duhet të them edhe se ky i fundit, gjatë kohës sa ka qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë, në vitet ’90, i ka mbetur borxh këtij fakulteti disa qindra mijëra marka dhe në atë kohë, kur një pjesë e madhe e arsimtarëve të Kosovës për një kohë të gjatë nuk janë paguar fare, ka blerë një banesë goxha të madhe në Prishtinë!…
Po i dyti, Mehmet Halimi, kush është? Cila është arsyeja e nominimit të tij nga seksioni i Akademisë?
Mehmet Halimi tërë jetën është marrë me “të folmet”, ndërsa ka dhjetë vjet që e ka lënë edhe këtë punë, ndaj, nominimi i tij për Akademi nuk ka ndonjë qëllim shkencor, por, se është i një soji me ta, kjo nuk do mend!… Megjithatë, janë së paku edhe dy arsye të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me shkencën, që ai të nominohej aty:
– e para; para shumë kohësh paska qenë mësues i njërit prej atyre që vendosin kush të hyjë në Akademi dhe kush jo, dhe,
– e dyta; tregon bukur anekdota!
Ndoshta arsyeja më madhore e nominimit të tij në Akademi është kjo e dyta, sepse me të vërtetë Akademia, me uzurpimin nga një lloj unikat i njerëzve, është kthyer në një “odë primitive” dhe, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për anekdota…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura