NEXHAT MERXHUSHI&MEHMET MINGA: STRATEGJIA PËR ANEKSIMIN DHE SHKOMBËTARIZIMIN E ҪAMËRISË

Pashtriku.org, 10. 11. 2013 – Gjatë shek.XVIII-XIX, kur kriza lindore zuri një vend të madh në problemet e diplomacisë europiane, grekët nuk e kishin shtrirë plotësisht pretendimin e tyre mbi Çamërinë. Kur regjimi feudal turk hyri në krizë, qysh para fillimit të kryengritjes greke të 1821-it, ithtarë të Kishës Greke shfaqën idenë e përfshirjes së shtetit turk brenda shtetit grek, me qëllim që Greqia të zinte vendin e Perandorisë Bizantine. Kjo ide u shpall më 1844 dhe u paraqit si një program politik me emrin “Megali Idea” (Ideja e Madhe) nga kryeministri grek Jorgos Koleti. Aneksimi dhe shkombëtarizimi i Çamërisë ishte pjesë e kësaj strategjie.
Prandaj që në ditët e para të pavarësisë së saj pas vitit 1821 Greqia i kushtoi gjith vëmendjen pushtimit të Epirit dhe helenizimit të popullsisë shqiptare, duke i shpallur si “grekë” të gjith shqiptarët e krishterë dhe si “turq” ata muslimanë, duke mbjellë kështu përçarje mes shqiptarëve të dy besimeve. Një pjesë e të pasurve grekë i jepnin rryshfete të majme administratës në Stamboll për të nxjerrë ligje që ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe.
Për realizimin e misionit të helenizimit dhe shkombëtarizimit sipas “Megali Idesë ”, në vitin 1822, duke qenë se Turqia një vit më parë kishte çarmatosur shqiptarët, një ushtri me grekër, e organizuar dhe e maskuar me njerëz civilë (banda andartësh), u dërgua në Çamëri dhe në thellësi të territorit shqiptar, ku bëri krime e masakra të llahtarshme duke vrarë e duke djegur. Për këto krime dëshmon historiania dhe shkrimtarja angleze Edit Durham në librin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”. Pas reformave të Tanzimatit ndodhi masakra e Manastirit, ku Mehmet Reshit Pasha, më 26 gusht 1830, vrau në mënyrë të pabesë 500 krerë shqiptarë.

 Në këtë kohë Mustafa Pashë Bushati, kreu i Pashallëkut të Shkodrës, bëri një marrëveshje më Zyliftar Podën dhe me bejlerët e Çamërisë dhe të Paramithisë për veprime të përbashkëta kundër turqve. Në këtë kohë Pronjatët e Paramithisë morën nën kontroll kështjellën e Paramithisë dhe, me 200 forca, marshuan për marrjen e Janinës. Më 10 gusht 1831 ata u ndeshën me forcat osmane të Emin Pashës dhe u mundën. Pas kësaj beteje të përgjakshme çamët e Paramithisë u tërhoqën të organizuar dhe u përforcuan në kalanë e Lefterohorit dhe në Shkallë të Paramithisë. Ushtria dhe flota osmane luftuan përreth dy muaj për të pushtuar kështjellën e Paramithisë dhe vetëm pasi zbrazi mbi kryengritësit 25000 të shtëna topi i detyroi ata të dorëzonin kështjellën.
(shih AIH,Dos.A-III-411,f.23.Letër e Emin Pashës drejtuar Mejerit, këshilltar i Përgjithshëm Britanik në Shqipëri,23 shtator 1831)
Qysh prej gjysmës së dytë të shek.XIX, Greqia ndërmori veprime konkrete për të realizuar planin e saj. Këto plane u bënë më të dukshme pas Kongresit të Berlinit më 1878, i cili rekomandoi që vilajeti i Janinës, qytetet dhe rajonet e Janinës, Prevezës, Artës e Paramithisë t’i jepeshin Greqisë. Në këto kushte, për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, shqiptarët themeluan Lidhjen e Prizrenit.
Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Çamërisë
Në ditët e para të qershorit 1878, u krijua Lidhja Shqiptare e Çamërisë, krahas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe u përkrah me forcë edhe nga paria e Paramithisë. Përveç Vesel e Abedin Dinos nga Preveza, në udhëheqjen e kësaj Lidhjeje bënte pjesë edhe Metli Pronjua nga Paramithia. Shtabi drejtues i Lidhjes u vendos në Prevezë, në pozita strategjike. Pra edhe Çamëria u bë bazë e lëvizjes mbarëpopullore në gjithë trevën e saj. Objekti kryesor i Lidhjes ishte me ato ide të mëdha të Lidhjes së Prizrenit, për të kundërshtuar çdo cënim të tokave shqiptare në jug, që donte të vendoste Kongresi i Berlinit në favor të Greqisë shoviniste. Ideja kombëtare u shpreh atëhere më tepër se kurrë edhe në Paramithi, për ruajtjen e tokave të tyre, duke u lidhur pa dallim feje për një luftë të përbashkët, për të rezistuar ushtarakisht.
Konsulli i Austro – Hungarisë në Prevezë, që mbulonte edhe Paramithinë, kur i raportonte baronit Haymerie në Vienë, më 15 mars 1879, shkruan se: “edhe shqiptarët e krishterë shprehen kundra një aneksimi nga Greqia dhe mbi këtë pikë janë plotësisht me patriotët e tyre muhamedanë ”. Shovinistët grekë ndeshën në qëndresën burrërore të Lidhjes Shqiptare të Çamërisë për të mos lejuar copëtimin apo aneksimin e tokave shqiptare, ashtu siç ua premtoi Kongresi i Berlinit. Në Memorandumet e Lidhjes, drejtuar Fuqive të Mëdha, ishin në unison të gjithë krerët e Çamërisë. Kongresi i Berlinit vendosi që Turqia të merrej vesh me Greqinë për caktimin e kufirit. Më 6 shkurt 1879 u zhvillua takimi i përfaqësuesve të Turqisë dhe Greqisë në Prevezë, për caktimin e kufirit. Por luftëtarët shqiptarë, të drejtuar edhe nga paramithioti Mustafa Pronjo, i detyruan delegatët e të dy palëve të largoheshin nga Preveza.
Por më vonë, megjithë ndërhyrjen e Bismarkut, i cili ishte kundër cënimit të trojeve shqiptare, më 24 mars 1881, nën presionin e Fuqive të Mëdha,Turqia pranoi marrëveshjen që përcaktonte vijën kufitare me Greqinë. Por shqiptarët, nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit dhe të Lidhjes Çame, arritën ta ndalojnë për disa vjet vendimin e Kongresit të Berlinit, duke shpëtuar Çamërinë, pra edhe Paramithinë, nga shkëputja prej atdheut. Por më vonë regjimi tiranik i Sulltan Hamitit shtypi egërsisht çdo lëvizje kombëtare, duke lejuar përhapjen e helenizmit në Janinë, Prevezë, Pargë e Paramithi, duke përkrahur patriakanën greke në përhapjen e shkollave greke. Pas revolucionit xhonturk pasoi një periudhë liberale për njohjen e të drejtave të kombësisë, gjë që shqetësoi mjaft grekët, por kjo nuk zgjati shumë.
Në vitin 1910 qeveria xhonturke mori masa të rrepta për të shkatërruar klubet kombëtare që ishin krijuar. Në mesin e vitit 1910 në Paramithi u dukën shenjat e para të kryengritjes antiosmane, të udhëhequr nga Fuat Pronjo, Subhi Dino etj. Në këtë kohë forcat came ishin të detyruara të luftonin edhe kundër forcave ushtarake greke dhe të bandave të armatosura të andartëve, që donin të përfitonin nga situata për të depërtuar në thellësi të territorit shqiptar. U zhvilluan luftime të përgjakshme. Në Shkallë të Paramithisë luftimet ishin të pandërprera. Në një raport drejtuar komandës ushtarake greke në Artë thuhej: “Dy mijë çamër sulmuan fshatrat e Frarit, dogjën Gliqinë dhe Nemicën dhe u përleshën me forcat tona, të cilat kërkojnë përforcime ”. Ndërsa komandanti i andartëve të Papadhias relatonte se midis Gardhiqit dhe Gliqisë,çetat greke ishin sulmuar nga 1000 çamë dhe kështu ishin detyruar të tërhiqeshin, duke lënë mbi 30 të vrarë.”
(A.Livadhos:I prodhromi tis apeleferoseos ton Ioaninon, (Përpjekjet për çlirimin e Janinës) f.304;316 ).
Këto lëvizje të armatosura sigurisht që e frenuan greqizimin, por projekti për copëtimin e Çamërisë dhe ndarjen e saj nga trungu kombëtar u realizua në bazë të vendimit të padrejtë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ku u vendosën përfundimisht kufjtë e Shqipërisë.
Duke kundërshtuar pretendimet e Venizellosit në Konferencën e Ambasadorëve, diplomati i shquar çam Rasih Dino i paraqiti Foreign Offisit një Memorandum, në të cilin thuhej se rajoni i Çamërisë kishte një popullsi prej 75 mijë shqiptarë, që ruanin karakteristikat e tyre kombëtare dhe numëronte vetëm 18 mijë shqiptarë të greqizuar. Në këtë kohë Paramithia ruante plotësisht identitetin e saj, pavarësisht se flitej gjuha greke.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura