DR.SULEJMAN ABAZI: DOKTRINA E RE RUSE – PËRCAKTIM I VETVETES, NEVOJA PËR T’U NDJERË E RËNDËSISHME

Tiranë, 3. 12. 2016: Politika nuk e njeh dashurinë, por ajo është vetëm gramaturë dhe llogari për interesa të brendshme dhe të jashtme, të cilat synojnë rritjen e vendit dhe rolit të shtetit në qëndrimin e tij gjeostrategjik. Burrat e shtetit duhet të jenë të aftë në parashikimin e të ardhmes, duke lexuar të kaluarën. Në kushtet e një politike globale “pezull” për shkak të zgjedhjeve në SHBA-të, kjo nuk e ka penguar Rusinë që të përcaktojë vizionin e saj në përmasa globale në politikën e jashtme. Me këtë koncept politik, ajo po synon të kapërcejë traumën e madhe të përcaktimit të vetvetes, duke ndjerë nevojën të ndihet e rëndësishme në politikën botërore.
Dalja në skenë e Doktrinës së Re së Politikës së Jashtme të Rusisë mbi vizionin e ri të parimeve bazë, drejtimeve prioritare, objektivave dhe misionit të politikës së jashtme të saj, ka përcaktuar si prioritete “garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për rritjen dhe konkurrencës së ekonomisë së saj, forcimit të pozicionit të Rusisë si një vend predominues në një botë moderne dhe rikuperimin e ndikimit të saj në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e sistemit demokratik global”.
Këto përcaktime nuk e ndaluan atë të jetë e pranishme në konfliktin në Lindjen e Mesme, të demonstrojë ushtarakisht rrotull Europës Perëndimore dhe të afrojë forcën ushtarake detare pranë bazës së saj në Siri, pa lënë pas dore ndikimin e saj në rajone të ndryshme të botës. Doktrina e re e Rusisë, e miratuar në 30 nëntor këtij viti, parasheh në perspektivë rritjen e synimeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike të Rusisë në planin rajonal dhe atë global dhe po aq sa ajo përcakton qëndrimin ndaj SHBA-ve, duke shfaqur hapur rolin dhe ndikimin në shkallë globale duke “e konsideruar të patolerueshëm çdo lloj presioni të SHBA-ve dhe të reagojë me forcë ndaj çdo veprimi armiqësor të saj”, në të njëjtën kohë që, parasheh “ndërtimin e marrëdhënieve me përfitim të ndërsjellët me SHBA-të”.

Nga ana tjetër politika ruse nuk mund të veprojë ushtarakisht në Ukrainë apo vende të tjera kufitare, për sa kohë ajo do të jetë në pritje të reagimit dhe qëndrimit amerikan për shumë çështje të tilla, pas zgjedhjes së Donald Tramp në SHBA. Afrimi i 55 mijë trupave ruse në kufijtë e Ukrainës dhe prania ushtarake në Krime, pa llogaritur afro 10 mijtë trupa logjistike në rajonet ruse të saj, janë një shantazh i drejtëpërdrejtë ndaj BE-së, vendeve të tjera me ndikim rus dhe NATO-s. Lëvizja ruse nuk ka vlerat e saj ushtarake se sa ato në planin gjeopolitik, pasi Rusia nuk ka arsye të sulmoj në mënyrë të hapur me ushtri Ukrainën, kur në 10 rajonet proruse aktualisht janë të organizuara dhe të armatosura mirë forcat rebele, të mbështetura nga më shumë se 100 mijë vullnetarë, të cilët janë të gatshëm të futen në veprim në rast të zhvillimit të situatës.
Europa ndihet e kërcënuar nga lëvizjet e karakterit ushtarak, por lëvizjet ruse nuk janë parë më shumë si të tilla, duke synuar përdorimin e tyre si mjeti i një operacioni psikologjik në përmasa të mëdha dhe të acarimit “të një lufte të ftohtë” në territorin e BE-së, si mjet i presionit politik për vendet e lëkundura, të cilat të përfshira brenda forcës politike centipete, kohët e fundit kanë shfaqur reagimet e tyre ndaj Brukselit. Tendencat e zbutjes së marrëdhënieve me Rusinë për këto vende, duke tentuar ta lënë të vetme Gjermaninë, janë paraparë si një qëndrim i distancuar nga sanksionet kundër saj në rastin Ukrainë, dhe si mjet politik i ç’tensionimit të situatës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të mundëshme ushtarake.
Nga deklarimet e Henri Kisingerit pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA-të, i cili shpjegon pikërisht përmes historisë, të tashmen dhe të ardhmen e rolit të Amerikës në botë, marrëdhënieve të saj me Rusinë, dhe gjendjes së vështirë të Evropës, nuk mund të mos vlerësohet doktrina e re ruse, e cila në ekuivalencë, paracakton një vizion gjeopolitik dhe gjeostrategjik brenda këtyre raporteve, duke i dhënë përparësi rritjes së vendit dhe rolit të Rusisë në arenën globale.
A është ky synimi gjeopolitik rus “i përshtatjes në rrethana të reja, të një botë në trazirë”?! Përkundër frikës së ndonjë ndërhyrje të mundshme ushtarake në Ukrainë, qëndrimi rus mbetet konstant në përjashtimin e Krimesë nga agjenda politike, duke e dëshiruar Ukrainën një federatë me kufij politik të pandryshuar.
Ky qëndrim pasqyron interesin e Rusinë në zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe në sektorë të tjerë me Ukrainën, duke i dhënë asaj rolin e një ure lidhëse midis NATO-s dhe Rusisë. Doktrina e re ruse në politikën e jashtme i ka dhënë mundësinë Putinit të zhvillojë më tej filozofinë e tij për një Rusi me ndikim të fortë global. Me kursin gjeopolitik me ose pa dashje ai e ka pozicionuar Rusinë në kritere sulmi në planin global dhe jo në pozita pritëse, duke iu kundërvënë me masa konkrete konceptit perëndimor “të të qënit të saj një fuqi rajonale”.
Duke e vënë rolin e Rusisë në qendër të opinionit botëror me veprimet politike dhe ushtarake, ai me këtë rast u përpoq të përcaktonte armikun kryesor të Rusisë dhe rrezikun kryesor që sipas doktrinës ruse, kërcënon sot njerëzimin. E nëse BE-ja vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik, Rusia deklaron qëndrimin e saj kundër “presionit politik dhe ekonomik të SHBA dhe aleatëve të saj që çojnë në destabilizim global”. Objektivat e saj “për stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut” do të jenë prioritet. Gjithashtu ajo pranon “ndërtimin e marrëdhënieve me NATO-n në funksion të predispozitës së saj për një bashkëpunim të barabartë”, por duke qenë kundër projektit për ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje antiajrore të SHBA-ve në Europë, duke e konsideruar atë “si një kërcënim të sigurisë kombëtare”.
Me ngritjen e rolit gjeopolitik të Rusisë, në planin e brendshëm ai u avancua edhe më tej, duke frymëzuar dhe ngritur në nivele të larta frymën e nacionalizmit tek populli rus dhe duke joshur dhe afruar me këtë rast edhe popujt e tjerë kufitarë rrotull tij. Në kuadrin e veprimit të doktrinës se re ruse, BE-ja ndihet e rrezikuar në radhë të parë politikisht, e përfshirë në një proces thërrmimi nga frika e rivalitetit dhe mundësive ushtarake të Rusisë. Brenda rritjes së këtij ndikimi, nuk bën përjashtim rajoni i Ballkanit, ku ndikimi rus ka kohë që është i pranishëm me të gjithë elementët e mundshëm dhe jo vetëm në Serbi, por në shumë vende rrotull saj. Pritshmëritë në rivalitetin ruso – amerikan, sido që zbuten apo forcohen deklaratat, qëndrimet dhe më tej, konceptet gjeopolitike, duhet të tërheqin vëmendjen e institucioneve politike shqiptare, për të qenë më fleksibël në lëvizjet gjeopolitike, me besimin e të qënit anëtar i NATO-s dhe rrugës së saj për t’u anëtarësuar në BE, pavarësisht gjendjes së brendshme politike me shumë probleme.
Vendosja e balancave midis politikës së jashtme dhe situatave të brendshme është një detyrim kushtetues institucional. Të mos harrojmë që, Shqipëria ndodhet në periferinë ekstreme perëndimore të synimeve ruse dhe ajo asnjëherë nuk do të ndihet e qetë përballë tendencave të depërtimit politiko ekonomik rus.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura