Zyrih, 21 dhjetor 2020: Doli, nga shtypi libri publicistik i Isuf Bytyçit „Krahët e shqipes – përpjekje e pengesa“
Fakt është se pas leximit të librit, lexuesi vëren dy gjëra, të cilat e përthekojnë përmbajtjen e librit. Këndvështrimi i autorit është shumë i drejtpërdrejtë mbi zhvillimet politike dhe kulturore, si dhe plotësohet me zërin e qytetarit apo krijuesit, nëpërmjet formave tjera të komunikimit, siç është debati apo intervista. Libri ka 180 faqe, lexohet me një frymë dhe, në esencë shihet qartë preokupimi i tij rreth gjendjes shoqërore; politike e ekonomike, të shqiptarëve!
Siç shihet, autori ka qenë në kontakt me lexuesin edhe më herët, sepse këto shkrime kanë qenë të botuara në portalet serioze shqiptare si: “ALBANIAPRES”, “PASHTRIKU”, “RADIOKOSOVAELIRË”, “ALBINFO”, “INA” etj. Dhe, disa nga ato, i ka zgjedhur dhe i ka botuar në këtë libër.
Isuf Bytyçi, si veprimtar, gazetar dhe analist, nuk lë pa vu në shënjestër zhvillimet politike apo kulturore, të cilat e pengojnë rritën natyrale të shqiptarëve, kudo që janë. Autori i librit, është i lirë dhe i pavarur, prandaj shkrimet e tij, janë të sinqerta dhe pa cenzurë, sepse janë produkt i shqetësimeve të një qytetari, i cili dëshiron ta shohë kulturën e politikën kombëtare në një nivel më të lartë shoqëror.
Në libër, theksohet qartë fati i shqiptarit dhe përsëritja e historisë, ndaj tij. Një fat të tillë, autori e nënvizon pothuajse në të gjitha fushat e zhvillimit shoqëror: si në kulturë, politikë, ekonomi, religjion etj. Duke i shtuar kësaj edhe dukuritë e dëmshme shoqërore si hajninë, korrupsionin, familjarizimin dhe kriminalitetin, që e plotësojnë qëndrimin dhe reagimin e autorit. Me të drejtë pohon ai, se të gjitha këto veti, nuk janë rastësi, por qëllim, të cilat janë të lidhura ngushtë me vlerat e ulëta në shoqërinë tonë gjithëshqiptare! Të gjitha këto të meta shoqërore, autori i librit, nuk nguron, që t’i vë në pah! Një pjesë të fajit, ai ia dedikon edhe shteteve demokratike në botë, të cilat, sipas autorit, duke u përpjekur të bëhen mirë me Rusinë, e miklojnë shtetin serb, dhe pas gjithë atyre masakrave barbare mbi popullin e pafajshëm shqiptar, kalon pa u dënuar! Dikush thotë se evropianët janë duke e barazuar viktimën me kriminelin! Por “unë mendoj se aq larg kanë shkuar ata, sa që kriminelin po e trajtojnë sikur të ishte viktimë e, viktimën si kriminel,” – shkruan autori i librit! Prandaj, ky është absurdi i botës së civilizuar dhe, me të drejtë autori nuk pajtohet. Preokupim, tjetër i autorit, por shumë i rëndësishëm, është ndikimi i popullit dhe politikanëve shqiptarë, me mendjelehtësi! Pse, aq shpejt, shqiptarët iu besojnë të huajve? – dhe në mes vete, ngatërrohen, pa mëshirë.
Tema qendrore, në librin publicistik të Isuf Bytyçit është udhëheqja e shtetit, dhe institucionet e saja kombëtare. Angazhimi i dy akademive shqiptare, ajo e Shqipërisë Londineze dhe asaj Atlantike, “që më mirë të mos i kishim – shkruan ai!” – Që të dyjat janë nën ndikimin e partive, janë bërë vegla të tyre dhe, nuk merren fare me çështjen kombëtare! Edhe pas dy dekadave të përfundimit të Luftës në Kosovë, ata nuk gjetën kohë ta shkruajnë as një libër të përbashkët për masakrat serbe, për gjenocidin serb në Kosovë dhe më gjerë.
Në lidhje me të gjitha këto të meta, autori, jep edhe këshilla e sugjerime dhe, shumë herë i rreptë është, në kritika, kur i paraqet rastet e debateve në parlamentin e Kosovës e atë të Shqipërisë, apo edhe nëpër debate televizive, kur takohen politikanë e analistë, të cilët me “zhurmën” e tyre lënë shumë për të dëshiruar! Haptas i kritikon autori i librit, të gjitha kategoritë shqiptare, për të metat që i kanë e mund t’i evitojnë! Përndryshe, duke e penguar njëri-tjetrin, janë duke e penguar vetën e tyre, shtetin e tyre, kombin e tyre dhe u japin mundësi kundërshtarëve tanë, apo më mirë të them; armiqve tanë që të gjejnë kohë e hapësirë, për të na rënë në qafë.
Pra, libri publicistik i Isuf Bytyçit, është i lehtë për t’u kuptuar dhe tërheqës, sepse të gjitha temat e të gjitha dukuritë, të cilat i përfshinë, janë aktuale pjesë e një realiteti të hidhur shqiptar.