PROF.XHEVAT LLOSHI: NË ‘800-n TË VETMIT LIBRA SHQIP ISHIN TË KONSTANDIN KRISTOFORIDHIT!

Pashtriku.org, 6 qershor 2017: Sot, në Bibliotekën Kombëtare, gjuhëtari Xhevat Lloshi do të mbajë një ligjëratë në 190-vjetorin e lindjes së Konstandin Kristoforidhit, ku edhe do të bëhet promovimi i kolanës së përkthimeve të tij; do të ekspozohen edhe disa nga botimet origjinale të Kristoforidhit nga fondi i Bibliotekës Kombëtare dhe nga arkivi i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.
“Ndërmjet viteve 1865-1879, të vetmit libra shqip, që janë prodhuar dhe që kanë qarkulluar në Shqipëri, kanë qenë librat e Konstandin Kristoforidhit, botuar nën kujdesin e Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja. Pra, për pesëmbëdhjetë vjet gjallëria e librit shqip është mbajtur vetëm nga Kristoforidhi”. Kështu shprehet prof. dr. Xhevat Lloshi, me rastin e ribotimit të katër librave të Kristoforidhit: Krijesa & Të dalëtë (gegërisht, 1872); Psalmet (gegërisht e toskërisht, 1868, 1872); Pesë libra të Dhiatës së vjetër (toskërisht, 1882–1884); Historia e Shkrimit të Shenjtë (gegërisht e toskërisht, 1870 e 1872) dhe Katër katekizma (toskërisht e gegërisht, 1867 e 1872).

Për më shumë se dyzet vjet, prof. Lloshi ka studiuar jetën dhe veprat e “babait të gjuhës shqipe” dhe i ka transkriptuar në alfabetin e sotëm, një punë e jashtëzakonshme që mundëson studimin bashkëkohor të këtyre teksteve. Për më tepër, Lloshi i ka pajisur këto botime me studime analitike mbi origjinën e teksteve, lidhjet e Kristoforidhit me Shoqërinë Biblike, historinë e përkthimit shqip, sfidat dhe vështirësitë e botimit në mjedisin shqiptar të shek. XIX, jetën e Kristoforidhit, punën e misionarit skocez Aleksandër Tomson, problemet politike etj. Tri prej këtyre botimeve janë librat e Dhiatës së Vjetër, të cilët nuk dihet të jenë përkthyer më parë në historinë e librit shqip, para se të bënte këtë punë Kristoforidhi në bashkëpunim me Aleksandër Tomsonin. Këta tre libra janë botuar nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë. Kurse libri ‘Historia e Shkrimit të Shenjtë’ dhe ‘Katër katekizma’ nuk është një tekst biblik, por dy libra me përmbajtje biblike dhe teologjike protestante, ribotuar nga Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante.
Në librat Psalmet dhe Historia e Shkrimit të Shenjtë dhe Katër katekizma, teksti gegë dhe toskë janë faqosur krah për krah për të lehtësuar studimet krahasimore.
Bashkë me promovimin e librave, do të ekspozohen edhe disa nga botimet origjinale të Kristoforidhit nga fondi i Bibliotekës Kombëtare dhe nga arkivi i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.
***
Digjitalizimi i Kristoforidhit
Në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe përkthyesit Kostandin Kristoforidhi, ftohet publiku të njihet me editimin digjital të veprës “Gjahu i malësorëvet”, tregimin e parë të prozës artistike shqipe, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegërisht dhe toskërisht. Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë. BKSH ka përzgjedhur për lexuesit e saj botimin e vitit 1950, përgatitur nga studiuesi i mirënjohur Ziaudin Kodra. Ky botim jep mundësinë të kryhet leximi paralel në dy dialektet si dhe të shijohet eleganca gjuhësore dhe mjeshtëria e penës së autorit. Tashmë “Gjahu i malësorëvet”, mund të shfletohet online në faqen zyrtare të BKSH (www.bksh.al) dhe të shkarkohet në çdo pajisje elektronike, si: kompjuter, laptop, kindle, book reader, smartphone, tablet, kudo dhe kurdo.

XHEVAT LLOSHI PROFIL OK 22 NENTOR.avi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura