E vërteta për luftën e Shkodrës, më e madhja në historinë tonë
Nga Sokol Kika, Tiranë 30 tetor 2021
Jemi në prag të 108-vjetorit të mbylljes së një ngjarjeje shumë të rëndësishme të historisë sonë; Lufta për Shkodrën (08 tetor 1912 – 23 prill 1913).
E kam parë gjithmonë këtë ngjarje historike me interes të veçantë, edhe pse gjyshi im, Haxhi Kika, pati marrë pjesë në të si vullnetar (redif) i Tiranës me trupat e rezerviste të Esat Pash Toptani. Megjithëse kohët e fundit kemi më shumë botime, debate në median e shkruar dhe atë vizive, përsëri vazhdon të ruhet fryma dhe varianti i historiografisë komuniste. Po të bësh kërkime në “Google” etj., gjen të trajtuar vetëm dy elemente; vrasja e Hasan Riza Pashës dhe tradhtia e Esat Pashës. Mendoj dhe faktet e tregojnë se është shumë herë më shumë se kaq.
Më 8 tetor 1912 me goditje me një predhe topi në drejtim të Shkodrës, Mali i Zi i shpall luftë Turqisë dhe më pas ndiqet nga Serbia, Bullgaria dhe Greqia, duke shënuar ngjarjen historike të Luftës së Parë Ballkanike. Pra, në dukje të parë, “Lufta për Shkodrën” fillon thjesht si një luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë fillimisht e gjen të papërgatitur faktorin shqiptar, i cili vinte pas konfliktit me osmanët gjatë kryengritjeve të viteve 1910-1911 në Kosovë, Malësi të Madhe, por edhe në krahina të tjera, ku jetonin shqiptarë. Kështu, një pjesë të malësorëve katolikë të strehuar gjatë kryengritjes së 1911-ës në Malin e Zi bashkohen me trupat malazeze kundër ushtrisë turke. Janë të paktën 3 000 nga fiset e Malësisë së Madhe të inkuadruara në trupat e rregullta të Malit të Zi.
Fillimisht trupat malazeze arrijnë fitore të shpejta, duke kapur pika strategjike, pa hasur në rezistencë të fortë nga trupat kryesisht osmane. Kështu, vetëm në marrjen e qytezës së Tuzit zunë robër rreth 3 000 ushtarë. Me marrjen edhe të Zogajt, afër Velipojës rrethimi i Shkodrës po dukej qartë. Populli i Shkodrës dhe shqiptarët filluan të kuptonin që kjo betejë nuk ishte përballje klasike në fushëbetejë, por synonte pushtimin e qytetit të Shkodrës, me qëllim aneksimin e tij nga Mali i Zi. Vullnetarët e parë para rrethimit, të ardhur me Esat Toptanin nga Shqipëria e Mesme ishin 5500. Ky numër u rrit ndjeshëm edhe nga dëshmitarë të kohës, thuhet se ai arriti deri në 15 000 vullnetarë. Në këtë moment ushtria e rregullt osmane që mbronte qytetin e Shkodrës nuk arrinte 10.000 ushtarë. Ndoshta kjo veçanti përbën edhe suksesin e mbrojtjen e suksesshme të Shkodrës.
Në të gjitha betejat e tjera si Kumanove, Shkup, Manastir, Selanik dhe deri diku edhe Janinë, ushtria e rregullt osmane nuk pati një bashkëpunim të mirë me popullsinë vendëse, ku me ekspeditat e ndëshkuese të xhonturqve edhe i kishte çarmatosur. Ndryshim bën rezistenca në frontin bullgar, ku trupat osmane luftojnë me heroizëm para ushtrive që po i afroheshin Stambollit.
Që në fillim u panë përplasje serioze të ushtarëve turq dhe vullnetarëve shqiptarë, si dhe të komandantëve të tyre, Hasan Riza Pasha dhe Esat Toptanit. Në fakt, Esati kishte gradë ushtarake më të lartë Gjeneral Brigade kundrejt gradës Kolonel, por si komandant i përgjithshëm vendoset Hasan Rizai, sepse kishte kualifikimin më të lartë ushtarak. Me insistimin ultimativ të Esatit arrihet që edhe forcat rezerviste shqiptarë të trajtoheshin njëlloj si ushtarët osmanë, pasi Hasan Rizai donte t’i trajtonte me gjysmë racioni ushqimor dhe të nënvlerësuar në detyrat ushtarake dhe pajimet. Gjithashtu, të dy komandantët Hasan Rizai dhe Esati arritën të krijonin marrëdhënie të mira me qytetarët dhe klerikët e Shkodrës të të gjitha besimeve. Këto sqarime u bënë në kohën e duhur, pasi mbrojtësit e Shkodrës përballen me gjithë furinë e sulmit të ushtrisë malazeze, duke bërë me të vërtetë një rezistencë heroike. Deri në fillim të nëntorit sulmet malazeze u thyen me humbje të mëdha nga të dyja palët, duke mos lëshuar territor. Nga mesi nëntorit, me shirat e rrëmbyeshëm dhe me punimet fortifikuese të studiuara mirë ushtarakisht nga Hasan Riza Pasha sipas modelit gjerman të llogoreve, pushtimi i Shkodrës u kthye gati i pamundur. Ndërkohë, Perandoria Osmane kishte pësuar disfata katastrofale në të gjitha frontet, duke bërë qëndresë vetëm në Shkodër, Janinë dhe Edernë. Më 28 Nëntor 1912 shpallet pavarësia e Shqipërisë, pak ditë më vonë, më 3 dhjetor 1912, shpallet një armëpushim ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike, duke u dhënë udhë bisedimeve ndërmjet Fuqive të Mëdha.
Gjendja për shqiptaret bëhet vërtetë dëshpëruese, pasi ushtritë e vendeve fqinje kishin pushtuar pjesën më të madhe të territorit dhe filluan të vënë në jetë planet e tyre shoviniste, duke mos kursyer plaçkitjet dhe masakrat mbi popullsinë civile.
Ndërkohë, qeveria e Ismail Qemalit kontrollonte një territor të kufizuar dhe ishte rrethuar nga të gjitha anët, duke pasur të prerë nga grekët edhe linjën e vetme të telegrafit që komunikonte me botën.
Më 23 janar, në Turqi kryet një grusht shteti nga xhonturqit, të cilët morën pushtetin dhe rinisën luftën. Ndërkohë, pak ditë më vonë, në rrethana që edhe sot nuk janë të qarta vritet në Shkodër Hasan Riza Pasha. Komandën e ushtrisë e merr Esat Toptani.
Rifillimi i luftimeve në Shkodër ishte shumë i rëndë, pasi ushtrisë malazeze iu bashkëngjitën forca të shumta serbe, që kishin pushtuar Lezhën dhe kontrollonin portin e Shëngjinit nga i cili merrte furnizime të vazhdueshme me armatime dhe ushqime. Kam parë në internet armatimin që kishin forcat malazeze dhe serbe dhe mund të them se ai ishte nga më modernët e kohës. Malazezët kishin pushkë dhe topa rusë, ndërsa serbët edhe armatim francez dhe gjerman. Ushtria serbe vuri në dispozicion edhe 4 aeroplanë të prodhimit francez, ku njeri prej tyre u rrëzua gjatë rikonicionit nga mbrojtësit e Shkodrës. Me këto armë u luftua pas pak më shumë se 1 viti në frontet ruse dhe franceze gjatë Luftës së Parë Botërore.
Sipas historianëve të kohës, flitet për 55-60 mijë trupa serbe-malazeze në sulmet gjatë shkurt-mars 1913 për të pushtuar Shkodrën, ku ndodhi një kasaphanë e denjë për betejën e mëvonshme të Verdunit. Vetëm gjatë disa orësh gjatë natës në Bërdicë vriten dhe zihen robër rreth 2 000 ushtarë nga elita e forcave serbe; të njëjtin fat patën edhe trupat malazeze në Bardhaj. Në mbrojtjen e qytetit merr pjesë pothuajse e gjithë popullsia. Të gjithë burrat mbi 15 vjeç punojnë me fortifikimet dhe transportojnë të plagosurit. Ndërkohë që Shkodra nën rrethim vuante. Popullsia e saj në atë kohë, bashkë me mbrojtësit kishte arritur rreth 37 000 banorë dhe e kam vështirë ta imagjinoj jetën e përditshme të qytetit në një rrethim që zgjati 7 muaj. Esat Toptani ishte kujdesur personalisht për furnizimin me ushqime të kishave katolike dhe eliminimin konflikteve fetare në kushtet e një urie ekstreme. E gjitha kjo, nën goditjen e pandërprerë të artilerisë armike, që nuk bënte dallim në objektiva ushtarake apo civile, lagje myslimane apo katolike. (Gjatë rrethimit në Shkodër u hodhën rreth 72 000 predha).
Kjo mbrojtje heroike e Shkodrës pati jehonë të madhe në shtypin dhe kancelaritë e fuqive të mëdha europiane dhe pamundësia e një pushtimi të shpejtë i uli përsëri ministrat e Jashtëm të Fuqive të Mëdha në Londër për të arritur një marrëveshje. Në këtë kohë nga Liga ballkanike të gjitha vendet i kishin arritur objektivat e tyre, ku grekët marrën Janinën, bullgarët Edernenë dhe kërcënojnë Stambollin; i paprekshëm për europianët pasi kishin të gjithë së bashku interesa mbi të. Mbetej vetëm Shkodra dhe Mali i Zi.
Austro-Hungaria ishte fuqia e madhe europiane, që kishte interes të veçante kontrollin mbi Detin Adriatik; duhet te kemi parasysh që kufiri i saj detar në atë kohë shtrihej deri në kufi me Tivarin. Ndërkohë që kishte edhe statusin e protektorit të katolikëve të Perandorisë Osmane. Në bisedimet e Londrës, ajo kishte kundërshtuar me forcë pushtimet në Kosove dhe më gjerë dhe kishte edhe sponsorizuar pavarësinë e Shqipërisë. Më 21 mars 1913, Konti Berthold, ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë pranoi si lëshimin e fundit të saj njohjen e pushtimit të Gjakovës nga serbët dhe kërcënoi me flotën e saj Tivarin e më tej, që Shkodra me hinderlandin e saj t’i ngeleshin Shqipërisë. Organizatori i Konferencës së Londrës, Eduart Grey, e pranon dhe u jep ultimatum palëve të tjera në bisedime që Anglia mund të tërhiqet nëse nuk jepet aprovimi i menjëhershëm. Kështu, më 23.03.1013 nënshkruhet nga Fuqitë e Mëdha fati i Shkodrës si konfirmim edhe i sakrificës së bërë për mbrojtjen e saj. Më datë 8 prill 1913, Serbia e njoftuar për bisedimet, tërhiqet nga luftimet duke lëshuar edhe komandën operacionale që drejtonte. Me tërheqjen e trupave serbe, pushtimi i Shkodrës nga malazezët behej pothuaj i pamundur, pavarësisht se bombardohej në mënyrë të pandërprerë.
Rrethimi i gjatë dhe sidomos uria po sillnin pasoja katastrofale. Sipas të dhënave zyrtare nga kryetari i Bashkisë Shkodër, kishin vdekur nga uria 380 persona dhe rezervat ushqimore pothuajse ishin mbaruar. Në këto kushte u bë largimi i organizuar i ushtrisë mbrojtëse nga Shkodra; jo dorëzimi i Shkodrës dhe territorit, pasi Esat Toptani nuk kishte asnjë tagër civil dhe politik dhe ndoshta për këtë moment ishte shumë e mirë mbajtja prej tij e flamurit osman. Largimi i ushtrisë shqiptaro-turke bëhet më 24 prill 1913; në të njëjtën dite kur edhe Turqia kishte nënshkruar traktatin e armëpushimit me Bullgarinë dhe kjo datë mbyll Luftën e Parë Ballkanike. Në një teori konspirative thuhet se simbolika e dorëzimit të Shkodrës u organizua nga Franca dhe Italia për t’i shpëtuar prestigjin e Nikollës së Malit të Zi, që Vittorio Emmanuele III, mbret i Italisë e kishte vjehërr.
PS. Klerikët e lartë të Malit të Zi dhe të Serbisë për çdo kohë Pashkësh gjejnë vendin të nderojnë mbi 8 000 të vrarët për marrjen e Shkodrës (në fakt, janë më shumë). Ne shqiptarët fillimisht e vlerësuam shumë këtë ngjarje historike. Ka një numër të pafund shkrimesh gjatë viteve 1913-1930, që bëjnë eposin e kësaj lufte dhe më pas edhe katarsisin e saj me poezitë sarkastike të Gjergj Fishtës. Më vonë edhe me nxehjen e luftës së brendshme politike në Shqipëri, trajtimi i saj ndryshon, politizohet, shtrembërohet dhe në fund thelbi i saj harrohet.
-Kështu, nderohet Hasan Riza Pasha, por nuk thuhet asnjë fjalë për luftën e atyre ushtarëve turq, që luftuan trimërisht duke dhënë edhe jetën për një vend që nuk ishte i tyri.
-Anatemohet në ekstrem Esat Toptani dhe nuk thuhet asgjë për qëndresën e tij nga 1 shkurt – 22 prill 1913, pa anën e së cilës, Shkodra ndoshta sot nuk do t’i përkiste Shqipërisë.
-Nuk e quajmë krenari faktin që për mbrojtjen e Shkodrës morën pjesë vullnetare nga një numër i madh krahinash të Shqipërisë.
-Në Shkodër për herë të parë u arrit një kohezion fetar shqiptar, që rilindja shqiptare e ka shprehur si aspirate.
Për mendimin tim, në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë, ndërsa në Shkodër filluan të bëhen shqiptarët proces, ndoshta i papërfunduar deri në ditët e sotme.