Tetovë, 25. 03. 2016: Maqedonia po thellohet edhe në një krizë më të madhe dhe me gjasë pa rrugëdalje. Këtë edhe një herë e dëshmoi Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila para do ditësh solli ligjin që Kryetari i Shtetit të ketë të drejtën për amnisti të pedofilëve, kriminelëve dhe vjedhësve të votave, veprim ky që tronditi jo vetëm opinionin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar, që me automatizëm nënkuptohet se këto vendime janë në kundërshtim me rregullat e një shoqërie të civilizuar e demokratike dhe të dala jashtë udhës së Zotit.
Që moti demokracia në Maqedoni përjeton dergjën e rëndë e të gjatë. Ajo erdhi vetëm si formë, por jo edhe si vlerë shpirtërore e një rryme të re dhe mjaft të pritur. Ajo erdhi e papjekur dhe e pa kultivuar në këto hapësira. U kuptua vetëm si nocion, por jo edhe si vlerë që kishte dhënë shumë rezultate nëpër shtete të përparuara të Europës e më gjerë. Erdhi shumë e brishtë dhe nuk erdhi si një koncept i përbashkët edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit. Shqiptarët e kuptuan si koncept, që përmes sajë, liria vjen me automatizëm, kurse maqedonasit e kuptuan si koncept që me demokracinë mund të bëjmë çka të duan, bile edhe të shkelin dhunshëm lirinë dhe të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve. Pikërisht kjo solli përplasje të mëdha brenda kësaj demokracie, e cila, atëherë e sot mbetet e brishtë, e paqartë, e pasuksesshme, dhe herë-herë edhe irrituese, saqë, vetë njerëzit që luftuan për demokracinë, kanë nisur ta lakmojnë socializmin e dikurshëm.
Gjatë këtyre 25 viteve, të ashtuquajtura demokratike, erdhën e shkuan disa liderë, herë-herë edhe mjaft shpirtërorë, por edhe ata u ballafaquan me problemet nga më të ndryshmet, pasi diga e komunizmit i kishte zënë të gjitha shtigjet për depërtimin real të demokracisë dhe lëshonte vetëm nga pak ujë sa të mos i thahej goja popullit dhe ta mbajnë gjallë me iluzione të rrejshme. Kësaj etje të madhe të popullit për liri i demokraci i erdhi fundi dhe ndodhi shpërthimi i konfliktit të vitit 2001. Populli jo vetëm që e përkrahu atë, por edhe u mishërua plotësisht me luftën, me shpresën e vetme se, njëherë e përgjithmonë duhej të fitonte demokracia, apo thënë troç-liria në përgjithësi. Kjo ishe ndoshta edhe ëndrra më e madhe që ka mundë të ketë pasur populli shqiptarë në Maqedoni që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.
Për fatin e keq, apo si për ironi të fatit tonë, sërish demokracia reale nuk e gjen dot vendin e duhur në këtë shtet, pasi ende ky shtet vret e burgosën njerëz të pafajshëm, siç thotë populli: pa hak e bilak, pa nam e nishan, vetëm që të mbjell frikën e pushtetit ndaj popullatës,të cilën e dëshmoi para do ditësh edhe ndërmjetësuesi i BE-së në procesin politik në Maqedoni, Peter Vanhoutte, i cili ka thënë se askund nuk kamë parë njerëz të trembur sa në Maqedoni. Kjo ndodh se edhe vetë shteti ka frikë nga shumë fenomene të pa zbërthyera brenda shtetit. Ka frikë të bëj regjistrimin e popullatës, duke dashur të gjejë mekanizma të rrejshëm, qoftë edhe me numra fiktiv, vetëm e vetë ta ruaj numrin e popullatës ashtu të rrejshëm, në mënyrën më të fshehtë, ashtu siç ka vepruar shumë dekada më parë. Tani, pas daljes së bombave të ashtuquajtura të Zaevit, besimi ndaj kësaj qeverie filloi të rrënohej dhe frika filloi të zbehet te popullata, kështu që më lirshëm njerëzit munden të regjistrohen në nacionalitetin që i përkasin. Kjo u pa qartë në regjistrimin e dështuar, ku, sipas shumë të dhënave jo oficiale, me të madhe është rritur numri bullgarëve, vllahëve, shqiptarëve ortodoksë, serbëve dhe, kjo zgjoi frikë të tmerrshme dhe zgjoi dilemën se me këtë realitet natyror ku do të shkojë Maqedonia?!… Kjo tregon se këta udhëheqës nuk kanë forcë morale të përballen me realitetin natyror, politik dhe jetësor, të kuptojnë se shteti, sido që të jetë, mbetet po i atyre njëzove që jetojnë brenda tij. Ata nuk e kuptojnë se rrenat nuk vazhdojnë përgjithmonë, sidoqoftë e vërteta do dali sheshit, prandaj Maqedonia e ka vështirë ta gjejë udhën e Zotit.
Këto që përmendëm më lartë dhe shumë e shumë fakte të tjera, sjellin në pikëpyetje ekzistencën e shtetit real të Maqedonisë. Do të krijohet shteti real, pasi më nuk ka forcë të veprojë jashtë normalitetit gjeopolitik, jashtë realitetit natyror, jashtë strukturave të BE-së dhe NATO-s, nuk mund t’u ikë bombave të Zaevit, nuk mund ta institucionalizojë rrenën, nuk mundet të mos e pranojë krimin e organizuar ndaj popullatës, nuk mundet t’i fshehë hajdutëritë pakufi, nuk mundet t’i ikë Prukurorisë Speciale, e përkrahur nga demokracia evropiane, nuk mundet, nuk mundet… pasi demokracia e ka pasur vështirë të depërtojë një herë dhe do ta luftojë të keqen përgjithmonë, deri sa ky shtet ta gjejë udhën reale të Zotit.
Të gjitha këto flasin për trauma të përsëritura në politikën shqiptare-maqedonase në Maqedoni, për të cilën dëshmojnë të gjitha zgjedhjet lokale apo parlamentare, të cilat asnjëherë nuk janë dukur si ditë feste-gëzimi, por kanë qenë ditë zie. Këto zgjedhje, për 25 vite, asnjëherë nuk u mbajtën në frymë demokratike, siç ndodh në vendet e përparuara të botës. Në të gjitha zgjedhjet, qofshin ato lokale apo parlamentare, gjithmonë kanë përfunduar me viktima, me thyerje kutish, me kallashnikovë nëpër duar, me vjedhje votash, me blerjen e tyre, me sharje e me ofendime dhe me frikë se çka do të ndodhe ato ditë… Këto ishin votimet ”ferr dhe demokratike”, ku me siguri kanë qenë të implikuara edhe shërbime të huaja, që nuk ua kanë dashur të mirën asnjërit nga popujt, qoftë maqedonasve, qoftë shqiptarëve, dy popujt shumicë që përbëjnë shtetin në tërësinë e tij absolute. Këto ishin zgjedhjet “demokratike” krejtësisht të dala nga udha e zotit, pasi Zoti e njeh popullin e vet dhe jo krimin dhe dënimin e tij.
Mendojmë se këto dështime kanë ardhur nga mungesa e ndonjë shërbimi për kundërzbulim që do t’i mbronte maqedonasit dhe shqiptarët të mos futen në lojëra të pista e kriminale dhe me siguri nuk do kishin ndodhur rastet e montuara si: Gostivari, Ladorishti, Bit Pazari, Gostivari, Shipkovica, Rakoveci, Vreshtat e Rashtanit, Tetova, Sopoti, Liqeni i Smillkovës, Brodeci, Kumanova etj., veprime këto që dëshmojnë për punët e djallit e jo për urdhrat e Zotit. Po të kishte vepruar Maqedonia përmes udhës së Zotit, që do ishte më e mira e të mirës, nuk do vinte deri te këto tragjedi. Këto ngjarje shqiptarëve u kanë kushtuar shumë, por edhe Maqedonisë dhe politikës së sajë në tërësi nuk i ka bërë asnjë nderë dhe asnjë fitore, vetëm që e ka dobësuar ekonominë e shtetit, e ka shtuar urrejtjen ndërnjerëzore, e ka humbur imazhin e një shteti demokratik, e ka larguar vendin nga strukturat e BE-së dhe NATO-s etj. Kjo politikë 25 vjeçare edhe pse nuk mundemi ta quajmë tërësisht të zezë, por, marë në përgjithësi, ajo nuk ka bërë hapa konkret për ndërtimin e një shteti real politik, kulturor e juridik të lakmueshëm, por vetëm që kjo politikë është ushqyer me snobizmin e vet të rrejshëm dhe ka dëshmuar se vështirë e ka ta gjejë udhën e Zotit.
Besojmë se janë të mjaftueshme 25 vite dëshmi, sa për të kuptuar njëherë e përgjithmonë të keqen dhe të shëmtuarën që e solli vendin deri në këtë gjendje. Mjafton të kuptohet se kjo politikë solli që edhe të paslindurit, do të lindin me borxhe mbi dymijë euro për kokë banori. Patjetër që kjo politikë duhet ta gjejë udhën e Zotit, ku do të pranohet liria personale dhe kombëtare për të gjithë ata që jetojnë në këtë shtet; qytetarët t’i pranojnë të gjithë obligimet e tyre ndaj shtetit; të bëhet regjistrim real i popullsisë, të bëhen zgjedhje të ndershme e të kulturuara, të fillojë gradualisht besimi ndaj shtetit, të bëhen plane ekonomike, të kuptohet realisht diversiteti kulturor dhe kombëtar dhe drejtësia të vlejë për të gjithë njësoj… dhe vetëm kësisoj nuk do të përsëritet Gostivari, Liqeni i Smillkovës, Kumanova etj., vetëm atëherë Maqedonia do nisë ta kuptojë dhe ta kërkojë udhën e Zotit.
Aty ku është paqja, drejtësia, mirëqenia ekonomike, ku dominon dashuria për njeri-tjetrin dhe aty ku kuptohet diversiteti kulturor, kombëtar dhe fetar, tregon dhe dëshmohet se ai popull dhe ai shtet e ka gjetur udhën e Zotit.