EJUP AJDINI: KONICA, PERSONALITET I VEҪANTË I KULTURËS SHQIPTARE DHE EUROPIANE

Pashtriku.org, 31. 03. 2015 – Faik Konica, personaliteti i veçantë i letërsisë dhe i kulturës shqiptare dhe figura qendrore e epokës së Rilindjes Kombëtarelindi në Konicë më 15 mars 1876. Në vendlindje kryen shkollimin fillor, në Kolegjin Saverian të Shkodrës vazhdon mësimet e mesme (1884-1885), kurse në Liceun Perandorak të Gallata Sarait në Stamboll qëndron gjatë viteve 1886-1887. Studimet universitare i vazhdon në Francë (1888-1893) në degën klasike për letërsi dhe filozofi, gjatë vitit 1894 studion gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Montpellierit, më 1895 në Universitetin e Dizhonit fiton diplomën për studime të letërsisë dhe të filozofisë dhe merr Fletë nderi nga Ministria e Arsimit. Më 1896 studion në Paris në College de France, gjuhët sanskrite e hindishte. Poashtu studion hebraishten. Më 1912 në Universitetin e Harvardit studion artet dhe fiton diplomën “Master of Arts”.
Faik Konica zhvillon veprimtari të gjerë kulturore, letrare, publicistike dhe shkencore. Në fushën e publicistikës që nga viti 1896 angazhohet me tërë qenien e vet për botimin e organeve të ndryshme publicistike. Kontributi i tij si poet, prozator, kritik letrar, pamfletist dhe si përkthyes është shumë i madh. Njëzet poezitë dhe prozat e tij poetike, sajojnë një vëllim poetik, në të cilin trajton motive dhe tema të larmishme. Në kuadër të krijimtarisë së këtij krijuesi të famshëm shquhet sidomos proza e gjatë dhe eseistike, ku bëjnë pjesë: “Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m`u duk”, “Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mumurrasit”, “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe shkrime të tjera. Në shkrimet për gjuhën dhe për letërsinë shtron për diskutim çështje të rëndësishme të shkencave gjuhësore dhe letrare. Në qendër të vëmendjes së këtij dijetari, i cili me të drejtë është quajtur “princi i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare”, është zhvillimi dhe standardizimi i gjuhës shqipe, historia e alfabetit të shqipes, themelimi i gjuhës letrare etj. Konica i vë bazat e kritikës letrare dhe e afirmon atë në planin kulturor dhe shkencor. Është njëri ndër përkthyesit më të shquar të sh. XX. Shqipëroi veprat e disa shkrimtarëve të letërsisë botërore, siç janë: Kalidasa, Pjer de Ronsar, Viktor Hygo, Hajne, Sheli, Shiler etj. Në revistën “Albania” përktheu dhe botoi fragmente të “Iliadës” dhe të “Odisesë”, fragmente të veprës së Hesiodit, pastaj shqipëroi tekste të Senekës, të Tit Livit, të Plautit, të Terencit, të Marin Barletit, të Bajronit, të Shekspirit, të Valter Skotit, të Ben Gjonsonit, të La Fontenit, të Villarit, të Bomar-shesë, të Montenjit, të Lavardinit, të Gëtes, të Servantesit, të Shopenhauerit, pastaj librin “Nën hijen e hurmave”, fragmente të veprës “Një mijë një natë”, etj. Nga shqipja në frëngjisht përktheu veprën e Naim Frashërit “Fletore e bektashinjet”, poemën “Mili e Hajdhia” të Zef Skirroit, rapsoditë e Jeronim de Radës dhe tekste të tjera. Në moshën 21 vjeçare, më 1895 Faik Konica fillon botimin e artikujve publicistikë. Më 25 mars 1897, në Bruksel boton në gjuhën shqipe dhe frënge numrin e parë të revistës së famshme “Albania”, me të cilën edhe vë themelet e publicistikës moderne shqiptare e që zgjat deri në vitin 1902 dhe pastaj në Londër deri më 1909. Dymbëdhjetë vëllimet e “Albanisë’ në dy kolona përfshijnë 4654 faqe. Konica shquhet si hulumtues dhe autor i zellshëm i shkrimeve për historinë e Shqipërisë. Duke gjurmuar në arkiva, në muze, në biblioteka të ndryshme, gjen materiale për ngjarje dhe për figura të ndryshme historike. Artikujt me tema të historisë janë të shumtë dhe janë botuar në organe të shtypit dhe të periodikut shqiptar, por edhe në ato të vendeve të ndryshme në gjuhët e huaja. Konica zbuloi Flamurin Kombëtar dhe më 15 shkurt 1909 botoi punimin “Shqipëria ka një flamur authentik”, pastaj shkroi për jetën, portretin autentik dhe për armët e Skënderbeut, portretet për shqiptarë të shquar, artikullin për Patrikun shqiptar, shkrimet për arbëreshët e Italisë dhe për arbëneshët e Zarës, për ngulimet e tjera shqiptare, për humanistët shqiptarë dhe për mesjetën shqiptare në përgjithësi, për Rilindjen Kombëtare dhe për çështje të veçanta të historisë dhe të qytetërimit shqiptar. Dokumentet e panjohura për Shqipërinë, që i publikoi Konica, kanë vlerë të madhe për studimin e historisë së popullit shqiptar.

– Ejup Ajdini – 

Vlerë të madhe për historinë, për kulturën dhe për shkencën shqiptare kanë veprat “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, “Gjermania dhe Shqipëria”etj. Shkruan edhe për letërsinë e shekullit nëntëmbëdhjetë, “kur u bë rilindja e gjuhës kombëtare”, dhe për romantizmin shqiptar, por nuk jep asnjë informacion shkencor për krijimtarinë e Jeronim De Radës dhe atë të Naim Frashërit, për të cilët ka shkruar shkurt në vështrimin “Letërsia shqiptare”, të botuar në numrin e parë të revistës “Albania” më 1897. Faik Konica ka njohur shumë krijues të shquar dhe ka komunikuar me personalitete të shumta të kohës. Letërkëmbimi i tij është shumë i pasur. Ai u ka dërguar letra dhe materiale të ndryshme bashkëkombësve të vet, diplomatëve, shkrimtarëve, artistëve, albanologëve të njohur, publicistëve, shkencëtarëve, burrave të shtetit, diplomatëve dhe sidomos figurave të njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Veprat e tij në këto 26 vjet mbetën të fshehta, janë mundimet dhe plagët të fituara në këtë luftë të dëshpëruar”. I mbeti edhe një dëshirë e fundit, e shprehur në testamentin e shkruar në Boston më 1942, për ta realizuar Fan Noli dhe Sejfulla Malëshova (Lame Kodra). Në letrën adresuar Nolit, shkruan: “I shumënderuari Noli, ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë. Nuk do të më tretë dheu nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i Vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se do të ma kryeni këtë amanet”. Faik Konica vdiq në Vashington më 15 dhjetor 1942. “Më 20 dhjetor 1942, një të diel shumë të ftohtë, u bë varrimi i tij në zemër të Bostonit. Kishin ardhur për ta përcjellë në banesën e fundit qindra admirues nga vise të largëta dhe të afërta… Nuk u zhvillua ndonjë ceremoni fetare. U mbajt vetëm muzikë nga Wagneri, kompozitori i tij i preferuar. Kishte lule me shumicë, të cilat ai i deshi aq shumë sa qe gjallë”. Në varrezat Forest Hills Cemetery Fan S. Noli mbajti fjalimin e rastit. Më vonë Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës i ngriti përmendoren, ku , përveç shqiponjës dykrenore, janë shkruar fjalët: “Faik Konica /15 mars 1876 – 15 dhjetor 1942/ Gjatë gjithë jetës- mbrojtës i pavarësisë shqiptare/ Ministër i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 1926-1939”. Porosia e Faik Konicës u realizua shumë vjet më vonë. Më 1995, pas demokracisë, eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe varroset në Tiranë. “Bibliografia e botimeve të Faik Konicës 1895-1942”, e hartuar më 1991 nga bibliografi i shquar shqiptar, Jup Kastrati, ku përmbledh 1583 njësi bibliografike. Përveç Jup kastratit, për bibliografinë e tij janë angazhuar mbi 40 studiues eminent të shkecasës së albanologjisë në mbarë trojet shqiptare. Duke përkujtuar Faik Konicën, i cili sipas Apolinerit “Është shqiptari më erudit i Evropës”, dhe “enciklopedi lëvizëse” dhe për këte, sonte, në këtë akademi përkujtimore, ndjejmë krenari të ligjshme. Fan Noli shkruan në Hyrje të librit “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”: “Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve”.
Më 11 korrik 1926, në stacionin hekurudhor të Uashingtonit arriti nga Bostoni Faik Bej Konica, një burrë i pashëm, i qethur shkurt, i cili do të ishte përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë së Ahmet Zogut në kryeqytetin amerikan.
Në muajin prill të atij viti, kur në zyrën e Presidentit Amerikan Kelvin Kullixh arriti një letër e firmosur nga Sekretari i Shtetit, Frank Kellogg. Në letër thuhej se Presidenti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, dëshironte të hapte legatë në Uashington dhe të emëronte Faik Bej Konicën si ministër fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas informacionit në departament amerikan thuheshte: Z. Konica është miqësor ndaj vendit tonë, ku jeton prej disa vitesh. Thuhet se një pjesë të shkollimit e ka marrë në Universitetin Harvard dhe ka diplomë nga ai institucion. Legata jonë në Tiranë na raporton se ai gëzon një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri, ku njihet gjerësisht, megjithëse ka qëndruar mënjanë nga politika personale, duke mos e identifikuar veten me ndonjë parti politike. Por ai ka përfaqësuar vendin e tij në një numër konferencash ndërkombëtare dhe ka luajtur rol të shquar në lëvizjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. Nuk shoh ndonjë arsye që z. Konica të mos pranohet prej kësaj qeverie dhe, nëse kjo është edhe dëshira juaj, atëherë po e udhëzoj ministrin tonë të informojë qeverinë shqiptare se emërimi do të jetë i pranueshëm. Mbetem besnikërisht i juaji, i dashur President. Kjo u pranua nga presidenti amerikan.
Faiku vinte në botën diplomatike të Uashingtonit nga një mjedis shqiptar, pas pesë vjetësh si kryetar i Federatës Vatra në Boston. Krerët e Vatrës kishin për të një nderim të thellë, që i kalonte caqet e respektit të thjeshtë për kryetarin.
Atij i vinte keq që po largohej nga ajo Shqipëri e vogël e verilindjes amerikane, e cila kishte qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Ajo botë shqiptare me siguri do t’i mungonte. Më shumë i vinte keq për episodet e dy viteve të fundit që kishin krijuar armiqësi brenda komunitetit. Ishte ndarë nga miku i tij, Noli, dhe ishte bashkuar me një ish-armik, Zogun. Kjo kishte lënë një shije të hidhur dhe kishte ngjallur dyshime te një pjesë e shqiptarëve, të cilët thonin se Faiku ishte joshur nga paraja e Zogut, gjë që Faiku e mohonte prerë, pasi që më më parë, më 1914 i kishin ofruar katër herë përfaqësimin diplomatik në Uashington, dy herë në Londër dhe tre herë në Itali. Ka refuzuar kurdoherë, por kësaj rradhe s’dihet mirë se si pranoi të përlihet me politikën, pasi njerëzit e mëdhenj janë gjithmonë në luftë me te. Ideja e Faikut ishte se Shqipëria e Zogut, ende e dobët dhe e rrethuar nga armiq, kishte nevojë për paqe dhe disiplinë, për bashkim të brendshëm dhe për respekt të jashtëm.
Meqenëse Shqipëria nuk kishte patur kurrë legatë në Uashington, arritja e Faikut u prit me kërshëri të natyrshme nga shtypi. Ardhjen e tij e njoftuan gazetat e mëdha, si Washington Post dhe disa të tjera. Lajmi shoqërohej me një fotografi të re të Faikut që thuheshte se Shqipëria do të përfaqësohej në kryeqytetin amerikan nga një njeri i ditur, të cilit i interesonte gjithçka: muzika, letërsia, historia e lashtë e deri te moda, piktura dhe gatimi. Njeriu i arsimuar në Turqi e më vonë në Francë, pasta në njërën prej shkollave më të mira të Amerikës, Harvard, fliste më bukur frëngjishten dhe anglishten e përsosur.
Nuk u martua kurrë. E ruante me fanatizëm jetën personale, fliste pak për gratë, por nuk arriti t’i shmanget tërësisht skandaleve të faqeve të gazetave. E kishte mjaft kujdes dukjen, rrinte kurdoherë i hekurosur, me kostum e me borsalinë dhe këmishët i puthiteshin mirë. Pikërisht ky njeri që e kishte në gjak polemikën me penën që shpesh i villte vrer, nuk e ngrinte kurrë zërin në shoqëri. Të folurit e tij ishte aq i butë dhe elegant, sa që në qarqet e diplomatëve njihej si “ministri xhentil i Shqipërisë”. Një nga hobet e tij ishte gatimi. Njihte mirë verërat, por pohonte se nuk e kishte zakon të pinte para mbrëmjes. Faiku ishte mjeshtër në qerasjen e mikut dhe i çudiste mysafirët me mikpritjen e tij. Ishte një shijues i rrallë i muzikës dhe i pikturës dhe kishte një kujtesë të jashtëzakonshme për veprat e artit dhe autorët e tyre. Për fat të mirë, Konica ishte njeri mjaft i ditur, i njohur dhe interesant, prandaj nuk i shpëtonte syrit të gazetarëve, të cilët herë pas here shkruanin për të. Konica jetonte në “Mayflower”, hoteli më i mirë i Uashingtonit. Ai erdhi në Uashington nga Bostoni në korrik 1926, dhe qëndroi aty deri sa vdiq, në dhjetor 1942. Për më shumë se 13 vjet, ai banoi në këtë hotel të famshëm, që ishte adresa e dytë më e njohur e kryeqytetit pas Shtëpisë së Bardhë. Faiku e konsideronte veten një bej për nga rangu shoqëror dhe nuk mund të jetonte në një banesë dosido. Ai e zgjodhi këtë hotel si banesë dhe njëkohësisht si legatë, për ta përfaqësuar sa më denjësisht Shqipërinë. Ministria e Jashtme e kishte të vështirë të përballonte një legatë kaq të shtrenjtë dhe fondet për Faikun shpesh vononin. Roli i Faikut si diplomat ishte kryesisht reklama që ai i bënte Shqipërisë përmes kontakteve që mbante me botën e Uashingtonit dhe hoteli “Mayflower” ishte vendi ideal për ta bërë këtë. Sa kohë ishte përfaqësues i Zogut në Uashington, Faiku nuk u largua kurrë nga ky hotel, me gjithë presionet që i bëheshin herë pas here nga Tirana për t’u zhvendosur në një banesë më të lirë.
Vepra më e rëndësishme letrare e Konicës është padyshim proza e gjatë satirike “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”. Ndonëse e pakryer, ajo përfaqëson tiparet më karakteristike dhe vlerat e tij si shkrimtar në përmasa të gjera. “Doktor Gjipëra” u shkrua dhe u botua në gazetën “Dielli” në vitin 1924. Ishte koha kur kish triumfuar Revolucioni i Qershorit dhe në gjirin e shoqërisë shqiptare zhvillohej një luftë e ashpër politike, para saj shtroheshin probleme jetike si: zgjidhja e formës së regjimit, reforma agrare, demokratizimi dhe modernizimi i aparatit shtetëror, emancipimi kulturor kombëtar etj. Vepra e Konicës është pjellë e kësaj kthese social-historike që sapo niste në jetën e popullit shqiptar. Autori mori shkas nga vrasja e dy qytetarëve amerikanë në Mamuras, që organizoi reaksioni feudal. Konica krimin e Mamurasit nuk do ta vështronte si një rast të veçuar, po si një ngjarje me kuptim të gjerë shoqëror, ku mplekseshin interesa e synime të qarqeve të caktuara dhe shfaqej lufta politike e kohës.
Heroi i veprës është Doktor Gjilpëra, një intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi në Rusi e Suedi dhe ndodhet para dilemës: të qëndronte jashtë, ku e priste një karrierë plot perespektivë apo të kthehej në atdhe e të ndihmonte në mëkëmbjen e tj, veçanërisht në përmirësimin e shëndetit të popullit. Ai vendos të kthehet në Shqipëri, pasi atdhedashuria triumfon mbi interesat vetjake.
Ai është në radhë të parë, atdhetar i bindur, njeri me kulturë të gjerë, mjek i pregatitur dhe human, i zgjuar dhe plot vullnet e vendosmëri. Janë këto cilësi, që e bëjnë atë të kthehet në atdhe. Kthimi në Shqipëri e ve doktor Gjilpërën përballë një realiteti tronditës: njihet me gjendjen e mjeruar të popullit, me padrejtësitë që bëhen në kurriz të tij, me aparatin shtetëror, ku mbizotërojnë arbitrariteti, drama, intrigat, me nëpunës injorantë e anadollakë. Në këtë shtet tragjiko-komik, opozitën e përbëjnë njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me ligjin dhe moralin.’
“Doktor Gjëlpëra” është një vepër e fuqishme satitike. Duke pasur parasysh realitetin e rëndë shqiptar, mendësitë anakronike e jetën e prapambetur, autori u kundërvihet atyre, i tall dhe i godet pa mëshirë. Qëndrimi ideoemocional mohues bën që në faqet e veprës të ndihet ironia, satira dhe sarkazma.
Konica ishte i bindur, se një ditë do realizohen idealet kombëtare: …bashkimi do të bëhet pak e nga pak e do të arrihet ndërmjet atyre që i kundërshtohen pa të keq njëri-tjetrit. Por të mos humbim kohë e të kërkojmë bashkim nga ata që përpiqen të mbushin xhepin, që tallen me mirësinë e popullit shqiptar… (Albania, 1902)
Ai përdor tehun e shpatës edhe ndaj dobësive të popullit, pasi “Trimëria e shqiptarit … sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.” Dhe pr këte thoshte se : “Armiqtë e shqiptarëve janë vetë shqiptarët” edhe pse”Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh.” (1922)
Te Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore shkruan: “Ne i kemi shkruar me gjakun tonë mjaft faqe të historisë së Evropës, por me sa duket nuk duam të derdhim asnjë pikë për lirinë tonë… ne punojmë për grekët, që na quajnë paloarvanitis (shqiptarë të ndyrë), si edhe për turqit, të cilët gjithashtu na quajnë pis-arnaut (shqiptarë pisa). Arsyeja për këtë ngathtësi të turpshme është se ne ende nuk e kemi zhvilluar frymën e pavarësisë. Prandaj pranojmë të mbetemi skllevër.”
Kombësia jonë zuri të humbasë kur u ngjall Greqia. Gjer atëherë, shqiptarët e krishterë rronin vëllazërisht me të tjerët; por pasi fitoi pavarësinë Greqia, nga njëra anë shqiptarët myslimanë u shtrënguan t’i lidhen më fort Turqisë, nga tjetra anë të krishterët shqiptarë iu afruan shtetit të vogël të krishterë, gjer sa u bënë fare, fare grekër. Në këtë mënyrë, Greqia e ngjallur prej shqiptarëve, u bë shkak për vdekjen e tyre.
Për të gjitha këto probleme të kohës së tij, pse jo edhe të kohës sonë, mendonte se “ndryshimet e mira mund t’i sjellë vetëm një kabinet i pastër, i frymëzuar me ideale politike dhe sociale të larta, dhe se një kabinet i ndershëm mund të dalë vetëm prej një Parlamenti të ndershëm. Të gjitha këto i sheh dhe i di çdo njeri që është me të vërtetë njeri dhe jo shtazë me fytyrë njeriu. Po vetëm njerëzit e mençur, njerëzit me tru dhe me ballancë, kuptojnë se për të patur një Parlament me ndërgjegje… duhet stërvitur populli të përdorë me gjykim armën që ka në dotë: VOTËN. (1923)
Mu për këte e krijoi thënien e revoltës dhe të realitetit “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Shqiperia lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Faleminderit

Referat i përgatitur nga Prof. dr.Ejup Ajdini, me rastin e 140 vjetorit të lindjes së Faik Konicës, i paraqitur në Akademinë përkujtimore për kolosët e kombit: Nolin, Gurakuqin dhe Konicën, në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, në Tetovë, më 27 mars 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura