UKSHIN HOTI: KËRKESA PËR REPUBLIKË ËSHTË KËRKESË PËR ZHVILLIM MË TË SHPEJTUAR

Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – (Nga teksti i diskutimit në OB të LK në Fakultetin Filozofik, Dega -Filozofi-Sociologji, Prishtinë 1981, shkëputur prej autorit nga letra e tij drejtuar KQ të LKJ më 25 qershor 1987) – Të pranishmit e dinin se unë kisha specializuar në Marrëdhëniet Politike Ndërkombëtare, se këtë lëndë e kisha ligjëruar për një kohë të gjatë në Fakultetin Juridik dhe në Shkollën Politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist “Eduard Kardel” në Prishtinë dhe që pikërisht nga aspekti i kësaj shkence do të flisja edhe mbi ngjarjet që ishin zhvilluar tek ne. Marrja me këtë shkencë e parakuptonte nënkuptimin e njohurive mbi politikën aktuale ndërkombëtare por edhe mbi rrethanat që i kushtëzojnë dukuritë bashkëkohore. Në këtë kuptim, një kohë të gjatë isha marrë me hulumtimin e ngritjes dhe të rënies së imperatorive koloniale dhe të paraqitjes së atyre neokoloniale. Gjatë këtyre studimeve kisha vënë re gjëra shumë interesante. Kisha vënë re p.sh. se Imperatoria Britanike, gjatë kohës së rritës dhe të ekspanzionit të vet, nuk kishte pasur probleme të theksuara ndërnacionale as me Uellsin dhe as me Skocinë. Është vërtetuar se p.sh., me 1945, Partia Nacionale, nuk e di se si quhej saktësisht, por e cila në programin e vet angazhohej për pavarësimin e Skocisë nga anglezët, pati fituar gjithsejt rreth 28% të votave. Pas fitimit të pavarësisë së Indisë, në vitin 1947, numri i votave në favor të kësaj partie u rrit në rreth 37% në mënyrë që sot (dmth. kah fundi i viteve ’70) paralelisht me hapjen e bisedimeve mbi shkurorëzimin eventual të Kanadasë me Mbretërinë Britanike, ky numër u rrit në rreth 40% në favor të partisë së përmendur. Rënia ose rritja e kërkesave nacionale të popullsisë joangleze është vërtetuar se ka qenë e lidhur dhe në korrelacion me rritjen, me ekspanzionin ose me rënien dhe me zhdukjen e kësaj imperatorie. Sociologë të ndryshëm kanë vërtetuar se pozita e jashtme e Imperatorisë është reflektuar në plan të brendshëm si kërkesë për sigurimin e së ardhmes, të vendeve të punës, të statusit të ngjashëm, të kuadrove të profileve të ndryshme të përkatësive nacionale joangleze. Ndërkaq poashtu është vënë re edhe një luftë më e ashpër e kuadrove të përkatësisë nacionale angleze për ruajtjen e statusit të tyre, të pozitave dhe të privilegjeve të fituara. Kjo gjë midis këtyre dy grupeve krijonte tendosje të vazhdueshme. Kështu, në shembullin e Imperatorisë Britanike vëmë re se si mund të ilustrohet ndikimi i një dukurie të jashtme në raportet e brendshme të një vendi.

– Ukshin Hoti –

Është interesant se një gjë e ngjashme mund të vërehet edhe në raportet midis kanadezëve anglo-amerikanë dhe francezëve të Kuebekut. Në fillim të viteve 70 atje është aprovuar një kushtetutë mjaft demokratike me të cilën francezëve të Kuebekut u forcohej autonomia dhe e drejta për një lloj të statusit autonom, nëse jo edhe special, në marrëdhëniet me Francën. Në qershor të vitit 1975 Rëne Lëveku, atëherë Kryetar i qeverisë së Kuebekut të Kanadasë, në revistën “Lë mond Diplomatique” e pati shkruar një artikull mjaft të rëndësishëm me të cilin e arsyetonte zhvillimin e raporteve specifike me Francën në të mirë të francizimit të sërishëm të francezëve të Kuebekut. Së bashku me të tjerët në këtë provincë kanadeze, ai pati ardhur gjer në përfundimin se anglishtja, përmes zhvillimit më superior të teknologjisë anglo-amerikane, automatizimit dhe të informatikës, gjithnjë e më tepër po e ngushtonte përdorimin e gjuhës franceze. Zhvillimi i raporteve me Francën francezëve të Kuebekut do t’u ndihmonte në ruajtjen e gjuhës së tyre dhe në begatimin e kulturës franceze në Kanada.
Jugosllavia, natyrisht, nuk është imperatori britanike, e as që ka ambicie të tilla. Kosova nuk është Skoci, Uells apo Kuebek.
Mirëpo poashtu është interesant se kërkesat për një autonomi më të madhe në vendet perëndimore ngushtësisht janë të lidhura me gjendjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike dhe me pozitën e secilit vend individualisht në këto raporte. Kjo na solli gjer ke përfundimi i dytë se procesi i forcimit të kërkesave autonomiste, t’i quajmë kështu me një emërues të përbashkët të gjitha ato tendenca konvulsive në botë që i njohim me emra të ndryshëm, është gjithashtu ngushtësisht i lidhur me krizën e botës së kapitalit.
Marksistët qëmoti i vunë re lidhjet e dukurive të tilla të pranishme në definicionin e Marksit mbi politikën si shprehje të koncentruar të ekonomisë. Për këtë shkak kjo që ngjau, dhe kërkesat që u shtruan në atë mënyrë, esencialisht ndodhën brenda kësaj ligjshmërie dhe nuk mund të shpjegohen jashtë saj. Me fjalë të tjera, kërkesa për Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik. Si e tillë figuron në të gjitha dokumentat e LKJ-së dhe të shtetit të RSFJ-së, por ngjarjet e zhvilluara e theksojnë momentin; e shprehin pakënaqësinë me tempon e realizimit të asaj që u definua si qëllim politik i politikës sonë; e vënë kërkesën për instrumentin autokton që do të mund të përdorej në dobi të tempos së zhvillimit të shpejtuar.
Akademik Hajredin Hoxha tha se ne e kemi zgjidhur çështjen nacionale më së miri në botë. Për ta argumentuar këtë pohim ai betohet se është ashtu. Unë nuk dëshiroj të merrem me kontestimin e pohimit të tij, por do t’ia tërhiqja vërejtjen akademikut se betimi nuk është argument shkencor. Nga ana tjetër, përveç asaj që e theksova lidhur me skocezët dhe lidhur me francezët e Kuebekut, do ta plotësoja diskutimin tim edhe me ca shembuj të tjerë. Më duket se kushtetuta belge poashtu u aprovua në fillim të viteve ’70, apo më sakt, më 1972. Kjo kushtetutë i vë në pozitë të barabartë valonët dhe flamanët në Belgjikë, bile flamanëve u jep të drejtën e raporteve specifike me Holandën. Mendoj se flamanët industrialisht janë më të zhvilluar se valonët, por megjithatë, siç tregojnë ngjarjet e fundit atje, një pjesë e mirë e tyre i akuzojnë valonët se e mbajnë “lidhjen franceze” në planin ekonomik dhe atë kadrovik, d.m.th. mendojnë se ndodhen në pozitë të pabarabartë dhe se ekonomikisht janë të eksploatuar nga valonët, pa marrë parasysh kushtetutën demokratike të Belgjikës. Suedezët në Finlandë poashtu e kanë universitetin në gjuhën e tyre dhe mbajnë lidhje të gjalla me Suedinë. Të gjitha këto vende kanë kushtetuta demokratike dhe ky është realiteti i tyre. Zezakët në SHBA pjesën më të madhe të të drejtave të tyre e realizuan kah fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70. Edhe atje u aprovuan amandamentet në kushtetutën e tyre, por tani amerikanët janë të preokupuar me të ashtuquajturin integrim të tërësishëm të zezakëve, gjë që do të thotë se kjo çështje e ka burimin te raportet klasore e jo tek ato nacionale e racore. Me fjalë të tjera, me integrimin e zezakëve të pasur në jetën publike dhe politike të vendit, amerikanët mendonin se e kishin zgjidhur problemin e raporteve midis racave. Praktika megjithatë i demantoi. Tani ndodhen para pyetjes se ç’duhet bërë me shumicën e varfër dhe të pakënaqur të zezakëve. Ata pozitën e vet inferiore në planin ekonomik gjithmonë e veshin me teshat e raporteve raciale. Problemi i integrimit të tyre, d.m.th., problemi i zhvillimit të përgjithshëm të tyre, reflektohet si kërkesë për pozitë të barabartë të racës zezake. E tillë është logjika e ligjshmërive shoqërore. Reflekton disi në mënyrë indirekte, shtrembër e jo në mënyrë të drejtpërdrejtë e si në pasqyrë. Te amerikanët është interesante edhe një dukuri nga mesi i viteve ’70 e njohur si dukuri e gjurmimit të përkatësisë etnike (ethnicity). Nga ajo nuk bënë kurrfarë problemi. Edhe kjo dukuri disi paraqitet paralelisht me fillimin e krizës ekonomike të botës së kapitalit (v. 1973, përkatësisht 1975).
Kushtetutën e fundit ne e aprovuam me 1974. Ajo ishte rezultat i demokratizimit të mëtejshëm të jetës politike dhe shoqërore tek ne. Gjithsesi nuk mund të thuhet se kjo ishte e lidhur me ndryshimet dhe me aprovimet e kushtetutave demokratike të vendeve të tjera, por askush nuk mund ta mohojë bindshëm se proceset e demokratizimit shoqëror dhe politik te ne nuk janë pjesë e proceseve të demokratizimit e të civilizimit të Evropës, dhe pjesë e ecjes së përgjithshme progresive të njerëzimit. Çdo kushtetutë i reflekton raportet dhe qëllimet e forcave politike të vendit të vet. Për këtë shkak, kur themi se ne kemi arritur rezultate të mëdha, por jo më të mira në botë, në zgjidhjen e çështjes nacionale, atëherë një gjë të tillë duhet argumentuar dhe shpjeguar me sistemin e përgjithshëm të raporteve demokratike të vetëqeverisjes socialiste. Zgjidhja e çështjes nacionale, këtë do të duhej ta shpjegonte akademik Hoxha, është në mënyrë të pandashme e lidhur me tempon dhe shkallën e demokratizimit të përgjithshëm të shoqërisë, me natyrën dhe me karakterin e vetëqeverisjes socialiste në Jugosllavi. Për aq sa ky sistem është më demokratik, më human, më i mirë, më integral, mund të thuhet se për aq edhe çështja nacionale është zgjidhur në mënyrë më demokratike, më humane, më mirë dhe më integrale. Çështja qëndron në faktin që të shihet se sa kemi arritur ne që sistemin e vetëqeverisjes socialiste të normativizuar në dokumentet partiake, në kushtetutë dhe në ligje, ta realizojmë në praktikë, sepse pozita e vërtetë dhe reale e kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë është e lidhur pikërisht me këtë. Për këtë shkak, mendoj se ngjarjet janë edhe protestë kundër deformimeve në zhvillimin e vetëqeverisjes dhe kundër deformimeve në praktikën politike, dhe njëkohësisht, ato janë kërkesë për zvogëlimin e jazit midis asaj që është normative dhe realitetit; midis fjalëve dhe veprave. Në instancën e fundit, kjo është një kërkesë për zhvillimin e shpejtuar të Kosovës.
Nga ana tjetër, akademik Hajredin Hoxha tha se në botë ekzistojnë dy lloje të socializmit: socializmi dogmatik i Shqipërisë dhe socializmi vetëqeverisës i yni. Mua nuk më është e qartë se cilit lloj të socializmit i takojnë p.sh., BRSS, Kuba, Koreja Veriore, Kina, Vietnami, dhe tani Angola e Etiopia, si dhe një numër i tërë vendesh që veten e konsiderojnë socialiste? Ai thotë se ashtu shkruan në Programin e LKJ. Por programi i LKJ është aprovuar në vitin 1958 dhe ai nuk mund të kuptohet në mënyrë dogmatike. Atëherë LKJ nuk do të mbante marrëdhënie me asnjë parti komuniste në pushtet, as që do të mbante raporte diplomatike dhe politike me këto vende. Sa më përket mua, plotësisht më është e qartë se cila nga këto parti e monopolizon të drejtën që vetëm ajo të ketë të drejtë dhe e pranon vetëm socializmin e vet. Sovjetikët e pranojnë socializmin real të Traktatit të Varshavës; unë e pranoj linjën e LKJ-së mbi rrugët e veçanta të zhvillimit të socializmit në çdo vend të veçantë, por meqenëse akoma nuk i njoh të gjithë parametrat me anë të të cilëve në mënyrë të pagabueshme do ta matja socializmin, nuk kam mundur vetes t’i ofroj përgjigje kategorike se sa lloje të socializmit ekzistojnë në botë. Si anëtar i LKJ-së i përmbahem linjës së saj. Ua kam lënë popujve të vendeve socialiste që të gjykojnë mbi socializmin e tyre. Nuk e konsideroj si oportune të merrem me vlerësimin e socializmit në Shqipëri sepse ndodhem në një mbledhje partiake dhe jo në një simpozium shkencor. Sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë në përgjithësi, dhe raporteve midis Universitetit në Prishtinë dhe të atij në Tiranë në veçanti, tashmë jam deklaruar në mbledhjen e Komisionit Ndërkombëtar të KK të LK të Kosovës. Unë jam kundër suspendimit të këtyre marrëdhënieve. Nuk e besoj se na kanë indoktrinuar. Kam qenë njëri nga bartësit kryesorë të këtyre marrëdhënieve. Kam besuar dhe besoj se ato kanë qenë në interes të të dyja palëve dhe në interes të zhvillimit të tërësishëm të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Puna ime në zhvillimin e këtyre raporteve ka qenë në pajtim të plotë me parimet e politikës së LKJ. Për këtë e kemi pasur përkrahjen e të gjitha forcave progresive të krahinës, andaj edhe të Universitetit tonë. Akademik Syrja Pupovci ka qenë njëri nga ata që e përkrahte këtë bashkëpunim gjatë tërë kohës së udhëheqjes sime në Sekretariatin për Marrëdhënie me Botën e Jashtme. As atëherë dhe as sot nuk kam konsideruar se kemi qenë të mashtruar. Nuk ishim fëmijë. Tani nuk jam i dëshpëruar me rezultatet e punës sime në këtë drejtim, por përkundrazi, krenohem. Por do të dëshiroja që akademik Pupovcit t’i drejtohem me pyetjen direkte se a është akoma ai i djehit, që na përkrahte në zhvillimin e këtyre raporteve, apo ai i sotit, i cili angazhohet me të madhe për ndërprerjen dhe për suspendimin e tyre. Nuk do të dëshiroja që një ditë të vijmë në pozitën prej nga do të angazhoheshim për rishqiptarizimin e gjuhës shqipe, ose për rishqiptarizimin e shqiptarëve.
Një kohë të gjatë kam punuar në politikë. Kurrnjëherë nuk kam dëshiruar, dhe as që dëshiroj, që forcat reaksionare jashtë dhe brenda Kosovës të manipulojnë me të. Shokët që tani janë në pozitë, këtë nuk duhet ta lejojnë.

Prishtinë, 19 nëntor 1981

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura