Ejup Ajdini: Poetesha midis politikës dhe poezisë

Tetovë, 22 mars 2021: Vështrim mbi përmbledhjen poetike “Gjeografia ime” e Teuta Arifit, Shkupi, 1996, Shkup

Ardhja poetike e Teuta Arifit te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, gëzoi shtresat intelektuale dhe letrare të kohës, me bindjen se lindi një penë e mprehtë krijuese nga bota e gjinisë femërore ndër shqiptarët e këtij vendi. Kjo poezi, me çdo gjë të vetën, erdhi si përkushtim dhe qëndresë e gruas shqiptare në këto anë, por, jo me jetëgjatësinë që e priste opinioni i kohës. Ngase, kjo poeteshë, e cila më vonë shkroi edhe një libër rreth feminizmit, shpejt u “rrëmbye”nga politika (që nga viti 2002 e deri më sot). Ky veprim i saji bëri që ajo ta ndërpriste krijimtarinë letrare dhe të synonte sukseset më të larta në fushën e politikës. Ndër të tjera, ajo arriti të bëhet deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy mandate kryetare e komunës së Tetovës. Gjithçka në rregull, por, vargu i saj letrar dhe me plotë forcë poetike, sot e dy dekada më parë ka heshtur thellësisht, pasi koha e saj është e lidhur ngushtë me politikën ditore. Edhe pse e tillë, opinioni mendon se Teuta si poeteshë nuk mund të ndahet nga arti letrar. Gjithë kjo duke u mbështetur në atë se ndoshta ajo vepron edhe me artin letrar, por, pa u dukur, dhe, ndoshta një ditë kanë me dalë në dritë, siç thoshte Migjeni, në njëmijë ngjyra të bukura, ndoshta pa e pritur ne…

Përmbledhja e saj e vetme poetike, “Gjeografia ime” arriti të shfaqet fuqishëm në kohën kur krijimtaria poetike dhe ajo prozaike kishte shpërthyer edhe te gruaja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si një forcë e barabartë midis gjinive, e cila më parë ishte thjesht e diskriminuar. Arti i gruas shqiptare në këto anë, sot është bërë forcë e shquar e letërsisë mbarë kombëtare, jo vetëm si poeteshë, por, edhe si studiuese letërsie.
Ndonëse që në moshë të hershme rinore, Teuta punonte si gazetare dhe si profesoreshë nëpër shkollat e mesme të asaj kohe, ajo asnjëherë nuk pushoi së krijuari dhe vepruari, jo vetëm si poete, por, edhe si veprimtare në frymën e mirëfilltë njerëzore. Andaj, jo rastësisht, edhe poezia e saj është e ngërthyer nga filozofia e mirëfilltë shoqërore, si: malli, dhimbja, ëndrrat e vetmisë, kujtesa për të bukurën, e që herë-herë përshkohet edhe nga ndonjë shqetësim jetësor. Ky varg i arrirë poetik, duket që ka mundimet e veta e që si i tillë shkrihet në artin poetik të kësaj poeteshe. Si për ironi të fatit shpirtëror, poeteshës i pëlqejnë njerëzit e varfër, si Dostojevski, pse jo edhe si Sokrati e Migjeni… Por, si për çudi, ajo e di se në politikë rreken njerëzit mendjemëdhenj, si Napoleoni, dhe sërish iu bashkua krahut të politikës, ndërsa ajo shpirtërisht i takon një bote krejt tjetër. Jo rastësisht Akademik R. Qosja gjatë studimeve tona na thoshte se politika ka marrë shumë njerëz të mëdhenj. E tillë është edhe Teuta Arifi. Ajo gjendet midiz dy botërave, pasi e do dashurinë në formën më të mirë të mundshme, dhe i dashuri i saj i duket si Dostojevski i varfër, apo edhe si Napoleoni mendjemadh. Prandaj shpirti i saj duket se nuk ka të bëjë me njerëzit e politikës, pasi, edhe te njeriu i vet e pëlqen modestinë, të bukurën dhe atë që quhet ideale. Gjithë kjo, meqë ajo nuk e ka ndërmend të largohet nga rruga e saj e nisur me kohë, siç e thonë edhe vargjet:

…mos prit të kthehem nga rrugët e mia
mos shkruaj kurrë një poezi për mua
vetëm vazhdo vazhdo të më duash

S’do mend se filozofia kryesore është dashuria, por, filozofia poetike e kësaj poeteshe shkon deri atje, sa që për njeriun nuk mjafton një jetë, ngase, një jetë duhet për ëndrrat e jetës, dhe një për ta jetuar e për ta prekur po atë ëndërr, siç e thotë edhe vetë poetja:

…duhet jetuar dy herë megjithatë
një herë në ëndërr njëherë me të vërtetë

Kjo poeteshë, duket e preokupuar rreth atdheut, kufirit, ndarjes e që me mjeshtri, përmes poezisë “Eros në dashuri” ajo ndihet e preokupuar vazhdimisht me çështjen e kufijve që ndërpresin dashuritë, por që, këtë dhimbje të kufijve, e shprehu përmes figurave stilistike, ngase ndryshe s’kishte si ta rrëfente dhembjen për dashurinë e atdheut të saj të ndarë. Është poezi në të cilën mbizotëron ideja e atdhetarizmit, në të cilën ngrihet lart ideali për një atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptari do të jetonte me dinjitet të pa nëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar. Jo rastësisht, dalin edhe vargjet e mëposhtme:

...do të shtrihem me ty mespërmes kufirit
në pjesën kontestuese pikërisht
shënuar me të kuq në hartat topografike
të ushtarëve kinse sjellin paqe në këto vende

Sa të qarta, po aq edhe komplekse janë këto vargje poetike. Në këtë përmbledhje poetike, vargjet brenda vetes bartin imazhin, sa njerëzor, po aq edhe mëmëdhetarë. Ndjenja e thellë e dashurisë sikur e përgjithëson ndjenjën e përgjithshme të njerëzimit. Ajo e do dashurinë natyrale, botë për bote dhe nuk e do përmes telefonit. I urren shpikjet teknike, e cila me të madhe hetohet në ditët e sotme tonat. Kjo e keqe, për të cilën shkroi Teuta, duket edhe pas tri dekadave, pasi që teknika në vazhdimësi po ia merr frymën jetës së natyrshme, dashurisë dhe atdhetarizmit.
Sa modeste, po aq edhe komplekse, janë këto vargje në brendinë e tyre. Kjo poetikë në vetvete bart mesazhe të bukura, me të cilat edhe ndërtohen këto poezi. Këto mesazhe i merr nga frymëzime të rëndomta, por që, prekin thellësinë shpirtërore të poeteshës. Aty duket qartë kjo dëlirësi morale, familjare dhe ajo e natyrës shoqërore.
Jo vetëm kaq, përmes këtyre vargjeve kuptojmë edhe shijen politike, pasi ajo nuk e ka lënë të qetë autoren, meqë për një intelektual është e vështirë ta harrohet politika, duke ditur se e njëjta vepron në çdo cep të jetës, veçmas në këtë të Ballkanit. Kjo dëshmon edhe për forcën origjinale poetike të kësaj poezie. Pikërisht kjo e bënë këtë poezi që të tingëllojë bukur dhe pa u shkëputur nga realiteti që na rrethon:

…rrinim në kolltukët e dhomës së saj
bisedonim mbi politikën informatat
veprimtarinë e spiunazhit
asaj gazetaria i dukej spiunuese
………………………………………………………
kështu i përzieja politikën
si sheqerin në çajin e kuq të hibiskusit

Shqetësimi poetik i saj është i shumanshëm dhe ka një kuptim komunikues me lexuesin. Aty fshihen metaforat e lirisë së gjithanshme të njeriut. Këto vargje poetike tingëllojnë haptas për glorifikimin shpirtëror të poeteshës në fjalë. Këto mesazhe, lehtas komunikojnë me lexuesin për të cilën shkruan ajo. Vargjet janë një torzo e shpirtit poetik e që jo rrallë na lëndojnë për shkak të së vërtetës, sa të bukura, po aq edhe të hidhura. Si të tilla, lexuesin, pse jo edhe poeteshën, i lëndojnë shpirtërisht, për shkak të një vërtetësie shoqërore e historike:
…të mbaj mend
si lexoje librat mbi revolucionet
ato bëhen për çdo ditë e dashur
ne vramë veten për to
dogjëm librat për to
shkelëm mbi ëndrrat e njerëzit për to
mandej të gjitha u bënë të zakonshme
diku kishim gabuar Rina

Larg atdheut, poetesha shkrihet, digjet dhe fiket si qiriu i Naimit. Drita e saj jashtë kufijve të shtetit amë duket se nuk e shkrinë akullin shekullor që u krijua ndër shekuj.
Ajo po përballet me të vërtetën e hidhur historike. Atë që e kishte mësuar nëpër libra, e atë që dikur e shkruanin mbretërit, tani po e shijonte në shpirtin dhe në trupin e saj.
Poezinë “ Elegji për vendin”, ia kushton Shqipërisë, të cilën e kishte më tepër inspirim nga i ati i saj, një njeri me arsim shumë të lartë për kohën, e që këtë atdhe e llogariste si një femër tridhjetëvjeçare e me plot rrudha rreth syve:
Shqipëri
çdo ditë kam dëgjuar zërin tënd
në radion e vjetër të shtëpisë
çdo mëngjes
zërin tënd që brenda eterit i këndonte babai im
…………………………………………
Shqipëri
sa shumë më flisje për planet pesëvjeçare
të cilat i kaloje për çdo ditë
për hidrocentralet, elektrifikimin e fshatit
ti flisje e flisje pandërprerë
…………………………………………………..
të ndiej duke u tendosur rrugës
Librazhd Elbasan
pranë kombinateve të ndryshkura
……………………………………………
Bëje një tjetër histori
Ku do të jem unë
Ku do të jesh ti
……………………………….
Të kthehem e të flejë në ty
Në qetësi

Këto vargje të përngjajnë në një klithmë të dhimbshme që njëkohësisht jehojnë por nuk dëgjohen, në rrugën pakufi të atdheut. Megjithatë, për këtë dhimbje krenare, rrugëtimi i poeteshës vazhdon. Forca e thirrjes së saj është e fuqishme, ngase ajo kërkon një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e kishte ndierë historinë e saj të lavdishme. Ajo kërkon ëndrrën e babait, pra, parajsën tej kufirit. Ajo nga Shqipëria, mëmëdhenë e krenarisë dhe të çiltërsisë shpirtërore, ashtu si me heronjtë e baladave të moçme, duke i besuar historinë me fjalën e kuqe, dhe nga atdheu pret këngën me letrat e dashurisë së zhuritur:
…kur lumenjtë e tu fillojnë të rrjedhin në mua
kur do të gjesh një varr për Konicën Shqipëri
në vete varrose të gjithë veç atyre
që s’deshën tjetër veç një varri brenda teje
Shqipëri

Poetesha duket që është një vrojtuese e përkushtuar rreth asaj që ndodh në brengën shoqërore. Kjo e bën atë ca të shqetësuar dhe, mu kjo e nxit që ta luftojë të ulëtën dhe të eci drejt së bukurës, pasi deri te e madhërishmja rrugët janë shumë të vështira. Rrugët e lumturisë i gjurmon gjithsesi. Këto rrugë çojnë kah etja për lirinë ballkanike. Ajo i ankohet historisë, e cila ka fshehur tragjeditë e mëdha, e që sot janë shndërruar në legjenda të pazbërthyeshme:
…me sytë e tu të errët si natë Ballkani
net kur bëhen të gjitha
kur të vdekurit i vizitojnë të gjallët
kur të gjallët janë ujq të uritur…

Edhe pse në mënyrë shumë periferike lidhet me trupin e atdheut, te i cili sheh qartë kangrenën kombëtare, ajo ka shumë informacion për lotët e popullit të saj që u derdhën gjatë shekujve nën dritën e hënës, deri sa gjaku i këtij populli mori botën në sy, e për të cilën, me forcën e saj femërore, përmes vargut poetik kërkon të shënojë një kthesë të fuqishme në historinë tonë më të re:
…Penelopa
që me vite presin kthime luftëtarësh
femër je dhe sa e sa herë më ke tradhtuar e dashur
………………………………………………………………….
atëherë do të krijoj ashtu si i krijova të gjitha
Botën
Burrat
ty

Më pas, vargu i kësaj poeteje nuk zbërthehet edhe aq lehtë edhe pse, në shikim të parë na duket një lirikë dashurie, por nuk është gjithnjë e tillë. Ajo do një vështrim më të thelluar për të gjetur misteret e kësaj poezie.
Poezia “Ai”, shohim se i referohet vetëm burrit, si personazh i përgjithësuar, ngase, si individuale, thuajse fare s’ka të bëj me këtë, pasi duket se bëhet lufta midis dy gjinive, aftësitë e tyre në jetën politike e shoqërore në përgjithësi. Burrat duken të mëdhenj para grave, kinse s’kanë kohë t’i përkushtohen shumë e shumë dashurisë, se gjoja merren me interesat e popullit, duhet të duken mirë para popullit, por, nga ana tjetër, për burrin si simbolikë e injorancës, poetesha thotë se ai e ka gojën plot popull, e “popullin t’ia lind unë”- thotë poetesha në fjalë. E gjithë kjo, autores i duket se krejt muhabetet politike të burrit sjellin “një shportë me patate, jetën, parlamentin, botën” e që në nëntekst fshihet edhe një satirë, gati se e padukshme:

…ai është burri
i cili pret pas derës sime
………………………………………………..
dashuria nuk është fusha e tij e interesit
se ai është burri i cili e do atdheun më shumë se mua
duhet t’i ndreqë punët me
popullin
e popullin t’ia lind unë
Edhe pse përmbledhja poetike “Gjeografia ime” është libri i parë poetik i Teuta Arifit, e njëjta sintetizohet sikur ka një përvojë të gjatë në krijimin e vargut poetik, veçmas në stilin krijues të saj dhe përdorimin e gjuhës në formën më të mrekullueshme. Këtë arriti t’ia nënshtrojë individualitetit të saj prej krijueseje, si nga dimensioni poetik, përmasën e aktualitetit krijues, dhe prezencën e guximshme para periodikut letrar të asaj kohe.
Një veçori tjetër e kësaj autoreje është edhe kosmopolizmi i saj. Ajo kudo që shkon, në gjithçka që lexon, gjen frymëzim për të krijuar vargun poetik, siç e kemi rastin me poezinë “Gratë arabe”. Ajo në një fare mënyre ironizon me botën, veçmas kur lexon një studim njëzetepesë faqe, kinse kanë bërë gjithçka për ato gra, të cilat nuk ndihen kur ecin dhe me duart si “Nestele çokollatë” dhe ecin me valixhet pas burrave të tyre. Këto lloj studimesh, Teuta nuk i pranon si humane e të përkryera, pasi:
gratë arabe janë më shumë
se studimi njëzetepesë faqesh shkruar për to
nga dy specialist të Lindjes së Afërt

Shpirti poetik i Teutës shkon edhe më larg, atje ku ky shpirt derdhet edhe tek arbëreshët e Kalabrisë në Itali, pasi ata janë pjesë e pashkëputur e shpirtit tonë kombëtar. Ajo prek atdheun e dytë e të largët të arbëreshëve, që shqiptarizmit i dhanë shpirt të ri, si: De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe etj. Nga koha e lavdishme e Skënderbeut, arbëreshët mbetën, jo vetëm një plagë e dhimbshme dhe e rëndë për shqiptarinë, por, edhe një krenari e veçantë kombëtare, të cilët, pesë shekuj me radhë nuk e humbën identitetin e tyre historik, kulturor e kombëtar në tërësi.
Kjo dhimbje krenare preku tërë shpirtin tonë kombëtar nëpër shekuj e deri te poetesha Teuta Arifi, e cila thellësisht u frymëzua nga kjo ndarje fizike e popullit kaq të lavdishëm, siç janë arbëreshët. Autorja, që nga larg, e prek atdheun e saj në shumë segmente, pasi e kishte të vështirë t’i shpëtonte kësaj klithme padurimi, siç reflektohet edhe në poezinë “Duke të pritur ty”:
Pesë shekuj bëhen që ke shkuar
ashtu qetë si me të ikur
nuk e di sa herë kam vdekur e jam lindur
gjithnjë mbaj mend veten duke të pritur

Edhe pse ky libër poetik është shkruar në kohën e zjarrtë të vashërisë. Ka poezi plotë përjetime nga largësia. Përshtypje lë edhe ajo se me këtë përmbledhje poetike, poetesha nuk erdhi si krijuese në formim e sipër, por, ajo na dëshmon për një poeteshë të formuar e të thelluar në brendinë e poetikës së saj krijuese.
Këto vargje janë të mbushura plot me estetikë krijuese dhe meditim të thellë poetik, mjaft të qëndrueshme e që u pritën mirë nga lexuesi ynë, e që do të reflektojnë edhe te gjeneratat që do të vijnë më vonë. Ajo erdhi më tepër si reagim spontan dhe si projektim i realitetit të jetuar poetik, e kushtëzuar nga gjendja e situatave jetësore ekzistencialiste dhe më pak si kërkim i formave të realizimit objektiv e të imagjinuar, kuptohet me një notë të theksuar subjektive, për të arritur një lirizëm më efektiv.
Një çështje që mbetet e hapur është ajo se, a do ta “tradhtojë” Teuta Arifi poezinë përgjithmonë, si aktin më të lartë të shpirtit të saj, apo ndoshta një ditë do t’i rikthehet krijimit poetik, nga aty ku e ka filluar jetën, imazhin, dhe të gjitha sukseset e saj jetësore. Ne mbetemi me bindjen se ajo, nuk është ndarë nga poetika e saj shpirtërore, dhe se një ditë do të shpërthejë fuqishëm në fushën e artit letrar. Mbetet të presim e të shohim, pasi poezinë e fundit të kësaj përmbledhjeje e titullon “Të kthesh brenda vetes”…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

TË JESH …

Lirikë fundjave Prishtinë, mars 2024 Ng Rexhep Kasumaj Të jesh… Mjafton të jesh pasditeve në t’voglën verandë pa…