ARIF EJUPI: ROMANI “JETË E NDALUR” I RIFAT HAXHIJAJT BOTOHET EDHE NË FRËNGJISHT

Gjenevë, 31. 05. 2016: Ditë më parë Shtëpia botuese “ L’HARMATTAN” e Parisit, ka botuar romanin “Jetë e ndalur” të autorit Rifat Haxhijaj. Ky roman në dukje me temë dashurie nuk mund të përfshihet vetëm brenda një lloj. Në të trajtohen çështje të shumta shoqërore, psikologjike e historike.
Ngjarjet zhvillohen njëkohshëm në disa linja dhe gërshetohen shpesh me realen dhe fantastikën.
Megjithatë romani ka ruajtur strukturën e tij autonome dhe në mënyrë koncize shtjellon fatin e rëndë të një familjeje shqiptare nga Kosova , e cila në gjysmën e dytë të shekullit të -XX- për shkak të ndërhyrjeve të pushtetit dhe skamjes detyrohet të migrojë në Zvicër.
Autori duke bërë përshkrim natyralist të ngjarjeve e nxjerrë si kryepersonazh Dafinën,nëpërmjet së cilës ndriçon edhe skutat më të errëta të unit dhe jetës së saj.
Me stilin e tij të bukur kallëzimtar Haxhijaj, rrëfen fatin e lig dhe tragjik të Sinanit dhe Mirvetes, prindër të Dafinës, të cilët pas një rehatie të përkohshme dhe të një jete pa trazime në mërgim sjellin në jetë edhe dy vajzat e tyre Dafinën dhe Melin.
Mirëpo ky gëzim është i shkurtër sepse kjo familje e pafat pëson në një aksident komunikacioni dhe gati shuhet e tëra.
Faktikisht shpëton vetëm Dafina, e cila në ato çaste tragjike ishte në shkollë.
Ajo duke dashur që ta përmbush mungesën e familjes edhe pse ende e mitur dhe pabërë ndonjë parashikim për të ardhmen kthehet në vendlindje.

E,gjendur në labirindhin e madh të jetës ballafaqohet me shqetësime e peripeci të shumta e të pashpjegueshme, të cilat as që i kishte imagjinuar ndonjëherë.
Ajo larg çdo kujdesi familjar e shoqëror gati çdo ditë viziton varrezat e fshatit dhe bënë dialog me vetveten pranë varreve të prindërve dhe varrit të motrës së saj të vetme Melit,ku shpeshherë shpërthen edhe në vaj.
Në këtë roman plot dhimbje autori vë në dukje edhe anët e errëta të shoqërisë veçanërisht patriarkalizmin dhe veset e këqija nëpërmjet të cilave u bëhet rezistencë normave të reja të moralit dhe të civilizimit.
Me anë të sajimit të bukur artistik romancieri Haxhiaj godet egoizmin dhe individualizmin e ngushtë të xhaxhait të Dafinës, i cili tregohet mospërfillës ndaj saj duke e përjashtuar atë nga e drejta mbi trashëgiminë.
Moment tensionues dhe i përcjell me dhembje shpirtërore është edhe largimi i dhunshëm i Dafinës,nga shtëpia e përbashkët me axhën e saj.
Ajo e gjendur në udhëkryq dhe e revoltuar në kulm nga padrejtësitë e përjetuara ndjenë rëndë peshën e vuajtjes dhe të mjerimit,të përbuzjes dhe të përçmimit .
Dafina shpresë të vetme ka strehimin te hallë Merita në Prizren. Ajo edhe pse e sëmurë dhe në kushte të vështira tregon empati ndaj gocës së të vëllait i cili vdiq larg atdheut.
Dafina atje bije në dashuri me Edin. Kjo dashuri në mes tyre lind natyrshëm dhe pakurrfarë imponimi. Autori këtë çast të lumtur dhe të vetëm të jetës së Dafinës, e zbukuron duke e përshkruar me metafora dhe trope të shumta .
Mirëpo Dafina e ndërtuar si personazh tragjik dhe fatmjerë përjeton goditje pas goditje.
Prapë paskrupullt në fatin e saj individual ndërhyn xhaxhai i saj i cili e ndan nga Edi, me çka ajo detyrohet që të braktisë frytin e saj të porsalindur Adin .
Ajo s’ duron dot këtë dhembje të papërballueshme dhe këtë moment të frikshëm e plot ankth hidhet në lum duke u munduar që t’i japë fund jetës.
Edhe pse mbijeton jeta më për te është e pakuptimtë dhe e pavlerë. Nisur nga përshtypjet individuale ky roman del i ngjashëm me romanin “Sikur t’ isha djalë” të Haki Stërmillit,ngase trajton personazhe me fate të përafërta .
Si duket Haxhijaj në këtë vepër letrare shtron problemet e kohës së tij.
I pakënaqur nga ai ambient mbytës dhe nga ai realitet plot kontradikta nëpërmjet personazhit të tij real apo të sendërtuar Dafinës, satirizon padrejtësitë,injorancën e hipokrizinë e shkaktuar që sjell një shoqëri e shthurur me ligjet dhe zakonet e saj patriarkale.
Romani “Jetë e ndalur” i Rifat Haxhijajt është një pasuri shtesë e kulturës sonë dhe asaj të huaj. Andaj ai meriton të lexohet sepse ka temë dhe përmbajtje interesante dhe s’e është tërheqës për të gjitha moshat dhe shtresat shoqërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura