ELBASANI I OBJEKTEVE TË RRALLA TË QYTETËRIMIT TË KRISHTERË E HEBRAIK

Pashtriku.org, 10. 07. 2014 – Në qytetin e Elbasanit, gjenden objekte të rralla që dëshmojnë qytetërim të krishterë dhe hebraik. Tërheqin vëmendjen dy bibla hebraike dhe një kapak i një libri të rrallë. Njëra prej tyre i përket vitit 1705, ndërsa tjetra është botuar në vitin 1839. Mjaft me interes është edhe një kapak libri prej argjendi i punuar me dorë që i takon një dorëshkrimi të rrallë, i cili fatkeqësisht është djegur në vitin 1944 nga gjermanët. Surprizat e fundit të antikuarëve i përkasin koleksionistit të njohur elbasanas, Vangjel Kapedani.
Hulumtuesi i antikitetit, Dr. Moikom Zeqo, shprehet se gjetjet janë tepër të rralla në llojin e vet, madje edhe unike, gjë që tregon se në Elbasan ka ekzistuar një kulturë e spikatur e krishterë dhe hebraike.
Kapaku i rrallë ndodhej në sinagogën me emrin “Havri i Hebrejve”, që ka ekzistuar në qendër të Elbasanit dhe që u rrafshua në vitin 1950 nga sistemi totalitar.
Libri, ka qenë mes mjaft të tjerëve që ndodheshin në këtë sinagogë e cila u shkrumbua në vitin 1944 nga gjermanët, ashtu si dhe manastiri i Shën Gjon Vladimirit.
“Bibla hebraike” e vitit 1705, është e para e korrektuar nga akademikë, rabinë e njerëz të ditur të kohës dhe është botuar në Amsterdam. Po kështu, edhe botimi i vitit 1839 është një bibël krejt e veçantë përsa i përket llojit të saj.

Koleksionisti, Vangjel Kapedani dhe studiuesi, Moikom Zeqo.

“Kodiku i Elbasanit”, libri i gjetur në Elbasan.

Veç librave, Dr. Zeqo veçon një kryq me simbole të hershme të krishtërimit, objekte dhe zbukurime të krishtera, vula tepër të vjetra që përdoreshin në bukët e pashkëve etj., duke i cilësuar ato si ekskluzivitete dhe madje të papërsëritshme.
Por, thesari më i madh i qytetit të Elbasanit cilësohet ai që tashmë njihet si “Kodiku i Elbasanit”. Edhe “Vulat e bukës” konsiderohet si një dokument i jashtëzakonshëm nga Dr. Moikom Zeqo.
Sipas tij, ai është dëshifruar nga poligloti Zef Simoni dhe ka vlera të rralla. “Kodiku i Elbasanit” ka kapakë prej lëkure dhe përmban 772 fletë. Dorëshkrimi është i shkruar me dorë dhe vlerësohet si vepër arti e klasit të parë.
Në një nga kapitujt bëhet fjalë për Dion Krizostonin, një filozof pagan që ka jetuar në shekullin e II-të, i cilësuar në të njëjtën kohë edhe si Dion Gojëarti për shkak të një gjuhe tejet të vlefshme, që ka trajtuar vepra të tilla për kohën të cilat kanë të bëjnë me filozofinë, moralin dhe historinë. Dion Gojëarti ishte bashkëkohës i Eristidit, Filostradit, Filonit dhe Mark Aurelit.
Në një kapitull tjetër, që i përket Libanit të Antiokesë, komentohet kënga e dytë e Iliadës, për shkuarjen e Odiseut tek Priami i Trojës për të dorëzuar pa luftë Helenën.
Dr. Zeqo deklaron se “Kodiku” flet edhe për Sokratin, Platonin, Aleksandrin e Madh dhe se lënda e komentimit lidhet me Homerin.
“Kodiku”, është shkruar për një shtresë të nivelit të lartë me karakter elitar dhe i takon shekullit të XV, pikërisht kohës kur Kostandinopoja ra në duart e Osmanëve.
Koleksionisti Vangjel Kapedani, nga ana e tij kërkon më shumë vëmendje nga shteti për koleksionimin dhe ruajtjen e veprave të tilla.
Ai thekson se nuk duhet lejuar shitja në rrugë e veprave të tilla, ashtu siç ka ndodhur deri më tani, pasi vlera të tilla i përkasin historisë dhe kulturës kombëtare.
Zbulimet e fundit pasurojnë më tepër historinë e një prej qyteteve më të njohura të kohës antike, siç ishte “Scampa” e cila mbante lidhje të forta me Dyrrahun, Ohrin dhe Selanikun që ishin vendosur përgjatë vijës Egnatia.

=========================

FLASIN – KOLEKSIONISTI VANGJEL KAPEDANI DHE ARKEOLOGU MOIKOM ZEQO

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura