ELIFE LUXHA: NOSTALGJIKËT DHE PAKURRIZORËT TITIST TË SOJIT A.VLLASI

Reagim ndaj deklaratës së Azem Vllasit në TV – “Klan Kosova” – ( Gjithçka që më shtyri ta bëj këtë shkrim është përgjigja që z. Azem Vllasi i dha pyetjes, bërë nga gazetari i kanalit televiziv ”Klan Kosova” në edicionin e lajmeve të orës 20.00 më 25 maj 2010, në përvjetorin e ditëlindjes së satrapit Tito, apo të ashtuquajturës Dita e Rinisë Socialiste. Në pyetjen e gazetarit se çfarë mendimi kishte për 25 majin si ish kryetar i Rinisë Socialiste në ish Jugosllavi, z. Azem Vllasi, me buzëqeshje u përgjigj ”Për mu ajo ishte histori e mirë”.)
KRIMET E LUFTËS NUK VJETROHEN KURRË
”Nacionalizmi i ka lëshuar thellë rrënjët në institucionet arsimore dhe në disa fusha të krijimtarisë… Propaganda armiqësore sistematikisht është futur atje ku ne me aktivitetin politik nuk kemi qenë të pranishëm … Armiku doli me parullat, qëllimet dhe planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste… Procesi i diferencimit duhet të jetë i tërësishëm…” (Gazeta, Epoka e Re, 5-6 maj 2006, f. 9-10). Kështu u deklarua z. Azem Vllasi në mbledhjen e 17’të të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, mbajtur më 5 maj 1981 në Prishtinë. Ishte kjo dita kur në Kaçanik, nën parullën ”Kosova – Republikë” u demonstrua kundër vrasjeve dhe burgosjeve që po i bëheshin rinisë dhe intelektualëve shqiptarë anekënd Kosovës nga pushtuesi gjakësor serbosllav dhe puthadorëve të tyre. Ishte kjo dita kur diferencimi, burgosja e kriminalizimi i rinisë e intelektualëve shqiptarë, i kërkuar pikërisht edhe nga z. Azem Vllasi, mori përmasa të papara, duke mos kursyer as fëmijët.
E them këtë ngase personalisht isha e përndjekur dhe e diferencuar, qysh në moshën 15 vjeçe. Më 25. 09. 1981, bashkë me vëllain u përjashtuam nga shkolla me Vendim të Gjyqit në Kaçanik, sipas ligjit dhe Statutit të QAMO ”Tito”, për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat “armiqësore” të 5 majit 1981. Më vonë do të pasojë edhe arrestimi ynë, si dhe kriminalizimi i tërë familjes, duke mos kursyer as nënën tonë. Për të argumentuar këtë që po them do të paraqesë vetëm disa nga të dhënat që kam hasur gjatë hulumtimit në arkivin e Komunës së Kaçanikut ku thuhet:
– Në mbledhjen e Komitetit Komunal të LK në Komunën e Kaçaniku, të datës 06. 05. 1981, në procesin e diferencimit ideo-politik, janë verifikuar 70 protestues, nga LK janë përjashtuar 14 persona (8 nxënës), 3 punëtorë të arsimit janë pushur nga puna, 6 veta janë dënuar me burg, 5 studentëve iu janë ndërprerë bursat kurse dy kryetarë janë ndërruar nga detyra….
– Në mbledhjen e komitetit komunal të MPP dhe VMSH, mbajtur më 08. 09. 1981 u shqyrtua lista e nxënësve të QAMO’s, të cilët janë dënuar me përjashtim nga shkolla, për shkak të daljes në demonstrata, bojkotimit të mësimit dhe përkrahjes së veprimtarisë armiqësore më 05. 05. 1981, 25. 05. 1981, në diferencimin ideor më 16. 05. 1981, 19. 05. 1981, 20.05 1981.
– Të mos u lejohet regjistrimi në vitin shkollor 1981-82: Nxënësve të dënuar me burg për kundërvajtje dhe vepër penale për pjesëmarrje në demonstratat armiqësore si:
– Kadri Ilmi Luzha, kl. IV
– Emrush Ismaili Mulaku, kl. IV
– Fadil Nazmi Dullovi, kl.IV
– Elife Ilmi Luzha, kl.I… vazhdojnë edhe emrat e 20 nxënësve tjerë (Informata nr. 199-1. 10.09. 1981).
Këto janë vetëm fillet e diferencimit, kriminalizimit e burgosjes së rinisë dhe intelektualëve në rajonin e Komunës së Kaçanikut. Përderisa sipas statistikave gjatë periudhës 1981-1990, kriminalizimi i rinisë dhe i shqiptarëve anekënd Kosovës arrin numrin deri në 700.000. Janë llogaritur në rreth 666 shekuj burgim të shqiptarëve kosovarë pas Luftës së Dytë Botërore. (Dr. Sabile Basha: “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990”.)
KRIMINELI KTHEHET NË VENDIN E KRIMIT!
Gjithçka që më shtyri ta bëj këtë shkrim është përgjigja që z. Azem Vllasi i dha pyetjes, bërë nga gazetari i kanalit televiziv ”Klan Kosova” në edicionin e lajmeve të orës 20.00 më 25 maj 2010, në përvjetorin e ditëlindjes së satrapit Tito, apo të ashtuquajturës Dita e Rinisë Socialiste. Në pyetjen e gazetarit se çfarë mendimi kishte për 25 majin si ish kryetar i Rinisë Socialiste në ish Jugosllavi, z. Azem Vllasi, me buzëqeshje u përgjigj ”Për mu ajo ishte histori e mirë” . Duke e njohur z.Vllasi qysh në kohën kur u përjashtova nga shkolla e që pasoi edhe me burgosjen time nuk u befasova me përgjigjen e tij. As që kishte se si të përgjigjej ndryshe. Puthadorësi i tipit si Azem Vllasi pas çdo dhune të ushtruar kundër rinisë e intelektualëve shqiptarë, shpërblehej nëpër sallone, me qumësht e mjaltë nga kazanët e Beogradit, andaj si mos të ishte ajo kohë ”histori e mire për ata”.
Thënien e vjetër se ”krimineli kthehet në vendin e krimit” e bën edhe më të besueshme deklarimi i z. Azem Vllasi, bërë në televizion. Nostalgjia prej shërbëtori të bindur, bën që azemvllasët të kujtojnë ”kohërat e mira” të tyre. I dehur nga nostalgjia për kohërat e shkuara dhe ndjesia e komoditetit në të cilën po kalon, siç duket e kanë bërë Azem Vllasin ta humbë arsyen dhe të harrojë realitetin e kohës në të cilën po jeton.
As kallëzimi penal, bërë kohëve të fundit nga atdhetari deputet, Nait Hasani, kundër të tjerët figuron edhe emri i z. Azem Vllasi, siç duket nuk ia kanë lëkundur ndjesinë e komoditetit e të ëndërrimtarit të ”historive të mira” që i gëzoi në Jugosllavinë socialiste. Por, ”liria e atdheut ndërtohet nga hiri i të rënëve”, e jo nga pakurrizorët e sojit Vllasi. Tipat e sojit të tillë, as që dinë se çka është atdheu, as që dinë se çka është kombi.
HESHTËM PËR HIRË TË KOSOVËS E TË DËSHMORËVE TË KOMBIT
Sot jetojmë në realitetin e shtetësisë së Kosovës, ëndërr kjo e mijëra shqiptarëve të rënë. Atdhetarët vepruan dhe u flijuan për të mirën e përgjithshme, dhe e mira e përgjithshme ishte Kosova e tyre e dashur, e lirë. Të rritur nën kërbaçin serboçetnik, ata nuk e njohën nënshtrimin, e as dëfrimin nëpër sallonet ku flitej sllavishtja, siç dëfrehej A.Vllasi. Shteti i Kosovës u formua nga bijtë më të mirë të saj. Pa dyshim se Kosova po përballet me sfidat ndër më të ndryshmet. Nuk na nevojitet shumë të studiojmë, për bëmat e atyre që kontribuuan për shtetin e Kosovës. Ato janë të prekshme kudo. Ashtu siç nuk ka nevojë as për ndonjë studim të veçantë për të dalluar bëmat e keqdashësve kundrejt shtetit të Kosovës dhe kombit në përgjithësi.
Autori Enver Robelli në një artikull të tij kritikon kallëzimin penal ndërmarr nga atdhetari deputet Nait Hasani, për të dhënë llogari të gjithë ata që ishin pjesëmarrës të krimit dhe gjenocidit në kohën kur Kosova ishte e pushtuar. Këtë nismë z. Robelli e quan të ”shkrirë si tëlyeni në diell”, pasiqë për t’u realizuar një gjë e tillë sipas tij po na u nevojitka një studim serioz historik! Vallë a mund të ketë dokument apo studim më të fortë historik, se vet dëshmitarët e gjallë? Pa dyshim se pjesën më të madhe të dosjeve të krimeve tashmë e ka të kompletuar deputeti, Nait Hasani. Por ka edhe shumë nga ata që këtë kallëzim penal jo vetëm që e mbështesin dhe ndihmojnë por janë të gatshëm që edhe ta dëshmojnë.
Janë pikërisht ata atdhetarë që deri tani i kanë heshtur këto fakte. Dhe jo se ja patën frikën bandave puthadorëse sllave, por për hir të shtetit të Kosovës e dëshmorëve të kombit, për hir të atyre që e ëndërruan Kosovën e lirë e të bashkuar.
Jam shumë koshiente se nuk duhet cënuar lirinë e tjetrit. Por në këtë rast do të doja t’u dërgoj një mesazh të gjithë atyre që në një apo mënyrë tjetër janë të përfshirë në krimet e ish sistemit sllavokomunist, që të paktën për hir të të rënëve, të mbijetuarve të masakrave kriminale e të fëmijëve të dëshmorëve, t’u shmangen paraqitjeve dhe deklarimeve të tilla si të A.Vllasit, ku haptas shprehet admirimi për kohën që solli shumë gjak e lot për nënat shqiptare. Deklarimet e tilla provokojnë katërçipërisht të gjithë ata që ende jetojnë me tmerret e krimit. Do të doja gjithashtu, t’u dërgoj një mesazh të gjithë atyre bashkëpjesëmarrësve në krime se, krimi i luftës nuk vjetrohet kurrë, zatën këtë na e shpjegojnë edhe të gjitha dokumentet dhe përvojat ndërkombëtare. Andaj dhe kushdo që mendon se do të harrohet, apo do t’i shpëtojë mëkateve të veprimeve kriminele, GABOHET!
Prishtinë, 30. 05. 2010
Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura