ELIFE LUZHA: KOSOVA DHE PARTITË POLITIKE

Situata politike e krijuar në Kosovë pas dorëheqjes së ish’presidentit Fatmir Sejdiu, i cili kishte shkelur kushtetutën, që pasoi me urdhrin e tij dhënë ministrave të koalicionit bashkëqeverisës të LDK’së për t’u tërhequr plotësisht nga institucionet e shtetit, e solli Kosovën jo vetëm në një krizë institucionale, por edhe në situatë të palakmueshme karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kosova me çmimin e gjakut i ka ngritur institucionet shtetërore, andaj dhe në asnjë mënyrë e për asnjë çmim nuk guxohej për t’i lënë bosh nga përfaqësuesit e vet politik. LDK’ja e themeluar si parti politike pas shembjes së sistemit politik një partiak (LKK), jo rrallë nën petkun e ‘konfidencialitetit’ ka luajtur një lojë shpesh here sa të lexueshme aq edhe të pakuptueshme për t’i realizuar preferencat e saja politike. E gjithë kjo mund të gjykohet edhe me faktin se, një pjesë e anëtarëve të kësaj partie ishin pjesë e ish’strukturave të sistemit të kontrolluar centralist, hija e të cilit edhe sot reflektohet në mendësinë dhe praktikat e tyre. Kriza institucionale e krijuar në Kosovë natyrshëm solli edhe rënien e Qeverisë dhe shpërndarjen e Parlamentit. Në një situatë të tillë, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme jo vetëm se ishte e paraparë me Kushtetutë, por edhe zgjidhje e vetme demokratike. Kjo nga fakti se, pas ikjes së ministrave të LDK’së, vazhdimi i qeverisjes jo vetëm se nuk do të ishte i mundur, por as i drejtë, parë nga këndvështrimi demokratik.
Se sa do të jenë këto zgjedhje të mirëorganizuara, mbetet për t’u parë, por një gjë tani më dukshëm është qartësuar në skenën e politikës kosovare se: ,Njerëzit për të pasur pasuri, pushtet e tjera, bëjnë gjëra të tilla që mund ta dëmtojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe të tjerët’ thoshte Emanuel Kant. Sidoqoftë, historia thonë ‘është kryeneçe’ vetëm ajo di t’i ruan faktet dhe të bëmat e kujtdo qoftë për t’i bërë publike një ditë dhe radhitur në vendin e merituar! Sot shteti i Kosovës po përgatitet për zgjedhje të lira apo demokraci në praktik siç do t’i quanim me gjuhën e shkencës, ku përfaqësuesit politik përmes votës së lirë do t’i legjitimoj sovrani. Kosova përkundër demokracisë së re, tanimë ka reflektuar një kulturë demokratike të organizimit të zgjedhjeve të lira, gjithsesi me rolin parësor të partive politike. E partitë politike shpesh here janë parë si ‘fëmijë të padëshirueshëm të demokracisë’, megjithatë, deri sot nuk na është e njohur ndonjë demokraci pa parti politike!
Fjala ‘parti’ rrjedh nga fjala franceze ‘partir’ që do të thotë ‘ndarje’, apo pjesë e ndarjes nga një ‘konflikt’. Nisur nga kjo, partitë janë grupime ideologjike krijuar nga një ndarje. Kurse, qëllimi i çdo partie në demokraci është qeverisja dhe dominimi në Parlament. Disa studiues shpjegojnë se partitë janë shfaqur shumë vonë, tek në fillim të shek. 19, por Daniel Seiler na argumenton se partitë ekzistonin qysh në Republikën e Romës, vetëm se ekzistenca e tyre ishte shumë e rrallë para se të praktikohet demokracia përfaqësuese.
Sidoqoftë, lulëzimi i partive politike shënohet sidomos në shekullin e XIX, duke njohur edhe partitë e para moderne në SHBA me themelimin e Partisë Demokratike nga Tomas Xhefersoni më 1792, dhe të asaj Republikane nga Abraham Linkoln më 1854. Themi moderne edhe pse dallimi në mes partive të vjetra dhe atyre bashkëkohore ekziston vetëm në mjetet që përdorin për të arritur qëllimet e tyre politike. Ekzistenca e partive u pa si modernizim i politikës, andaj dhe u rrit shfaqja e tyre sidomos në vitet e ’50 ku 80% e shteteve të botës udhëhiqeshin nga partitë politike. Majat e rritjeve të partive u realizuan sidomos pas rënies së komunizmit dhe fitores së demokracive në vitet e ’80 e ’90. Në këtë kohë në Ballkanin Perëndimor filloi legalizimi i partive politike si në Slloveni, ku partitë politike u legalizuan me kushtetutën e vitit 1989 kohë kjo kur në Kosovë ishte shpallur gjendje lufte nga Serbia, përderisa në Shqipëri partitë politike u legalizuan më 1990. Lulëzimi i partive politike në Kosovë u shënua sidomos pas çlirimit nga pushtuesi Serb më 1999 edhe pse LDK’ja ishte themeluar që më 1989. Pushtuesi serb nuk e pengoi themelimin e partive politike në Kosovë për arsye se një gjë e tillë i shërbente si dekor para botës për të maskuar represionin mbi shqiptarët.
Sot Kosova ka mbi 60 parti politike të zyrtarizuara, dhe po t’i referoheshim Max Weberit (Max Weber), partitë politike me të vërtetë janë ‘fëmijët e demokracisë dhe të votimit të përgjithshëm’. Zgjedhjet e parapara më 12 dhjetor në Kosovë, do të jenë jo vetëm test, por edhe sprovë për partitë si institucione që u paraprijnë proceseve demokratike. Nuk ka dyshim se partitë politike në rënd të parë duhet reflektuar demokratizimin e tyre të brendshëm. Kurse, sa i përket profilizimit të partive për çka shpesh flitet në Kosovë, do të doja të thosha se, për kundër dominimit të shumë grupimeve partiake, profilizimi si i tillë nuk ka ndonjë histori të veçantë në historikun e partive politike. Si fenomen është njohur më 1789, dhe tradicionalisht është përcjell si ndarje në: ‘djathtist’ ose ‘majtistë’. E gjithë kjo ishte si rrjedhojë e zgjedhjes së një politike mes dy zgjedhjeve. Nuk ka qendër apo zgjedhje të ndërmjetme. Çdo zgjedhje e ndërmjetme është ose njëra ose tjetra (e majta ose e djathta), na shpjegojnë shkencat politike. James Medison kryetari i 4 i SHBA’ve, thoshte se: ‘në çdo asamble demokratike opinioni pritet të ndahet sipas zgjedhjeve alternative’.
Andaj dhe çdo adresim i kritikave ekstreme apo fyerjeve nisur nga njëri ‘kamp’ kundër ‘tjetrit’, parë nga ky këndvështrim, do të ishte diçka e ulët për personalitetin e një politikani. Qeverisja si synim i çdo partie, duhet synuar përmes konkurrencës dhe vlerave, pa pretenduar që të himnizohen programet e partive si ofertë apo kontratë e vetme me qytetarin. Komunikimi dhe bashkëndjesia me shqetësimet e qytetarëve nuk duhet mbetur vetëm në retorikën e partive politike. Kurse, të zgjedhurit ‘ata më me fat, duhet të kujdesen për ata me më pak fat’ thoshte Edmund Bruke. Kosova sot ka grupime të mëdha partish. Ndarjet, grupimet e fraksionet vazhdojnë edhe pas 10 vite lirie në Kosovë. Në zgjedhjet e 12 dhjetorit, i takon sovranit të vendos se cila parti më denjësisht e përfaqëson interesin dhe dinjitetin kombëtar. Dhe kjo më kujton pyetjen e Platonit: ‘Kush duhet të sundojë’? Duke dhënë edhe përgjigjen: ‘Jo të paditurit por të diturit. Jo turma por ata pak më të mirët’!
Prishtinë, 09. 11. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura