ADNAN ABRASHI: ‘Ç’KUPTIM KA PAVARËSIA, KU NË N’PRIZREN U KTHY SERBIA’

(Prizren, 26. 04. 2012) – Në qendër të Prizrenit, pikërisht në murin rrethues të bregut të Lumëbardhit të quajtur “kej”, sa herë që kalosh atypari, patjetër të bie një sy një grafit i shkruar me shkronja të mëdha që ka këtë përmbajtje: “Ç’kuptim ka pavarësia, kur në n’Prizren u kthy Serbia”. Ky grafit, sigurisht është shkruar në shenjë revolte dhe të pakënaqësisë qytetare mu natën e asaj dite të aprovimit – pas leximit të parë në parim – të “Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit” nga ana e Parlamentit të Kosovës. Jo vetëm kaq! Po atë ditë në Prizren, pak më larg se murali i parullës së cekur, copë e grima ishte shqyer edhe panoja gjigante me portretin e Hashim Thaçit, e mbetur si dekor reklamues që nga koha e zgjedhjeve të fundit.
     Se sa janë të revoltuar prizrenasit me aprovimin e këtij Ligji diskriminues, antikushtetues dhe antikombëtar, këtë indinjatë të tyre ata e kanë treguar në shumë mënyra – jo vetëm përmes shkrimit të grafiteve dhe shqyerjes së panove me portretin e Hashim Thaçit.
     Zyrtarisht kundër këtij ligji në Prizren reaguan gati të gjitha subjektet politike të qytetit (kuptohet, përveç PDK-se). Si më e zëshme dhe më këmbëngulëse në këtë drejtim ishte shoqëria civile e bashkuar në “Koalicionin e OJQ-ve të Prizrenit”, i cili deri më sot, përveç shumë reagimeve stigmatizuese publike në opinion, organizoi një peticion ku u mblodhën mbi 10 mijë nënshkrim të qytetarëve të pakënaqur. Po ashtu, nga po ky Koalicion para do kohe në Prizren u organizua edhe një protestë e madhe në të cilën morën pjesë mijëra e mijëra qytetar të pakënaqur…
     Por, kot! Piter Fejti dhe sejmeni i tij besnik, Hashim Thaci, me çdo kusht arritën që me këtë punë ta bëjnë të veten. Fatkeqësisht, këto ditë, “Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit”, pa votat e opozitës, kaloi si kaloi në Parlamentin e Kosovës.
     Sikur e kërkojnë procedurat kushtetuese, para se ligji në fjalë të hyjë në fuqi, formalisht kërkohet nënshkrimi paraprak nga kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Duke e pasur parasysh këtë procedurë, Koalicioni i OJQ-ve të Prizrenit këto ditë i ka dërguar një apel me shkrim kryetares së Kosovës, Atifete Jahjaga, që mos ta nënshkruaj ligjin dhe atë ta kthej në rishqyrtim. Nëse edhe kjo mënyrë e reagimit demokratik nuk do të ketë sukses, atëherë ashtu sikurse e kishte paralajmëruar edhe më parë ky koalicion i OJQ-ve, do ta dërgoj atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
     Kur në këto momente të dëshpërimit tonë kolektiv po e rikthejmë prapa të kaluarën, shumë mirë po na kujtohen zgjedhjet e fundit kur PDK-ja, me vota të ngushta, mezi ia doli t’i fitoj zgjedhjet karshi LDK-së në Prizren. Është interesante të ceket se sa atëbotë zgjaste fushata zgjedhore, kryeministri Hashim Thaçi ishte gati çdo ditë në Prizren. Thënë troç, flinte aty! Ende e kemi të paharruar atë deklaratë të tij pompoze groteske se “Prizreni është Jerusalemi i PDK-së”.
Hashimi, në atë fushatë, premtoi e çka nuk premtoi: Universitet publik për Prizrenin – që sot konsiderohet si realizim totalisht i dështuar; ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit; miliona e miliona investime dhe shumë broçkulla tjera sikur di t’i bëjë vetëm ai gjatë fushatave elektorale. Kuptohet, edhe fitoi! Fitoi dhe e vazhdoi mandatin e udhëheqjes së partisë së tij edhe për katër vjet tjera me këtë komunë.
Ama, tashti… n’crc! Tashmë Prizreni dhe prizrenasit kanë marr mend. Seriozisht kanë marrë mend dhe me padurim i presin zgjedhjet e ardhshme.
Që nga nisma e draftimit të këtij Ligji e deri më sot, ju si Koalicion i OJQ-ve të Prizrenit – në drejtim të stigmatizimin dhe pengimit të aprovimit të këtij ligji skandaloz, diskriminues, antikushtetues, antikombëtar – keni bërë një punë të madhe. Me dëshirën dhe sinqeritetin tim si dhe të mijëra e mijëra bashkëqytetarëve tonë tajerë, ju inkurajoj të vazhdoni edhe më tej në këmbënguljen tuaj në këtë drejtim, duke i shfrytëzuar deri në fund të gjitha format e reagimit demokratik qytetar.
     Së fundi, ju i keni bërë thirrje presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të marrë parasysh shqetësimet e qytetarëve prizrenas në lidhje me “Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit” tashmë të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe në përputhje me kompetencat e saja kushtetuese, keni kërkuar që ta kthejë ajo sërish në rishqyrtim. Edhe pse nga njëra anë mendoj se kjo rrugë është si mënyrë e arsyeshme e presionit të vazhdueshëm demokratik në këtë drejtim, nga ana tjetër dyshoj se kryetarja e jonë do të ketë guxim që të reagoj ndryshe në këtë situatë. Sikur dihet, “Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit” është një projekt dhe investim ndërkombëtar, ndërsa presidentja e jonë e dal nga zarfi, është një marionete e tyre.
Mu ashtu sikurse jeni zotuar edhe në fillim, hapi tjetër ju mbetet që Ligjin në fjalë ta kontestoni para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ama, kur e kujtoj atë vendim të famshëm dhe skandaloz të po kësaj Gjykate në lidhje me heqjen e logos së Komunës së Prizrenit, duhet të pranoj se edhe tek ky institucion unë nuk shoh asnjë shpresë të sinqertë për ndonjë mrekulli në këtë drejtim. Edhe këta janë të lëkundshëm nga presionet ndërkombëtare!
     Përveç apelit tek kryetarja që mos ta nënshkruaj Ligjin në fjalë dhe ta kthej atë në rishqyrtim, dhe shpalljes eventuale antikushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, a thua ka ndonjë shpresë tjetër të presionit të mundshëm institucional-demokratik në këtë drejtim?
     Jo, nuk ka! Pa marrë parasysh se sa ky Ligj do të aplikohet, apo nuk do të aplikohet më vonë në praktikë, për një gjë jam i sigurt: Komuna e Prizrenit përherë nga dikush do ta ketë këtë si mjet shantazhi dhe kërcënimi në qafë!
     Në krahasim me banorët e qyteteve tjera të Kosovës, supozohet se prizrenasit janë paksa më të durueshëm dhe rrallë e shprehin pakënaqësinë me eufori. Mu për këtë shkak, ndoshta shkrimi i grafiteve nëpër mure atyre ju është bërë si një formë karakteristike e protestës së heshtur.
     Andaj, ashtu sikur ja fillova më sipër, ngjashëm edhe do ta përfundoj këtë artikull, me citimin e një grafit tjetër që si porosi ishte tejet mbresëlënëse për mua: “Në demokraci nuk kërkohet leje për rrëzimin e një qeverie… Pranvera po vjen…”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura