“Politika e vërtetë nuk mund të bëjë asnjë hap pa u përul para moralit’ thoshte Emanuel Kant, ndërsa Machiavelli thoshte: “shpirtngurtësia, mashtrimi apo mos mbajtja e fjalës së dhënë edhe mund ta sjellin pushtetin por jo edhe lavdinë”. Në përditshmërinë tonë jo rrallë dëgjojmë për ‘politikën e pamoralshme’ epitet ky i nxitur nga vet politikanët. E them këtë, ngase garuesit për pushtet çdo ditë e më shumë duke shkelur çdo vlerë morale, garën për pushtet, po e shndërrojnë jo në konkurrencë vlerash, por në garë ‘përbindëshash’ kundër njëri tjetrit.
Nën pushtimin serb shqiptarëve nuk ju lejua shkollimi dhe arsimimi ashtu si edhe popujve tjerë të ish’Jugosllavisë, nga fakti se shqiptarët e arsimuar vlerësoheshin të rrezikshëm për pushtuesin serb. ( Shikoni: helmimi i nxënësve shqiptar – në prill 1990 ) Kushdo që pati guximin të luftojë për të mbrojtur shkollën, gjuhën dhe kulturën shqipe, ndiqej, torturohej dhe në të shumtën e rasteve përfundonte me burgosje ( burgosja e Adem Demaçit me 25 vite burg ), apo zhdukje fizike. ( zhdukja e politikologut Ukshin Hotit ). Sot në shtetin e lirë të Kosovës janë hapur mundësi dhe alternativa të shumta shkollimi dhe edukimi, edhe pse cilësia në arsim lë shumë për t’u dëshiruar.
Brengosës është sidomos fakti i mangësive në zotërimin e profesionit të politikanit, përderisa thuaja secili e synon postin e tij. Ky ‘vërshim’ për të poseduar titullin e politikanit do të ishte shumë pozitiv dhe në të mirën e Kosovës po që se do të vlerësohej nga kënd vështrimi pozitiv. Për mendimin tim, ky ‘vërshim’ siç thuhet është ‘thikë me dy teh’ (edhe për të prerë fruta edhe për të vrarë), ngase politika më shumë se çdo gjë tjetër vlerësohet si mundësi përfitimi dhe pasurimi, e jo si një detyrë me përgjegjësi.
Politika edhe politikani në perëndim respektohen si tempull i përgjegjësisë, angazhimit dhe sakrificës, çka nuk vlen edhe në Kosovë. Nuk ka dyshim se ky tjetërsim i profesionit të politikanit i ka shkaqet e veta, ama nuk është në qëllimin e temës që t’i zbërthejmë ato, por duhet thënë që në fillim se, pas shkakut kryesor e që është pushtimi i gjatë serb mbi Kosovën, shkaku i dytë dhe më se vendimtarë është nënvlerësimi i teorive politike nga vet shqiptarët. Po të studioheshin më me seriozitet teoritë e politikës dhe politika si shkencë në përgjithësi, pikëpamjet ndaj politikës jo vetëm se do të ishin më pozitive, por profesioni i politikanit do të ishte më i respektuar. Për demokracinë e re kosovare është shumë i rrezikshëm dhe thuaja se dashakeqës edhe fakti se jo rrallë nga fjalori i politikanëve me ‘profesion’ dëgjojmë dhënien përparësi praktikës para teorive politike, duke harruar (mos ditur) se asnjë praktikë politike nuk mundë të realizohet me sukses (afatgjatë) pa teorinë politike. ‘Politika është politikë ku verifikohen teoritë’ thoshte Machiavelli.
Andaj në demokracinë e re kosovare është më se urgjente dhe e domosdoshme që pretenduesit për postin e politikanit, politikës dhe teorive politike t’i përkushtohen më me përgjegjësi. Si nocion, politika përfshinë siç thoshte Max Weber ‘çdo veprimtari të pavarur udhëheqëse’, mirëpo në raport me shtetin, politika është veprimtaria më e rëndësishme për shoqërinë e organizuar në shtet, dhe kjo nga fakti se për të arritur të mirën e përbashkët, që është edhe qëllim i politikës, politika duhet të dijë t’i tejkalojë me kompromise të gjitha sfidat në përballje me problematikat e shumta shoqërore.
Thelbi nga dhe rrënjëzohet kultura politike është respektimi i mendimit ndryshe, që pason me nxitjen e mendimit kritik si dhe ndërrimin e pushtetit pa dhunë. Edhe konsolidimi me sukses i politikave të brendshme shtetërore, që reflektohet në përmbushjen e strategjive në politikën e jashtme, është shprehje e kulturës politike. Ekzistojnë edhe shumë fusha nga reflektohet kultura politike, por do të doja të ndalem tek llogaridhënia si formë e shprehjes së kulturës politike, që është praktikuar edhe në antikë. Në fakt, në demokracinë antike të gjithë nëpunësit shtetëror në fund të mandatit të tyre ftoheshin në biseda (llogaridhënie) para organit të caktuar të kuvendit popullor. Aty duhej të ‘rrëfeheshin’ për veprimtarinë e tyre gjatë mandatit. Të dhënat i dërgoheshin gjyqit të pavarur që përbëhej prej 501 gjyqtarëve, ku secili prej tyre vendoste akuzën nëse ishte keqpërdorur posti shtetëror. Shtrohet pyetja a do të ishte i gjithë ky ‘vërshim’ për postin e politikanit nëse do të funksiononte një mekanizëm i tillë llogaridhënie edhe në Kosovë?
S’do mend se politika kosovare ka mangësi të dukshme sa i përket kulturës politike, duke filluar që nga mosrespektimi i institucioneve, ligjeve shtetërore e deri tek retorika denigruese e lidershipit. Edukimi dhe njohja e parimeve dhe vlerave demokratike që në vitet e hershme shkollore do t’i kontribuonte formësimit të kulturës politike. Duhet thënë se kultura politike do të ishte e mangët pa edukimin e moralit politik, që supozohet të jetë ‘politikë e së ardhmes’. ‘Politika e vërtetë nuk mund të bëjë asnjë hap pa u përul para moralit’ thoshte Emanuel Kant. Në përditshmërinë tonë jo rrallë dëgjojmë për ‘politikën e pamoralshme’ epitet ky i nxitur nga vet politikanët. E them këtë, ngase garuesit për pushtet çdo ditë e më shumë duke shkelur çdo vlerë morale, garën për pushtet, po e shndërrojnë jo në konkurrencë vlerash, por në garë ‘përbindëshash’ kundër njëri tjetrit.
Kjo na kujton analizat politike të Machiavellit i cili e përjashtonte moralin nga politika, si edhe thënien e tij të famshme se ‘qëllimi e arsyeton mjetin’. Por, megjithatë as Machiavelli nuk i ka përkrahur format ekstreme e të pamoralshme të marrjes së pushtetit. Për këtë, ai thoshte: ‘shpirtngurtësia, mashtrimi apo mos mbajtja e fjalës së dhënë edhe mund ta sjellin pushtetin por jo edhe lavdinë’. Le të shërbejë ky mendim si thirrje për të gjithë garuesit politikë që në zgjedhjet e 12 dhjetorit garën e tyre për pushtet ta shndërrojnë në konkurrencë dijeje e vlerash, duke reflektuar para popullit e botës, kulturë qytetare e politike, ngase vetëm ata janë përgjegjësit kryesor të reflektimit të edukatës demokratike dhe kulturës politike në përgjithësi.
Prishtinë, 29. 11. 2010
* ) Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.