ELIFE LUZHA: PIKPAMJET E FILOZOFËVE RRETH LIGJIT SI THEMEL I ORGANIZIMIT SHOQËROR (IV)

Përderisa Machiavelli në rend të parë e vinte politikën, filozofi Emanuel Kant i cili bëri epokë me emrin e tij, në rend të parë e vinte moralin. Morali, thoshte ai “Është norma e përgjithshme për vlerësimin moral të veprimeve”. Ai ishte mendja më e ndritur e filozofisë së perëndimit, duke u dalluar me pyetjen që parashtroi “Si është e mundur metafizika”? Ai përgjigjej: “metafizika nuk është e mundur, sepse ajo do të jetë metafizikë”! Me këtë Kanti jo që deshi t’i kundërvihet metafizikës, por dëshironte të shpjegonte sipas tij mossuksesin e saj.
„ASGJË E LIGJSHME NUK KA FORCË NËSE NUK KA LIGJE TË FORTA“(Rusoo )
“Çdo qeverisje e ligjshme është republikane” thoshte qytetari i Gjenevës, siç e quante me plot krenari veten Zhan Zhak Rusoo. Rusoo, jetoi në kohën e iluminizmit apo epokën e arsyes siç quhej shekulli i tetëmbëdhjetë. Tani më dominonte mendimi se arsyetimi njerëzor është drejtuesi më i sigurt i fatit të njeriut (Samuel Enoch Stumpf:280). Parimet të cilat Monteskjë vetëm sa i kishte cekur, Rusoo kishte ndërmend që t’i shtjellonte me hollësi, në veprën e tij “Kontrata sociale”, duke dhënë përgjigje në pyetjen pse ligjet e kësaj shoqërie në të cilën qeverisin njerëzit, janë legjitime? (Samuel Enoch Stumpf:283).

J.J.Rusoo

____________________

Thënia se “njeriu nga natyra ishte i mirë dhe vetëm institucionet tona shoqërore e kishin bërë atë të keq” u bë inspirim për të gjitha shkrimet e tij të mëtejme. Njeriu lind i lirë, por atë kudo e kanë lidhur me vargonj!!! Si mund të bëhet i ligjshëm një ndryshim i tillë, pyeste Rusoo. Nuk ekziston e drejta e më të fortit, në një shoqëri me institucionet e saj (Midgaard, 2007:99). Nëse duhet të bindesh për hir të forcës, atëherë nuk është e nevojshme të bindesh as për hir të detyrës, në mënyrë urdhëruese, thotë Rusoo. Detyrimi ndaj shoqërisë nuk mbështetet as mbi autoritetin natyror të babait, as mbi ndonjë autoritet tjetër të pretenduar si “natyror” e si të lindur për të komanduar (me këtë mendim Rusoo hedh poshtë disa pikëpamje të mendimtarëve se marrëdhëniet midis të parëve të shtetit dhe atyre që janë poshtë, u përngjasin marrëdhënieve të babait me fëmijët e tij). Themeli i vetëm i ligjshëm i detyrimit është konvencioni që zbatojnë të gjithë anëtarët që duan të hyjnë në shoqëri. Pra gjithçka rrjedh nga angazhimi i lirë i atij që vendos të detyrohet. Pakti shoqëror, thotë Rusoo mund të jetë i ligjshëm vetëm atëherë kur del nga një marrëveshje e njëzëshme (Guchet, 2001: 168). Bazë e paktit shoqëror në formulimin e Rusos është “vullneti i përgjithshëm”, i cili shprehet me Legjislacion: “Legjislacioni duhet të dal nga të gjithë. Legjislacioni duhet të vlejë për të gjithë”. Ai thoshte se jo “laviatani” i Hobsit por vetëm “vullneti i përgjithshëm” është ai që mund të drejtojë forcat e shtetit në përputhje me qëllimin për të cilin ai është krijuar, dhe që pa dyshim është e mira e përbashkët (A.Mingst, 2008:24). Në kontratën shoqërore të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kurse ligji i pa ratifikuar nga populli, nuk është ligj, thotë Rusoo. Paanshmëria në legjislacion, është një kusht i domosdoshëm për të pasur drejtësi (Midgaard, 2007: 102)! Ja se si e shpjegon legjislacionin e paanshëm. Ai thotë se duke u futur njerëzit në gjendjen shoqërore, veprimet e tyre marrin karakter moral, që më parë nuk i kishin. Në vend të impulseve fizike dhe lakmisë, futet drejtësia. Njerëzit fitojnë liri morale që i bën zot të vetes, “sepse impulsi i lakmisë është skllavëri dhe bindja ndaj ligjit, që ka vendosur vet, është liri”. Një njeri që ndjek drejtësinë, e lakmisë, pa dyshim që kërkon të zgjedhë atë që është më e mirë nga pikëpamja e paanshmërisë, aty ku ndodhen interesat e kundërta. (Midgaard, 2007: 102). Në sytë e Rusos ligji është diçka e shenjtë…. Pushteti i shenjtë i ligjeve mund të ndalohet vetëm atëherë kur bëhet fjalë për të shpëtuar atdheun. Në këtë rast siguria publike plotësohet me një akt të veçantë…(Guchet, 2001:194).
Politikanët e kohëve të hershme thoshte Rusoo, flisnin gjithmonë për moralin dhe virtytet, kurse këta tani flasin vetëm për tregti dhe para. Patriotizmi është virtyti më i lartë për njerëzimin thoshte ai (Samuel Enoch Stumpf: 284). Andaj, zemra e tij e lënduar, te ligji shikon ilaçin e vetëm ndaj tekave dhe arbitraritetit të pushtetmbajtësve. Ligji është më sublimi i të gjithë institucionve njerëzore. Ai është një ”frymëzim hyjnor” (Guchet, 2001:178). Përderisa vetëm sovrani, pra populli i organizuar, mund të bëjë ligje, atëherë ligji nuk mund të jetë i padrejtë. Asnjë qeveri nuk do të mund të dilte përmbi ligjet, përderisa çdo qeveritar është një i deleguar i sovranit. Ligjet nuk janë tjetër veçse regjistra të vullneteve tona, do të shkruante Ruso (Guchet, 2001: 179). Prandaj dhe nuk është puna vetëm të hartosh ligje të mira në vetvete, por duhet edhe të vështrosh me kujdes nëse populli për të cilin i ke caktuar këto ligje është “përgatitur që t’i durojë” ato. (Guchet, 2001: 184).
Kur thotë se “çdo qeverisje e ligjshme është republikane” Rusoo me këtë ka në mendje edhe sistemin qeverisës; demokracinë. (Mere, 2007: 136). Një vëzhgues shkruan se: “Asnjë publicist para Rusoit nuk i ka mohuar sovranitetin mbretërve.”Te Rusooi “sovrani” dhe “populli” janë një. Vullneti i shprehur në ligj s’mund të jetë tjetër veçse “Vullneti i popullit”. E nëse populli është qendra e çdo vullneti dhe mendimi në një shtet, kjo mundëson zbatimin e këtij vullneti në pushtet, thënë troç “qeveri”. Parim i sovranitetit është ligji. Pra pushteti s’është veçse një detyrim që rrjedh nga parimi fillestar, nga vet vullneti, apo nga sovraniteti. Kurse ta ruash sovranitetin do të thotë ta ruash vullnetin e përgjithshëm kundrejt vullnetit të veçantë (Guchet,2001: 192). Për Rusoon sovrani, nënkupton numrin e përgjithshëm të shtetasve për një shoqëri të dhënë. Kurse vullnetet e shumtë të shtetasve mund të konsiderohen si një vullnet i përgjithshëm, sepse çdonjëri prej tyre është pjesë e marrëveshjes sociale (Samuel Enoch Stumpf: 286).
Si edhe Hobsi, Ruso pushtetin më të lartë sovran e shikon te pushteti ligjvënës dhe pushteti ekzekutiv (Midgaard, 2007:105). Mendimet politike të Rusos ngjajnë fort me ato të Aristotelit por e reja që sjell Rusoo është se ai e vë theksin mbi rëndësinë e bashkëveprimit të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, në mënyrë të veçantë në nxjerrjen e ligjeve (Midgaard, 2007: 107). Ai thoshte se sovraniteti është i pandashëm për të njëjtën arsye se është edhe i patjetërsueshëm. Të ndash sovranitetin qysh në parimet e tij, do të thotë ta vrasësh atë. (Guchet, 2001: 174). Çdo qytetar është i detyruar t’i shërbejë shtetit përderisa këtë e kërkon sovrani. Ai na kujton gjithashtu se shtetasit që i binden sovranit nuk i binden kujt tjetër përveçse vullnetit të tyre. Me një fjalë Ruso sovranitetin e kurorëzon me autoritetet më prestigjioze, duke arritur që të bëjë edhe zëvendësimin e shprehjes të monarkut absolut Luigjit XIV “Shteti jam unë” me shprehjen “shteti jemi ne” (Guchet, 2001.177). Kështu, nëse duam forcimin e shtetit nëpërmjet ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme, asnjëherë nuk duhet menduar që ta bëjmë atë të përjetshëm. Duhet vetëm të mendojmë se si t’ia zgjasim jetën sa më shumë, duke e pajisur me një kushtetutë që të ngrejë pengesa më të efektshme kundër rrezikut të tiranisë dhe anarkisë thotë Rusoi. (Guchet, 2001: 192).
Ai njihej si zëdhënës i demokracisë dhe shtetit ligjor. Demokracia thoshte ai, është formë qeverisjeje ku populli i organizuar jo vetëm që voton ligje, por dhe vendos edhe për masa të veçanta që duhen marr për ekzekutimin e tyre. Zhan Zhaku ishte ithtar i votimit të drejtpërdrejtë të ligjeve. E nëse ligjet janë produkt i një vullneti të përgjithshëm sovran, atëherë çdo individ është autor i vërtetë i këtyre ligjeve, dhe në këtë mënyrë çdo njeri i bindet vetëm vetvetes (Samuel Enoch stumpf: 287). Por nuk do të ekzistoj ndonjëherë demokraci e mirëfilltë. “Vetëm po të ekzistonte ndonjë popull perëndish, do të kishte qeverisje demokratike. Një qeverisje e tillë kaq e përkryer nuk i përshtatet njerëzve”, thoshte Ruso (Guchet, 2001: 199).
KUR E LEXOJ KANTIN KAM BINDJEN SE PO QËNDROJ NË NJË DHOMË TË NDRIQUAR ME DRITË (Gëte)
Përderisa Machiavelli në rend të parë e vinte politikën, filozofi Emanuel Kant i cili bëri epokë me emrin e tij, në rend të parë e vinte moralin. Morali, thoshte ai “Është norma e përgjithshme për vlerësimin moral të veprimeve”. Ai ishte mendja më e ndritur e filozofisë së perëndimit, duke u dalluar me pyetjen që parashtroi “Si është e mundur metafizika”? Ai përgjigjej: “metafizika nuk është e mundur, sepse ajo do të jetë metafizikë”! Me këtë Kanti jo që deshi t’i kundërvihet metafizikës, por dëshironte të shpjegonte sipas tij mossuksesin e saj. Në fakt Kanti racionalizmin metafizik, e quajti “dogmatizëm i kalbur” (Samuel Enoch Stumpf:292). Shekulli i tetëmbëdhjetë, kohë në të cilën jetoi Kanti na është i njohur me shtete absolutiste, duke u dalluar në Evropë me Ludvikun XIV, i cili veshur me rroba gjuetari, bërtiste “Shteti jam unë”!

Immanuel Kant

_______________________

Siç thamë, Kanti para se të fliste për politikën flet për moralin. Të veprosh drejtë thoshte ai është njësoj sikur të lidhësh ndjenjat e dëshirat dhe ta lësh veten të drejtohesh nga konsiderata racional. Ligji moral na drejton të veprojmë në një lloj mënyre, jo që të bëhemi të lumtur, por që veprimet tona të jenë të drejta thotë Kant, ndërkohë që ligji moral na kërkon të shkojmë drejt së mirës supreme. (www.njefjale.com) Për të pasur “Dhuratat e lumturisë”, shëndet pasuri, pushtet e të tjera, njerëzit bëjnë gjëra të tilla, që mund të dëmtojnë jo vetëm veten por edhe të tjerët (Midgard, 2007: 134). Por,”Njeriu thotë Kant duhet ta shikoj veten si një lloj ligjvënësi, për të gjitha ato që bën”. Kurse ligji si i tillë jo vetëm që duhet të përfshijë të gjithë njerëzit, por gjithashtu duhet të ketë mbështetje nga të gjithë. (Midgaard, 2007: 135). Një ligj është i drejtë vetëm dhe vetëm kur ka mbështetjen e të gjithë atyre që kanë të drejtë të marrin pjesë në vendosjen e ligjeve. Mirëpo nëse autoritetet politike nxjerrin ligje që nuk mbështeten nga të gjithë, atëherë edhe padrejtësia gjen vend. (Midgard, 2007: 1389). Askush nuk duhet t’i nënshtrohet një ligji, të cilin nuk e ka miratuar vullnetarisht. Njeriu është i detyruar të veprojë në përputhje me vullnetin e tij. (Midgaard, 2007:136). “Asnjë nuk mund të më shtrëngojë të jem i lumtur sipas mënyrës së tij. Secili ka të drejtë të kërkojë lumturi sipas mënyrës së vet, pa cenuar lirinë e tjetrit” thotë Emanuel Kant (Midgaard, 2007: 137). Shteti thotë Kant “është bashkim i një grupi njerëzish mbështetur në disa ligje juridike” (Mere,2007:156). Shteti nuk është fryt i rrethanave të rendit natyror. Përkundrazi Shteti është fryt i arsyes, ashtu siç është vet e drejta thotë ai. Pra Kanti e nxjerr konceptin e së drejtës nga arsyeja, dhe nënshtrimin e shtetit nga ideja e së drejtës. Përderisa dallimin e pushteteve në shtet ai e gjykon si nënshtrim të “subjekteve” ndaj autoritetit të shtetit, pra ndaj ligjit të menduar si pushtet. E ligji me të cilin ngarkohet sovrani, është mëshirim i gjallë hyjnor, andaj si i tillë është dhe i shenjtë, do të shprehet Kant. (Mere, 2007:159).
KONKLUZION
Asnjë përgjigje të saktë, për çështje të caktuar nuk do të mund të siguronim, pa bërë një hulumtim sipas standardit. Historia na mundëson që të gjejmë përgjigje jo vetëm për çështje të caktuara të kohës por në një apo mënyrë tjetër edhe të parashikojmë të ardhmen. Përkundër asaj se filozofia u mbështet kryesisht në fuqinë e fjalës, teoricienët e filozofisë mundësuan që rrugëtimi i njerëzimit drejt zhvillimit të jetë më i parashikueshëm. Pjesë e konsiderueshme e përfaqësuesve të filozofisë, si ajo klasike ashtu edhe moderne studiuan shtetin dhe udhëheqësit e tij (Poper, 2009:22). Fritz Weismanni filozofët i vlerësonte si një lloj të veçantë njerëzish kurse filozofia sipas tij duhej soditur si një çështje specifike e tyre (Poper, 2009.5). Karl Poper mendonte se “të gjithë njerëzit janë filozofë, edhe pse disa janë më shumë filozof se të tjerët’’. Kurse Filozofia e Madhe siç e quan Poper filozofinë parasokratike greke, i del përpara pothuajse tërë filozofisë akademike dhe profesioniste (po aty:6). Sido që të jetë, filozofët në të gjitha kohërat bënë kërkime substanciale për të gjetur një sistem qeverisës, dhe mjetet për ta realizuar atë. Gjithsesi për çdo sistem respektimi i ligji u mendua si arma më e fortë e qeverisjes. Kurse ligjet e drejta duhet të kenë një ushtri të mirë, mendonte Machiavelli. Ligji duhet respektuar nga të gjithë, jo vetëm si rregull detyruese shtetërore por edhe si vepër atdhetare. Të kujtojmë me këtë rast Sokratin, i cili e pranoi dënimin me vdekje, edhe duke e vetë zbatuar atë, përkundër se e dinte që nuk ishte fajtor. Duke shërbyer si shembull ai donte të tregonte se për ta ngritur shtetin duhet respektuar ligjet e tij, duhet respektuar ligjet e përcaktuara nga vet ai popull. Qoftë ligji natyror sipas teorive klasike, apo ai njerëzor, sipas teorive moderne, patën një qëllim, edukimin e shoqërisë njerëzore. Realizimi i ligjeve sa më të përshtatshme për shoqëritë, si dhe mënyrat sa më të suksesshme për t’i implementuar janë në kërkim të vazhdueshëm. Përderisa respektimi i ligjit tregon nivelin e lartë kulturor të një shoqërie. Çdo shoqëri do të ecë përpara me ligjet e saja, por sot globalizmi kërkon ligje të reja, kërkon ligje të pranuara nga të gjitha shoqëritë. Ligji universal global do t‘jetë edhe tematika e studiuesve të kohës tonë moderne. Shoqëria njerëzore do të perfeksionohet vetëm duke i perfeksionuar ligjet si dhe duke i respektuar ato.

_________________________

L i t e r a t u r a
* A.Mings Karen, Bazat e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “AIIS”, Tiranë, 2008
* Stumpf Enoch Samuel, FILOZOFIA-Histori&problemet, “Toena” Tiranë
* Jacoby Edmund, Filozofët më të mëdhenj të kohës, “Spektër” Tiranë, 2006
* Aristoteli: Politika, “KOHA” Prishtinë, 2003
* Midgaard Knut & Malnes Raino, “Rozafa” Prishtinë 2007
* Gadamer George-Hans: Historia e Filozofisë, “Plejadë” Tiranë 2008
* Popper Karl: Për filozofinë dhe shkencën, “Fan Noli” Tiranë 2009
* Lee Cameron, McDonald: Teoria Politike Perendimore, “Ideart” Tianë 2006
* Machiavelli, Niccolo: Princi, “UEGEN” Tiranë 2003
* Mere, Zherard: Kryeveprat e Mendimit Politik, “Dita 2000” Tiranë, 2007
* Chevallier.J.J, Guchet.Y: Veprat e Mëdha Politike (Nga Machiavelli deri në ditët tona), “Liria” Tiranë,2001
* http://filolet.ch/sofistet.htm
* www.forumishqiptar.com
* www.syri3.com
* www.njefjale.com
* www.Wikipedia.org
* www.forumi.parajsa.com
* www.univlora.edu.al
* www.trendet.net
( FUND )
Prishtinë, 10 korrik 2010
* Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë – Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura