ELIFE PODVORICA JASHARI: E DASHUR MIKE!

Prishtinë, 28 Mars 2020: Mirëmengjesi e të mirat qofshin për ty dhe më të dashurit tu! Uroj që këto ditë të çuditshme virusi, t’i kaloni pa asnjë pasojë prej tij! Le të jetë kjo një dhuratë e çmuar për të gjithë njerëzit e globit – shpëtimi nga kthetrat vdekjeprurëse të tij!
Arsyeja që po të shkruaj sot, ishte një ëndërr e mrekullueshme që pashë mbrëmë!… Për një moment ndjeva një zhurmë të lehtë tek dera e oborrit! Dola me vrull nga frika se dikush i kishte thyer rregullat dhe kishte ardhë në vizitë! Por, jo! Ajo që më panë sytë më habiti pa masë! Ishte një duq parashë – hiq më pak se një milion euro! Fillova tërë shqetësim e gëzim njëkohësisht t’i numëroja! Nuk më kishte rastisur të shihja aq shumë para në jetën time dhe nga bollëku i tyre, fillova të ndajë shuma edhe për skamnorët e shumtë që i njoh! E egzaltuar nga gëzimi e thirra njërin nga ata!
– Jo – më tha! Edhe unë kam gjetur një shumë të tillë para derës së shtëpisë! E thirra tjetrin e tjetrin! Të gjithë më thanë njësoj! Lëshova TV! Nuk kishte as mbledhje Kuvendi! Ishte kryer! Lajmi që sillej nëpër mediat tona, por edhe të huajat, ishte që në Kosovë kishte ndodhur një mrekulli! Të gjithë milionerët e këtij vendi, i kishin shpërndarë secilit njeri nga një milion!

Fjala e dytë ishte që rrini të qetë o popull dhe gëzojuni parasë, sepse milionerët tuaj kanë vendosur t’ia kthejnë borgjin popullit, sepse ka ndodhur një ekzaminim shkencor në trurin e tyre dhe kanë konstatuar që ju nuk jeni skllevërit! Ju mund të jeni mësuesja e parë e tyre, nëna e Dëshmorit, motra e të burgosurit politik, nëna e të zhdukurve… kur shih … mu çfaqë para syve një kolonë kamionësh që po hynin nga Sërbia!
Ishte i mbushur me rini që këndonin! Uuuu thashë! Na i paskan marrë tokat e përfolura në pazaret politike!
Por, jo! Ata kërkonin paqe me shqiptarët! Kishin ngritur flamuj të bardhë, si atëherë kur i kishin detyruar popullsinë llapjane që të mbanin çarçaf të bardhë mbi shtëpitë e tyre!
Mos u frigoni – thirrnin! Në duar mbanin një letër gjigande të mbështjellur si një testament!
Janë dokumentet që u kemi rikthyer tokat e pushtuara nga ne! Deri te molla e kuqe do t’u rikthejmë ato! Sepse, mjaftë më me presidentët tanë të çmendur që na e lanë njollën e pashlyeshme të kriminelit në histori! Ne rinia nuk duam më pazare të flliqta të pleqëve matuf, që nuk e kuptojnë që ne po na e lëjnë prapa njollën e turpit në ballë ngado të vemi!
Ju shqiptarët keni qenë çdoherë të mirë me ne! Asnjëherë nuk i jeni turrë tokave tona! Asnjëherë nuk na keni lënë pa shpërblime të majme…
Andaj, ka ardhur koha t’ua kthejmë të mirën me të mirë…
– Mami … zgjohu se duhet të blejmë ushqime sa s’ka ardhur ende ora e izolimit – ishte zëri i thekshëm i vajzës që më shkëputi nga ky delir ëndërre! Hapa sytë dhe mezi erdha në vete! Oh… ishte psherëtima që nxorra nga thëllësia e shpirtit!
– Nxito të lutem – vazhdoi vajza me hallin e përditshmërisë së këtyre ditëve ku hija e vdekjes endej si somnabul nate…
Requiem …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura