KMDLNj: A PO DESTABILIZOHET SITUATA NË KOSOVË?!

Prishtinë, 25 shtator 2020: Me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë, policë të EULEX – dje arrestuan, Salih Mustafën – Calin, pas, siç u deklarua kjo Gjykatë më vonë ndaj tij ishte konfirmuar aktakuza nga gjykatësi i caktuar po nga kjo Gjykatë. Gjatë tërë procesit, autoritetet vendore ishin përjashtuar krejtësisht nga operacioni i arrestimit sikur edhe gjatë ndërhyrjeve të përditshme në zyrat e OVL-së së UÇK-së nga persona të panjohur, me rroba civile kurse sot, një numër i madh i policëve të EULEX-it, të armatosur rëndë bastisën këto zyra sikur që arrestuan kryetarin, Hysni Gucati, pa dhënë, së paku deri më tani arsyet e arrestimit. Policët penguan gazetarët duke mos i lejuar ta bëjnë punën për çka edhe janë të thirrur.
Këtyre arrestimeve i parapriu rrjedhja e dokumenteve të Gjykatës Speciale e që përfunduan para derës së zyrës së veteranëve të luftës, të cilët pastaj ua shpërndanë disa mediave e që pastaj ua konfiskuan hetues apo policë të Gjykatës Speciale.
KMDLNj vlerëson se ndërhyrja e hetuesve apo policëve të Gjykatës Speciale është dashur të bëhet në Hagë, sepse nga aty kanë rrjedhur dokumentet e kësaj Gjykate andaj, me këtë neglizhencë, pavarësisht nga motivet, Prokuroria e Gjykatës Speciale skajshmërisht ua ka rrezikuar jetën dëshmitarëve të mbrojtur dhe tani lirisht mund të thuhet se më nuk ka dëshmitarë të mbrojtur, pasi vet Gjykata Speciale krijoi kushte për dekonspirimin e tyre.
Kuvendi i Kosovës, me votim të 2/3 të deputetëve miratoi ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës duke e veshur këtë Gjykatë me 100 për qind autorizime dhe duke zhveshur autoritetet kosovare nga të gjitha të drejtat që ua njeh mandati i tyre. Sidomos aneks marrëveshja e nënshkruar ashtu siç ka dashur Gjykata Speciale e vë Kosovën dhe autoritetet e saj në një pozitë të nënshtrimit të skajshëm e që nuk ishte kështu as në kohën e kolonializmit më të egër.
Paradoksalisht thuhet se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës në ndërkohë që nuk kanë të drejtë ta ndryshojnë as edhe një pikë të vetme nga kjo marrëveshje. Në këto rrethana është krijuar një situatë e rëndë për të arrestuarit, familjet e tyre dhe avokatët mbrojtës nga Kosova që nga autoritetet e Holandës trajtohen si punëtorë krahu për faktin se pajisen me viza për aq ditë sa janë me klientë e që është veprim i pashembullt për faktin se duhet të udhëtojnë shpesh.
Të dyshuarit e pastaj të akuzuarit kosovarë, përjashtuar një rasti asnjëherë nuk i kanë ikur drejtësisë dhe nuk kanë arsye as tani ndonëse kemi të bëjmë me zbatim të standardeve të dyfishta në ndarjen e drejtësisë.
KMDLNj gjithmonë ka kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat pa bërë asnjë dallim në baza etnike, racore, bindjeve politike, statusit në shoqëri etj., sikur që kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që e planifikuan krimin, e kryen krimin apo nuk e penguan, gjithashtu pa bërë asnjë dallim. Ndërkaq mandati i kësaj Gjykate e bënë pikërisht të kundërtën sepse i lë pa të drejtë për drejtësi së paku 90 për qind të viktimave sikur që i liron nga përgjegjësia së paku 90 për qind të atyre që kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
KMDLNj thërret autoritetet e Kosovës që të përmbushin detyrimet që i kanë për të siguruar mbrojtje efektive dhe cilësore për ata që do të gjykohen, sikur që të mbulojë të gjitha shpenzimet për familjarët e tyre shkaku se ata duhet të vizitojnë anëtarët e arrestuar të familjes të cilët përkundër vullnetit të tyre dhe përkundër Rregullave Evropiane të Burgjeve mbahen shumë larg familjeve.
KMDLNj kërkon të respektohet parimi se askush nuk mund të shpallet fajtor pa vendim të prerë të Gjykatës përkatëse, prandaj kërkon përmbajtje nga të gjitha palët për faktin se në një mjedis skajshmërisht të tensionuar, pak duhet që situata të eskalojë deri sa të bëhet e pamenaxhueshme.
KMDLNj e ka të qartë se EULEX ka kërkuar vazhdim të mandatit vetëm ta përkrah Gjykatën Speciale me arrestime dhe se Gjykata Speciale në asnjë rrethanë nuk mund të zhbëhet, andaj thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare janë krejtësisht të josinqerta dhe po përdoren për qëllime politike për të bërë presion te pala kosovare në procesin e bisedimeve.
Shërbimi për Informim I KMDLNJ-së, Prishtinë 25 shtator 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura