FATON MEHMETAJ: RISQARIM – BISEDA IME ËSHTË SHTREMBËRUAR NGA GAZETARI V.KAJTAZI

Pashtriku.org, 28. 08. 2012 – (Lidhur me artikullin “AKI-ja e Maksim Ferrës me mbi 50 agjentë në Kosovë”, të autorit Vehbi Kajtazi, botuar në “Koha Ditore” të datës 9 gusht 2012, f.1 e 5.) – Në sqarimin tim të botuar në gazetën “Koha Ditore”, më 11 gusht 2012, f. 11, lidhur me artikullin e gazetarit Vehbi Kajtazi “AKI-ja e Maksim Ferrës me mbi 50 agjentë në Kosovë” (“Koha Ditore”, 9 gusht 2012, f. 1 e 5), në fund të sqarimit tim, është dhënë edhe një “Sqarim i Redaksisë” në të cilin thuhet se “gazeta e ka të incizuar bisedën me z. Mehmetaj dhe në artikull nuk është ndryshuar asgjë nga ajo që ai ka deklaruar”, gjë që nuk është e vërtetë. Një deklarim i tillë, më shtyri të bëj këtë risqarim. (Lexoni këtë sqarim këtu: http://koha.net/?page=1,9,111223 – plotësim i Sh.B)
Bisedën telefonike me gazetarin e “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, e kam të incizuar edhe unë në telefonin tim, dhe nga ajo që unë kam biseduar me gazetarin Kajtazi, lidhur me çështjen në fjalë e ritheksoj se biseda ime me qëllim apo pa qëllim është shtrembëruar dhe është interpretuar sipas dëshirës së gazetarit. E ripërsëris: në asnjë rast nuk i kam deklaruar se “kam punu për një Agjenci në Kosovë që është e regjistruar e që është drejtuar nga një djalë nga Ferizaj, Selman Lipovica”, siç citohet në gazetë, sepse këtë person nuk e njoh fare.

Gazetari Vehbi Kajtazi

………………………………………………..

Pos kësaj, me rastin e botimit të sqarimit në fjalë, faksimilja e dorëheqjes time e datës 12 nëntor 2010, nga të qenit anëtar dhe drejtues i Filialit për Kosovë i Qendrës Shqiptare të Studimit të Luftës kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, ende pa e zhvilluar asnjë aktivitet, drejtuar drejtorit të OJQ-së, Maksim Ferra, në gazetë është paraqitur e minimizuar, e palexueshme dhe si e tillë ia ka humbur kuptimin edhe sqarimit tim, e që sipas mendimit tim një gjë e tillë është bërë me qëllim.
Ritheksoj se nga QShSLTKO kam dhënë dorëheqje të parevokueshme gati dy vjet më parë (më 12 nëntor 2010), ende pa e zhvilluar asnjë aktivitet, pasi që nuk jam njoftuar realisht për gjendjen të cilën e kishte qendra në Kosovë, nuk jam njoftuar për anëtarët e saj që kanë vepruar këtu dhe aktivitetin e tyre, të cilët kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me Qendrën në Tiranë. Në rrethana të tilla kam dhënë dorëheqje pasi nuk kam mundur të mbaj përgjegjësi për veprimet e njerëzve që nuk i njoh, e që nuk kam të bëj me ta në asnjë rrethanë. Prandaj, siç kam thënë edhe në tekstin e dorëheqjes së parevokueshme, personalisht nuk mund të mbaj përgjegjësi për veprimet e njerëzve që kanë vepruar më herët apo që mund të veprojnë më vonë, qofshin ato edhe raste të keqpërdorimeve individuale.
Për mua nuk është aq me rëndësi pse gazetari Kajtazi e ka interpretuar bisedën telefonike ashtu siç i ka konvenuar atij, por është me rëndësi prapavija pse e ka vendosur emrin tim në ballinën e gazetës, duke më implikuar me struktura të krimit të organizuar.
Sigurisht gazetari i “Kohës Ditore” e di se përdorimi i mekanizmave mediatikë për komprometimin, njollosjen apo shantazhimin e akëcilit person është i ndaluar ligjërisht, edhe me kode të gazetarisë është një shkelje e rëndë e etikës gazetareske. Një qasje e tillë është njollë e zezë për organin të cilit i shërben, në këtë rast për gazetën “Koha Ditore”.
Gazetari i “Kohës Ditore” me sa kam parë unë e ka parasysh një listë të cilën e ka botuar, duke iu referuar si një “listë e përpiluar nga autoritetet e rendit në Kosovë” (po të ishte e tillë, botimi i saj do të ishte prishje e hetimeve), e cila megjithatë nuk ka vulë, nuk ka datë, nuk del të jetë e protokolluar, nuk ka logo as nënshkrim të askujt që e ka pranuar këtë listë zyrtarisht. Lista nuk ka adresë, nuk ka adresë as të filialit të kësaj OJQ-je që z. Ferra e paska në Kosovë, prandaj shkrimi me titull bombastik “AKI-ja e Maksim Ferrës me mbi 50 agjentë në Kosovë”, i autorit Vehbi Kajtazi, del të jetë i njëanshëm, i pabazë dhe tendencioz.
Aq më tepër, në këtë listë nuk figuron fare emri i personit me inicialet M. N., i arrestuar një ditë më herët për përfshirje në krim të organizuar në rrethinën e Gjakovës, të cilin gazetari e merr si pretekst për publikimin e artikullit tendencioz. Po ashtu, në këtë listë të paraqitur, bazuar në listën numerike rezulton të jenë hequr disa emra nga lista, përkatësisht emrat që mund të kenë figuruar nën numrat rendorë 4, 5, 8, 24, 27.
Sidoqoftë vendosja e emrit tim në ballinën e gazetës dhe ndërlidhja me krimin e organizuar është akuzë tepër e rëndë, që nuk përkon me asnjë moment të jetës time.
Pa asnjë pretendim, edhe nëse dikush nga ajo listë e paraqitur mund të jetë i përzier në çfarëdo vepre penale, sikurse në të gjitha rastet tjera secili person përgjigjet individualisht për veprimet e veta. Me dhjetëra policë, gjyqtarë, gardianë, e struktura tjera të larta të sigurisë ka rezultuar të jenë të përfshirë në akte kriminale, korrupsion, reket, trafikim etj., por secili është përgjigjur për veprimet e veta dhe nuk mund të bëhen përgjithësime, nuk mund të themi se të gjithë pjesëtarët e këtyre strukturave janë të tillë.
E them me përgjegjësi të plotë se më shumë se nëntëdhjetë për qind të emrave të paraqitur në listën e publikuar në “Koha Ditore” nuk i njoh, nuk i kam takuar kurrë, nuk kam të bëj në asnjë rrethanë me ta, pjesën tjetër i njoh në rrethana private.
E di se gazetari Vehbi Kajtazi ka një urrejtje për ish-pjesëtarët e UÇK-së, dhe kjo nuk është e sotme, por i them me bindje të plotë se në mesin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka shumë njerëz të mirë, që kanë dhënë gjithçka për këtë vend e nuk i kanë marrë asgjë, dhe nuk duhet identifikuar ata me ndonjë matrapaz që ka keqpërdorur emrin e luftës, siç mund të ndodhë në çdo shtresë tjetër të shoqërisë, madje edhe në komunitetin e gazetarëve.
Gazetari Kajtazi i “Kohës Ditore” ka marrë edhe çmime për gazetari hulumtuese, dhe është çudi të bie në një nivel të tillë joprofesional me të cilin ka rënë me artikullin “AKI-ja e Maksim Ferrës me mbi 50 agjentë në Kosovë”, ku përmendet edhe emri im.
Në këtë rast gazetari Kajtazi e ka përdorur gazetën “Koha Ditore” me dijeninë apo pa dijeninë e tij, me dijeninë apo pa dijeninë e redaksisë për njollosjen time. I cytur ndoshta edhe nga qarqe të caktuara jodashamirëse, është vënë në lajthitje duke më akuzuar shumë rëndë pa kurrfarë fakti a baze faktike.
Shpifjet, shantazhet e porositura, presionet, njollosjet e njerëzve pa fakte, kërcënimet mediatike, që vijnë nga disa qarqe të caktuara gazetareske, janë keqpërdorim i lirisë së shtypit, e ata që e keqpërdorin lirinë e shtypit dhe i shfrytëzojnë mediet e ndryshme për të lansuar dezinformata ndaj njerëzve të caktuar, siç ka bërë në rastin konkret gazetari i “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, i cenojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të lirë, që ndoshta dikujt i bëjnë hije me prezencën e tyre. Lojërat me dosje, me dëshmitarë të rremë, me lansime të dezinformatave në raste të caktuara ndaj individëve të caktuar, siç është rasti edhe me shkrimin e gazetarit Vehbi Kajtazi direkt apo indirekt ndërlidhen edhe me qarqe të tjera që nuk ia duan të mirën Kosovës.
Ka trembëdhjetë vite që shërbimet sekrete serbe, xhandarmëria, BIA etj., veprojnë në Kosovë dhe gazetaria hulumtuese, qoftë edhe ajo e aplikuar nga gazetari Vehbi Kajtazi nuk është marrë pothuajse fare me këtë trajtim. Krahasuar me këtë, sa i përket konceptit të veprimtarisë së “agjenturës” së Maksim Ferrës në Kosovë (e unë dyshoj se ka pasur fare veprimtari të tillë!), siç e paraqet gazetari Kajtazi, që e ka hapur një OJQ në Kosovë dhe që mund të ketë keqpërdorë besimin e njerëzve të caktuar është hiçgjë në krahasim me veprimtarinë agjenturore të patrajtuar fare të fqinjëve tanë veriorë. Megjithëse me sa di dhe me sa kam mësuar unë, duke iu referuar edhe publikimeve dhe dokumenteve zyrtare e të dhënave publike, kjo OJQ nuk ka pasur karakter agjenturor, nëse keni fakte për të kundërtën dëshmojeni.
Secili prej nesh çdo ditë mund të shpifë për dikë apo t’ia montojë dikujt duke e etiketuar ashtu si atij i konvenon kur i ka mediet në dorë dhe i keqpërdorë ato për qëllime dhe interesa të caktuara. Kjo qasje e “gazetarit hulumtues”, Vehbi Kajtazi, është një hipokrizi e shkallës më të ulët të një maniaku që nuk i merr parasysh pasojat dhe dëmet që mund t’ua bëjë të tjerëve padrejtësisht, në këtë rast mua personalisht.
Mbase gazetari Vehbi Kajtazi e ka lakuar emrin tim në këtë kontest sipas ndonjë porosie të caktuar, apo sepse është pjesë e kastave me të cilat unë kam polemizuar më herët për çështje tjera, kur nga ata akuzohesha për krime lufte.
Gazetari Kajtazi nëpërmjet shkrimit të tij “AKI-ja e Maksim Ferrës me mbi 50 agjentë në Kosovë”, në mënyrë të planifikuar duke i përdorur mediet e shkruara dhe ato elektronike iu ka mundësuar që pa kurrfarë baze të tentojë të më diskreditojë me shpifje pa kurrfarë arsyeje dhe argumenti. Këso shpifjesh disa herë kanë shkuar në OKB, në Bruksel, në Hagë, në UNMIK, në EULEX e ku tjetër. Me këso lansimesh të pabaza janë duke vuajtur dënimet dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Unë si gazetar me përvojë shumë të gjatë në gazetari e publicistikë (që nga klasa e VI fillore e këndej merrem me shkrime, por kam të botuar edhe mbi pesëmbëdhjetë tituj librash historikë, publicistikë e të çështjeve të sigurisë, duke qenë i burgosur politik në ish-Jugosllavi, pjesëtar i UÇK-së dhe i TMK-së dhe një kohë me pozita të larta në shoqëri) u them se e di mirë se si funksionon mekanizmi i llojit të tillë në gazetari.
Artikulli në fjalë është një e pavërtetë, i ngarkuar me frazeologji vulgare, që përcillet me një urrejtje të egër ndaj meje dhe ndokujt tjetër në listën e publikuar, e cila realisht nuk ka kurrfarë vlere, është vetëm një tendencë për të bërë lajm, duke njollosur e komprometuar njerëz. Megjithatë e vërteta është e patjetërsueshme, e shpifjet çfarëdo qofshin, mbesin shpifje e asgjë më shumë. Prapavija dhe porositësit e tyre patjetër do të dalin në shesh.

Faton Mehmetaj, Dr. Kandidat
Prishtinë, Më 21 gusht 2012
Tel.: 044/122-764

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura