Pashtriku.org, 4 korrik 2017: Në 30 vjetorin e Mbledhjes së Parë të Përgjithshme të LPRK-së (Zvicër, korrik 1987) – (Një pjesë e veprimtarisë së Adem Demaçit pa publik, pa media, në fshehtësi, për të shmangur ndjekjen nga okupatori) – Të shkruash për bashkëveprimtarët pa rënë në subjektivizëm është e vështirë. Kjo mund të jetë ana nga mund të rrëshqasin shkrimet me karakter të këtillë. Ana e fortë është se shkrimet e tilla marrin formën e dëshmisë për studiuesit e ardhshëm. Në vete ato kanë bashkëkohësinë, përjetimin e ngjarjeve që kanë ndodhur dhe duke u krahasuar me burimet e tjera për të njëjtat gjëra konstatohet më lehtë e vërteta.
Edhe pse Adem Demaçi ishte në burg në kohën e krijimit të LPK-së, ai ishte ideologu dhe simboli kryesor, frymëzues për drejtuesit e LPK-së dhe gjithë anëtarësinë e saj.
Platforma e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH) 2, përvoja e saj organizative ishte përshtatur për kushtet e reja dhe ishte përfshirë në programin e LPK-së, si dhe në praktikën e organizimit të saj.
Sikurse Programi i LRBSH-se ashtu edhe Programi i LPK-se dhe veprimtaria e tyre ishin autoktone shqiptare. U hartuan, u aprovuan dhe u zbatuan nga vetë drejtuesit dhe anëtarësia e këtyre organzatave.
Mbështetja në forcat e popullit shqiptar ishte tipar i dy organizatav. Në Programin e LRBSH-së thuhej se faktori i brendshëm ishte faktori nr. 1, që ishte Kosova, populli shqiptar i Kosovës dhe faktori nr. 2. ishte Shqipëria, populli shqiptarë 3. Ndërsa faktori i jashtëm konsiderohej të ndihmonte përmes nevojave që paraqiste faktori i brendshë 4.
Adem Demaçi në LPK ka qenë figurë çlirimtare prezente si ide, si frymë dhe sidomos si person i kthesave revolucionare. Atdhedashuria ka qenë tipari kryesor i veprimtarëve të LPK-së. Shembull si duhet Atdheu, Shqipëria, për të gjithë veprimtarët e saj ka qenë Adem Demaçi. Ai edhe në programin politik, ku zakonisht përdoret gjuhë politike, me plotë gojë kur përmendet Shqipëria thotë ‘’nanë’’.
Adem Demaçi dhe Ahmet Haxhiu – Baca.
Qëllimi final i LRBSH 5 dhe i LPK-së ka qenë i njejti. Është interesant se programi i LRBSH-së, i shkruar nga Adem Demaçi në vitin 1964, parashihte bashkimin me Shqipërinë sikurse ishte edhe qëllimi i fundit i LPK-së. Këtu duhet sqaruar këtë: Programi fillestar i LPK-se i vitit 1982, ka qenë një program federativ. Në të bëhej fjalë për një republikë, siç i kishte 6 të tjera Federata e Jugosllavisë, në të cilën përfshihen viset shqiptare në Jugosllavi. Në një nga mbledhjet e para të Këshillit të Përgjithshëm, pas 2 korrikut 1990, pra pas shpalljes formale të Republikës së Kosovës, u përshtat programi për Pavarësi të Kosovës, që u sanksionua dhe në Programin e vitit 1991 aprovuar në Ujmir të Klinës (tetor 1991). Në mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPK-së, që u mbajt në Kodrën e Trimave në Prishtinë më 26/27 korrik të vitit 1993 (6) Programi parashihte pos luftës politike për mbërritjen e qëllimit edhe luftën e armatosur. Ky ndërrim programor hapi rrugë për orientim të përgjithshëm të LPK-së për luftën e armatosur. Gjatë ndërtimit teorik të strategjisë dhe taktikës së LPK-së për këtë luftë, që është e shprehur në 4 vëllime të punuara nga ekspertë ushtarakë nën mbikëqyrjen e Kryesisë së LPK-së, në hyrje të secilit vëllim është betimi i ushtarit të LPK-së, që më vonë u bë betimi i ushtarit të UÇK-së 7. Pra, në vitin 1994, Programi ushtarak i LPK-së, në pjesën politike kishte për platformë bashkimin kombëtar. I mishëruar në qëllimin e UÇK-së, të shprehur në betimin e ushtarit të UÇK-së, ishte bashkimi me Shqipërinë i të gjitha viseve shqiptare në ish Jugosllavi 8. Lidhur me Programin politik e ushtarak të LPK-së të vitit 1993-1994, po flitet për herë të para publikisht. Përndryshe, LPK, Kryesia e saj, ishte udhëheqësi dhe organizatori i strukturave ushtarake të kohës, që më 1994 mori vendim që njësitë e LPK-së që bënin veprime luftarake në terren, të ngriten në nivelin e ushtrisë, me ç’rast edhe i emërtoi me emrin Ushtria Clirimtare e Kosovës.
Ky Program politik e ushtarak ishte një riafirmim i ideve të kahershme të Adem Demaçit dhe të brezave pararendës të ideologëve shqiptarë.
***
Në vitin 1985-1986, në kohën kur qëndroi Ahmet Haxhiu 9 në mesin e veprimtarëve të LPK-së në Zvicër, një pjesë të kohës e shfrytëzoi për të transmetuar gjithë përvojën që kishte në veprimtarinë e përbashkët me Adem Demaçin. Lidhur më këtë u mbajtën në shënim të gjitha ato që duheshin për vazhdimin e punës aty ku e kishte lënë gjenerata e mëhershme e vyeshme e atdhetare e LRBSHJ-së, që udhëhiqej nga Adem Demaçi. Shembujt e mirë të organizimit të brendshëm dhe të aksioneve që kishte bërë organizata për flamurin, për republikën, për gjuhën dhe për shkollën shqipe, kontaktet me jashtë vendit etj., ishin frymëzim për sektorët e LPK-së që merreshin me aksione në Kosovë e jashtë vendit.
Adem Demaçi nuk ishte vetëm i burgosur. Regjimi e kishte shpallur të ndaluar edhe veprën letrare e atdhetare të tij. Për këtë arsye një nga detyrat që LPK-ja i kishte vënë vetes ishte publikimi i veprës së Adem Demaçit. Në vitin 1984 LPK-ja, në kuadër të botimeve të veçanta të organit të saj “Zëri i Kosovës” 10 ribotoi me përkushtim romanin “Gjarpijtë e gjakut”11. Duke pasur parasysh kohët e vështira, që po vinin për popullin tonë, një rëndësi të veçantë kishte shpërndarja e mesazhit kryesor, me të cilin Adem Demaçi nëpërmjet këtij romani e ftonte popullin t’i linte hasmëritë, t’i falte gjaqet – ta jetësonte bashkimin për t’u bërë i fuqishëm për kohët e vështira që po vinin. Romani u shpërnda në gjithë botën e jashtme, ku kishte shqiptarë dhe një pjese u fut në Kosovë.
Në vitin 1987, në kohën kur Adem Demaçi kishte bërë 25 vjet burg për çështje politike në opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar ishte rritur interesimi për veprën dhe shembullin e tij. Me këtë rast LPK-ja pati bërë veprimtari të ndryshme për të njoftuar botën me atë që ndodhte me të burgosurin politik numër një për nga gjatësia e burgut në gjithë Europën.
Në të gjithë zonën gjermanofolëse të Europës në gjuhën gjermane u shpërnda një pllakat me portretin e Adem Demaçit, në të cilin jepeshin informatat bazë për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit.
LPK-ja me entuziazëm pati pritur intervistën e tij nga burgu. Atë e pati publikuar organi i LPK-së “Zëri i Kosovës” dhe njëherësh e pati bërë broshurë të veçantë. Ajo pati një ndikim të jashtëzakonshëm për mobilizimin e radhëve në veprimtaritë e shumta që bëheshin atëherë në tubime e demonstrata gjithandej nëpër botë dhe në veprimtaritë brenda në Kosovë.
***
Ndërlidhja e veprimit të LPK-se me Adem Demaçin, pas daljes së tij nga burgu u realizua përmes shokut të tij të idealit dhe të organizimit të mëhershëm, veprimtarit dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Ahmet Haxhiu. Lidhja e Adem Demaçit me LPK-në u bë e fuqishme dhe me besim të plotë edhe për faktin se Ahmet Haxhiu ishte edhe bashkëveprimtarë dhe kushëri i Adem Demaçit. Kështu që Baca Adem te LPK ka parë në fakt vazhdimësinë e idealeve që kishte deklaruar ai përmes LRBSH. Baca Ahmet, siç e dinë të gjithë ata që e kanë njohur, pos veprimtarisë politike është shquar edhe për kujdesin e jashtëzakonshëm për shokët, sidomos ata të burgosur. Kuptohet në mënyrë të veçantë është kujdesur për bacën Adem Demaçi. Në këtë kuadër baca Ahmet pati propozuar dhe me angazhimin edhe të Kryesisë së LPK-së janë mbledhur mjete për ndërtimin e shtëpisë Adem Demaçit në Prishtinë. Kjo çështje është trajtuar në vitin 1990 në një nga mbledhjet e Kryesisë në Zvicër, në të cilën ka qenë dhe Ahmet Haxhiu. Në këtë kuadër është biseduar me Këshillin e LPK-së në Berlin, i cili për këtë qëllim ka dhënë një shumë të konsiderueshme të mjeteve.
Ndikimi i Adem Demaçit në Lëvizjen Popullore të Kosovës bëhej edhe në formën e kontaktit të tij me anëtarë të LPK-së ose me veprimtarë politikë që në LPK u rreshtuan për herë të parë. Shumë nga ata kishin qëndruan me vite bashkë me Adem Demaçin dhe kishin pasur rast të merrnin përvojën e organizimit e punës politike nga ai. Kjo përvojë dhe mësimet e marra nga Adem Demaçi ata i reflektonin në veprimtarinë e tyre në punën politike dhe pastaj ushtarake.13
Vizitat e bacës Adem në Perëndim, sidomos ajo e para ka qenë nën përkujdesjen e LPK-së. Ajo është trajtuar si temë në Kryesisë e LPK-së. Sadik Halitjaha, veprimtar i LPK-së, e pati vënë në dispozicion veturën e tij, që ishte e përshtatshme për udhëtime të gjata e të lodhshme, ndërsa Xhavit Haliti ka qenë shoqëruesi i tij. Gjithashtu vendqëndrimet e bacës kanë qenë ndër veprimtarë të LPK-së, si Hetem Zejnullahu etj.
***
Në Mbledhjen e LPK-së, në verë të vitit 1991 në Prishtinë 14, në prag të Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme (tetor 1991) mori pjesë edhe Adem Demaçi. Në këtë mbledhje u analizuan situata politike dhe taktikat që duhej të ndiqeshin nga LPK-ja për t’u fuqizuar dhe për ta realizuar Pavarësinë e Kosovës. U fol për format e veprimit, për thellimin e punës së fshehtë kundër Serbisë, kombinimin e formave të veprimtarisë me kujdesin më të madh. Me vetë prezencën e Adem Demaçit në mbledhjet ilegale, dhe perfshirjen ne organizimin ilegal të LPK-së donte të thonte se organizimi i vetëm që do të jepte rezultate ishte vazhdimi i punës së fshehtë kundër okupatorit. Mos të harrojmë kjo mbledhje bëhej kur forma legale, e toleruar nga pushtuesi, propagandohej si forma e vetme që do të jepte rezultate, edhe ate, pa mund fare.
Në intervalin 1991-1993, Adem Demaçi kishte takime të fshehta, ndaras apo në grupe, pothuaj në baza ditore me udhëheqësit krysor të LPK-së në Prishtinë: Ahmet Haxhiun, Xhavit Hazirin, Azem Sylën, Ramadan Avdiun etj.
Adem Demaçi ka qenë pjesëmarrës në shumë tubime publike që ka organizuar Lëvizja Popullore e Kosovës. Pos të tjerave ka marrë pjesë edhe në tubimin e përvjetorit të rënies së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit në Cyrih të Zvicrës.
Një nga mbledhjet më të rëndësishme të Kryesisë së LPK-së ku ka folur gjatë Adem Demaçi, është mbajtur më 10 gusht 1992 (15). Kjo mbledhje po mbahej gati një vit pas Mbledhjes III të Përgjithshme të LPK-së. Ai kishte kohë që vepronte brenda organizimit të LPK-së. Në këtë mbledhje Adem Demaçi pasi mori mendimin e anëtarëve të Kryesisë së LPK-së për situatën politike, për gjendjen në LPK dhe për veprimtaritë për çlirimin e vendit në diskutimin e vet dha porosi të shumta.
‘Situata, – tha Adem Demaçi në Mbledhjen e Kryesisë së LPK-së, më datë 10 gusht 1992, do të ndryshojë: Shumë shpejt do të vijë para nesh e do të shtrohet detyra, …, populli do të kërkojë që të luftojë…’’ faqe 8 i Transkriptit të cituar.
Duke folur për taktikën që duhej të ndiqej në luftën e armatosur kundër Serbisë, për të arritur qëllimin strategjik, fitoren, të cilën tha se do ta arrijmë, shtoi: “Tash për tash ne nuk do të jemi në gjendje ta përcaktojmë se çfarë veprimesh do të bëjmë, një luftë frontale që ta çelim nuk vjen në konsiderim. Të paktën me këtë raport të forcave që e kemi na. Mirëpo, a mund të bëjë populli shqiptar në Kosovë shumë veprime të ndryshme, që t’ia sjellë diellin mbi krye pushtuesit, mundet.” Po aty.
Lidhur me përzgjedhjen dhe rekrutimin e drejtuesve dhe ushtarakëve të ardhshëm Adem Demaçi e kërkonte si detyrë që të zgjidhen “… njerëzit dhe t’i marrin vetëm ata që e kanë sos me vdekë. Ky duhet të jetë kriteri i parë. Pas këtij kriteri atëherë kush është i zoti.’’ Transkripti i cituar. Po aty.
Lidhur me informimin dhe kundërinformimin Adem Demaçi dha si orientim që njerëzit e Lëvizjes të gjendeshin kudo, të siguronin informacion për gjendjen e pushtuesit, të forcave të armatosura të tij, por edhe të gjithë atyre që flirtojnë me okupatorët.
Edhe në rrethana kur okupatori kryente akte kriminale mizore në Kosovë, Adem Demaçi gjykonte me mendje të kthjelltë. Ai bënte thirrje që Lëvizja Popullore të mos përziente gjërat. Lufta e popullit shqiptar për Adem Demaçin ishte luftë kundër prezencës së shtetit të Serbisë në Kosovë. Këtë e theksonte vazhdimishtë jo vetëm në takimet e hapura por edhe në takimet e fshehta me LPK-në.
Duke folur për detyra operacionale, logjistike e përgatitore tha se: “Duhet të intensifikohet puna e atyre që dinë diçka nga artet e ndryshme, të rezistencës e poshtë e përpjetë, të shkollohen të tjerët, të përgatiten të tjerët. Të gjinden vendet ku mund të përgatiten vendet ku mund të përgatiten, këtu e përjashta, … duhet të gjurmohen vende e të gjinden. Edhe ata atje të bëjnë përpjekje që edhe Shqipërinë ta inkuadrojmë në këtë punë, edhe prej nesh pritet që na të tregojmë para botës e para popullit se na jemi ata luftëtarët e vërtetë.’’ Transkripti i cituar.
Duke folur për mënyrën e ndërlidhjes, komunikimit e vëzhgimit në luftën që po vinte ai tha: “Të bëhet mënyra e parullave, mënyra e shifrave, mënyra e komunikimeve mes njerëzve, mes fshatrave, mes viseve, mes krejt. Krejt këto duhet të përpunohen mirë dhe në mënyrë të thjeshtë. Pa komplikime, pa shumë tela, pa shumë sene, se duhet të …. sepse ato do të tregohen si më të shpejtat, kurse me mjetet tjera do ta kemi të pamundshëm, pasi kemi të bëjmë me një pushtues i cili është i organizuar, i cili është i pajisur andej këndej, edhe të gjitha komunikimet tona me mjete tjera do të mund t’i ndërprejë. Po komunikimet tona (…) nuk do të jetë në gjendje t’i deshifrojë, se shifrat do t’i japim na vet: kjo ngjyrë, kjo shenjë, ky qëndrim, kjo pozitë andej, këndej e ka këtë kuptim…. Kështu që të punojmë maksimalisht që mos të jem në gjendje të identifikohemi nga pushtuesi, të zbulohemi nga pushtuesi a punët të kryhen.’’. Po aty.
Në vazhdim ai u ndalë për detyrat e Lëvizjes për financimin, për stërvitjen e luftëtarëve të ardhshëm dhe për sigurimin e armatimit dhe të pajisjeve të tjera luftarake.
Diskutimi i Adem Demaci në mbledhjet e fshehta dhe sidomos në Kryesinë e LPK-së kishin rëndësi të madhe. Mendimet që shprehte dhe detyrat që përcaktonte Adem Demaqi ishin pikë reference e antërarëve të Kryesisë së LPK-së.
Adem Demaçi në mbledhjet e fshehta që mbante me LPK-në nuk kishte qëndrim konformist. Vinte në pah detyrat që e prisnin ate por gjithashtu vinte në pa dhe veprimet që nuk duhet bërë. Ai ishte kritikues i madh i dukurive që mendonte se janë të dëmshme për LPK-në, apo që e vononin ardhjen e lirisë duke dhënë mendime se si dhe ku duhet përmirësuar. Në takimin e 10 gushtit 1992 ai ka kërkuar që theksi të vehet te lufta e armatosur duke lënë anash ndasitë krahinore, ideologjike.
***
Në maj të vitit 1996, pas aksioneve zingjirore luftarake të UҪKs-ë, Adem Demaçi befasoi opinionin: Duke i dalur në mbrojtje konceptit të LPK-së për situatën dhe zot strukturës ushtarake të UҪK-së, për të cilën kishte dhënë aqë shumë, Adem Demaçi publikisht arsyetoi veprimet luftarake të UҪK-së: “Dekada e fundit e përgjakshme e prillit 1996 – deklaroi ai – është paralajmërimi më brutal për të gjithë, prandaj dhe të gjithë, pa përjashtim, duhet ta marrin me seriozitetin më të madh dhe të trandemi sa ka ende kohë.” 16 Dhe kaloi në polemikë të hapur me ata që thonin se veprimet luftarake kundër okupatorit po i bënë vet Serbia kundër vetëvetes për të kompromituar opcionin paqësor: “Po e përsëris, tha Adem Demaçi – se nuk mund të pohohet se vetëm serbët i kanë shkaktuar ngjarjet e përgjakshme të dhjetëditëshit të fundit të prillit…” dhe vazhdonte me konstatimin: ‘’Pavarëisht nga thirrjet për qetësi, e vetëm qetësi, pakënaqësia, zemërimi dhe dëshprimi kanë mbetur brenda në popull dhe sa e njoh unë atë, ai nuk do të pranojë të mbetet farë kolonie serbe’’ 17.
Ka qenë orientim i hershëm që Baca Adem Demaçi të jetë në strukturat e UÇK-së. Pas shumë aksioneve të UҪK-së, ende pa dalë ajo publikisht, Adem Demaçi pati kërkuar që UÇK-ja të shpallte armëpushim të njëanshëm. Kryesia e LPK-së, në atë kohë drejtuese politike e organizative e UÇK-së, e pati shqyrtuar kërkesën e Adem Demaçit me kujdes. Pas analizës u vlerësua se ende ishte herët për armëpushim të llojit të tillë. Edhe pse u vlerësua kështu kërkesa e bacës kishte domethënie të madhe. Ai me këtë kërkesë jo vetëm botërisht e kishte pranuar se UÇK-ja ishte faktor, por sugjeronte edhe të tjerët që ta konsideronin UÇK-në faktor kryesor. Kjo bëhej në kohën kur z. Rugova në mënyrë të përsëritur deklaronte se UÇK-ja mund të ishte krijesë e Serbisë.
Produkti final i LPK-së ishte struktura e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe ishte krenari që baca Adem Demaçi ishte përfaqësuesi i Zyrës së UҪK-së në Prishtinë. Ai në fakt nuk rrinte vetëm në zyrë, por një pjesë të punës së vetë e bënte në Zonat e UÇK-së, ku tani në cilësinë e ushtarakëve gjendeshin veprimtarët ë LPK-së.
Ngado që baca Adem shkoi në njësitë e UÇK-së pritej nga bashkëveprimtarët politikë të dikurshëm, që kishin marrë armët në dorë dhe luftonin për çlirimin e vendit. Në drejtim gjithandej ishin veprimtarët e LPK-së. Si shumë të tjerë, edhe unë që po flas këtu, si një nga pjesëtarët e UÇK-së pata një rast të tillë. Më lejoni të ndajë një befasi krejt personale. Me 20 dhjetor 1998, ishte përjetim i paharruar, kur pashë si ngjitej kodrës së fshatit Shqiponjë (Jabllanica e Gjakovës), bri lisave të gjatë, ndoshta shekullorë, baca Adem Demaçi me Skender Kastratin dhe me diplomatin Shën Bërns në drejtim të Shtabit të UҪK-së për Zonën e Dukagjinit. Kur më pa tha: “Eu… po ti këtu?” I thashë se edhe për mua ishte befasi e këndshme që po takoheshim në rrethana krejt të tjera nga ato që ishim takuar shumë herë në veprimtaritë e LPK-së.
Meqë komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte larg, bashkë me Zëvendëskomandantin Nazmi Brahimaj u bë pritja ushtarake e Adem Demaçit. Njësia e ushtarëve prezent, e komanduar nga Maliq Ndreca, i bëri respektin e merituar bacë Adem Demaçit dhe delegacionit që ishte me të. Ndërsa në Shtabin e Zonës u bë një takim pune.
***
Thirrja e Adem Demaçit që mos të shkohej në Konferencen e Rambujesë në Francë të shkurtit të vitit 1999, me kushtet e panegociushme sipas të cilave UҪK, Kosova duhej të pranonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë si dhe më pastaj çarmatosjen e demobilizimin e UҪK-së ishin në funksion të zgjidhjes së drejtë, paqësore e të qëndrueshme të çështjes së Kosovës. Rrjedhimi i zgjedhjeve gjysmake janë ngjarjet që pasuan pas luftës dhe që po vazhdojnë ende edhe pas 17 viteve. Shkuarja në Rambuje nuk e mundësonte një konferencë të dytë. Nërsa siç thoshte Adem Demaçi mbajtja e një konference në SHBA, e cila po përgatitej në rast se UҪK refuzonte shkuarjen në Rambuje, së paku kështu thoshte Adem Demaçi. Qëndrimi i Adem Demaçit për Konferencën e Rambujesë ishte i njëjtë me qendrimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, përkatësisht Degës së saj Jashtë vendit.
Pasi ai nuk u dëgjua nga ata që shkuan në Rambuje, Adem Demaçi dha dorëheqje (në fillim të marsit 1999 – shb) prej përfaqësimit të saj në Prishtinë. Ndërsa sekretari i tij (Albin Kurti – shb) që punonte në zyrën e UҪK-së në Prishtinë u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë.
***
Pas luftës baca nuk u rreshtua zyrtarisht në asnjë subjekt politik, por u gjind në aktivitete të subjekteve politike, ku mendonte se duhet të ishte. Në aktivitetet e LPK-së në Prishtinë mori pjesë në ngjitjen e pllakës përkujtimore në një nga bazat ilegale të LPK-së në Prishtinë, në shtëpinë e veprimtarit Ahmet Haxhiu, në pllakën përkujtimore në Kodrën e Trimave, ku u mbajt Mbledhja IV e Përgjithshme, në përvjetor të veprimtarëve të LPK-së, në disa nga të cilat foli me përkushtim. LPK-ja pati vendosur një pllakë përkujtimore në varrin e Heroit të kombëtar Ahmet Haxhiu. Baca tha dhe u shkrua në epitaf: “Kush punon për Atdhe, nuk ka dekë por ka le!”
***
Në këtë punim është paraqitur vetëm ana informative për kontributet e Adem Demaçit në LPK. Puna e përbashkët e Adem Demaçit me LPK-në dhe me veprimtarët e saj, edhe pse ka qenë e herëpashershme për shkak të rrethanave dhe shpesh nga distanca, ka qenë tepër e rëndësishme për rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Ka qenë punë plot përmbajtje dhe plotë domethënie. Këtu nuk janë shtruar çështje problemore që mund të jenë objekt i studimit më të ndërlidhur me gjithë veprimtarinë e Adem Demaçit të ushtruar në struktura të tjera organizative. Sidoqoftë gjithë kjo veprimtari është bërë, siç thotë Adem Demaçi për të njëjtin ideal, qëllim: Për Çlirimin e Bashkimin Kombëtar që është “…. qëllimi i parë dhe i fundit…” i veprimtarisë së tij, që e thotë edhe në Programin e LRBSHJ-së, e që është “…bashkimi me Nënën Shqipëri”.
_________________
Referencat:
1 Lëvizja Ppullore e Kosovës (LPK, LPRK, LRSHJ) Organizatë politike e ushtarake e Kosoves e formuar në vitin 1982 që veproi deri në pavarësinë e Kosoves.
2 Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSHJ), organizatë politike e formuar në vitin 1963 në Kosovë. Ajo pati shtrirje të veprimtarisë në shumë rrethe të Kosoves dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Kishte qindra anëtarë. Një pjesë e anëtarëve të saj në vitin 1964 u zbulua, u arrestuan dhe u dënuan me shumë vite burgim, duke përfshirë dhe udhëheqësin e saj Adem Demaçin. Për shkak të shumë rrethanave, dhe mbi të gjitha terrorit të egër të pushtuesit, LRBSH nuk mundi ta ruaj vazhdimësinë organizative. Por ideja kryesore për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve vazhdoi dhe vazhdon.
3 Shih Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve në Jugosllavi,
4 Shih dhe krahaso programin e LPK-së, 1987 dhe ndryshimet deri më 1994 me programin e LRBSHJ
5 “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë – thuhet në Statutin e LRBSH – asht sigurimi i të drejtës së vetëvendosjes deri në shkëputje për viset e banueme në shumicë prej shqiptarësh që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethënë qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugsollavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet – Shqipninë”.
6 Mbledhja e IV e Përgjithshme e LPK-së u mbajt më 26 – 27 korrik 1993, Kodër e Trimave, Prishtinë: Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari (delegatë të Degësë së LPK-së jashtë vendit), e të tjerë drejtues dhe delegatë nga terreni. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare. Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së. Ndërsa emri i LPRK-së u ndërrua në LPK, pra LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS.
7 Shih: Gafurr Elshanit, Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës, mars 1998.
8 Liridon Kosova, 4 vëllime të studimeve ushtarake të LPK-së, materiale arkivore te papublikuara deri më tash të LPK-se dhe UҪK-së, 1993-1994.
9 Për veprimtarinë e Ahemt Haxhiut shih: Ibish Neziri, ‘Ahmet Haxhiu, një jetë e tërë në lëvizjen ilegale, botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë në Prishtinë’.
10 Zëri I Kosoves, 1984
11 Përgatitja për ribotim i romanit te Adem Demacit ‘Gjarpijte e Gjakut’ u bë në Zvicër me propozimin e Ibrahim Kelmendit (që e solli dhe tekstin), nën përkujdesjen e Xhafer Shatrit dhe Mustafë Xhemajlit, ilustrimet e Emrush Xhemajlit, redaktimit teknik Muhamer Shabanit dhe pastaj u shtyp në Gjermani.
12 Bashkë me Adem Demaçin në burg ishte Ibish Neziri, që Adem Demaçi e quante Kërlezha, Sejdi Gega, Xhavit Haliti e shumë të tjerë të cilët gjatë veprimtarisë në LPK kishin frymëzim shembullin e Adem Demaçit.
13 Mbledhja Konsultative e LPK-së u mbajt në shtator 1991 në Prishtinë. Prezent në takim ishin: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Adem Demaçi, Emrush Xhemajli, Ramadan Avdiu, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Ibish Neziri etj. Adem Demaçi me këtë rast bëri një diskutim të gjatë se si e mendon veprimin e LPRK-së në vitet në vijim. Një diskutim më të gjatë, se si duhet organizuar puna ai e bëri edhe një herë në një nga vizitat jashtë vendit (Nga historiku i LPK-se. Broshuara – Lëvizja Popullore e Kosovës, 20 vjet veprimtari, Emrush Xhemajli si dhe nga Wikipedia).
14 Mbledhja e 10 gushtit 1992 u mbajt në Lucern të Zvicrës në banesën e Ali Ahmetit. Diskutimi i Adem Demaçit u incizua. Transkripti përfshinë 9498 fjalë, 20 faqe tekst A/4.
15 Intervistë në gazetën ‘’Rilindja’’, Prishtinë, 07.05.1996, Gafurr Elshani, Cituar nga Ushtria Clirimtare e Kosoves, Botimi i Tretë, Prishtinë 2003, botues “Zeri I Kosoves”.
16 Po aty. Intervista e cituar.
(Emrush Xhemajli ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i LPK-së nga viti 1987 – 1998. Ndërsa nga viti 2000 deri 2009 Kryetar i LPK-së).
Prishtinë, 17 shkurt 2016, përditësuar më 11 mars 2016.
Shkrimi “Adem Demaçi dhe Lëvizja Popullore e Kosovës” për herë të parë është prezantuar në Simpoziumin kushtuar 80 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit mbajtur në Cyrich të Zvicrës më 21 shkurt 2016 dhe organizuar nga Fondacioni “Adem Demaçi, nderi i Kombit”.
(Ilustrimet e dokumenteve të LPK-së i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, sh.b)