ENIS VELIU: KORPORATA ENERGJITIKE E KORRUPSIONIT

Prishtinë, 06. 09. 2014: Shpërthimi i fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku humbën jetën dy persona, i cili dyshohet se ka ardhur si pasojë e pajisjeve të dobëta, që janë instaluar aty para gjashtë muajsh nga një kompani italiane, tregon qartë se korrupsioni është i pranishëm aty. Hetimet për këtë rast defakto kanë nisur kohë më parë. Por, deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, edhe pse para pak ditësh një Komision Vlerësuar ka hartuar një raport 90 faqesh, i cili saktëson se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një defekti të pajisjes së montuar pak kohë më parë, e cila KEK-ut i ka kushtuar rreth 130 mijë euro. Përpos dëmeve në njerëz, objekte të KEK-ut, por edhe shtëpi të qytetarëve që ndodhën përreth, eksplodimi thuajse ka sjellë në kolaps edhe sistemin energjetik të Kosovës, ku në pikë të verës KEDS-i po aplikon një regjim të ashpër të reduktimeve. Situata në Prishtinë është pak më e mirë. E në komuna më të vogla ajo është alarmante.
Tri orë me rrymë e tri orë pa të. Kryerja e punimeve shkel e shko, thuajse është bërë standard në kompaninë më të madhe publike në vend. Më shumë se një miliard euro janë shpenzuar në KEK përmes proceseve të Prokurimit, por, përkundër kësaj sistemi elektro-energjetik është në gjendje të rëndë. Si për çudi, deri më tani nuk kemi qoftë një person të akuzuar për korrupsion, edhe pse është folur dhe dyshuar shumë.
Ky fakt tregon shumë qartë se grupe të mëdha interesi gjithmonë kanë qenë të kyçura dhe kanë përfituar shuma marramendëse parash.

Proceset e mëdha të Prokurimit në këtë kompani publike gjithmonë kanë lënë dyshime për abuzime dhe korrupsion, por identifikimi i tyre kurrë nuk ka ndodhur.
Disa herë për tenderë të ndryshëm janë nisur hetimet. Por, siç është bërë zakon ato gjithmonë janë mbyllur në mungesë të fakteve, apo kanë mbetur të hapura me vite.
Sipas një hulumtimi të bërë nga gazeta “Zëri” shihet qartë se nga viti 2001 e deri në vitin 2012, KEK-u për derivate e lëndë djegëse ka shpenzuar hiç më pak se 458 milionë euro, pa përfshirë këtu qindra remonte të planifikuara e të paplanifikuara. Vetëm në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjenden të botuara më shumë se 3500 njoftime për dhënie të kontratave, por edhe aq të tjera, ndoshta edhe më shumë nuk gjenden fare në këtë uebfaqe.
Kompanitë publike e në veçanti KEK-u ka shërbyer dhe po iu shërben individëve, por edhe grupeve të caktuara për të përfituar miliona, apo edhe dhjetëra miliona euro. Tenderët më të mëdhenj në KEK i kanë fituar kompanitë e caktuara që direkt, apo indirekt janë të lidhur me njerëz të politikës.
Ndërkaq, kompanitë e përgjegjshme, pa lidhje politike, vetëm se janë bërë numër sa për ta bërë të vlefshme procesin e Prokurimit.
Policia për Krime Ekonomike, por edhe Prokuroria e Kosovës duhet të trokasin në dyer të Korporatës Energjetike të Kosovës, sepse këtu kanë shumë punë për të bërë. Ndalja e korrupsionit dhe e abuzimeve është mundësia e vetme për ringjalljen e Korporatës, e cila ka gllabëruar më shumë se 1 miliard euro para të buxhetit të shtetit.
Në të kundërtën, viti do të përballet me një kolaps energjetik. Parat nuk po i hanë remontet, por individët e grupet e caktuara.

***

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KEK’u BASTION I KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT!

(Shkruan: Burim Kadriu – ish’punëtorë i KEK-ut, Pashtriku.org – 21. 01. 2010)

Se shumica e ndërmarrjeve publike në Kosovë për dhjetë vjet kanë qenë bastion i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka dyshim, këtë e kanë të qartë shumica e qytetarëve të këtij vendi. Ja vetëm disa fakte për krimin e organizuar dhe korrupsionin në KEK, Korporatën më skandaloze, më të korruptuar dhe më të përfolur, si në qarqet publike, por edhe ato mediatike:
1. Ka dy vjet që në krye të KEK-ut është caktuar z.Arben Gjukaj, i “preferuari” i kryeministrit të Kosovës, z.Hashim Thaçit, një inxhinier i ri, i cili një kohë punonte si administrator në këtë kompani. Më pastaj, gjatë mandatit qeverisës të AAK-së z.Gjukaj ishte i preferuar i Ministrit të Energjisë dhe Minierave z.Ethem Çekut. Ky njeri është shok i ngushtë i kushëririt të Hashim Thaçit, tashmë drejtor ekzekutiv i prokurimit në KEK z.Nijazi Thaçi. Me ndihmën e këtij të fundit ka ardhur në krye të kësaj kompanie. Në një takim që kanë pasur këta tre në restorantin “V.Gërmia” në Prishtinë, ai kishte pranuar ofertën të bëhet shërbëtor direkt i Hashim Thaçit dhe klanit të tij politik, ndërsa atij si shpërblim iu premtua posti i drejtorit të KEK’ut. Edhe pse kanë kaluar dy vjet i njëjti ende është u.d. i drejtorit ekzekutiv të KEK-ut, edhe pse me ligj nuk guxon të qëndrojë aq gjatë në këtë funksion. Kjo tregon më së miri për punën dhe lidhjet e tyre mafioze në këtë Korporatë. Tani për tani menaxhimin e KEK’ut e bënë kjo lidhje mafioze: Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, Justina Shiroka’Pula – ministre e Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha – zv/ministër i Energjisë dhe Minierave, Arben Gjukaj – drejtor ekzekutiv i KEK’ut, Nijazi Thaçi -drejtor ekzekutiv i zyrës së Prokurimit. Këta katër persona janë të përfshirë direkt në të gjitha punët e KEK’ut. Ndërsa, në formë indirekte janë të involvuar: Bekim Qollaku – këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Gani Thaçi – vëllai i kryeministrit të Kosovës, Faik Nahi – këshilltar i ministres Pula, Gani Koci – deputet i PDK-së dhe zyrtar ligjor në KEK. Të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me KEK’un kalojnë nëpër duart e këtyre njerëzve dhe grupeve të tyre të interesit. Vetëm duke lexuar këta emra dhe duke parë lidhjet farefisnore mund të konkludohet se për çfarë është fjala. Shumë lehtë mund të konstatohet se për çfarë udhëheqje të kriminalizuar dhe të organizuar nga lartë bëhet fjalë.

2. Që nga pas lufta në KEK janë investuar (së bashku me donacionet) rreth 700 milionë euro. Këto janë shifra të faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Kurse, faktori vendor nuk ka mbajtur kurrfarë evidence se sa para janë investuar në KEK, sepse kjo është bërë me qëllim të mbulimit të gjurmëve për të gjitha keqpërdorimet që janë bërë në këtë Korporatë. Këtu, të huajt së bashku me disa bosë vendorë kanë bërë keqpërdorimin e këtyre mjeteve në forma të ndryshme. Bile një pjesë e tyre janë pasuruar në formë të paligjshme dhe drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë hap në zbardhjen e tyre. Vetëm një rast ishte zbardhur në vitin 2002, edhe atë falë prokurorisë gjermane, e cila kishte ngritur aktpadi kundër një ish-drejtuesi ndërkombëtar të kësaj Korporate, i quajtur Joe Trütschler, i cili nga KEK-u kishte vjedhur 4.5 milionë eurodhe këto para i kishte transferuar jashtë Kosovës. Raste tjera deri më tani nuk janë zbardhur edhe përkundër faktit se ka mjaft argumente për korrupsion të madh në këtë ndërmarrje.
3. Krimi më i madh që ka ndodhur në këtë ndërmarrje është avaria e vitit 2004 me rastin e djegies së telekomandës së TC “Kosova B, me ç’rast jetën kishin humbur dy punëtorë të saj dhe disa të tjerë ishin lënduar. Vlera e dëmit të shkaktuar llogaritet mbi 14 milionë euro. Për këtë krim të shëmtuar nuk ka dhënë përgjegjësi askush, përveç një dorëheqje të një ish-drejtori të KEK-ut, edhe pse dihet se kjo ishte një fatkeqësi e natyrës subjektive, e jo siç deklaronin zyrtarët e KEK-ut nga “rrufeja”.Për këtë ka argumente të bollshme.

4. Krimi tjetër ka ndodhur në vitin 2005 me rastin e shembjes së dheut në Mihjen Sipërfaqësore të Mirashit, me ç’rast ka vdekur një punëtorë dhe janë lënduar disa të tjerë. Vlera e dëmit nga kjo fatkeqësi është vlerësuar rreth 11 milionë euro. Edhe këtu shkaktari i kësaj fatkeqësi është faktori subjektiv, apo menaxhimi i dobët i kësaj mihjeje, sepse është punuar pa kritere teknike. Pra, qymyri është nxjerr vend e pa vend dhe kështu ka ardhur deri te rrëshqitja e dheut dhe është krijuar ky kaos. Edhe me këtë rast nuk ka dhënë askush llogari për këtë krim të shëmtuar.
5. Krimi tjetër që është duke ndodhur në këtë Korporatë është bashkëpunimi i strukturave udhëheqëse të KEK’ut me të ashtuquajturin “Rrjetin kriminal ballkanik të energjisë” në të cilën bëjnë pjesë këta persona: Ymer Balla – drejtor i OSSH, Fadil Ismajli – drejtor i KOSTT-it, Arben Gjukaj – drejtor i KEK-ut, Justina Pula – ministre e Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha – zv/minister i Energjisë dhe Minierave, Tom Rixh – këshilltar i kryeministrit Sali Berishë, Damir Fazliç – biznesmen serbo-boshnjak, mik i kryeministrit Sali Berisha, Vojin Lazareviç – aksionar i RUDNAP-it, Vuk Hamoviç – aksionar i EFT-as, James Nue – aksionar i RUDNAP-it, Svetislav Bulatoviç – drejtor ekzekutiv i EFT’as , Nijazi Thaçi – drejtor i Prokurimit në KEK, Muhedin Haxhiu – ish-drejtor i Prodhimit në KEK, Stiven Shuk – ish-zv/administrator i Kosovës, aktualisht këshilltar i kryetarit të AAK’së Ramush Haradinaj, Ethem Çeku – ish’ministër i Energjisë dhe minierave, Agim Çeku – ish-kryeministër i Kosovës, Fllanza Hoxha – ish-drejtoreshë e Elektrokosovës, Lazër Krasniqi – ish-drejtor i Elektrokosovës e disa të tjerë. Shumica prej tyre janë në kontakt dhe biznesi i tyre zhvillohet në këto vende: Kroaci, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Bullgari. Ky rrjet mafioz është duke funksionuar një kohë të gjatë edhe përkundër hetimeve që ka zhvilluar një organizatë hetuese evropiane e quajtur OLAF, por deri më tani nuk kemi pasur ndonjërin prej tyre të arrestuar. Duhet përmendur vetëm faktin se si është e mundur që shteti gjerman të dënojë Jo Trütschler’in me 4 vjet burg për korrupsion në KEK, ndërsa zëvendësi i tij dhe bashkëpunëtori më i ngushtë Fadil Ismajli të mos hetohet për punët e tij korruptive në KEK, bile ky më vonë shpërblehet dhe zgjidhet si drejtor i KOSTT-it. Ai ka arritur të korruptoj tërë makinerinë qeveritare dhe tani shumica prej tyre janë bashkëkorruptues dhe për këtë arsye nuk kërkojnë llogari prej tij. Fakti tjetër është se ky superhajdut deri sa ishte për pak kohë drejtor i KEK-ut kishte marrë për vete një tender për furnizim me pajisje dhe rrjet kompjuterik në vlerë prej 5 milionë euro. Firma e tij “Comtrade”, në të cilën është aksionar punon edhe sot e kësaj dite në KOSTT dhe KEK, edhe pse është një konflikt interesi. Të gjitha këto të dhëna janë shënuar në Zyrën e Hetuesisë Evropiane “OLAF” në Bruksel. Dihet seEULEXI ka përgjegjësi në sferën e drejtësisë në Kosovë dhe se kur do të fillojnë të shqyrtohen këto fakte do të shihet në të ardhmen.
6. Raporti i Zyrës së OLAF-it bënë të ditur se në KEK për veç tjerash janë bërë transaksione mjaft të dyshimta, sidomos lidhur me kontratat e energjisë elektrike që ka kjo firmë me firmat e këtij rrjeti kriminal. Vetëm në kontratën e fundit në mes KEK-ut dhe EFT-as, pronë e Svetislav Bulatoviqit janë bërë kontrata për shitjen e energjisë në Kosovë me çmime rekorde prej 152-182 euro për megavat, edhe pse kishte oferta më të lira për energji elektrike. Nga kjo shihet se njerëzit që udhëheqin me këtë kompani, por edhe me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nuk është në prioritet të tyre mbrojtja e interesit kombëtar, por e kundërta fitimi personal dhe grupor. Nuk mund të pritet më mirë prej tyre kur dihet biografia familjare e një pjese të këtyre njerëzve, të cilët në të kaluarën ishin bashkëpunëtorë të regjimit serb, ndërsa tani janë në institucione të ndryshme të këtij vendi. Kjo, për fat të keq është një e vërtet shumë e hidhur.
7. Krimi tjetër është lidhur me tenderët dhe politikën tenderuese në KEK. Siç kemi theksuar më lartë Shërbimin më të rëndësishëm në KEK është duke e udhëhequrkushëriri i kryeministrit të Kosovës Nijazi Thaçi, i cili kohë më parë ishte punësuar në KEK, por duke shfrytëzuar ndikimin e familjes, tani pothuajse është njeri numër një në KEK dhe gjithçka vendoset për mes tij. Arben Gjukaj është “i dëgjueshmi i tij” dhe për këtë arsye ky ka ndikuar te Kryeministri Thaçi që ta caktojnë si u.d. i drejtorit gjeneral. Z.Gjukaj ka qenë kolegë me Nijaziun gjatë studimeve në Tiranë. Tani për tani konkurset dhe ofertat për tenderë janë vetëm formale, sepse më herët dihet se kush mund të marrë këta tenderë. Padyshim, se përparësi kanë njerëzit e tyre dhe të gjithë ata që japin 10 apo 15 për qind të provizionit kesh në para. Klienti më i shpeshtë dhe ndërmjetësuesi më i mirë për marrjen dhe dhënien e tenderëve në KEK është vëllai i vetë kryeministrit të Kosovës, zotëri Gani Thaçi, një agjendë tregtarë. Ai është lojtari kryesor rreth të cilit sillen të gjitha punët e pista në KEK. Për këtë është e njoftuar edhe Zyra e OLAF-it në Bruksel. Sa për ilustrim po i përmendim disa tenderë më kryesor e që janë marrë nga njerëzit e tyre dhe që kushtojnë me miliona euro:
a). tenderi për shitjen e hekurinave të KEK’ut, me të cilin janë pasuruar disa njerëz në KEK,
b). tenderi mbi furnizimin e turbinave të blloqeve të TC “Kosova A”,
c). tenderi mbi trafostacionet 110 kV, të cilët kanë kushtuar me miliona euro,
d). tenderi mbi “TC Kosova e Re”,
e) tenderi mbi Minierën e Sibofcit,
ç). tenderi për riparimin e trafove me një firmë maqedonase, kontrata ka qenë e nënshkruar me një firmë nga Elbasani, por të njëjtën e kanë ndërprerë. etj..
.
Vlen të përmendet se në shumicën e këtyre projekteve që realizohen në KEK, ose vijnë pajisje të vjetra dhe të përdorshme, ose teknikisht jo në rregull. Kështu, rasti më i freskët është projekti i trafostacionit 110 kV në Rahovec, edhe pse qeveria ka paguar mbi 5 milionë euro për këtë trafostacion, nga njerëz të KEK’ut i njëjti është blerë në firmën “Rade Konçar” të Kroacisë me pajisje të vjetruara dhe është montuar në Kosovë me çmim astronomik. Për këtë askush nuk jep llogari, sepse krimi është i organizuar nga lartë.
8. Krimi tjetër ka të bëjë me humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike. Arkëtimi i rrymës në Kosovë është vetëm 37 për qind, ndërsa 63 për qind nuk arkëtohet, pra borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj firme është rreth 365 milionë euro. Rryma humb si në faturim, lexim, por edhe gjatë pagesës, sepse kjo është mundësuar falë mos përgjegjësisë së strukturës udhëheqëse të kësaj firme. Shumica e bizneseve e që janë në pronësi të bosëve të ndryshëm politik deri më tani ose i kanë shlyer borxhet e tyre (kuptohet duke mos paguar), ose paguajnë pak dhe shumicën e tyre e vjedhin. Rasti i “Feronikelit” tregon se kjo kompani është e detyruar t’ia shes kësaj fabrike rrymën vetëm për 35 dollarë megavatin e energjisë, ndërsa ajo blen deri në 180 dollarë megavatin për orë. Këtu nuk ka shumë diskutim, mund ta bëjnë hesapin edhe nxënësit e klasës së parë të fillores. Humbjet në KEK janë rreth 50 për qind, pra gjysma e energjisë humb, vidhet dhe keqpërdoret. Për këtë nuk çan kokën askush. Ato kushtojnë me miliona euro. Deri më tani qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 100 milionë euro për çdo vit për mbulimin e humbjeve në KEK. Qeveria në të ardhmen është betuar se nuk do të ndaj mjete për KEK’un dhe ka sugjeruar privatizimin e tij, në mënyrë që të lirohet nga barra e përgjegjësisë së saj.
9. Fakti tjetër i krimit bëhet përmes pagesës së energjisë së faturuar nga konsumatorët. PA Consullting është një firmë këshillëdhënëse në KEK, por ja që nuk është e tillë, ajo luan rolin e ekzekutivit së bashku me disa bosë vendorë dhe ka marrë rolin e zbatuesit të projekteve të ndryshme në KEK. Kjo firmë ka filluar të zbatoj një projekt kinse të pagesës dhe zvogëlimit të humbjeve në KEK. Janë caktuar specialist të daljes, apo lexues, faturues, shkyçës etj. Pra, një punëtori të KEK-ut u janë dhënë shumë përgjegjësi dhe u janë caktuar disa objektiva. Në rast të mos përmbushjes të këtyre objektivave do të largohen nga puna. Ata janë të detyruar të plotësojë objektivin e pagesën deri në 80 për qind, në të kundërtën do të shkojnë në shtëpi. Mirëpo, e keqja e kësaj pune është se ka disa muaj që këta punëtorë bëjnë lexim keq ndaj konsumatorëve. Ata bëjnë lexime paushalle në mënyrë që të mbërrijnë vlerën e caktuar për ta përmbushur objektivin. Kështu dëmtohen shumë konsumatorë duke paguar vlera më të mëdha të faturës së tyre. Janë me qindra ankesa të këtyre konsumatorëve, por stafi menaxhues i kësaj Korporate arsyeton veprimet e tilla. Kjo është një vjedhje klasike ndaj qytetarëve të Kosovës. Kur kësaj i shtohet edhe ngritja e çmimit të energjisë nga muaji prill 2009, atëherë çfarë mund të pritet nga kjo qeveri. Këto janë vetëm disa fakte, për fat të keq ka shumë të tjera, por çfarë vlen kur s’ka kush merret me to.
Kjo qeveri nuk ka asnjë projekt të vetin, apo vizion se si duhet bëhet privatizimi i kësaj Korporate, edhe pse për të paguan shumë këshilltarë si vendorë por edhe të jashtëm. Ajo është shndërruar në një servil të organizatave të huaja, sidomos tëBankës Botërore dhe USAD-it dhe çfarë u rekomandojnë ato, këta bëjnë. Me ndihmën e këtyre organizmave të huaj është duke u përgatitur terreni për privatizimin e Rrjetit dhe Furnizimit, më vonë prodhimit dhe gjenerimit. Një firmë amerikanePA “Consulting” është duke e “ndihmuar” KEK-un në përgatitjen e këtij terreni për shitje. Sipas të gjitha gjasave ky resor shumë i rëndësishëm i ekonomisë kosovare është duke u përgatitur për t’iu dhënë një firme çeko-amerikane të quajtur “CEZ”, e cila kohë më parë kishte blerë Sistemin e Distribucionit dhe të Furnizimit në Shqipëri në vlerë prej 120 milionë euro. Ndërsa, sipas disa deklaratave të zyrtarëve të lartë të kësaj qeverie, Distribucioni dhe Furnizimi i KEK’ut mund të shitet vetëm për 20-30 milionë euro, edhe pse ky është një çmim shumë i ulët. Gjithçka është e gatshme, vetëm priten sinjalet nga instancat më të larta. Shumë punëtorë do të mbesin pa punë. Nuk ka asnjë ligj, apo rregullore që do ti mbrojë këta punëtorë nga largimi i tyre prej pune. Dy organizata sindikale që janë në KEK deri më tani më shumë janë marrë me plotësimin e kërkesave të udhëheqësve të tyre, se sa që janë marrë me probleme të vërteta sindikale. Ato janë të korruptuara dhe nuk kanë autoritet te punëtorët, ndërsa vjelin anëtarësinë e tyre. Kjo firmë është buzë falimentimit falë këtyre strukturave kriminale e mafioze të udhëheqësis së saj dhe “kontributit” të qeverive të mëparshme, por edhe të qeverisë së tanishme. Kjo firmë do të shitet për pak para, ndërsa Kosova do të jetë humbësi më i madh i kësaj pasurie të zotit, por këtu do të humbin edhe me mijëra familje shqiptare, sepse do të mbesin pa punë dhe pa kafshatën e tyre të bukës. Për këtë arsye qytetarët e këtij vendi le të mendojnë mirë kujt duhet besuar në menaxhimin e këtij vendi në të ardhmen.
P. S: Të gjitha këto fakte janë të dokumentuara dhe i posedoj personalisht. Më herët u janë dorëzuar Zyrës së Hetuesisë Evropiane “OLAF” në Bruksel, sepse organet kosovare nuk janë të afta të zgjidhin rastet e tilla.

………………………………….

(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura