IBRAHIM HAJDARMATAJ: KIRURGU AUSTRALIAN, CRAIG JURISEVIÇ, DUHET TË REFLEKTOJË NË NDËRGJEGJEN E TIJ

(Pashtriku.org, 30. 08. 2012) – Australiani, me prejardhje sllovene dhe me profesion kirurg, Craig Juriseviç ka shkruar në anglisht librin: ”Duart e përgjakura: Kirurgu në luftë”, në fillim në gjuhën angleze e më pas në janar 2012 përkthehet e botohet në gjuhën shqipe, nga Flaka Surroi, “Koha” në Prishtinë. Për infoirmacion të lexuesve, tregojmë se libri është ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë ka 12 kapituj, ndërsa pjesa e dytë ka 17 kapituj. Libri është i ilustruar me 33 fotografi, nga veprimtaritë e UÇK-së dhe kosovarëve, në rrethin e Kukësit. Ky libër mbyllet me epilogun dhe ka gjithse 319 faqe, të shkruara në formën e një ditari gazetaresk. Në fillim, autori të jep një përshtypje të mirë se ky kirurg është nisur nga qyteti i tij, Adelaide i Australisë për në veri të Shqipërisë, pra në qytetin e Kukësit, për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve dhe të plagosurve kosovarë, që kishin hyrë në Shqipëri, të dëbuar me dhumë nga tokat e tyre, nga paramilitarët serbë.
Duke u nisur nga mendimi i mirë, pra për sakrificat që ai bëri, duke lënë gruan e re, Donnan dhe djalin 5- vjeçar, Jacksonin, bën që të nisësh ta lexosh me dëshirë këtë libër, por menjëherë zhgënjehesh. Si kirurg, si njerëzor që mund të ishte, në faqet e këtij libri ai del një tjetër njeri. Nëpërmjet shkrimeve të tij, ai rrëfen të pavërteta, gënjeshtra, mashtrime dhe shpifje të qëllimta, duke ulur popullin dhe qeverinë vendore të Kukësit, duke përçmuar UÇK-në dhe duke i thurur lëvdata vetes,gjoja, si shpëtimtari i dhjetëra kosovarëve. Me një urrejtje shumë të madhe, flet për llo-lloj gënjeshtrash, si psh., për drejtorin e spitalit në Kukës, dr. Bajram Cena, i cili gjoja u merrte rryshfete kosovarëve, nga 200 marka për operim dhe, ata që nuk i kishin, vdisnin?!

Australiani Craig Juriseviç – me prejardhje sllovene dhe me profesion kirurg.

……………………………………………….

Sipas “argumenteve” të papabaza të tij, drejtori i spitalit në Kukës nuk lejonte operime në dy spitale fushore, Italian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të ngritura posaçërisht për kosovarët. Craig Juriseviç punonte në këto dy spitale fushore, por gjoja “kërcënohej” me jetë nga drejtori i spitalit të Kukësit, sepse ky shkonte fshehurazi dhe bënte operime në spital dhe e kritikonte kolektivin e spitalit për abuzime, që bëheshin te ndërkombëtarët. Craig Juriseviç shkruan në këtë libër se, në këto kushte, e dha dorëheqjen nga detyra e tij si mjek dhe kërkoi t’i bashkohej UÇK-së në kampin e kosovarëve, që stërviteshin në fshatin Helshan të Kukësit, të cilët pasi pregatiteshin hidheshin në luftë në Kosovë. Është periudha 27 mars e deri më 15 qershor 1999. Kjo jo vetëm të befason, pra që ai kalon nga kirurg në UÇK, sepse në Helshan nuk kishte asnjë të plagosur ose të sëmurë, sepse aty ishin kryesisht djem e vajza kosovare, të ardhur nga diaspora. Megjithatë, kërkesa atij iu miratua për në UÇK, Helshan.
Në bisedë me dr. Bajram Cenën, tani më thotë se: “Ai person nuk ka punuar asnjë minutë në spitalin tone. Pra, në dokumentet zyrtare, që mbajmë në spitalin tonë: raporte, proçesverbale a regjistra, nuk figuron asnjëherë emri i Craig Juriseviçit. Secili, që vinte në spitalin tonë për të ushtruar zanatin, bëhej me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, në Tiranë. Përsa i përket ,gjoja, ryshfeteve të marra nga kosovarët, kjo është gënjeshtër e pa asnjë bazë, se me vëllezërit kosovarë ne kemi ndarë edhe kafshatën e gojës. Gjithashtu, nuk ka qenë kompentencë e jona për t’u dhënë spitaleve fushore urdhëra, sepse ato vareshin nga ndërkombëtarët. Dhe, e fundit, si mund të kërcënoja me jetë një koleg të ardhur nga Australia, pasi çdo njeri i tillë ruhej nga ndërkombetarët? Prandaj për këto shpifje, në qoftëse Craig Juriseviç nuk bën përgenjeshtrim e autokritikë jam i detyruar që, për mbrojtjen e figurës sime dhe të institucionit tonë, të ngre padi gjyqësore kundër tij”.
Lind pyetja: Pse ky Craig Juriseviç i ngre këto gjëra pas 13 viteve, pra pse nuk i ngriti atëherë, deri në organet gjyqësore për ndreqjen e tyre, por tani në vitin 2012?!
Po të rrish duke nënvizuar pohimet e autorit, në këtë libër, befasohesh nga ato që lexon. Në faqen 28, të kapitullit të tretë, shkruhet se: “…Në oborrin e spitalit të Kukësit ndodhej një lopë e ngordhur dhe, meqënëse kosovarët nuk kishin me çfarë të ushqeheshin, iu vërsulën lopës së ngordhur, duke e ngrënë”!? Kjo gjë është fund e krye një trillium ose “gënjeshtër me bisht”. Më poshtë, po aty, lexojmë” “… Shqiptarët nuk i duan kosovarët. Kjo është shumë e çuditshme!” Në vazhdim shkruhet dhe më keq: “… Refugjatët kosovarë, që vijnë këtu, trajtohen si qentë!” Unë po shkëpus dhe një paragraph, të kapitullit të katërt, në faqen 53, ku shkruhet se: “… Kosovarët varrosen në një gropë të përbashkët me të tjerët!” Është e habitshme se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, bile, mund të themi me plot bindjen se, në të gjitha rastet që kanë vdekur kosovarët në Kukës, janë përcjellë me ceremoni e nderime, sipa traditave tona, për në varrezat e qytetit. Ndërsa, me kërkesën e familjarëvë, pas disa viteve, është bërë zhvarrimi i tyre, po me ceremoni dhe janë dërguar ata në Kosovë.

”DUART E PËRGJAKURA: KIRURG LUFTE”, NJË LIBËR ME

GËNJESHTRA PËR SHQIPTARËT.

…………………………………………….

Ja edhe disa dëshmi, që e hedhin poshtë librin e këtij peseudoshkrimtari:
Ukë Lushi, i cili tani jeton në SHBA, ka qenë zedhënës i batalionit “Atlantiku” në Kukës, shkruan: “Librin e Craig Juriseviçit, prej kapitullit të parë e deri në faqen e fundit, lexuesi i edukuar duhet ta hedhë në koshin e plehrave, sepse e gjitha është gënjeshtër dhe mashtrim. Lavdia nuk arrihet me gënjeshtra; duke gënjyer, arrihet turpërimi”.
Ndërsa drejtori i televizionit Kukës, Baudin Murati shkruan: ”Në detyrën e drejtuesit të “TV Kukësi” dhe gazetarit informues, duke respektuar me shumë korrektësi të gjitha ngjarjet e ndodhitë, gjatë eksodit të kosovarëve, kam qenë shumë i vëmendshëm të fiksoj në celuid të gjithë kronologjinë e pritjes dhe përcjelljes së tyre. Kam ndjekur me vëmendje të gjithë përkushtimin e madh atdhetar të ushtarëve të UÇK-së dhe përgatitjen e tyre ushtarake. Sa për sqarim, qyteti i Kukësit i priti dhe i përcolli 700.000 kosovarë, me bujari dhe ngrohtësi, sepse shqiptarët asnjëherë nuk kanë vrarë, asnjëherë nuk kanë ngrënë kërma, asnjëherë nuk i kanë lënë njerëzit e tyre t’i hanë korbat!? Përfundimisht, botimi i librit të Craig Juriseviçit është thellësisht me karakter antishqiptar, i cili synon të njollosë dhe të denigrojë karakterin shqiptar: besën, bujarinë, moralin, burrërinë e, mbi të gjitha, trimërinë”.
Shkrimtari Dr. Besim Muhadri, autori 15 librave, inspeltor në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, në Prishtinë, ndër të tjera, shkruan: “Moti më ka rënë të lexoj një libër të mbushur me kaq e kaq trillime, me kaq e kaq nënçmime, me kaq insinuata, me kaq vetëlëvdata, me kaq gënjeshtra, të cilat shkojnë deri në mani profesionale, ose në favor të një misioni të caktuar, te libri i australianit, me prejardhje sllovene, Craig Juriseviç. Libri, përmbajtja dhe qëllimi i shkrimit të tij, domosdo se duhet shikuar, duhet diskutuar në mënyrë që gjërat të vihen në vendin e duhur”.
Në të vërtetë, po të shkosh në spitalin e Kukësit, shikon me dhjetëra mirënjohje të dhëna nga Qeveria Shqiptare dhe përfaqësues të qeverive ndërkombëtarë. Në një vend të dukshëm, të zë syri Urdhërin “Nënë Tereza”, dhënë atij kolektivi nga ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Ndërsa, po të shfletosh shtypin shqiptar dhe ndërkombëtar të asaj kohe, si dhe po të lexosh shumë libra të botuara nga shqiptarë dhe të huaj, njihesh me të vërtetën historike dhe heroike, se si populli vëlla kosovar u mirëprit jo vetëm nga qytetarët e Kukësit dhe qeveritarët vendor aty, por nga e gjithë Shqipëria.
Le të jetë edhe ky shkrim një ftesë për zotin Craig Juriseviç, që në të ardhmen të reflektojë sadopak në ndërgjegjen e tij, duke i rishikuar edhe një herë të pavërtetat e sajuara e të hedhura në librin e tij.
Gusht, 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura