Prishtinë, 03. 07. 2014 – Mbyllja e bizneseve të vogla, rritja e papunësisë, si dhe rënia e fuqisë blerëse tregon qartë se Kosova po shkon drejt një kolapsi ekonomik. E në anën tjetër, biznese të caktuara, kryesisht të lidhura ngushtë me politikën, po rriten dita-ditës, duke ngulfatur edhe më shumë ato pak biznese të vogla që kanë mbetur në vend. Një dukuri jonormale në një shtet normal. Kosova nga një treg i hapur dhe i mbuluar nga shumë kompani vendore e ndërkombëtare po shkon drejt një tregu të mbyllur, ku kompani të caktuara vendore, me ndihmën e politikës, po krijojnë monopole në fusha të caktuara. Dikur kishte më pak, por tash ato po rriten dita-ditës. Mënyra më e mirë për të siguruar profit të garantuar.
Mbyllja e bizneseve të vogla dhe të mesme është sinjali më i keq për të ardhmen ekonomike të vendit, kur kihet parasysh se kjo kategori e bizneseve ka pasur të punësuar numrin më të madh të punëtorëve në vend. Këto lloje të bizneseve janë goditur nga konkurrenca e pandershme, por janë goditur edhe nga vetë shteti i korruptuar.
(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)
Këto ndërmarrje gjithmonë janë në sy të inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës. Ndërkaq, ato biznese që janë të lidhura me politikën nuk i shikon askush dhe veprojnë sikur të ishin të vetmet në hapësirë.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë shihet shumë qartë se gjashtëmujori i parë i këtij viti ka qenë më i keq për bizneset kosovare.
Gjatë periudhës janar-qershor 2014 janë mbyllur 66 biznese, më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas drejtuesve të ARBK-së, në komunën e Gjakovës këtë vit janë mbyllur 60 biznese, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin mbyllur 42 shosh. Në Prishtinë këtë vit janë mbyllur 125 biznese, 112 vitin e kaluar, në Mitrovicë 49 biznese janë mbyllur këtë vit, 45 vitin e kaluar.
Në komunën e Prizrenit sivjet janë mbyllur 98 biznese, 83 vitin e kaluar. Çdo ditë e më shumë numri i të papunëve po rritet e në kushte normale është dashur të ishte e kundërta. Gjendja ekonomike e qytetarëve të Kosovës gjithnjë e më shumë po bëhet e papërballueshme, siç ishte rasti i fundit i një familje nga komuna e Malishevës, ku kryefamiljari i saj paralajmëroi të bëjë vetëvrasje, pasi që nuk kishte bukë as për darkë për gjashtë fëmijët e tij.
Por, raste të tilla sikur kjo familje në Kosovë mund të gjesh sa të duash. Shteti është afër tyre vetëm gjatë fushatës parazgjedhore.
Ndërkaq, më pastaj ata injorohen totalisht, vazhdojnë jetën në kushte të mjerueshme ekonomike, duke luftuar për ekzistencë.
Formimi sa më i shpejt i Qeverisë së re dhe hapja e punësimeve të reja publike do të ishte zgjidhja e vetme e shpejtë për ta ndalur trendin e rënies ekonomike të vendit. Ka muaj që në vendin tonë janë bllokuar ndërtimet publike, por edhe ato private, ku direkt dhe indirekt ka rënë dukshëm numri i punëtorëve, ka rënë dukshëm fuqia blerëse në vend.
Kështu që, çdo zvarritje politike do të ketë konotacione të mëdha për ekonominë edhe ashtu të lodhur të vendin tonë. Çdo vonesë në këtë drejtim mund ta çojë shtetin në një kolaps ekonomik.
………………………………