ENTELA RESULI: MILIARDAT E NËNTOKËS MBI TË CILËN SHKELIM!

Tiranë, 18 shtator 2018: Shqipëria: 28 mijë km2. Çfarë ka sipër sipërfaqes së vendit e dimë… politikanë, trafikantë, tallava… Por për çfarë fshihet poshtë sipërfaqes së atdheut, nuk jemi shumë të vetëdijshëm. Sikur ta dinin të gjithë se çfarë përmban toka poshtë këmbëve të tyre ndoshta nuk do e “shkelnin” kaq pa mëshirë.
Toka jonë po boshatiset pak nga pak. Një vend si Bulqiza është kthyer në një kullojëse makaronash po ta shohësh me syrin e një gjeologu, pasi ajo është shpuar gjithandej për të marrë nga zemra e tokës së saj mineralin. Ajo është një nga zonat më të lakmuara për ndërtimin e galerive e për të nxjerrë nga nëntoka, “thesarin” e kromit. Krejt zona është kthyer në hapësirë ku vetëm gërmohet dhe ajo që nxirret nga poshtë shitjen e ka të garantuar.
Bilal Koçi, Specialist pranë Drejtorisë së Burimeve Minerale na kthen pas duke na treguar se: “Shqipëria, në krahasim me sipërfaqen që ka është një territor shumë i pasur, me minerale metalore e jo metalore, me naftë e gaz natyror dhe me ujëra nëntokësore. Dikur kemi zënë vendin e tretë në botë për prodhimin e kromit pas Afrikës së Jugut dhe Rusisë. Para viteve 90’ detyra kryesore ka qenë për mineralet metalore, qymyrin. Ndërsa tani tendenca ka ndryshuar duke shkuar drejt mineraleve jo metalore drejt gurëve dekorativë, argjile. Gipse, zhavorr, inerte etj”.

Po të bëjmë ca llogari një ton krom shpërblehet me 200 dollarë. Është llogaritur se nën sipërfaqen e tokës në territorin tonë ka 57 milionë tonë. Duke hequr ato që janë shfrytëzuar tashmë mund të nxjerrim një shifër të përafërt se tashmë gjenden akoma rreth 30 milionë tonë rezervë, prej nga mund të përfitohen rreth 60 miliardë dollarë. Bulqiza është një zonë relativisht e shfrytëzuar, ndërsa nga gjeologët janë konstatuar disa krahina të tjera që nuk janë prekur. Më me interes shihet Tropoja, Kukësi dhe Krasta që mbartin tonelata të tëra kromi. Vlerën e vërtetë nëntokës duket se ia diti vetëm sistemi komunist që nga eksporti i kromit siguronte shumë të ardhura duke “çarë bllokadën”. Nga përllogaritjet e kryera mendohet se i janë hequr nëntokës rreth 33.6 milionë tonë krom. Kjo i përket periudhës komuniste deri në vitet 90′.
Bakri
Bakri është mineral i kohëve të sotme, pasi siç duket, të mirat po ja shohin vitet e fundit. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar nga kërkimet e realizuara ka arritur në përfundimin se me shumicë gjendet në zonat Pukë-Mirditë, në Munellë, Tuç, Rubikë, Derven. Rezerva e Bakrit ka qenë tek 65 milionë tonë, e ndërsa mbeten për tu shfrytëzuar edhe 20 milionë të tjera. Më shumë se gjysma është shfrytëzuar në vitet 1960-1996, diçka e përafërt me një sasi prej 20.2 milionë tonësh. Me xeheroret e bakrit janë të lidhur edhe ari e argjendi. Çdo e mirë e ka edhe një të keqe nga pas. Gjatë sistemit komunist janë shfrytëzuar zona që nuk kishin nevojë për teknologji të lartë. Shtresat ku gërmohej ishin deri në 800 metër nën tokë. Tashmë zonat e pasura vërtet kanë bakër, por kompanitë që do të interesohen duhet të marrin në konsideratë edhe thellësinë që duhet të përballojnë dhe hapjen e fronteve të reja.
Hekur-Nikeli
Tendenca ka ndryshuar tani, dhe ashtu siç na pohon edhe specialist Kuçi vëmendja është përqendruar tek materialet e ndërtimit, një nga ato është edhe hekur-nikeli. Zona e Librazhdit, Pogradecit, Korçës, Përrenjasit, në nëntokën e saj është e pasur Hekur-Nikel që aktualisht është futur në listën e së ardhmes. Specialisti tregon se rezerva ka qenë te 300 milionë tonë, ndërkohë pas shfrytëzimeve që janë bërë aktualisht mund të kenë mbetur afërsisht 215 milionë tonë hekur nikel dhe 103 milionë tonë nikel silikat. Të dy përbërësit e mineralit janë të së njëjtës familje xeheroresh dhe përdoren në industrinë e rënde si lëndë e parë për hekur dhe nikel.
Guri Gëlqeror e dekorativ
Listës së gjatë të pasurive me vlerë, i shtohen edhe shkëmbinjtë gëlqerorë që “fshehin” lëndë kryesore të ndërtimit si gëlqerja dhe çimentoja. Zona ku ato gjenden: Kruja. Guri gëlqeror, ka pasur një rezervë prej 900 milionë tonësh ndërsa tani ka arritur në shifrat 500 milionë tonë përbërës gëlqerorë që presin t’u vihet kazma e të përfundojnë në makineritë e përpunimit. E nëse gëlqeren e çimenton e sigurojmë në vend, ndërtesave tona mund t’u shtojmë edhe luksin me pllaka e gurë dekorative. Sepse gjenden në shumë vende të Shqipërisë. Madje janë konstatuar edhe gurë të rrallë fosforeshente që nëse përpunohen, përftojnë pllaka dekorative të një cilësie tepër të lartë. Guri dekorativ gjenden në: Marrë-Peshkopi, Derçan- Gjirokastër, Skrapar. Sasia e tij është në vlerën e 400 milionë tonëve ndërsa tani ka mbetur për tu shfrytëzuar më shumë se gjysma, pasi shfrytëzimi i tij ka ardhur shumë vonë.
Qymyri
Edhe pse në shumë zona konsiderohet si i cilësisë së ulet, qymyri i Krrabës apo i Memaliajt, për specialistët është brenda standardeve. Aktualisht janë rreth 712 milionë tonë rezerva që nuk janë shfrytëzuar ndër vite. Nëse do të vijë koha që “qymyri të na zbardhe faqen”, atë e kemi këtu.
Të lëngshmet
Shqipëria noton në ujë dhe vitet e ardhshme ka për të qenë furnizese e shumë vendeve të botës, të paktën sipas fjalëve të specialistëve të hidrogjeologjisë. Nuk ngelet pas edhe nafta, e cila momentalisht vazhdon të nxirret në Kuçovë e Patos-Marinzë, ndërsa po kërkohet intensivisht në disa pjesë të tjera të vendit.
Në bazë të raportit të nxjerrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në botë 66 për qind e ujit shfrytëzohet për bujqësinë, 20 për qind familjet, 10 për qind industria dhe 4 për qind avullon. Ndërsa në vendin tonë vetëm 20 për qind shfrytëzohet, pjesa tjetër e ujërave të ëmbla përfundon në detin e kripur, duke “avulluar” pa plan rrugës… Pas Suedisë, jemi të dytët në Europë për rezervat ujore, krahasuar me numrin e popullsisë. Ujë nëntokë e ujë mbi tokë, por uji për konsum mungon. Pa llogaritur sektorin e bujqësisë që prej vitesh i ka “taposur” kanalet vaditëse, duke u rikthyer shekuj pas në kohë me ujitje nga puset. Dr. Arben Pambuku na ka treguar për burimet më të mëdha të ujit në Shqipëri gjenden në Valbonë, zonën e Matit, Malësi të Madhe, Tiranë- Shën Mëri, Selitë e Mali me Gropa, Elbasan, Korçë, Krastë, Vithkuq, Librazhd, Ostren, Qarrish, Uji i ftohet (Tepelenë), Këlcyrë- Përmet, Nemërçkë, Uji i ftohtë -Vlorë, Viroi – Gjirokastër, Syri i Kaltër-Sarandë, Kuç- Vlorë. Nga kjo shfrytëzohet vetëm 8.8 përqind.
Nafta e gazi ndotin, por kanë edhe fitimin më vete. Nga ana tjetër, në zonën jugore dhe jugperëndimore të vendit ndodhen rreth 320 m3N gaz. Një pjesë e papërfillshme shfrytëzohet, ndërsa rezervat presin… Sepse shoqëritë e huaja shpesh rezervohen të marrin një “aventurë” në vendin tonë.
Në Selenicë bitumi nxirrej së paku që prej 1806
Shqipëria në pikëpamje tektonike dhe paleogjeografike paraqet një nyje interesante që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në trevën alpine për larminë e zonave strukturore faciale dhe për mundësinë mineral-mbajtëse të tyre e në radhë të parë, për hidrokarbure (naftë e gaz).
Studimet për naftëmbajtjen në Shqipëri kanë filluar me minierën e bitumit në Selenicë. Duke qenë se bitumi ashtu si nafta ka të njëjtën origjinë prej dekompozimit të mbeturinave organike dhe kryesisht vegjetale, atëherë ekyitenca e njërës krijon premisa për ekzistencën e tjetrës. Mendohet nga studiues modernë se vendi i quajtur “Nympaheum” nga eksploruesit e lashtë të jetë Selenica e sotme. Këtu sipas Strabonit shkëmbi lëshon flakë të përjetshme. Ndoshta ky duhet të jetë një përshkrim për daljet natyrore të gazit pranë Selenicës. Në fillim të shekullit të XIX-të, kemi njoftimet e para të rëndësishme për daljet sipërfaqësore hidrokarbure në zonën e Selenicës. Francezët, L. Pouqeville, në vitet 1806-1817 e më pas H. Coquand, (1868), përshkruajnë minierën e bitumit, dhe bënë të ditur se aty shfaqen edhe gjurmë gazi vajguri tepër të rëndë. Më seriozisht në zonën përreth Selenicës u krye një studim të hollësishëm, në vitin 1905, nga italiani A. Martelli. Më vonë, në vitet 1910-1912, italianët G. Del Piaz dhe A. De Toni kryen një studim stratigrafik dhe tektonik në grykën detare të vjetër të Shqipërisë, midis Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës, ku për herë të parë tërhiqet vëmendja e ekzistencës së fushave vajgurore në Shqipëri. Gjatë Luftës së Parë Botërore oficerë të Marinës Italiane vunë re se ndërmjet Urës së Penkovës dhe të Drashovicës, ujerat përmbanin njolla nafte. Këtu vitin 1917 nisi shpimi i parë i cili kapi një vit më vonë, në thellësi 100 metra, burimin e parë të rëndësishëm të naftës në historinë e Shqipërisë. Megjithatë kjo zonë u braktis në Luftën e Vlorës kur, ushtria dhe gjeologët italianë u tërhoqën nga vendi ynë. Ernst Nowack i cili e eksploroi zonën 2-3 vjet më vonë njofton se tashmë burimi është, i shterur dhe se e gjithë zona pavarësisht ekzistencës së bitumit, nuk ka perspektivë naftëmbajtëse si rezultat i tektonikës së fuqishme të ndodhur në këtë rajon, e cila e ka kthyer naftën në bitum. Ai udhëzon rajone të tjera për kërkime të naftës, siç ishte Kuçova, e sipas mendimit të tij zona e Patos-Marinzës. Fakti se në Shqipëri mund të kishte premisa të naftëmbajtjes, thuhet se zgjoi interes të madh, por në përfundim, një shoqëri pa përvojë në drejtim të nxjerrjes së naftës Ferrovie dello Stato del Regno d’Italia (Hekurudhat shtetërore të Mbretërisë së Italisë), morën konçensionin për naftën Shqiptare. Për këtë qëllim ato krijuan AIPA-n (Azienda Italiana Petroli d’Albania), AIPA e hapi veprimtarinë në vitin 1925, dhe deri në vitin 1930 arrit të shtinte në dorë gjithë veprimtarinë e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Ajo vazhdoi punën deri në 1944, nën drejtimin shkencor të polakut Stanisllav Zuber. Gjatë kësaj kohe u vunë në shfrytëzim vendburimet e zbuluara të Kuçovës dhe të Patosit, ku në fundin e vitit 1943, fusha e naftës Kuçovë numëronte mbi 915 puse, dhe ajo Patosit, mbi 60, me prodhim ditor rreth 650 ton nafte. Puna për zbulimin e naftës rifilloi ne vitin 1950 me Ekspeditën Gjeologjike Komplekse Sovjetike, Kjo zbuloi në vitin 1957 vendburimin e naftës Marinëz. Me largimin e sovjetikëve pas vitit 1960, punimet u drejtuan tërësisht nga specialistë shqiptarë. Në vitin 1963 u zbulua vendburimi i naftës Visokë. Deri në vitin 1974 u zbuluan vendburimet Finiqi, Amonicë, Cakranit. Nga fundi i vitit 1974, prodhimi i naftës arriti maksimumin, me 2.240.000 ton. Pas vitit 1962 filluan sukseset e para në vendburimet e gazit natyror. Keshtu u zbuluan vendburimet e gazit në Divjakë e mandej në Frakull e Povelçë. Si rezultat i teknologjisë së prapambetur në vitet 80’ dhe 90’ prodhimi i naftës pësoi rënie të theksuar.
(U shfrytëzuan të dhëna kryesisht nga “Kriteret e kërkimit të burimeve hidrokarbure në Shqipëri dhe vlerësimi i tyre”, Prof. Dr. Fotaq Diamanti, Buletini i Shkencave Gjeologjike 2010) / 19 qershor 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura