SYLEJMAN PIREVA: PESË KUSHTET E ALBINIT (PËR SERBINË) NUK BËN TË INJOROHEN

(Prishtinë, 04. 10. 2012) – Jam i sigurt se shkrimet e diskursit politik të Albin Kurtit, për shkak të qasjes, gjuhës dhe stilit mjaft origjinal, është e pamundur që të mos tërheqin vëmendjen e shumë lexuesve. Pasi t’i lexosh ato, nuk të lënë që të ndihesh indiferent dhe në rastet e shpeshta të mos marrësh anën e autorit. Një fjalë e urtë thotë: mbushma mendjen, po të besoj. Kurse Albini është njëri prej atyre analistëve që edhe ta mbushë mendjen dhe nëse për asgjë tjetër, për forcën e argumenteve që ai gjen dhe i numëron. Kjo vlen edhe në rastet kur ai merret me çështjen e bisedimeve me Serbinë (aq shumë të përfolur) për ‘normalizimin e marrëdhënieve’ me këtë shtet. Nuk është punë aspak e lehtë që t’u mbushet mendja qytetarëve se mendimi i shfaqur i një politikani a analisti është pikërisht ai që e ka thënë dje, e jo mendimi i shfaqur i një politikani a analisti tjetër që mund ta thotë sot a nesër. Por në këtë rast kjo s’mund të thuhet edhe për Albin Kurtin. Nuk të lejon kryeneçësia e argumenteve. Në një shkrim të tij të botuar këto ditë në gazetën “Zëri”, në të cilën ai paraqitet si kolumnist i rregullt çdo të mërkurë, duke bërë fjalë përkitazi me vullnetin e disa liderëve-politikanëve tanë që me padurim presin ‘normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës me Serbinë’, që ndryshe mund të përkthehet, siç thotë ai, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ke arsye për të mos iu bindur fakteve dhe argumenteve që ai jep për mundësinë e nisjes së këtyre bisedimeve. Mjafton të merren për bazë pesë kushtet që propozon ky lider politikan për t’u bindur se sa të qëndrueshme janë këto argumente.

ALBIN KURTI

…………………………………………………

Kushtet e Albinit s’ka qysh i rrëzon as Serbia
Me çfarë faktesh dhe argumentesh do të mund të kontestoheshin pesë kushtet që propozon lideri i “Vetëvendosjes” për të hyrë në bisedime ‘për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës me Serbinë’ me të cilat do të merremi në vazhdim? Çfarë ka këtu në këto argumente që nuk shkon dhe që s’është reale për t’u ballafaquar me Serbinë dhe cilat janë argumentet e qëndrueshme të Serbisë për t’i kundërshtuar këto kushte? Ajo mund të fantazojë qindra sosh, por vetëm dokrra, e jo argumente.
Le t’i shohim me radhë dhe analizojmë, sadopak, kushtet e shtruara të Albinit:
Një, kushtet juridike-ndryshimi i Kushtetutës: e çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo në Kushtetutën e saj Kosovën e llogaritë pjesë të saj dhe nuk pranon që ta ndryshojë këtë paragraf?
Dy, kushtet morale dhe humanitare: e çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon “t’i kërkojë falje Kosovës për krime ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX dhe të na i kthejë trupat e rreth 1750 të pagjeturve, për të cilat as nuk jep informacione”?
Tre, kushtet politike: e çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon “të pushojë shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ta ndërpresë financimin e strukturave ilegale në Kosovë”?
Katër, kushtet e drejtësisë: po çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon”t’i dorëzojë kriminelët serbë të luftës dhe të mos lejojë që të shëtiten të lirë edhe më tej ata dhjetëra mijëra … të luftërave të viteve të ’90-ta”?
Pesë, kushtet e zhdëmtimit: po çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon “të na i paguajë dëmet e luftës dhe të okupimit, të na e kthejë fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, regjistrat civilë, librat kadastralë dhe artefaktet kulturore”?
Aq më parë kur këto kushte do t’i paraqiteshin pikërisht asaj qeverie ku shumë prej eksponentëve të saj i takojnë qeverisë së dikurshme të Milosheviqit!
A nuk ia vlen që duke ia paraqitur këto kushte Serbisë, asaj ia nxjerr prej dore shumë më lehtë kërkesën e rrezikshme për statusin e veçantë të serbëve në Veri? A mos vërtet u dashka pritur që këto kushte, siç thotë Albini, t’ia paraqesë Serbisë faktori ndërkombëtar? Atëherë nëse këto jo, cilat do të ishin atëherë kushtet ekstra-të posaçme që do t’i viheshin përpara Serbisë për nisjen e dialogut? Kushtet që i propozon Albin Kurti për dialog me Serbinë duhet vlerësuar mirë dhe nuk bën të injorohen. Këto kushte nga pala jonë i pret edhe vetë Serbia dhe do të ishte befasi për të po të mos i paraqiteshin.

…………………………………………………..

Albin Kurti:Të ndërpriten bisedimet me Beogradin.

……………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura