Beqir Elshani: Shqipëria e Madhe ka kuptimin e Shqipërisë Etnike

Suedi, 3 shtator 2020: Shpeshherë historia e civilizimit në botë bëhet miniaturë e zvogëlimit të ngjarjeve të mëdha kombëtare të mbarë popullit shqiptar, që padrejtësisht kanë mbetur nën sundimin jugosllav. Derisa boshnjakët ishin ndarë me anën e fesë në ortodoks e mysliman, shqiptarët në Kosovë ishin ndarë në tri-katër krahina: në Serbi, në Maqedoni, dhe në Mal të Zi. Prandaj vetëm po të kishte mbetur Kosova e plotë, siç ishin Kroacia dhe Sllovenia, atëherë asnjë pushtues ballkanik nuk do të mund ta mbante Kosovën e pushtuar, sepse do të kishte ushtrinë më të madhe në ish-Jugosllavi. Mirëpo Serbia nuk do të mjaftohej vetëm me Kosovën, pasi që synimi i saj krahas zhdukjes së popullit shqiptar ka qenë pushtimi i Shqipërisë për dalje në detin Adriatik. Prandaj shovinistët serbë e kanë bërë traditë politike e diplomatike të reagojnë ndaj Shqipërisë së Madhe. Dallimi në mes Shqipërisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe është se Shqipëria natyrale vërtet ka qenë e madhe, mirëpo me zvogëlimin e Shqipërisë Etnike apo të Madhe, si kundërpeshë shteti sllav në dëm të shqiptarëve u bë Serbi e Madhe. Vërtet Shqipëria ka qenë e Madhe, e cila pesë shekuj luftoi kundër Perandorisë së fuqishme Osmane. Prandaj po të ishte Shqipëria e Madhe, si në kohën e Perandorisë Osmane, atëherë serbët nuk do të guxonin të përmendin luftën dhe pushtimin e tokave shqiptare e boshnjake. Ku i mori tokat Serbia që u rritë, askund tjetër pos pushtimit të Shqipërisë veriore, duke përfshirë Kosovën me krahinat e saj në Maqedoninë Veriore dhe në Mali të Zi. Prandaj dallimi në mes Shqipërisë së madhe dhe Serbisë së madhe, është se e para u zvogëlua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ndërkohë që e dyta u zmadhua me anën e pushtimit të tokave shqiptare. Prandaj kur Serbia shoviniste flet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, atëherë diametralisht pranon që vetë është Serbi e Madhe, dhe me fanatizmin e tërbuar nuk dëshiron të heqë dorë nga pushtimi i tokave shqiptare, siç është sot Kosova e Pavarur. Në aspektin diplomatik, Shqipëri e Madhe mund të bëhet vetëm nëse Tirana kërkon bashkimin e trojeve ilire-shqiptare duke përfshirë Epirin, Dalmacinë, Liburninë, Panoninë, Dardaninë dhe Maqedoninë. Konkretisht, kurdët që luftojnë për pavarësimin e vendit të tyre nga Turqia e Madhe dhe bashkimin e të gjitha tokave në vendet fqinje, prandaj kurdët nuk luftojnë për Kurdistanin e Madh, por për Kurdistanin Etnik. Gjithashtu Greqia me pushtimin e Çamërisë është bërë Greqi e Madhe në dëm të shtetit shqiptar, prandaj me tokat shqiptare janë krijuar Greqia e Madhe, Maqedonia e Madhe, Mali i zi i Madh dhe Serbia e Madhe. Në gjeografinë e madhe shqiptare vetëm Kroacia dhe Sllovenia nuk kanë marrë toka shqiptare, megjithëse gjenden në trojet e lashta ilire. Pastaj dallimi i flamurit shqiptar me flamurin serb është se i pari është mbrojtës i trojeve shqiptare nga pushtuesit fqinj, i dyti është pushtues i trojeve shqiptare. Prandaj Kosova për shkak gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar ka të drejtë ta urrejë pushtuesin me gjithë flamurin e tyre.
Në vazhdim, nëse Gjermania Naziste si shkaktare e vrasjes dhe pushtimeve fashiste në Europë dhe në botë, pas përfundimit të LDB u nda në Gjermaninë perëndimore dhe lindore, e cila në vitin 1989, me rrëzimin e Murit të Berlinit, u ribashkua. Me të drejtë parashtrohet pyetja, kë e sulmoi Shqipëria që në konferencat europiane të dënohet dhe të copëtohet nga vendet fqinje, që për fat të keq, ende vazhdon të copëtohet? Shembull konkret është Maqedonia Veriore me dy popuj – sllavomaqedonas dhe shqiptar, megjithatë sundues në pushtet vazhdojnë të mbeten sllavomaqedonasit. Që diplomacia europiane po bëhet njerkë ndaj shqiptarëve, tregon se derisa krahinat shqiptare në Serbinë jugore vazhdojnë të diskriminohen pa të drejta kombëtare, serbët, edhe pse të vendosur si kolonizatorë në Kosovë, kërkojnë bashkim me Serbinë kriminale.
Pikërisht në luftën e përgjakshme në Bosnjë Hercegovinë, fill pas LDB, serbët kanë luftuar për zhdukjen e boshnjakëve myslimanë dhe bashkimin e tyre me Serbinë imperialiste. Është koha që diplomacisë serbe t’i çirret maska, e cila përhap propagandën kinse shqiptarët luftojnë për Shqipëri të madhe, kur dihet që vetë janë faktorë, jo vetëm për copëtimin e Shqipërisë Etnike, por edhe faktor të masakrimit dhe zhdukjes së popullit shqiptar për kolonizimin e vendit me serbë. Këtë projekt e zbatuan diplomatët serbë, Ivo Andriq dhe Vasa Çubriloviq. Fatmirësisht që Jugosllavia Federative është shkatërruar, përndryshe APJ me ëndje do të sakrifikonte armatën e saj për pushtimin e tokave shqiptare. Kur shqiptarët në Lidhjen Prizrenit protestonin kundër vendimit të Kongresit të Berlinit në vitin 1878 për copëtimin e tokave shqiptare në favor të vendeve fqinje, ata kërkonin mbrojtjen e Shqipërisë së Madhe, dhe kjo kishte kuptimin gjeografik të mbarë territorit nën sundimin e Perandorisë Turke. Vetë fakti tregon se po të mos ishte Shqipëria Etnike me popullsi të madhe shqiptare, Perandoria Turke, për një kohë të shkurtër do ta asimilonte në turq dhe gjuha shqipe do të zhdukej. Mirëpo populli shqiptar ka qenë i madh, prandaj ka qenë e pamundur të asimilohet. Historikisht asnjë vend nuk ka përjetuar pushtim të gjatë e të mundimshëm pesëshekullor, përveç Shqipërisë, përndryshe po ta kishte mbajtur Perandoria Turke Greqinë, atëherë për një kohë të shkurtër do ta asimilonte. Nuk duhet nënçmuar rezistencën shqiptare ndaj Perandorisë Turke, kur dihet që shqiptarët vazhdimisht kanë luftuar për çlirimin e vendit nga hordhitë turke, për shkak se diplomacia osmane me kohë e ka parandie erën diplomatike që shqiptarët janë pa asnjë mbështetje europiane.
Suedi, 31.08.2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura