ENVER KUSHI: NJË JETË ME MOIKOMIN (ESE)

Durrës, 21 qershor 2020: (Burrat e moshës time nuk i fshehin lotët)
Në agimin e kësaj fillim jave, kur copat e fundit të natës po kapërcenin malin e Dajtit, ndërroi jetë Moikom Zeqo, miku im i shtrenjtë dhe i paharruar… Ishte zëri ngashëryes i Lidës, që më dha lajmin e kobshëm.
Nuk e mbajta vehten. Burrat e moshës time nuk i fshehin lotët. Qava me dënesë. Edhe sot, që kanë kaluar disa ditë nga largimi nga kjo jetë e Moikomit, e kam të veshtirë ta besoj këtë.

Shfletoj e rishfletoj librin e tij të fundit “Fata Morgana”, që ma dhuroi më 5 Qershor, me një dedikatesë të ngrohtë: “Enver Kushit, – të vetmit në këtë botë, – i jashtëzakonshëm si njeri, – i talentuar si pakkush! Me dashuri dhe mirënjohje këtë libër! Moikom Z.”
Ai nuk duhej të shkonte kaq shpejt nga kjo jetë. Këtë ma tha edhe më 5 Qershor, teksa pinim kafe në lokalin pranë shtëpisë së tij. Të paktën të rroj edhe 4 apo 5 vite të tjera, tha me të folurën e ngadaltë dhe vështrimin tërë dritë të syve, nga ku buronte një energji e pashtershme gati – gati mistike …

Enver Kushi me Moikom Zeqon, Tiranë, 1970

Pastaj u shtrua në spital, ku edhe u shua ngadalë, në një nga dhomat e Pavijonit të Hematologjisë, ku nuk mungoi përkushtimi i tërë stafit mjekësor, veçanërisht i Prof. Arben Ivanajt … Atje në spital, erdhi ajo, vdekja e pabesë dhe mizore. Çuditërisht, në një nga poezitë e librit “Fata Morgana”, botimi i tij i fundit në gjallje (poezi e shkruar në Durrës në vitin 1993), ai ka këto vargje:
“Vdekja vjen, – ka veshur pardesynë time, – dhe shëtit para banesës, – duke tymosur duhan, – e shqetësuar, – s’di ç’të bëjë, – ngurron, ngurron, – të më marrë!”
Por këtë rradhë ajo, vdekja, nuk ngurroi dhe e mori. E mori vërtet? Jo, them me vete, kur shoh librat e tij ne bibliotekën time. Janë dhjetëra libra e mijëra faqe shkruar siç dinte të shkruante ai dhe vetëm ai, me emrin e përveçëm Moikom Zeqo, një nga personalitetet më të mëdha të shekujve XX – XXI të botës shqiptare dhe jo vetëm.
TIRANA. VITET E PARA TË NJOHJES
Tirana, kur zbrita nga treni i parë që vinte nga Rrogozhina dhe nxitova duke ndjekur njerëzit e shumtë për të dalë në bulevardin e gjerë, m’u duk jo vetëm qytet shumë i madh, por edhe i gjelbëruar dhe i pastër. Vjeshta e parë ishte në gjysmën e saj. Kisha lënë pas qytetin e vogël të Rrogozhinës, familjen time të dashur, shkollën, kujtimet e shumta dhe tani do të nisja një jetë të re, atë të studentit. Nuk e di se përse kujtimet e atyre viteve me vijnë me aroma dhe ngjyra të ndryshme, si në ato të poezisë së Rembosë. Bulevardi i madh. Sheshi “Skënderbej”, Pallati i madh i Kulturës dhe godina e bukur e disi hijerëndë e Komitetit Ekzekutiv, ndërtuar në kohën e Mbretërisë.
Rruga e Elbasanit me vilat dy a tri katëshe që ishin në krahun e majtë dhe me oborre e kopshtije me lule, nga ku vinin aromat e vjeshtës. Godina e Fakultetit të Historisë e Filologjisë dhe më lart, Qyteti Studenti. Pikërisht këtu në godinën e dytë dhe katin e dytë të saj dhe me një dhomë që ishte në mes të këtij kati, fati e desh që të jetoja për katër vite me Shefki Karadakun, Tomorr Domin (nga Elbasani), Niko Kacalidhën, që vinte nga zona e minoritetit grek të Sarandës dhe Mikom Zeqon. Nuk njihja asnjërin prej tyre por emrat e Shefkiut, Nikos e veçmas të Moikomit, ishin për mua aq të njohura nga poezitë që lexoja në shtypin letrar të kohes. Këtu nisi shoqëria ime me ta që vazhdon, por me Moikomin që në ato vite u lidha më shumë, ndonëse ishim natyra të ndryshme. Unë shume i përmbajtur, i heshtur dhe i qetë, ndërsa ai i gjallë, i shkathët, më i afruar dhe shumë shoqëror jo vetëm me ne, por me të gjithë stutentët e tjerë.
Lexonte shumë, jo vetëm libra që përfshiheshin në programet e degës gjuhë – letërsi, por edhe libra të tjerë. Ishte Moikomi që më solli nga Durrësi romanin “Të kesh a të mos kesh”, të Hemingueit që më pëlqeu shumë. Pastaj romanin “Lamtumirë arm” dhe “Plaku dhe deti”, që i lexova disa herë dhe mbaj mend që në një bllok te vogël shkruaja fragmente që më bënin më shumë përshtypje. Ishte Moikomi pra që më dha të lexoj kryeveprat e këtij shkrimtari, me të cilin që nga ato vite jam i dashuruar marrëzisht me veprën e tij të madhe. Më pas ai më rekomandoi leximin e Remarkut, veçanërisht romanin “Tre shokët” …etj etj.
Moikomi dallohej nga ne, edhe në debatet që bënim në seminare për tema dhe vepra të shumta të letërsisë shqiptare dhe botërore. Edhe në provime, mbaj mend që ai ishte i vetmi student, i cili pasi i përgjigjej pyetjeve të tezave, vazhdonte të diskutonte me pedagogët, që ishin autoritete në fushat e letërsisë dhe gjuhësisë, si Myzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Drita Siliqi, Dalan Shaplllo, Ali Xhiku, Jorgji Doksani, Nasho Jorgaqi, Shaban Demiraj, Anastas Dodi, Jani Thomai, Remzi Përnaska, Et’hem Lika ..etj etj.
Unë i jam mirënjohes Moikom Zeqos, sepse ishte ai që pasi lexoi tregimin tim të parë, më inkurajoi që të shkruaja.
Mbaj mend që ishim në vitin e dytë, kur një pasdite i jap për të lexuar një tregim të shkurtër timin të titulluar ”Atë e vrau deti”, pa i thënë se kush e kishte shkruar. E lexoi menjëhere dhe më pyeti: “Ti e ke shkruar këtë tregim?”. Unë heshta duke mos pohuar e as mohuar. Ai përsëri pyeti: “Veri thuaj të vërtetën. Ti e ke shkruar?”. Po, i thashë. M’u afrua dhe pasi më dha doren, tha duke qeshur: “Veri. Që nesër këtë tregim do ta çosh tek gazeta “Drita”, ndërsa sot do të dalim të gjithë si dhomë dhe do të na qerasësh….”
Dhe nga ajo kohë e largët vazhdimisht kam patur ndihmën e tij të pakursyer miqësore dhe nxitjen për të shkruar. Ishte ai, që pasi botova në vitin 1975 tregimin “Çminimi” te “Drita” dhe më dhane çmimin e tretë për atë vit, këmbënguli që tregimet e shkruara ti përmblidhja në një libër e ti çoja për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ishte miku im i shtrenjtë Moikom, që pas përgjigjeve negative që vinin nga redaksia e tregimit dhe pse jo shqetësimin tim, më nxiste që të mos dekurajohesha, derisa në vitin 1988 doli libri im i parë me tregime “Porta e madhe”.
Që në vitet studentore, njoha nga afër nënën e tij, Pandorën, një grua dhe nënë e rrallë, punëtore dhe shumë e heshtur. Ishte ajo, që pas vdekjes së parakohshme të bashkëshortit të saj, Zihniut, me origjinë nga Libohova, ndonëse shumë e re mori drejtimin e shtëpise duke rritur me sakrifica tre djem: Moikomin, Manushin dhe Fredin. Moikomi ka lindur dhe është rritur në një shtëpi jo shumë larg nga porti dhe deti, në një nga rrugët më të bukura të Durrësit. Nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë së tij dukeshin një pjesë e mureve të vjetër të qytetit të dikurshëm e pak më tutje ishte shtëpia e Aleksandër Moisiut. Sa herë që shkoja atje, Moikomi ishte guida ime, duke më futur në lashtësinë e Durrësit dhe qindra e qindra histori që ai më tregonte.
Dua të përmend edhe një fakt tjetër: miqësinë e tij të hershme me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që brezi ynë e adhuronte. Moikomi ishte takuar me Kadarenë mos gaboj, që në moshën 14-vjeçare. Kur ishim student ai ulej dhe pinte kafe me shkrimtarin e madh, apo shkonte si mik në shtëpinë e tij. Kadareja e ka vlerësuar talentin e Moikomit si poet, që kur ishte fare i ri. Kadareja vlerësonte gjithashtu edhe kulturën e gjerë të Moikomit. Mbaj mend, që nga krijuesit e rinj të kursit tonë, edhe Thanas Dino u lidh ngushtë me Kadarenë.
NË SHKODËR
Ishte Gusht i vitit 1971, kur pasi u diplomuam në degën gjuhë – letërsi, nisëm në qytetin verior të Shkodrës zborin e detyrueshëm ushtarak. Mbaj mend, që gushti i atij viti ishte shumë i nxehtë dhe në kapanonin e madh ku flinim, edhe nata ishte e tillë, mbytëse. Në këtë qytet të jashtëzakonshëm, ku historia dhe kultura e tij janë të dukshme dhe të prekshme. Edhe stinët e këtij qyteti, janë sa të veçanta, aq edhe befasuese. Atje, në një farë kuptimi, une përjetova ditët dhe netët me qiejt e verës, vjeshtës dhe fillim dimrit, apo erërat që vinin nga alpet, lumenjtë, liqeni dhe brigjet jo të largëta të detit Adriatik. Janë dy momente që dua t’i nënvizoj në këto kujtime për Moikomin dhe Shkodrën.
E para, në këtë qytet ai pati një “shpërthim” të beftë dhe të veçantë krijues, jo se i mungonte kjo gjatë viteve studentore në Tiranë, ku shkruante dhe botonte cikle të shumta në shtypin letrar të kohës. Në Shkodër ai ka shkruar ndoshta poezitë më të bukura, me një figuracion të çuditshëm, apo metafora, që si ca kuaj të hazdisur, dukej sikur hingëllinin në hapësirat qiellore sa shqiptare, aq edhe ballkanike apo europiane. Më vonë, në bisedat e shumta me të, ia kam kujtuar poezitë, sinopset, vargjet e rralla, që pasi i shkruante në ca blloqe të vegjël, kisha fatin t’i lexoja unë i pari.

Moikom Zeqo dhe Enver Kushi, Rrogozhinë, 1974

Në Shkodër ai shkruante si në jerm. Shkruante pa pushim, atje në një repart të vetmuar ushtarak, që ndodhej në periferinë veriore të qytetit të çuditshëm e befasues të Shkodrës. Atje janë shkruar edhe këto vargje, që janë botuar në librin “Miscellanea 1”:
Heshtje dhe vetmi,
Zërat janë thërrmuar,
Nga vapa dhe acari i braktisjes,
Vetëm koha si piramida ka mbetu
r.
Ne Shkodër jane shkruar qindra vargje nga Moikomi dhe shumë prej tyre u botuan në shtypin e kohës në vitet 1972-73. Këtyre poezive në vitin 1973 ju bë një nga gjyqet më absurd në historinë e kulturës shqiptare dhe ato gati u bënë “varri” i Moikomit. E megjithatë ai nuk ndali së shkruari pas goditjes që pësoi dhe poezia metaforike dhe e çuditshme e tij, sfidoi kohërat. Këto ditë, duke shfletuar botimin ku përmblidhen poezitë e viteve 1964-89, në dedikimin për librin që më ka dhuruar, lexova këto fjalë kuptimplote: “ Verit tim, për kujtim këtë sagë poetike, që dëshmon se koha s’kthehet më nga kalendari, por metaforat po! Me dashuri Moikom Z. 6 tetor 2006”.
E dyta, në Shkodër ai shkonte shpesh në shtëpinë e poetit brilant, Frederik Rreshpja. Moikomi pritej në atë familje, si të ishte pjestar i saj. Mbaj mend, që një pasdite, pasi morëm leje në komandën e repartit ushtarak, u nisëm për në shtëpinë e Fredit. Ishte Moikomi që nguli këmbë, këtë herë që të vija edhe unë me të, për të njohur nënën e Frederik Rreshpjes dhe për t’u takuar me Fredin. Kisha emocion. Moikomi trokiti dhe pasi motra e Fredit hapi portën, që mua m’u duk e madhe si portë kështjelle, hymë në një oborr me shumë lule e pemë. Moikomi i puthi duart nënës së Fredit, ndërsa ajo e puthi në ballë. Më pas ai më prezantoi me Frederikun, i cili më hodhi një vështrim të shpejtë dhe me sa duket emri im atij nuk i kujtonte asgjë, ndonëse Moikomi i tha, që shkruaja tregime.
Në fillim të viteve ’90, pasi Frederik Rreshpja botoi në numrin e parë të gazetës “Evropa”, tregimin tim të gjatë “E hëna e vitit Zero”(10 janar 1993), ndërsa e falenderova një ditë më pas, ai më kujtoi vizitën time të parë në shtëpinë e tij në Shkodër dhe tha: “ Sa i ndrojtur ishe atëhere… Edhe shumë i gjatë m’u duke”. Më vjen keq, që nuk kam hedhur në letër bisedën e Moikomit me Fredin, atë pasdite të vonë, të gushtit të vitit 1971, kur unë takova për herë të parë poetin e madh Frederik Rreshpja.
Miqësia e Moikom Zeqos me Frederik Rreshpjen, që ka nisur ndoshta para vitit 1971, është shembull i veçantë në letrat shqipe. Kam shkruar për këto lidhje dhe marrëdhënie të dy njerëzve të shquar të Botës Shqiptare. Gjatë kohës së zborit 5 mujor në qytetin e Shkodrës, siç thashë më lart, Moikomi rrinte dhe bisëdonte shpesh me Fredin.
Sa shkrova më lart, janë një pjesë e kujtimeve të mia gjatë rinisë dhe jetës studentore, me mikun tim Moikom Zeqo.
Tashmë ai nuk është më dhe unë e kam të vështirë ta besoj dhe të mësohem me këtë fakt të trishtë. Në një bga poezitë e shkruara në Durrës, në vitin 1993, këto ditë lexova këto vargje befasuese: “ Vdekjes dhe harrimit u bërtas: “Unë jam këtu! – S’kthehem mbrapsht”.
Kuptimplote këto vargje. Jeta, vepra, krijimtaria e shumanëshme e mikut tim të shtrenjtë Moikom Zeqo, e largojnë vdekjen dhe harrimin e Tij. Ai është këtu, më i gjallë dhe vital se ne të gjallët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura