ERËRAT E GJITHË BOTËS

Erërat e gjithë botës

(Apo: Çastet, të cilat ta ndryshojnë jetën)

Nga Dush Gashi

Para meje është libri “Fryma e kohës” e Edgar Morinit. Ende nuk e kam lexuar asnjë rresht, por, nuk e di pse, vetëm titulli më bën të mendoj për ato që e krijojnë botëkuptimin e një njeriu. E keni idenë se sa pafundësisht e gjërë është kjo temë! Por, unë zgjodha disa fjali, apo edhe ndonjë të vetme, të cilat, ndonëse i kam dëgjuar para shumë vitesh, i kam mbajtur mend si çaste të cilat të bëjnë të mendosh “ndryshe”!

Rruga e vetme

Në kohën kur ne i gëzoheshim secilës rrugë të re të asfaltuar, secilës ndërtesë të lartë, secilës fabrikë, numrit më të madh të automjeteve në rrugë – në përgjithësi industrializimit dhe modernizimit, nga një film anglez në televizion, mbaj mend se një burrë i fliste tjetrit për – dëmet që i shkaktojnë shoqërisë automobilat!

Në fillim qesh habitur shumë, si është e mundur të mendojë kështu, por më vonë i bëra vend kësaj ideje dhe m’u kristalizua një mendim: ky lloj zhvillimi nuk ka qenë rruga e vetme dhe kurrsesi e domosdoshme e zhvillimit të mundshëm të shoqërisë njerëzore, ka mundur të ndodhë edhe ndryshe!

Tash di më shumë rreth kësaj teme dhe literaturë e mirë për këtë, për aq sa di unë, janë librat e filozofit tashmë të harruar Herbert Marcuse, sociologut Norbert Elias, por edhe të historianit Eric Hobsbawm, apo së fundi edhe të Yuval Noah Harari.

Përjetësia

Një serial italian për jetën e Leonardo Da Vincit. Leondardo është hipur në shkallë, me brushën në dorë, duke punuar një mural. Një djalë i ri, nxënës i tij, e shikon me admirim dhe plot entuziazëm, i thotë:

– Maestro, ti do të jesh i njohur edhe pas pesëqind vitesh!

Leonardo e shikon me habi dhe i thotë:

– E ç’rëndësi ka kjo për mua?!

U habita, sepse ndër ne mbretëronte kulti i mbetjes në histori, i cili, mund ta merrni me mend – u relativizua në çast! Tash e kam një ide të kristalizuar mirë për këtë, por do të duhej të shkruaj gjatë për ta treguar!

Mes tahitasve

Një hyrje e rastësishme në kinemanë e Istogut, në ato çaste kur s’di ç’të besh me vetveten, do të më mbetet e paharruar. Qëlloi të ishte një film për jetën e piktorit Paul Gauguin. Kishte shkuar në Tahiti dhe njerëzit e atjehit e presin me dashamirësi të pashembullt, të panjohur për ne evropianët. Vajzat e gratë, të stolisura me lule fushe, e përqafojnë me rresht. Në një çast, thotë diçka kështu:

– Eh, ne bimë copësh për t’u bërë të njohur që të na duan njerëzit, gratë, ndërsa këta këtu e kanë gjënë më të natyrshme! E qartë, dhe këtë e thonë shumë mendimtarë, ndër ta Erich Fromm: Etja për të qenë i famshëm është më tepër sëmundje e kohës sonë, se sa gjë e natyrshme!

Gjithsesi, shikojeni ciklin e pikturave “Tahitaset” të Gauguinit, mund të gjenden lehtë me kërkuesin e Googleit!

Kulti i biografisë

BBC-ja bën një tregim për një njeri, i cili dikur ka qenë shumë i njohur. Nuk mbaj mend se a ishte fjala për një muzikant, apo një aktivist politik. Por, e di se në insistimin e gazetarit se ai ka qenë “shumë i rëndësishëm”, ai tipi i përgjigjej me mospërfillje dhe thoshte diçka që e relativizonte atë pjesë të biografisë së tij:

– Hiqmuni qafe, kam qenë i ri atëherë, aq kam ditur, aq kam bërë!

U habita, sepse ndër ne është shprehi që biografitë njerëzit i shkruajnë sikur gjithmonë kanë pasur një qëllim, gjithmonë me ndërgjegje të lartë e pa gabime kanë punuar për ta arritur atë qëllim. Me një fjalë, kanë biografi të përsosura!

Erërat e gjithë botës

I kam dashur malet edhe pa të. Por, gjithmonë kur ngjitem në maje të larta, më kujtohet një fjali nga një dokumentar e një alpinisti në Mont Everest, i cili, mos gabofsha, ishte i lënduar pa shpresë për të mbijetuar. Dhe u thotë shokëve:

– Lermëni këtu. Le të më rrahin erërat e gjithë botës!

Më duket se kurrë nuk kam dëgjuar fjali më mbresëlënëse, më frymëzuese se kjo! Edhe tash kur po e shkruaj ndjehem shumë i mallëngjyer. Dhe – nuk e di as pse!

(Facebook, 22 dhjetor 2021)

____________

ME ÇFARË KUTI MATNI, Z.ZEMAJ?

***

DUSH GASHI, BURRI I PAFAT I TEZES SË ALBINIT!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura