ME ÇFARË KUTI MATNI, Z.ZEMAJ?

Dush Gashi, ‘azilanti’ i atdheut!

ME ÇFARË KUTI MATNI, Z.ZEMAJ?

(Reagim lidhur me mospërfshirjen time në listën e ngushtë të të përzgjedhurve për anëtarë të mundshëm Bordit të RTK-së, për çka kam konkurruar dhe jam intervistuar)

Nga Dush Gashi, 20 Nëntor 2021

Dje, në media u publikua lista e ngushtë e të intervistuarve nga Komisioni ad-hoc parlamentar për kandidatë të mundshëm për bordin e Radiotelevizionit të Kosovës, e cila duhet t’i dërgohet Parlamentit të Kosovës për miratim. Ndonëse lista nuk u publikua drejtpërdrejt nga Komisioni parlamentar, por as nuk u mohua prej tij deri tash, konsideroj se lista është e saktë. Meqë edhe vetë kam qenë kandidat dhe jam intervistuar, por nuk kam hyrë në listën e ngushtë, ndjej nevojë që para opinionit t’i bëj të ditura përgjigjet e mia.

E pranoj, nuk kam qenë sa duhet elokuent, ka kohë që nuk kam folur publikisht, por edhe kishte një atmosferë ngutie (po them “atmosferë”, jo edhe se më ka ngutur kush), meqë komisioni e kishte humbur pak hapin në punën e tij.  Përgjigjet e mia po i shkruaj në bazë të mbamendjes, ato në formë mund të dallojnë ngapak, por kurrsesi në esencë. Fundja, dëshmitarë kishte mjaft dhe mund të më përgënjeshtrojnë!

Në pyetjet përkatëse, jam përgjigjur si vijon:

– Kam përvojë të gjatë në gazetari, jam i arsimuar mirë, kam dije të gjithanshme, ndjenjë të theksuar për objektivitet dhe jam i pandikueshëm nga partitë politike dhe grupet e interesit. Jam i pakorruptuar dhe i pakorruptueshëm! Qëllimi im i vetëm i konkurrimit është që transmetuesi ynë publik të bëhet më i mirë. Këtë e dëshmon përkushtimi im i përhershëm për gazetari, profesion të cilin nuk e kam braktisur deri tash.

– RTK-ja është përfolur për skandale të mëdha, ato duhet të hetohen, ndërsa unë në përgjigje do të përqëndrohem në ato që shihen në ekran.

– Në RTK punohet pak, së paku më pak se sa duhej të pritej nga numri prej mbi 800 punëtorësh të tij. P.sh., në emisionin e mëngjesit defilojnë mysafirë të ndryshëm, por tepër rrallë ndodhë që edhe ndonjë gazetar të jetë zgjuar në atë kohë dhe të raportojë për çkadoqoftë nga terreni. Lajmet e hershme dhe ato të paradites kryesisht janë të një dite më parë, ndërsa në media tjera shohim se ka lajme të reja, së paku nga bota e rajoni.

– Se emisionet informative të RTK-së do të mund të jenë shumë më kreative, ndërsa nuk tematizohen lajmet që do të duhej të tematizohen (si, për shembull, rastet e korrupsioni të madh, të cilat vetëm përmenden dhe kalohen heshturazi).

– Se RTK duhet të çlirohet nga “kompleksi” (me qëllim e përdora këtë term të psikologjisë!) politik-partiak, i cili ende vërehet qartë. Nëse një BBC nuk thotë “ushtria jonë” as në kohën kur Britania e Madhe është në luftë, atëherë edhe RTK-ja do të duhej të lirohet më me lehtësi nga ndikimet partiake.

– Se në RTK ka raste të shpeshta të padijes elementare (e kam përmendur rastin kur një gazetar, në deklaratën e një teknologu të verëtarisë thotë se fuqitë e verës piqen (që d.m.th. përpunohen termikisht), insiston e insiston: e si gatuhet ky druri?!

– Financimi i RTK-së është më së miri të mbetet i tillë siç është – me ndarjen e 0,7 për qind nga Buxheti i Kosovës. Mënyra me parapagim është dëshmuar të mos funksionojë ndër ne, ndërsa kjo ekzistuese, së paku në parim, e siguron pavarësinë e RTK-së. Rregullativa e BE-së nuk e përcakton mënyrë se si duhet të financohet një transmetues publik, por kërkon që mënyra e financimit të mos e rrezikojë pavarësinë redaktoriale të tij. Kemi rastin e BBC-së, transmetues i cili financohet nga parapagimi, por atje vetëdija qytetare është në një nivel tjetër dhe qytetarët reagojnë në rast se rrezikohet pavarësia e tij, gjë që herën e fundit ka ndodhur vitin e kaluar. Së pari duhet bërë përpjekje që RTK-ja të forcohet në aspektin e profesionalizmit dhe të bëhet medium tërheqës për publikun, pastaj më me qetësi mund të debatohet edhe për forma të tjera të financimit apo të vetëfinancimit.

 – Se serialet e RTK-së janë dëmshme, sepse sjelljet e personazheve të tyre nuk janë të motivuara nga mjedisi socio-kulturor aktual, pastaj në to nuk kanë personazhe pozitive, në bazë të të cilave duhet të dijmë se për çfarë vlerash angazhohen autorët e tyre. E tillë është edhe “Bufe e Parlamentit”, e cila shikuesi i bën të tëhuajësohen nga politika, në vend që të kultivohet vetëdija qytetare. Çdo emision në transmetuesin publik duhet ta ketë edhe dimensionin edukues.

– Në RTK jepen tepër emisione me pop-muzikë, me tekste shpesh me përmbajtje të pavlerë estetike, të cilat të rinjve u dërgojnë porosi se me këtë mund të “bëheni yje”, në vend që të dërgojë porosinë se më mirë t’i përkushtohen dijes e punës.

– Se në kohën e klientelizimit, sensacionalizimit dhe tabloidizimit të mediave të Kosovës dhe propagandës tejet agresive të disave prej tyre, ndonjëherë edhe deri në kufi të luftës speciale, RTK-ja, me potencialin që e ka, duhet ta pushtojë hapësirën mediale dhe të jetë referencë mediale për saktësinë dhe profesionalizmin në informim.

– Se RTK-ja edhe duhet të merret edhe manipulimet mediale që bëhen në Kosovë dhe të ketë emisione për edukimin mediatik të qytetarëve, në mënyrë që ata të mos bijnë pre e mediave propaganduese.

***

Në të gjitha përgjigjet jam shprehur se jam i gatshëm ta elaboroj më gjerë secilën çështje dhe se mund të ofroj shumë shembuj për secilin konstatim, por kjo nuk më është kërkuar.

Ajo që më habit është se në shumicën e përgjigjeve të mia, kryesuesi i Komisionit, Armend Zemaj (por edhe anëtarja Doarsa Kica Xhelili) shprehnin pakënaqësi dhe mosaprovim të hapur (me gjeste, me tundje koke, me “jo, jo…”). Sinqerisht, u befasova, sepse këto reagime janë të pashembullta në një intervistë, në të cilën nuk zhvillohet dialog, por dëgjohen përgjigjet e të intervistuarit, ndërsa vlerësimi bëhet më pas, pa praninë e tij.

Të gjitha këto përgjigje i kam dhënë duke u mbështetur në parimet sipas të cilave përcaktohen detyrat e transmetuesve publikë dhe në Standardet profesionale dhe parimet etike të gazetarisë.

Sinqerisht, meqë më kundërshtonit haptas, kam shumë kureshtje të di se në bazë të çfarë standardesh a parimesh mbështetej mosaprovimi i juaj?

Me çfarë kuti matni, z. Zemaj?

Me sa di, përgaditja juaj profesionale nuk është nga lëmi i informimit dhe gazetarisë, prandaj si mund të ishit kaq kategorik në qëndrimet tuaja?

Fundja, cili prej anëtarëve të komisionit është profesionist në këtë fushë (pa e përfshirë në këtë Armend Mujajn, i cili gjatë tërë kohës sa zgjati intervista me mua punonte diçka në laptopin e tij)?

Apo, mos mendonit se, si një nxënës i dobët do të më bëni të mendoj “medet, s’ja qëllova”, apo “s’pata fat” dhe do të dal duke e fajësuar veten pse kalova keq?!!

Thua se nuk e dija ku jam dhe pse ndodhesha aty dhe prisja mos po kaloj falë ndonjë rastësie hyjnore?!

Apo, më parë, me këtë donit t’ua bëni me dije anëtarëve të tjerë të komisionit se “ky nuk është i duhuri”?!

Më keni pyetur z. Zemaj edhe se ku punoj aktualisht dhe jam përgjigjur se nuk punoj askund, gjë që tek ju – le të më lejohet edhe të jem subjektiv – shkaktoi habi. Deshta të shtoj edhe se “ky është fakt i cili shkon në dobinë time, sepse flet për integritetin tim profesional e njerëzor”, por nuk e thashë, nga droja se do të duket se po ankohem, gjë që nuk është gjë e preferuar në një intervistë. 

Meqë tash më nuk jam në provim, atëherë po ju tregoj nga përvoja ime – dhe këtë është mirë ta dini si deputetë që jeni –  se integriteti dhe parimësia e kanë çmimin e shtrenjtë në këtë vend.

Deri në fund të vitit 2014, kam qenë redaktor në “Zëri” dhe kolumnist i çmuar në këtë gazetë. Por, në fund të atij viti më njoftojnë se nuk do të ma vazhdojnë kontratën për vitin vijues. Kisha gati 15 vite që punoja në këtë ndërmarrje dhe gati 30 vite përvojë në gazetari, në të gjitha pozitat e mundshme.

Kjo ka ndodhur, z. Zemaj, për shkak se dikush nga partia jote i ka thënë “bossit” të “Zërit” hiqe këtë! Për këtë kam më shumë se indikacione të forta! Për ironi, po më godiste partia, të cilën e kam votuar më së shumti herë gjatë këtyre viteve të pasluftës!

Që atëherë lënda ime ndodhet në gjykatë, ndonëse shkallën e parë e kam fituar me të gjitha të drejtat!

Pasi u bënë shumë vite qëkur lënda ime zvarritet nëpër gjyqe, i kam kërkuar shoqatës sime, Asociacionit të gazetarëve të Kosovës që të reagojnë, por nuk kanë pranuar kurrsesi! As në kohën e kryesimit nga Petrit Çollaku (i cili qenka në listën e ngushtë dhe i vlerësuar bukur lart!), e as më vonë! Kjo ka ndodhur vetëm pasi që me e-mail i jam drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Federatës evropiane të gazetarëve, z. Ricardo Gutiérrez! Dhe, atë reagim, me një titull aq burokratik sa të mos i bëjë përshtypje askujt, e kanë botuar vetëm dy portale tona!

Besoj mjafton kjo për të kuptuar se sa e “pavarur” është gazetaria e Kosovës! Kjo, besoj, mjafton të kuptoni edhe pse tash nuk punoj askund! Por, as mendja nuk më shkon se këto janë arsye që unë të pranohem për anëtar Bordi të RTK-së, po që të më shihni me më shumë drejtësi – po!

Të them të drejtën, nuk kam besuar edhe se do të jem aq i panjohur aty, kam pritur që dikush të ketë bërë një hulumtim në internet dhe për pak kohë të krijojë një parafytyrim për profilin tim intelektual e profesional. Për fat të keq, arkivi i vjetër i “Zërit” nuk është i hapur për publikun,  ndërsa portalet “DialogPlus” dhe “Infoglobi”, ku i kam disa nga tekstet e mija më të spikatura autoriale, për shkak se kam pasur liri të plotë të shkrimit, janë shuar.

Megjithatë, tekstet e mia mund të gjenden të huazuara nga mediat tjera në gjuhën shqipe të tërë hapësirës shqiptare dhe një gjë e tregojnë qartë: paanësinë time.

Nuk kam pasur tema tabu, e kam kritikuar edhe pozitën, edhe opozitën, por jo duke i bërë shërbim askujt, pos, së paku me mendjen time, interesit të përgjithshëm.

Në to mund të gjenden shpejt e shpejt qëndrimet e mija për shumçka nga aktualiteti ynë, gjë që, sipas mendimit tim, nuk mund të thuhet edhe për shumicën e të përzgjedhurve nga lista juaj e ngushtë!

Për fund, nuk po e shkruaj këtë duke pasur iluzion se po ndryshoj diçka, madje nuk pres as që mediat ta botojnë këtë reagim. Vetëm dua të jem në paqe me vetveten! Përndryshe, tashmë ka kohë qëkur jam përshtatur mirë në statusin e azilantit në atdheun tim!

___________

DUSH GASHI, BURRI I PAFAT I TEZES SË ALBINIT!

Nga Shkëlzen Gashi, Prishtinë 20 Nëntor 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura