FADIL MALOKU: MANIPULUESIT SHTETËROR DHE VIKTIMAT SOCIALE NË KOSOVË

(Prishtinë, 15. 11. 2012) – Ajo çka ne duhet të bëjmë si qytetarë ka të bëjë me riorganizimin tonë dhe rimëkëmbjen që duhet të ndodhë në sferën morale, një sferë kjo që në shoqërinë kosovare gjatë gjithë periudhës së pasluftës është lënë në periferi të angazhimeve tona sociale e kulturore. Kujtoni vetëm për një çast hajninë e paskrupullt të votave të qytetarëve, milionerët e pasluftës që mbinë si këpurdhat (!?) blenë djersën e disa gjeneratave të mëparshme për një copë bukë (?!), skllavërinë sociale e ekonomike të njerëzve që sakrifikuan çdo gjë për këtë vend dhe këtë shtet e që tani po e menaxhojnë në emër të një “patriotizmi qytetar”(!?). Përkujtoni, për çdo ditë lajmet ku në faqe të para mediokriteti promovohet si vlerë, rrenci si njeri më i respektueshëm, krimi i organizuar si diçka e rëndomtë, korrupsioni si nevojë dhe detyrim, mashtrimi si sukses … liria si mjet i robërisë suaj të re, dhe… vetë do vini në një gjykim logjikë se çfarë duhet ndryshuar në këtë vend…?
1. Vetëidentiteti (self-identity) si mekanizëm i njohjes së vetvetes sonë.
Rëndom perceptimi ynë për imazhin e tjerëve për ne si individ, si qytetarë por edhe si shoqëri e komunitet, apo grup shoqërorë, është një temë interesante që në sociologjinë bashkëkohore amerikane sidomos (jo gjithaq edhe europiane!) zë një vend të respektueshëm të eksplorimit social sot. Ky interesim kaq i madh do të thosha për të eksploruar deri në detajet më të imëta, si sjelljet, stratifikimin, ashtu edhe mobilitetin dhe angazhimin e individit, pra qytetarit ndoshta duhet kërkuar tek natyra e diversiteti racor, ai kulturor që Amerika është duke e kultivuar e besa edhe “importuar” butësisht me sukses të efektshëm dhe me një xhelozi të paparë tek civilizimet tjera në këta dy shekujt e fundit. Në fakt, edhe doajeni i sociologjisë bashkëkohore, Anthony Giddens, është i mendimit që fenomeni i vetëidentitetit është një fenomen që në kushtet dhe rrethanat bashkëkohore të procesit të globalizimit ka padyshim nevojë për një vetëdije njohëse për veten, pra interesimin për ta shquar veten e tij si individ, si qytetar, si grup shoqëror dhe së fundi edhe si komunitet në çfarëdo lloji shoqërie. Duket, që interesimi për të identifikuar vetën, në ish shoqëritë komuniste ishte një lloj luksi dhe privilegj i veçantë dhe i llojit të vetë. Shkaku është i thjesht, se ndjenja e kolektive ishte ideali të cilin duheshin ndjekur të gjithë shtresat periferike sociale, ndërkaq elitat udhëheqëse ishin ato lokomotiva, apo ai shtrati i Prokrustit që gjykonte sistemimin dhe arritjet e pothuajse çdo individi, qytetari apo grupi në këto shoqëri me tipare komunitare. Teoria amerikane që individin e vë në fokus të studimeve të reja, konsideron se gjykimi për personin mund të dallojë nga një kulturë në tjetrën, por kapaciteti për të përdorur përemrin vetor në kontekste të ndryshme është cilësi e pothuajse çdo kulture dhe civilizimi të sotëm.

2. Vetëidentiteti kosovar si produkt i ikonografisë së “vëllazërim bashkimit”
Tani nëse i adresohemi veteidentitetit tonë kosovar anipse, ai akoma mund të konsiderohet në fazën embrionale, pra në atë gjendje që gjithsesi duke qenë i ekspozuar ndikimeve të shumta kulturore, gjatë po themi të vetëm këtyre pesëdhjetë viteve të ndërtimit të ikonografisë se “vëllazërim – bashkimit”, ka arritur për këto trembëdhjetë vite të ndërtimit të demokracisë, të shkurorëzohet me një elokuence të pa parë gjer me tani në historinë më të re të pavarësimeve postkomuniste. Ky fenomen dinamik që ndodhi dhe akoma po ndodhë ndër ne kosovarët, me siguri sociologëve të mëvonshëm do t’u shërbej si një model tipik i ilustrimit të dukurisë së veteidentitetit specifik, si edhe ndërtimit të teorive të reja mbi këtë problematike sociale. Me siguri që procesi i forcimit të veteidentitetit të ri që për mendimin tim akoma ka dilemat dhe dyshimet e veta të natyrshme në procesin e vetëkërkimit, tani jo vetëm social por me siguri edhe kulturor, që për ne këtu është më i theksuari dhe më shumë prezent në jetën tonë të përditshme, do të mund në periudhat e ardhshme të marr trajta identike me veteidentitetin që është në ndërtim e sipër në Evropë. Sa dhe si, kjo çështje tani për tani është vetëm për t’u diskutuar, ngaqë shumë faktorë mundën me e vonua apo me e shpejtua procesin në fjalë. Por, kjo tezë e imja ka të bëjë vetëm me rrafshin individual, pra atë qytetar e jo edhe atë kulturor. Ngaqë, gjykojë që rrafshi kulturorë me siguri në një fazë të ndërgjegjësimit të pritur… do të arrij të imponojë shumë tipare dhe cilësi njëherit tjera të fjetura dhe akoma në pritje të identitetit tonë si shqiptarë. E themi kështu, edhe për një arsye të thjesht, se procesi i amalgimit me të tjerët ashtu siç ndodhi gjatë gjithë historisë së qenësimit tonë prodhojë produkte të panjohura si mundësi dhe si nevoja ekzistenciale, vetëm e vetëm që të mbijetonin vetitë dhe cilësimet autoktone kolektive. Pra, ishte një sakrificë e logjikshme dhe kujtojë tejet e paramenduar e njerëzve të mençur për ta ndjerë ne sot në shekullin XXI vetën akoma si shqiptarë.
3. Vetëkontrolli si një “polic i brendshëm”social
Kategoria tjetër sociologjike që kujtojë nëse gjurmohet me një kureshtje të sofistikuar sociologjike dhe me një sens të modifikuar jo paranoik, por para se gjithash sens për të “zbuluar” të vërtetën e ndodhur mbi vetveten tonë sociale dhe padyshim edhe atë kulturore (të pasluftës), e që në ndërkohë nuk kërkon ndonjë angazhim apo ndonjë invencion të duhur sociologjik, është padyshim ai i vetëkontrollit. Një mekanizëm ky që gjithashtu ka një meritë të pa diskutueshme në ruajtjen dhe konservimin e shumë tipareve cilësuese për vetën tonë kolektive. Se kjo përvojë e konservimit të veçantisë së vetëkontrollit apo thënë në gjuhën popullorçe: urtësisë sonë për të gjykuar drejtë dhe pa emocione si ngjarjet, ndodhitë po edhe proceset delikate dhe gjithë përvojën e të menduarit social e kulturor të kësaj periudhe, ka ekzistuar dhe ka lozur një rol tejet të rëndësishëm në jetën tonë, s’ka asnjë dyshim. Ndryshe, ne si shoqëri as që do t’i përngjanim vetvetes. E themi kështu edhe për një arsye të thjeshtë, se përmes kësaj mënyre apo qasjeje të ekuilibruar në gjykimin e proceseve të ndjeshme nëpër të cilat patëm rast të kalojmë si shoqëri e re, ne në fakt po ia mundësojmë vetës sonë të rinisim një proces tjetër të ri të konsolidimit të institucioneve demokratike. Tani, nëse procesi i vetëkontrollit, cilësohet si një lloj “polici i brendshëm” që vazhdimisht gjurmon dhe njëkohësisht detekton si të metat ashtu edhe përparësitë e identifikimit tonë me vlerat e reja që e kanë vërshuar si sferën sociale për të cilat në e kemi këtu fjalën, ashtu edhe atë morale e sidomos atë politike e kulturore, atëherë, padyshim që ne si shoqëri dhe si individ kujtoj akoma s’jemi aq të vetëdijshëm dhe të përgatitur të kuptojmë leverdinë që mund të pasojë nga kjo mënyrë apo ky mekanizëm mbrojtës nga sjelljet deviante. Duket që në rastin e shoqërisë sonë që është akoma në deliriumin e vetëkënaqësisë me identifikimin e çdo gjeje që vjen nga katër anët e botës (po mendojë që na shitet si vlerë, ndërsa në fakt është antivlerë!?) do të mund të shërbente mekanizmi i vetëkontrollit, si një mburojë apo një mjet tejet efikas edhe nga kontrolluesit e jashtëm (mekanizmat e shtetit që e kanë kaplua: krimi i organizuar dhe korrupsioni evident (tashmë edhe nga institucionet ndërkombëtare dhe gjithsesi edhe perceptimet e qytetareve në të gjitha eksplorimet empirike) që ushtrojnë presionin e tyre gjithnjë nga pozitat e nevojës se shtet demokratik s’ka pa; psh. polici, gjykata, pa agjensione kundërkorrupsionit, task forca, etj. Pra, vetëkontrolli kur supozohet në rrafshin komunitar gjithsesi del si një mekanizëm i mbajtjes së bilancit të brendshëm, apo atij kohezionit që e ushqen një shoqëri të shëndosh demokratike që për synim ka: përgjegjësinë, llogaridhënien dhe transparencës. Ndryshe, ai shumë lehtë mund të anatemohet nga militantët apo më mirë me thënë përfituesit e shtetit që e shesin si demokratik, të pavarur (!? qesharakë kjo e?) dhe çka është me interesant, si mbrojtës nga fenomenet negative! Duket që në rastin e Kosovës, është duke ndodhur një dukuri e tillë e krijimit të një elite njerëzish që në emër të ndërtimit e mbindërtimit të shtetit të Kosovës, po përdorin këtë strategji të sulmit ndajë të gjithë atyre që nuk mendojnë njejtë apo absolutisht njejtë si ata vet! Në këtë proces të “shkëmbimit” të akuzave dhe kundërakuzave midis shtetit të keqkuptuar dhe të keqinterpretuar nga ata që pos leverdisë materiale dhe një ambicie morbide për të hyrë në histori (!) dhe komunitetit, pra qytetarëve të gjallë të Kosovës që për çdo ditë ballafaqohen edhe me kafshatën e gojës, fitues gjithnjë po del shteti dhe aparatcikët e tij.

4. Ja pse s’ka puro të djathtë dhe të majtë në Kosovë
A e dini pse? Shumë thjeshtë, ata janë bërë altoparlantë jo të interesave të qytetarisë kosovare, por altoparlant të interesave të veta të ngushta personale (pagat e majme, mëditje, hargjimet pa kontroll dhe mbikëqyrje të duhur ligjore) atyre të ngushta klanore (tenderët e majmë, blerja e pronave të shtetit), dhe tani së fundi edhe tyreve grupore (menaxhimi i pa denjë me resurset njerëzore të vendit), sepse ndryshe as që mund të mbijetojnë dhe të ushtrojnë monopolin mbi qytetarët e fjetur dhe të manipuluar tmerrësisht përmes premtimeve në media elektronike dhe ato të shkruara. Realisht, ky kishte me qenë edhe një ndër shpjegimet sociologjike për mungesën e kauzave ideologjike për të djathtën dhe të majtën apo mesin ideologjik të gjitha partive politike aktuale që gjenden në skenën politike kosovare në gjitha këto vitet e pasluftës. Por, kësaj tani kur t’i shtojmë edhe ndihmën në improvizim të gjendjes për gjoja një demokraci të re e tipike perëndimore, që është udhëhequr pa rezerva edhe nga ndihmëtarët e jashtëm, si: UNMIK, EULEX, e dreq të mallkuar që synim të vetëm kishin dhe akoma kanë vetëm demonstrimet mediatike në mënyrë që të arrijnë efektet e arsyetimit të pagave të tyre që marrin nga qendrat e tyre në Bruksel, atëherë është shume e qartë dhe tejet e kuptueshme ajo çfarë jam duke munduar të them lidhur me mundësinë, rëndësinë dhe nevojën e krijimit të mekanizmit të vetëkontrollit social. Mekanizëm i cili de facto dhe de jure do vente balancën e shumëkërkuar dhe shumë pritur nga qytetarët e shtetit të Kosovës.
5. Të largohen servilët, poltronistët dhe konformistët nga institucionet e shtetit të Kosovës
Duhet cekur edhe këtë fakt se mekanizmi i vetëkontrollit kur konsistohet në rrafshin e qytetarisë, pra një komuniteti të organizuar mirë dhe tejet të vetëdijshëm në kërkesa e veta sublime dhe synimet afatgjata, mund të bëhet një armë shumë e fuqishme në largimin apo të paktën margjinalizimin e servilëve, poltronistëve dhe konformistëve, nga të ushtruarit e rolit të “avokatit” të shtet(sisë)it të Kosovës… Por, ky projekt vetëdijsues për rolin e vetvetes sonë të gjendur në këtë vorbull dhe kaos të shfrenuar e që është duke ndodhur në pothuajse të gjitha sferat e jetës sonë shoqërore, sociologjikisht ka nevojë për promovimin e një gjenerate të re lidershipe, e cila nuk do të vuaj më nga hipotekat dhe ngarkesat e imitimit me të tjerët, por që do të provojë të gjykojë me vlerat dhe kutet e veta të margjinalizuara nga poltronistët dhe servilët e shtetit të tanishëm që nga paslufta e këndej. Kësaj kur t’i shtohen edhe amalgimi me vlerat e njëmendta që në botën e civilizuar demokratike perëndimore kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e vetë sociale e kulturore, atëherë mund të themi se jemi në binarë të shëndosh të ndërtimit të një shoqërie me cilësi demokratike. Këtu, ne s’kemi nevojë të zbulojmë ujët e valë, ngaqë këtë e kanë bërë të tjerët para nesh! Ajo çka ne duhet të bëjmë si qytetarë ka të bëjë me riorganizimin tonë dhe rimëkëmbjen që duhet të ndodhë në sferën morale, një sferë kjo që në shoqërinë kosovare gjatë gjithë periudhës së pasluftës është lënë në periferi të angazhimeve tona sociale e kulturore. Kujtoni vetëm për një çast hajninë e paskrupullt të votave të qytetarëve, milionerët e pasluftës që mbinë si këpurdhat (!?) blenë djersën e disa gjeneratave të mëparshme për një copë bukë(?!), skllavërinë sociale e ekonomike të njerëzve që sakrifikuan çdo gjë për këtë vend dhe këtë shtet e që tani po e menaxhojnë në emër të një “patriotizmi qytetar”(!?). Përkujtoni, për çdo ditë lajmet ku në faqe të para mediokriteti promovohet si vlerë, rrenci si njeri më i respektueshëm, krimi i organizuar si diçka e rëndomtë, korrupsioni si nevojë dhe detyrim, mashtrimi si sukses …..liria si mjet i robërisë suaj të re, dhe…… vetë do vini në një gjykim logjikë se çfarë duhet ndryshuar në këtë vend…?
Fadil MALOKU, Ph.D.
Department of Social Sciences /Sociology/ University of Pristine,
Republic of Kosova, Western Balkan – Address: Payton Place 14 , Pristine…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura