Itali, 24 qershor 2019: Është përfunduar dhe ka nisur procedura për botimin e librit të 12: “ENIGMA E ÇAMËRISË”, që së bashku me librin: “Çamëri ne kurrë nuk do të harrojmë” dhe librat para tyre, jam përpjekur të bëj një sintezë të shkrimeve të bëra në të gjitha librat, artikujt, kumtesat dhe shkrimet e ndryshme, për gjenezën e shqiptarëve të Çamërisë si dhe për persekutimet e shumta të tyre nga shteti ortodoks Grek, përfshirë edhe ngjarjet më kryesore në shtetin “Amë”.
Në shkrimet e botuara janë trajtuar të vërtetat e bazuara në të tre burimet. Është realizuar përballja me akuzat e pavërteta, gjenden kritikat ndaj strukjes inferiore dhe mohimit (berjes hasha) të shtratit autokton për lartësimin e ndërgjegjes kombëtare.
Një jetë e plotë, me njerëz të plotësuar, me ngjarje të shumta, me njohuri të mjaftueshme të siguruara ndër vite, me një ecuri jete aktive të vullnetshme për të mirën. Duke mos dashur të tretej nëndhé, gjithshka me të cilat kam jetuar, me krenari modeste vendosa ti shkruaj që të shërbejnë, jo vetëm për tu mos harruar, por dhe si përvoja për më të mirat e të nesërmëve.
I.- Informacioni historik i përmbledhur në këtë botim jepet larg ngarkesave emocionale dhe interpretimeve të ndikuara nga ndjenjat, shijet apo mendimet personale, larg interpretimeve subjektive. Informacioni jepet me vërtetësi dhe siguron paanësi. Përshkruan realitetin e ndodhur në 100 vjet jetë të shqiptarëve të Çamërisë, në periudhën e dy shekujve, në dy shtete, në dy rregjime, në dy trajtime, në dy besime fetare dhe në shumë diferencime.
Të gjitha ngjarjet që përmenden sipas viteve, vendeve dhe vështirësive janë shtjelluar në mënyrë të përmbledhur. Për informacione me trajtime më të plota të gjithçkaje që është shkruar, të intresuarit i gjejnë në librat e botuara gjatë viteve 2000 deri në vitin 2019, pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Për të treguar rrugën e ecurisë dhe të zhvillimit të komunitetit çam dhe për të siguruar vërtetësinë e ngjarjeve kam mbajtur parasysh disa rrethana dhe jam mbështetur në tre burimeve historike:
a).- Burime materiale: Të gjitha ngjarjet e trajtuara i përkasin periudhave ku kam jetuar personalisht. Akumulimet, trysnitë, varfëria, shpërfilljet, diferencimet dhe mbi të gjitha detyrimi moral për të gjetur dhe pasqyruar të vërtetat e ngjarjeve, të cilat shembin çdo kala gënjeshtrash, manipulimesh, hipokrizish, shpifjesh si dhe arrogancat e të fuqishmëve, që pët fat të keq përdorin forcën në mungesë të llogjikave dhe arësyetimeve.
b).- Burime gojore: Trashëgiminë gojore për ngjarjet e prindërve tanë gjatë jetës së tyre dhe të plotësuara me tregimet e prindërve të tyre;
c)- Burime shkrimore: Hulumtimet e shumta të përqëndruara me shumë kujdes në shkrimet historike, gjeografike, arkeologjike, ushtrake, në botimet e librave të autorëve të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Kujdes i veçantë është kushtuar në veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe joshtetërore lidhur me qendrimet e mbajtura prej tyre ndaj çështjes së problemeve të të drejtave të njeriut dhe posaçërisht të problemeve të shqiptarëve të rajonit të Çamërisë.
II.- Fillim shekullit XXI, më gjeti në pension, por jo inaktiv. Boshllëk i madh ishte krijuar në trajtimin shkencor, real dhe të paanshëm të historisë dhe ngjarjeve tepër të dhimshme, të një bërthame pellazgike e ndodhur në kufijtë më jugor të Gadishullit Ilirik (sot Gadishulli i Ballkanit), komunitetit thesprot. Ky fakt më krijoi dëshirën dhe më dha vullnetin për të studjuar dhe shkruar historinë e komunitetit të shumëvuajtur të shqiptarëve të Çamërisë, në dymbëdhjetë botime.
Në këto botime lexuesi, studiuesi, historiani, gjeografi, diplomati, politikani dhe profesionistë të fushave të tjera, do të gjejnë material të bollshëm, të qartë, të saktë me argumenta të mbështetura në dokumentet e ndryshme në kohëra.
Ndjenja e fuqishme, për të njohur dhe treguar të vërtetat, ka qenë gjithmonë e pranishme, ajo më shtyu për të ndërrmarrë shkrimet dhe botimet lidhur me “Çështjen Çame” dhe ngjarjet e tjera që i përkasin njohurive dhe dijeve të mia për çka ka ndodhur e ndodh brenda kohës dhe hapësirave të gjeneratës para meje,times dhe pas meje.
– Në moshë të re: përballja me arrogancën ç’njerëzore të racizmit etno-fetar grek.
– Në moshën e rinisë: përballja me injorancën shtetërore të diferencimeve, përbuzjeve krahinore, diskriminimeve, rrjedhojë e inferioriteti shtetëror ndaj shtetit racist etno-fetar grek dhe jo vetëm ndaj tij;
– Në moshën aktive të jetës: përballja me vështirësitë e përgjithshme për ti shpëtuar “syrit vigjilent të partisë dhe popullit”, i cili ishte i pranishëm kudo në kohë dhe hapësirë, deri edhe brënda familjeve shqiptare;
– Gjatë gjithë jetës, në çdo hap, veprimtari, në çdo sjellje, në çdo koment, ishte krijuar detyrimi shtetëror, shoqëror, familjar, i ndrydhjes, i pasigurisë, i frikës së akuzave false, të rreme për të mposhtur njerëzit, për ti mbajtur ata nën mbikqyrje. Metoda efektive për nënshtrimin dhe jetëzgjatjen në shtet dhe pushtet të diktaturës dhe personave që e ndërtuan.
Të gjitha këto rrethana, brenda një jete njeriu dhe tre gjeneratave, kanë ndikuar në angazhimin e ndërgjegjshëm, jo vetëm për ti pasqyruar ato, por edhe për ti trajtuar me saktësi brenda të vërtetave, jashtë mashtrimeve, shpifjeve, manipulimeve; janë përgënjeshtruar me dokumenta dhe analiza të sakta.
Në librat e botuara, njihesh me qendrimet besnike ndaj rrethanave të mësipërme, si rrjedhojë e studimeve dhe hulumtimeve; nga përvojat e shumta; nga vështirësitë që krijohen nga të qenurit brenda ngjarjeve të rënda, por që të vërtetat kërkojnë të dilet jashtë tyre.
Lexuesi njihet me metodat e përdorura nga të huajt për përçarjen e kombit tonë, me saktësime vendesh dhe ngjarjesh, me koncepte të kundërta lidhur me tolerancat ndaj etnive, racave dhe besimeve fetare, si:
1. Perandoria romake për zhdukjen e Ilirisë, përdori me sukses metodat asimiliuese me ndarjen e saj në katër provinca dhe teorinë “përça e sundo”.
2. Për krahinën e Vagenetisë, e cila shpesh nga historianët trajtohet me gjithë territorin e krahinës së Çamërisë, është saktësuar dhe përcaktuar hapësira territoriale. Vagenetia në mesjetë shtrihej nga Delvina, në fushat e Mesopotamit, Vurgut dhe Vrinës deri në afërsi të Sajadhës. Disa nga banorët e kësaj zone, që sot identifikohen si minoritet grek, janë pasardhës të banorëve të ardhur nga Azia e Vogël (Konstandinopoja) gjatë fillim shekullit të XIII, rrjedhojë e raprezaljeve të Kryqëzatave.
3. Ndërrimi i besimit fetar i banorëve të Thesprotisë nga katolikë në myslimanë, ka filluar në vitin 1611, mbas dështimit të kryengritjeve të vitit 1611 me masakrat e orkestruara nga prifti ortodoks Dionis Filozofi. Ngjarjet e ndryshme ndërkohë, gjenden të rregjistruara, veç memorjes edhe në burimet shkrimore, që kryesisht është historia e shkruar. Dihet, arësyeja njerëzore është ajo që ndodhive apo shqisave kaotike u jep trajtë, formë, duke i seleksionuar dhe renditur sipas rëndësive dhe bën cilësimet e nevojshme. Në këtë këndvështrim, arësyetimin do ta përdorim pikërisht me emigrimin e banorëve të truallit etnik shqiptar ndër shekuj.
Gjatë shekujve 12,13, 15 për arësye të presioneve, shtypjes që kryhej nga perandoritë e kohës, ishin të shumtë arbërorët që e lanë vendlindjen dhe u ngulën disa në Itali dhe disa në Greqi, ku sot përfaqësojnë “arbëreshët” dhe “arvanitasit”. Ndryshe ndodhi me banorët e Çamërisë (sot njësia territoriale Prefektura e Thesprotisë), të cilët mbas kasaphanës dhe periudhës mortore (1944-1945), ata që shpëtuan, vërtet u dëbuan dhunshëm nga vendlindja, por nuk u “arratisën”, ata emigruan brenda territorit të tyre etnik. Një dallim cilësor dhe specifik përkundër (against) emigrimeve të tjera!.
Epirotët, historikisht nuk kanë emigruar masivisht nga vendi, një tjetër cilësi dalluese e tyre, megjithëse ndryshe nga historia e vërtetë, ka autorë të huaj, por me keqardhje edhe historianë shqiptarë, të cilët nuk arrijnë të vlerësojnë ngjarjet, dukuritë e ndryshme duke u bazuar në kohën që kanë ndodhur. Si rrjedhim dëmtojnë rëndë jo vetëm historinë, por bëhen palë me apo pa dashje e tezave dhe teorive të rreme në dëm të autoktonisë së banorëve të Epirit, duke i quajtur epirotët “Arbërorët e Jugut”. Kur dihet fare mirë se epirotët i përkasin tre fiseve kryesore të Epirit dhe që janë: Kaonët. Thesprotët dhe Mollosët. Të tre këta fise dhe 14 nënfiset e tyre, jo vetëm që kanë autoktoni në Epir, por kanë qënë dhe janë “zotër” në ato territore, që nga Pellazgjia dhe Iliria. Me “arvanitas” dhe “arbëreshë”, dihet nënkuptohen ata banorë që janë larguar nga vendi i tyre gjatë mesjetës, ndërsa shqiptarët e Çamërisë, të Janinës, Konicës, Kosturit, Follorinës, Grebenesë, etj. nuk janë rrjedhojë e emigrimeve, por autoktonë në ato vende, pavarësisht kufijve politikë, të vendosura nga Fuqitë e Mëdha për intreresat e tyre. Kjo duhet të ngulitet në “trurin” dhe mendjen e politikanëve dhe histoianëve si atyre të huaj, por sidomos të historianëve të etnisë shqiptare!.
Urrejtja e kishës ortodokse greke ndaj banorëve të krahinës së Çamërisë, u mirëstrukturua me krijimin e shtetit Grek, në gjysmën e parë të shek. XIX dhe në vazhdim, duke përdorur predikimin ortodoks të “Megalloidesë” që kombin e përcakton të qenurit ortodoks, grackë ku ranë dhe gëlltitur në vazhdimësi edhe arvanitasit, që krahas urrejtjes fetare, kanë kryer vrasje së bashku me grekët, jo vetëm kundër banorëve myslimanë të Çamërisë, por me shtrirje edhe në jugun e Shqipërisë, të armatosur me kryqin dhe shpatat e bizantit.
5. Është trajtuar gjërësisht strategjia ogurzezë greko-turke për këmbimin e popullsive mbi bazën e besimit fetar dhe jo të etnisë. Marrëveshje që krijoi fatkeqësira me pasoja shumë të renda për mbi 2 milionë banorë në të dy shtetet, pasoja, të pranishme edhe në ditët tona.
6. Në këto botime është përgënjeshtruar për herë të parë me dokumenta, mashtrimi, manipulimi dhe shpifja e shtetit Grek, i cili akuzon çamët “bashkëpunëtorë” me okupatorin. Akuza greke është përgënjeshtruar bazuar me të dhënat e ditarëve të luftës të oficerëve gjermanë. Janë botuar për here të parë në librin “Dhembje dhe moshkalli i Çamërisë”, faktet e nxjerra nga “Ditarët e oficerëve gjarmanë” tregojnë se gjatë gjithë periudhës prej 15 muaj e 17 ditë (nga 23.06.1943 deri 10.10.1944) që forcat gjermane qendruan në territorin e Çamërisë, nuk janë kryer luftime mes tyre dhe forcës së djathtë greke EDES-it, por kishin marrëveshje mossluftimi si dhe bashkëpunim mes tyre kundër forcës së majtë gereke ELLAS-it, partizanëve greke (ku ishin inkuadruar mbi 700 djem dhe vajza çame) që luftonin për çlirimin e Greqisë nga okupatori.
7. Ka dalë në dritë mashtrimi i Napoleon Zervasit, i cili sipas rastit çamët myslimanë i akuzonte tek “Aleatët” si mbështetës të okupatorit; ndërsa tek “Boshti” i akuzonte duke shpifur se fshatrat e banorëve çamë myslimanë ishin streha të partizanëve. Si misionerët e “Aleatëve” dhe paria e “Aksit”, ranë pré e mashtrimeve greke, dhe lejuan kryerjen e masakrave të kobshme.
8. Është zbuluar dokumenti ku Byroja Politike kërkonte të implikonte meshkujt çamë emigrantë me shtetin Grek, për ti dërguar (në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, mbasi çamët nuk ishin nënështetas shqiptarë) në frontin e luftës në mbeshtetje te ushtrise demokratike Greke, në Gramos në vitin 1949.
9. Është konstatuar një marrëveshje sekrete e vitit 1953 mes dy shteteve, që shqiptarëve emigrantë çamë t’u jepej nënshtetësia shqiptare në grup, për të lehtësuar shtetin Grek për përjashtimin e çamëve nga amnistia. Shteti Grek me ligjin e amnistisë riatdhesonte partizanët demokratë grekë (ku do të përfshiheshin edhe çamët) të cilët ishin larguar nga Greqia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe luftës civile në Greqi.
10. Libri: “Çamëri! Ne nuk do të harrojmë kurrë”!, është i veçantë për vetë problematikat e trajtuara, ku shumica e shkrimeve, paraqesin përpjekjet për të qenë sa më pranë ekspertëve të të dy shteteve (Shqipëri-Greqi). Janë bërë përpjekje serioze, që gjithshka të disponueshme, në mënyrë të përmbledhur, t’ju vihej në dispozicion ekspertëve për të reflektuar në marrëveshjen historike (nëntor 2017- prill 2018). Është përqëndruar gjatë kësaj periudhe në informimin e të vërtetave në marrëdhëniet e shtetit Grek me banorët shqiptarë, autokton në rajonin e Çamërisë për periudhën 1913 deri në vitin 1945. Krahas materialeve, u përdorën edhe metodat klasike me drejtuesit kryesorë të të dy shteteve, nëpërmjet “Letrave publike”, me të cilat është ngritur zëri i së vërtetës për banorët e djeshëm dhe të sotëm të komunitetit të martirizuar, me qëllim që historia të ndërgjegjsohet për të ndrequr të shkuarën duke pasqyruar të vërtetat, bazë e sigurtë për të ardhmen.
11. Në librat e botuara janë trajtuar me argumente të bazuara në ngjarje reale, në dëshmitë rrënqethëse të dëshmitarëve që i kanë përjetuar, në deklarimet e shumta nga studiues, historianë realistë grekë e të huaj në favor të së drejtë së “Çështjes Çame”. Janë përgënjeshtruar me fakte historike dhe dokumente të gjitha shkrimet e historianëve, studiuesave dhe shkrimtarëve grekë dhe të huaj. Megjithë mjeshtëritë e përdorura për fallsifikim të ngjarjeve, ata nuk arrijnë të përmbushin kërkesat e “shefave” të tyre vrasës, diktatorë, autokratë.
Përballja me të vërtetat, palës greke i siguron humbjen. Përpara kësaj të vërtete shteti Grek ka zgjedhur si rrugë “shpëtimi”, mohimin dhe mos pranimin e dialogimit. Mbahet fort tek akuza qorre dhe bajate “Çështja Çame” nuk ekziston.
12. Në botimet e mia, krahas trajtimit të ngjarjeve personale, familjare e fisnore, lexuesi arrin të informohet edhe për zhvillimet e shumta dhe të ndryshme që kanë ndodhur gjatë tre brezave, të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërive të tjera të ndërlidhura me ‘të. Janë pasqyruar aspekte reale të një populli dhe një kombi, për periudhën një shekullore.
13. Në këto shkrime shtjellohen llojet e ligësive të pa imagjinueshme të kryera ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe banorëve të Çamërisë në veçanti; po ashtu janë trajtuar hipokrizitë, manipulimet dhe shpifjet e shtetit ortodoks Grek ndaj çamëve të besimit mysliman. Indiferentizmi, inferioriteti dhe niveli i ulët i qeveritarëve shqiptarë ndërkohëra ndaj përgjegjëshmërisë kombëtare, e theksuar kjo nga viti 1946 e në vazhdim; ndaj mbrojtjes dhe trajtimit social të emigrantëve çamë, më pas të nënshtetasve shqiptarë çamë, të territorit etnik shqiptar të rajonit të Çamërisë dhe banorëve të besimit të krishterë me banim në venden e tyre autokton. Janë theksuar qëndrimet e vendimmarrjeve të djeshme të diferencuara të Fuqive të Mëdha dhe ato të sotme të Bashkimit Europian, me tendenca sa fetare aq dhe në favorizim të shteteve mbi baza të madhësive numeriko-fetare.
14. Shkrimi që përfshihet në librin: “Çamëri! Ne kurrë nuk do të harrojmë”: “Koha për më shumë përgjegjshmëri kombëtare”, shpreh shqetësimin ndaj papërgjegjshmërive të disa institucioneve shtetërore, organizatave, shoqatave jo shtetërore dhe individë të fushave të politikës, kulturës, gazetarisë, etj, të cilët spekullojnë që nën petkun e atdhedashurisë, hedhin tymnaja për të errësuar historinë kombëtare.
15. Në të gjitha shkrimet e botuara, krahas historisë, gjeografisë, ngjarjeve të shumta, hipokrizive, armiqësive qorre, me një kujdes dashamirës, do të njiheni me gjithë jetën time, e shoqëruar kjo me pjesëtarët familjarë, të afërt, miq, shokë të shumëvlerësuar, të pa harruar.
16. Miq dhe dashamirës më kanë sugjeruar që nga 12 librat e botuara, të arrihet të bëhet e mundur përmbledhja, në dy apo tre vëllime ku të përfshihet vetëm historia e banorëve autoktonë të Çamërisë, të etnisë shqiptare, si të besimit krishterë dhe myslimanë, pra tërësia e shkrimeve të atij rajoni dhe banorëve të tij që nga lashtësia deri në ditët tona. Me këtë rast i fakenderoj për sugjerimin e drejtë, të pranueshëm dhe të pëlqyer. Një arritje e tillë, pa diskutim përmban vlera të shumta, tepër të veçanta dhe tejet të domosdoshme. Por për arësye thjesht personale e kam të pamundur, jo vetëm për mungesë kohe, por disa gjëra, me gjithë dëshirat nuk mundet të realizohen pa mbështetje teknike dhe financiare. Në këto kushte, gjetja zbatim e sugjerimit, mbetet në vullnetin, mundësitë tekniko-financiare dhe vlerësimin në një kohe të ardhshme nga bijtë e shqipes!.
III.- Gjithçka arrihet nëse gjen përkrahje dhe mbështetje prej mjedisit ku jeton. Ndryshe nuk arrihen ambicjet pozitive që e shtyjnë njeriun në ç’fardo iniciative që synon. Ndihmesa tepër të vlerësuara për të shkruar të vërtetat e ngjarjeve të dhimshme dhe të panjerëzishme ndaj nesh, çmoj gadishmërinë e shumë gazetave si brenda dhe jashtë vendit, të cilat pa hezitim kanë botuar shumicën e shkrimeve. Kjo më hapi rrugën për të komunikuar me lexues të shumtë duke më plotësuar mundësinë për të treguar të vërtetat e mbetura të panjohra nga shoqëria në tërësi.
a)- Gjej rastin të falenderoj me shumë përzëmërsi dhe sinqeritet: Pronarët dhe
kryeredaktorët e gazetave:”Fjala e Lirë”, “Bashkimi i Shqipërisë”, “IllyriaPress”, “Dielli “, “Pashtriku”, “Bota Sot”, “Nacional”, “Dita”, “Koha Jonë”, “Panorama”, “Revista Drini”, ”Bulevard News”, “Shqiptarja.com”, “Tema”, “Flaka”, dhe disa revista të huaja.
b)- Falenderoj dhe shpreh respekt të veçantë për miqtë e mi, të cilët më kanë dhënë kurajo dhe sugjerime në vazhdimësi në gjithë veprimtarinë time: Prof.dr. Resmi Osmanin, prof.dr. Agim Binajn, poetin, shkrimtarin dhe studiuesin Namik Selmani, prof. Ilias Mehmetin, prozatorin dhe kritikun Enver Kushi, gazetarin Arben Iliazi, shkrimtarin Arben Kondi etj.
c)- Falenderoj shtëpitë botuese për mundësinë e krijuar që shkrimet e botuara në gazeta, të përfshihen në disa libra, gjë që siguron “ruajtjen e memories”: “Koha”, “Dodona”, “Ilar”, “Intergrafika”, “Vllamasi”, “Enja”.
ç)- Falenderoj familjarët e mi, që më krijuan kushte shumë të favorshme morale, materiale dhe në moshë madhore më krijuan mundësi për ta vizituar disa herë gjithë Çamërinë, fshatin dhe shtëpinë ku kam lindur para 82 vitesh.
d)- Ruaj kujtime dhe respekte të veçanta për gjyshen, babain dhe nënën, të cilët në kushtet e minimumit jetik, tejet të vështira, sakrifikuan nga vetja, na krijuan mundësi që ne, të tre djemtë e tyre, mbaruam arësimin e lartë, kur shumica e moshatarëve tanë, në mosha të reja, u punësuan në bujqësi, blegtori, transport dhe ndërtim.
Ata prindër nuk arritën të shikonin ditë të bardha, dhe ne nuk arritëm t’ju krijonim një jetesë pak më të mirë se ajo që kishin kaluar, sepse vitet e jetës së tyre u sosën shpejt. Prandaj shkrimet e mia modeste, por të vërteta, janë edhe detyrim moral në kujtim të vuajtjeve që kaloi ajo gjeneratë gjatë viteve të shekullit XX-të dhe një mundësi njohjeje për gjeneratat që vijnë.
V.O. Vendet që shkelim gjatë jetës japin shije të veçanta, por shija e tyre ndjehet vetëm në atë kohë kur ecja në ’to na kufizohet.
Bergamo, 26/04/2019.- Studiues: Fahri Dahri
Postime të Lidhura
KORPORATA E KORRUPSIONIT NË KOSOVË – KEK
Sipas një hulumtimi të kryer nga EULEXI, nga viti 2000, KEK-u ka abuzuar pëmbi 1 miliardë euro, ku…
AHMET ÇOLLAKU: COVID-19, NAFTA DHE PETROKIMIA
Tiranë, 28 Prill 2020: “Shkenca mund të shpjegojë si shumëzohet një virus, por nuk di të thotë se…
PANDEMIA E FRIKËS!
PANDEMIA E FRIKËS! Nga Sheradin Berisha, Facebook 30. 11. 2021 – Pashtriku 11. 01. 2023 Variant i ri…
YLLI POLOVINA: IBRAHIM RUGOVA NË BALLAFAQIM ME TREQIND GAZETARË NË SALLËN STENDITOIO TË KOMPLEKSIT SAN MIKELE NË ROMË (12)
Tiranë, 10 prill 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga…