FAHRI DAHRI: PELLAZGËT DHE PASARDHËSIT E TYRE ILIRËT DHE SHQIPTARËT

Itali, 23 mars 2019:
1)- Pellazgët
Në mënyrë të përmbledhur nga çfarë dihet për pellazgët, pa pretenduar për të shtjelluar, sjellim në kujtesë disa aspekte për ‘ta.
Sipas Homerit dhe Hesiodit, dy poetë pellazgë, veprat e lavdishme të të cilëve në shekujt VIII-VII p.e.s. mendohen si veprat e para letrare në letërsi, pellazgët ishin populli i vetëm i identifikuar në Europën parahistorike (mijëvjeçari i VI-të p.e.s.). Për pellazgët ka shkruar në antikitet edhe Herodoti dhe shumë të tjerë. Homeri dhe Hesiodi asnjë herë në epikat e tyre nuk i përmendin grekët apo helenët, pasi ata janë shfaqur më vonë në ato territore nga koha e dy poetëve.

Janë disa fenomene negative që shfaqen në histori dhe që shpesh kalojnë në heshtje, në vend që ato të analizohen dhe të gjykohen me ashpërsi. Një fenomen i tillë ka lindur gjatë shekullit të V-të para Krishtit, në periudhën që jetuan shkrimtarët Eskili, Sofokliu dhe Euripidi. Këta shkrimtarë sajuan fenomenin e fallsifikimit të historisë, duke tjetërsuar faktet, ngjarjet si dhe figurat e shquara të lashtësisë, fenomen i cili vepron me forcë edhe në ditët tona.
Qytetërimi i lashtë Pellazg gjendej në Azinë e Vogël, në Lindjen e Afërt, në Ballkan, në Itali, në ishujt e Mesdheut dhe tek popujt e detit Jon. Nga pellazgët lindën Ilirët, epirotët, (dardanët, maqedonët, thrakët dhe paejonët)¹. Në drejtim të lindjes ata shtriheshin deri te lumi Struma (Bullgari) dhe pak më tej.
Është dakortësuar nga studiuesit e shumtë se këta popuj ishin të një gjaku dhe gjuhe, e pranuar kjo sepse ishin të të njëjtit brumë. Më pas, në fillim të shek. XVIII-të pas krishtit, prej atyre popujve, të një trungu, lindi emërtimi i grupit etnik shqiptar, i cili është i vetmi trashëgimtar i kulturës pellazgjike.
Lidhjen e ngushtë të pellazgëve me shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, arvanitasit dhe thesprotët (çamët) në Greqi, arbëreshët në Itali, arnautët në Turqi, me shqiptarët e diasporës, historianët dhe studiuesit e ndryshëm e argumentojnë me gjuhën, traditat, zakonet, veshjet dhe me emrat e Perëndive, të cilat sot marrin kuptim vetëm me të folurën e gjuhës shqipe.

2)- Trojet e shtrirjes së etnosit Ilir
Sipas Herodotit, trojet e ilirëve, në shek V p.e.r. shtriheshin: në perëndim nga Deti Adriatik; në lindje me lumin Morava (lumë në Kosovë, buron në Malet e Karadakut (Malet e Zeza) në territorin e Maqedonisë; në jug të Vitisë dhe në veri të Shkupit.Trevat e shtrirjes së popullsisë ilire janë mjaft të gjëra; ato përfshinin të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, që nga degët e Danubit (lumenjtë Sava e Drava) në veri, e deri te Gjiri i Ambrakisë (Prevezë -Artë) në jug, kurse në lindje deri në Vardar. Emri etnik Ilir shfaqet në veprat antike që në shek. V para Krishtit, kurse emrat e disa fiseve ilire përmendën në fillimet e shek. XII nga Homeri. Ndërsa formimi i etnosit ilir është edhe më i lashtë.
Fillimet e origjinës ilire përmenden që nga periudha e bronzit të mesëm (mesi i mijëvjeçarit të dytë para Krishtit). Në epokën e hekurit (mijëvjeçari i fundit p.e.r.) ilirët u formuan plotësisht. Ata trashëguan nga epokat e hershme eneolitike dhe të bronzit, tipare kulturore gjuhësore e antropologjike etnike.
Topografia e fiseve më të rëndësishme ilire.
Bashkësitë fisnore ilire në përgjithësi kishin zënë vend në trojet e tyre historike. Ndër fiset më të hershme ilire që luajtën dhe një rol ku më shumë e ku më pak të rëndësishëm në ngjarjet historike të mëvonshme, për t’u përmendur janë: thesprotët, të cilët zinin ultësirën bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i Thiamit (Kalama); në veri të tyre vinin kaonët, vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet e Llogarasë dhe gryka e lumit Drinos; ndërsa mollosët banonin në pllajën pjellore të Janinës.
Manipulimi historik i lashtësisë nga Grekët dhe Greqia dhe identiteti Ilirik i Maqedonisë me banorët e hershëm të sajë, janë të kuptueshme me identifikimin e tyre nga vetë Aleksandri i madh, i cili në betejat e zhvilluara prej tij, njihet si folës i gjuhës Pellazgo-Ilire të asaj kohe.
Përvetësimi i helenizmit nga Greqia e sotme është një tjetër mashtrim historik, mbasi nuk ka lidhje me shtetin dhe kishën greke, këto të fundit janë krijuar me sforco nga egoja perëndimore. Ptolemeo, gjograf i antikitetit (gjeografi i shekullit dytë mbas Krishtit), ka shkruar: “Maqedonia ishte truall historik i shtetit Ilir”.
Është saktësuar dhe vërtetuar se Maqedonia u themelua nga mbreti Amintas i III-të, rreth viteve 393-370 p.e.s. Maqedonia, në vitet 359-336 para Krishtit, ishte në mbretërinë e mbretit Filip dhe gjatë viteve 336-323 para Krishtit nga Leka i Madh. Sllavët në ato kohëra kanë qënë banorë të Uraleve Ruso-Aziatike, ndërsa grekët ishin vendasit e Azisë së vogël. Këto të vërteta na vijnë nëpërmjet lashtësisë hartografike të Ballkanit të viteve 582-612 pas Krishtit, si dhe nga harta e përpiluar nga gjeografi Straboni e viteve 63 para Krtishtit dhe vitit 20 pas Krishtit. Në hartat e cituara është përcaktuar qartë, vendndodhja e fiseve Ilire, e cila po thuaj shtrihej në tërë Gadishullin Ilirik, e kufizuar me Detin e Zi dhe me Detin Mesdhe në lindje, me Detin Adriatik dhe Detin Jon në perëndim, nga veriu kufizohej me brigjet jugore të lumit Danub.
3)- Thesprotët protobanorët e jugut Ballkanik
Thesprotët ishin protobanorë, ata jetonin në jug të lumit të sotëm Kalama, deri në gjirin e Ambrakisë. Në shkrimet e lashta ata përmenden përpara shek.V p.K., si fis që sundoheshin nga dy kryetarë të zgjedhur çdo vit nga gjiri i parisë. (Sipas Akademik prof.dr. Aleksandër Stipçeviq, arkeolog, ilirolog e ballkanolog i mirënjohur nga Zagrebi, Libri: Ilirët).
Përkatësi ilire, nënvizon Domenico Mustilli, kanë edhe emrat e fiseve amantes ose abantes, atintanes, thesprotët, sidomos emri i nënfisit thesprot, Aigestianoi (leaders- udhëheqësit) që përmend Stefan Bizantini në shekullin e VI- të pas. Krishtit. Plutarku në veprën e vet “Vitae Parallelae”, thotë se i pari që u bë mbret i thesprotëve dhe i mollosëve pas përmbytjes (kujto: kohën legjendare të Noes 1707 p.e.r.F.D.), ishte Pheidoni, njëri prej atyre njerëzve që erdhën në Epir (zonën gjeografike të Thesprotisë) bashkë me Pellazgun. Kjo vërteton praninë thesprote në atë rajon që nga shekulli XVIII-të p.e.s.dhe jo nga shekulli V-IV-të.
● Gjatë shekujve VI dhe VII, pas Krishtit, në Gadishullin e Ballkanit, rrjedhojë e dyndjeve barbare dhe kolonizimi sllav, ndodhën përmbysje dramatike. Ajo periudhë përcaktoi dhe kohën e përfundimit të epokës antike, ku u ndërruan edhe emërtimet gjeografike të deri athershme si: Iliria, Epiri dhe Hellada, duke hequr nga qarkullimi edhe emrat e popujve etnikë si: ilirë, epirotë dhe helenë.
Nga disa historianë, vendas dhe të huaj, pretendohet se në mesin e shekujve të VI dhe të VII pas Krishtit, ka ndodhur edhe ndërrimi i emërtimit antik i rajonit të Thesprotisë. Sipas Prof. Pullumb Xhufi, “Fillimisht emri Thesproti u la në harresë, si shumë emra të tjerë të periudhës antike. Por edhe emri Çamëri do të shfaqet relativisht vonë, në periudhën e sundimit osman (shek. XVIII). Deri atëherë, kjo trevë jugore e Epirit antik, u thirr me emra ndryshëm. Ne njohim vetëm emra të përdorimit zyrtar, ndërkohë që emrat e përdorimit popullor nuk arrijnë të shfaqen në dokumentacionin e kohës.
Duke filluar nga shek. VIII e deri në shek. XII, Thesprotia antike (Çamëria moderne) ishte pjesë e provincës bizantine, të quajtur Thema Nikopolis. Pas shek. XII e deri në shek. XV ajo u përfshi në kufijtë e Despotatit të Artës… Emri Vageneti mbijetoi deri në shek. XV. Por qysh nga fundi shek. XIV, nga Venecianët, zotër të Korfuzit, territoret e Vagenetisë përballë quheshin shpesh me emrin e papërcaktuar terra ferma (kontinent). Në ndonjë rast të rrallë, autoritetet veneciane të Korfuzit e quajnë Vagenetinë me emrin që përdornin banorët grekë të Korfuzit, “stere” (tokë-FD) (viti 1414: super ipsam stariam per oppositum dicte nostre insule Corphoy). (latinisht:qytetet në drejtim të kundërt të ishullit tonë Korfuzit-FD).
Më 1395, udhëtari venecian Nicolao Martoni e përdor fjalën terra ferma për viset në fjalë, por duke sqaruar se ato përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë (terra firma, que est Albania). Edhe më vonë, më 1436, një dokument venecian e quan Vagenetinë “provincë e Shqipërisë përballë Korfuzit” (provinciam Albanie oppositam Corfoy)”.
Në informacionin që na jepet nga profesor Xhufi, besoj është përdorur metoda e sintezës, ku trajtohen disa të veçanta në përcaktimin e ndërrimit të emrave të rajonit të Thesprotisë gjatë mesjetës, sigurisht me qëllim përqëndrimi ndaj dukurive historike. Por personalisht, me qëllimin e mirë për pasurimin historik të rajonit në shqyrtim, krahas hulumtimeve të pavaruara, trashëgimisë familjare dhe njohjes së asaj treve, mendoj se duhen mbajtur parasysh në trajtim edhe emrat e përdorimit popullor, të cilat i sjell nga burimet gojore të asaj treve:
a)- Si çdo shtet, rajon apo zonë gjeografike, ka dhe disa nënndarje, të cilat emërtohen në përshtatje me ambjentin rrethues dhe shqiptimin e banorëve të saj. Ky rregull ka vepruar edhe në rajonin e Thesprotisë, ku e tëra e vendit të saj është ndarë në disa njësi, të cilat dallohen prej njëra-tjetrës nga disa veçori gjeografike, gjuhësore, ekonomike etj.
b)- Rajoni i Thesprotisë edhe në kohën e pushtimit romak, ndahej në njësi, ose krahina, siç e kam trajtuar edhe herë tjera njësitë ishin: Parakallamo (Përkundrejt lumit Thyamis-Kalama); Dagavi (Dag) (shtëpi në pyll); Phanari (Fanari); Çamohori (Thsamokhori); Lamari (Lumara dmth ara lumëla, që përshkohen nga uji i lumit)); Kampos. ndryshe Fusha e Lurit (Gliqit); Llaka; Kato Skala (Shkalla e poshtëme) dhe Suli. Duhet theksuar se emri i njësisë “Çamohori”, krahas vërtetësisë se është i njohur përpara ardhjes së perandorisë osmane, që nënkupton se toponimi “Çam”, “nuk është i shfaqur relativisht vonë (siç shkruhet), në periudhën e sundimit osman (shek. XVIII)”; por shërben edhe si një e vërtetë alternative për pagëzimin e gjithë atij rajoni me emrin “Çamëri”.
c)- Hapësira ilirike u rrudh më pas nga dyndjet sllave në shekujt VI-VII e.s. dhe popullsia veriore e këtyre trevave u përzie dhe u asimilua me ’ta prej nga u krijuan kombi kroat, boshnjak, slloven, maqedon e pjesërisht edhe ai serb.
Domenico Mustilli, argeolog italian (lindur në Napoli, më 03.12.1899), në veprën e tij: “Gli Illiri nell ’Epiro” (Ilirët në Epir), botuar nga Akademia e Italisë në përmbledhjen me titull “Le terre albanesi redente”, Romë 1941, nga raportimet dhe gjurmimet e bëra, ka mbrojur me fakte shkencore përkatësinë etnike të banorëve të Epirit. Mustilli shkruan: “Në krahinën që shtrihet nga kufiri verior epirot (është fjala për veriun e fisit të kaonëve-F.D.) deri te lugina e lumit Thyamis, ka prova me shumicë që vërtetojnë praninë e banorëve ilirë. Prania e ilirëve në Epir vërtetohet të paktën që nga shekullin IX p.e.s.”Në parantesë, sipas hulumtimve, trojet para se të emërtoheshin “Epir”, identifikoheshin me emërin Thesproti.
Si emërtim gjeografik, Epiri lindi gjatë shekullit V-IV para Krishtit. Epiri, që deri në Luftën e Trojes quhej Thesproti, pas kesaj lufte u nda në tre pjesë të fuqishme: Thesproti, Kaoni dhe Mollosi, ku gjetën vend midis fiseve epirote edhe luftëtarët e Trojës.
Nga sa deklarohet prej D. Mustillit dhe jo vetëm prej tij, kuptohet se populli ilir, në shekullin e V-të p.e.r. shtrihej nga degët e Danubit (lumenjtë Sava e Drava) në veri, e deri te Gjiri i Ambrakisë (Prevezë-Artë) në jug. Kufiri veri-jug i shtrirjes së ilirëve mbas shekullit të V, ka përfshirë edhe fisin e thesprotëve, të cilët deri në atë kohë vazhdonin të identifikoheshin “fis thesprot” pepellazg. Ky përcaktim në identitet, rezulton edhe në përshkrimin gjeografik të arkeologut D. Mustilli, i cili e shpreh shtrirjen e ilirëve në Epir, nga kufiri verior epirot deri te lugina e lumit Thyamis (Kalama-veriu i Çamërisë së sotme), ka prova me shumicë që vërtetojnë praninë e banorëve ilirë.
Si rrjedhojë, banorët e zonës gjeografike nga jugu i luginës së lumit Thyamis-Kalama deri në Ambraki, deri atëhere nuk quheshin ilirë, por vazhdonin të ishin pellazgë. Ky identitet i banorëve të rajonit të Thesprotisë (sot Çamërisë) përmendet edhe nga gjeografi Strabon. Ai kur kaloi në Thesproti tha se u takua me pellazgë. Kjo tregon se ai rajon, në fillimet e shek. I-rë pas Krishtit (megjithse para 250-300 viteve ishte përfshirë në identitetin “Ilir”), vazhdonte të dallohej si fis pellazg, atje ruhej gjuha, traditat, zakonet, e pellazgjisë. Në rajonin e Çamërisë, banorët edhe në vitet e fëmijërisë time, vazhdonin të bënin lutje pagane. Njëra prej tyre:
“Diell-o, diell-o;
Amë bukë e mielll-o;
Sa të hamë prëmë;
Bashkë me timë (nënën time);
Me llërë përveshurë;
Me berqe të gosurë….!”.
4)- Përgjegjshmëri në trajtimet kombëtare
Epoka e pranimit të “Lirisë së mendimit dhe shtypit”, krahas mundësive që përfitohen për të shprehur me vullnet të lirë e të plotë mendimet, në vetvete kushtëzohen me moralitetin dhe detyrimin për të shfaqur mendime të drejta, të sakta dhe të vërteta. Ndryshe kjo e “drejtë” mbetet pa vlerë dhe shuan të gjitha mundimet e shoqërisë njerëzore, e cila ka kaluar ndër faza kohore tepër të gjata dhe të vështira deri sa kemi arritur këtu.
E fillova kështu këtë trajtesë për tu ndalur në disa qendrime me shprehje jo të goditura nga autorë të ndryshëm, shprehje që nuk ndajnë fazat kohore në kapërcimin e ndryshimeve të mëdha, sidomos lidhur me toponimet, besimet fetare, ideologjitë, territoret etj.
Në respekt të qëllimit të idesë, ku synohet të sigurohet ndërgjegjësia dhe përgjegjshmëria ndaj pasqyrimit të të vërtetave qofshin historike, politike, ekonomike apo sociale, kam menduar për bashkëbisedim, jo duke u referuar individëve të caktuar, por debatim me mendimet e tyre që në rastin konkret janë të pasqyruara, në organet e shtypit. Sigurisht debati zhvillohet me disa prej të kundërtave, në pa mundësi për të debatuar me morinë e tyre, që për fat të keq janë jo vetëm numerikisht shumë, por dhe me ndikim në karakterin klasor e historik, në normat e sjelljes, si një nga format e ndërgjegjes shoqërore, në detyrat dhe të drejtat njerëzore kundrejt njëri-tjetrit, shoqërisë në tërësi, ndaj shtetit dhe atdheut.
Do të debatohet me sjelljen e atyre shprehjeve të cilat, në konceptin tim, nuk kanë saktësi, përkundrazi, në raste të veçanta shtrëmbërohen të vërtetat, duke parësuar në qënësi manipulimet e krijuara në periudhat gjatë dhe mbas perandorisë romake e deri në ditët tona.
●- Ndalemi tek interpretimi i një prej shprehjeve të manipuluara, të pasqyruara në mediet tona. Lexojmë: “Shqiptarët paraqesin një unitet kulturor e etnik të iliro-arbërve. Në mesjetë arbërit shfaqen si një popullsi e vjetër e krishterë me një kulturë më tepër qytetare, e cila qëndronte më afër grekëve dhe romanëve se sa sllavëve të ardhur rishtas. Për vjetërsinë e krishterimit te iliro-arbërve dëshmojnë burimet historike dhe arkeologjike”.
– Fjalia e mësipërme bie ndesh me disa toponime dhe mohon kulturën dhe civilizimin Ilir. Dihet se në periudhat e shkuara deri në fillim të shekullit XVIII-të (1703 pas Krishtit) nuk është shfaqur dhe as përmendur ndonjëherë toponimi “shqiptar”. Por janë të shumtë studiuesit, historianët, gjeografët etj, që gjatë shkrimeve të tyre nuk arrijnë të ndajnë ngjarjet historike me emërtimet e kohës për toponimet e vendeve, popujve apo dhe kulturave, gjë që lehtëson në manipulimet e qëllimshme, qofshin historike, gjeografike apo në identitetin e popujve. Me shprehjen e më sipërme krijohet një ide jo fort e qartë dhe me disa pasaktësi. Nisur nga shtrirja e fiseve ilire dhe vetë Iliria, nuk mund të pranohet shprehja: ”shqiptarët paraqesin një unitet kulturor e etnik të iliro-arbërve”.
Kjo, sepse popullsia ilire, përbëhej nga disa fise, midis të cilëve më kryesorë ishin: dardanët, arbërit, dhe rreth shekullit IV-të në hapësirën Ilire u përfshinë edhe fiset epirote. Dimë që senati i perandorisë romake në vitin 167 p. K., mbas pushtimit të Shkodrës, vendosi ndarjen e Ilirisë në disa njësi administrative.Tokat ilire nga veriu i lumit Mat deri në Danub, u përfshinë në Provincën e Ilirikut, kurse tokat në jug të Matit u përfshinë deri në Provincën e Maqedonisë. Kurse në shek. IV-të e.s. Iliria e Jugut u nda në 4 provinca: Prevali (me qendër Shkodrën), Dardania (me qendër Shkupin), Epiri i Ri (me qendër Durrësin) dhe Epiri i Vjetër (me qendër Nikopojën).
Në fillimet e shek.V-të pas krishtit, organizimi kishtar u vendos në bashkësi (lidhje shpirtërore) me Papën, sipas provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Prevalit, ndërsa provinca e Epirit të Ri qëndronte e pavendosur. Këtë ndarje e ndeshim edhe në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X). Ndërsa gjatë pushtimit nga perandoria osmane, deri para pavarësisë, trevat e ish ilirisë u ndanë në vilajete konkretisht: Vilajeti i Kosovës, vilajeti i Shkodrës, vilajeti i Janinës dhe vilajeti i Manastirit. Si rrjedhojë shqiptarët në tërësi janë pasardhës të ilirëve. Mbas periudhës së mos përmendjes së ilirëve, popullsia në Gadishullin Ilirik nuk njiheshin vetëm si arbëror, ajo identifikohej me fiset kryesore që cilësohen edhe sot: dardanë, arbërorë dhe epirotë. Nuk është për tu keqkuptuar kur arbëreshët dhe arvanitasit shprehen se janë arbërorë dhe jo shqiptarë. Ky dallim cilësimi vjen si rrjedhojë e ndërrimit të toponimeve nga Arbëri, në Shqipëri (viti 1703). Lidhur me këtë rast, më kujtohet një bisedë e bërë para 65 vitesh. Isha rreth 10 vjeç, kur e pyeta tim atë se si duhet të sillemi me stërgjyshërit tanë që para vitit 1610 ishin të një besimi tjetër dhe ne e kemi ndërruar atë besim. “Je i vogël, nuk arrin ta kuptosh përgjigjen”, mu përgjigj im atë me një buzëqeshje të lehtë nën mustaqe. Vërtet. Babai kishte të drejtë. Sot arrij të kuptoj se emrat dhe besimet e njerëzve si dhe toponimet e vendeve janë të ndërrueshëm, ata rrëmbehen nga erërat e kohëve; ndërsa fara-fisi, territori, gjuha, zakonet janë të pa ndërrueshme dhe se ato, pavarësisht kohërave, mbeten të të njëjtit fis dhe farë, janë bazike. Si stërgjyshërit para 400 vjeçarë, arbëreshët, arvanitasit dhe shqiptarët, janë vijimësisht të së njëjtës farë e fis.
Megjithatë këto ndërrime, pavarësisht se duken “lojra fjalësh”, janë përdorur dhe përdoren me sukses në krijimin e ndasive si brenda farë e fiseve dhe jashtë tyre, me pasoja të rënda, me agresivitet armiqësor antagonist.
• Edhe në fjalinë: “Në mesjetë arbërit shfaqen si një popullsi e vjetër e krishterë me një kulturë më tepër qytetare, e cila qëndronte më afër grekëve dhe romanëve se sa sllavëve të ardhur rishtas. Për vjetërsinë e krishterimit te iliro-arbërve dëshmojnë burimet historike dhe arkeologjike”.
Autori, mesa duket vazhdon të na bindë dhe të na tregojë se mesjeta në trojet Ilire, përfaqësohej vetëm nga fisi “arbëror”, kur dihet se Iliria, si toponim është përmendur deri në shek. e V-të (v.584) pas Krishtit. Specifikimi i ngushtuar i pasardhësve të Ilirisë, ose lënia jashtë e fiseve dardane dhe epirote, në kuptimin etnik, historik, demografik dhe gjeografik nuk mund të mos trajtohet si manipulim, pavarësisht është ose jo i qëllimshëm.
• Ilirët ishin pasardhës të pellazgëve, ishin një nga popujt që trashëguan drejtprdrejt pellazgjinë, dhe si të tillë historikisht vërtetohen si popull para grekëve dhe romakëve. Nga ky realitet historik dhe gjenetik nuk justifikohet shprehja: “Në mesjetë arbërit shfaqen si një popullsi e vjetër e krishterë me një kulturë më tepër qytetare, e cila qëndronte më afër grekëve dhe romanëve se sa sllavëve të ardhur rishtas”.
Kur arbërit, dardanët dhe epirotët në mesjetë shfaqen si një popullsi e vjetër…., pa mëdyshje ata kanë dhe kulturën e tyre, dhe një fakt i tillë nuk mund të ligjërojë afërsi me kulturën greke dhe romake, të shfaqur më vonë. Do ishte e saktë të thuhet se: kultura greke dhe romake qendronin më afër kulturës dardano-arbëroro-epirote. Kultura e pasardhësve të ilirëve është kultura e pellazgo-ilirëve.
Epiri dhe banorët e tij nuk kanë qenë grekë, si rrjedhojë territori nuk mund të jetë i tjetër kujt veç i atyre banorëve që banojnë në ‘të ndër shekuj. Në të gjitha shkrimet e autorëve të lashtësisë si dhe ata gjatë këtyre dymijëvjeçarëve të erës sonë, kanë pohuar dhe pohohet se banorët e Epirit të lashtë, asnjëherë nuk kanë qenë grekë; gjithashtu është deklaruar prej të gjithëve se epirotët ishin pellazgë dhe faltorja, ose qendra shpirtërore e tyre ishte Dodona. Emrat e perëndive janë pagëzuar prej pellazgëve dhe kuptohen me gjuhën e tyre, që sot e trashëgon e folura shqipe.
Së fundi, shkrimet e lidhura me ketë temë, njoftojnë se pellazgët banonin në Epir para se të shfaqeshin në Ballkan helenët. Duhet thekuar se nga popujt pellazgikë lindën edhe ilirët, të cilët ndërkohëra kanë shtrinë edhe territoret e banimit të tyre (u trajtua më sipër).
Në disa shkrime të autorëve të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, gjënden rrjeshta të mbushur me Lëndë Helmuese Luftarake (LHL), të cilat ndikojnë në helmimin e ideologjisë kundër etnitetit shqiptar
Në një postim në mediat tona të datës 16/08/2013, një autor, pasi flet për pushtimin e Shqipërisë nga perandoria turke më 1478 dhe deri rreth viteve 1660-1703, shpjegon se krahas pushtimit ushtarak dhe politik, u fillua ravijëzimi në “disa shtresa të reja në popullatës së atëhershme, shtresa popullate që flisnin shqip ose shqipfolës, sepse ishin kolonë të ardhur nga viset e perandorisë turke, por myslimanë, vendas të konvertuar në islamë me pozita ushtarako-politike dhe pas tyre u konvertuan në masë dhe bujkrobërit, por mbetën dhe vendas shumica me fe ortodokse, qoftë në veri të trojeve shqiptare qoftë në trojet e mesme, e qoftë në jug”.
Një konstatim i tillë, duke u përgjithësuar për të gjitha trojet e dardano-arbëroro-epirotëve, tregon se autori nuk është plotësisht i informuar, ose hedh në histori të pavërteta, kjo mbasi në trojet e rajonit të Thesproti/Çamërisë dhe më pas të Vagenetisë, të Dagavit, të Themës së Nikopolit, apo të kaonisë (zona gjeografike e Labërisë), nuk ka patur raste të kolonëve të ardhur nga Turqia; ndryshe nga trojet etnike verilindore shqiptare.
Më poshtë autori flet për strategjitë anti dardano-arbëroro- epirote që zbatoi Perandoria Osmane nga fundi i shek XVII dhe fillimi i shek të XVIII, ku u bë konvertimi i besimit nga katolik dhe ortodoks në fenë islame. Këtë ndërrim besimi na e paraqet si një ngjarje tragjike shpirtërore e fetare të popullsisë, shkak nga ku paskan buruar të gjitha pasojat që ndihen edhe sot. Një konkluzion ky aspak i drejtë dhe i saktë.
5) Dyzimet fetare nuk ndikojnë tek identiteti etnik shqiptar
Nisur nga fakti i dyzimit fetar dhe tradicional, artikullshkruesi kalon në pesimizëm, duke e paraqitur problemin e bashkimit të trojeve shqiptare dhe në përgjithësi bashkimin e shqiptarëve si një mundësi të vështirë dhe aspak të lehtë. Prandaj, mendon autori, “duhen vendosur disa parakushte dhe zbardhje e së vërtetës sado e rëndë apo e lehtë të duket”.
Realiteti i qendrimit të shqiptarëve, sidomos i banorëve të R.SH, ndaj besimeve fetare dhe bashkësisë etnike, është i qartë dhe tepër i mirëcaktuar në favor të së dytës. Shqiptarët janë plotësisht të vetëdijshëm se besimet fetare mes tyre nuk kanë ndikim në qënësinë tërësore etnike të tyre.
Bashkimi etnik për shqiptarët në tërësinë e trojeve të tij, është primar dhe nuk ndikohet aspak nga besimet fetare, pavarësisht nga një, dy apo më shumë besime. Është pikërisht vetëdija e shqiptarëve se etnia, kombi, përcaktohen nga gjuha, traditat, zakonet, veshjet, territori dhe jo nga besimi fetar. Dihet thënia që të jesh shqiptar, duhet të kesh lindur i tillë, ndërsa për të qënë, fjala vjen, grek duhet patjetër të jesh i besimit ortodoks dhe të flasësh pak gjuhën greke. Këtu qendron “magjia” apo sekreti i mbijetesës së popullit shqiptar; ky qendrim ndaj dy përcaktimeve është element tepër lehtësues që e bën të thjeshtë, plotësisht të mundshëm dhe aspak të dyshimtë bashkimin e shqiotarëve.
Ndarja dhe vonesa e Bashkimit të kombit shqiptar, nuk duhen kërkuar tek dyzimet fetare, por tek pengesat, veprimet tepër agresive dhe armiqësore të shteteve fqinje, të cilët me parësimin e besimit të tyre ortodoks, kanë ushtruar pa pushim forcë fizike, morale dhe fetare ndaj nesh për konvertim, duke përfituar edhe nga mbështetja e plotfuqishme e disa prej shteteve europiane, pa harruar edhe shkruesit tanë, siç u lexua më sipër.
Nuk janë dyzimet fetare të shqiptarëve që pengojnë zhvillimin dhe prosperitetin e kombit tonë, por ekspansionet, ndërhyrjet agresive që parreshtur diktojnë me mënyra dhe forma nga më të ndryshmet, homogjenizmin greko-sllav.
Një mënyrat tjetër ndjellëse ndasie është edhe shkrimi i postuar në mediat tona të datës 16/08/2013, ku shprehet: ”Shumëkush, radikalistë që kërkojnë me pathos e mllef kthimin e të kaluarës të “Jasha Padishah”, e kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare sikur ajo të ishte thjesht një copë kristali e thyer që mund të ngjitet lehtësisht”. Më tej autorit vazhdon: “Nuk duhet harruar që në këtë ndarje të trojeve, pas 1878 morën pjesë dhe shqiptarët jo-myslimanë pra të krishterët që kishin gjetur strehë dhe mbështetje tek kishat përkatëse sllave, siç ishin shqiptarët ortodoksë të trojeve shqiptare të veriut ose shkiet, dhe shqiptarët ortodoksë të trojeve të jugut ose arvanitasit”.
Një konkluzion i tillë, lidhur me ndarjen e trojeve etnike shqiptare, megjithëse dyshoj në vërtetësinë e thënieve të autorit, është i pakonceptueshëm, sidomos në qendrimet e shqiptarëve të R.SH, ku intelektualët e të tre besimeve fetare kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes kombëtare, në devotshmërinë e padiskutuar për pavarësinë dhe krijimin e shtetit Shqiptar. Sikundër kanë kontribuar dhe kontribuojnë për zhvillimet politike, diplomatike, ekonomike, sociale dhe ajo që është edhe më e theksuar, ata sëbashku kanë ndihmuar, kontribuar edhe për zhvillimin e ndërsjellë të besimeve përkatëse.
Autori bën përpjekje për të argumentuar dy qendrimet e shqiptarëve të dy feve dhe konkludon në arsyetimin se “Arbëria dhe Epiri tashmë nuk mund të bëhen shtet më vehte, sepse janë të pushtuar nga turqit dhe se shqiptarët e fesë islame nuk janë shqiptarë! Këtu kanë ndikuar dhe kishat përkatëse, koha e gjatë nën pushtim, mundësia e artë e fituar pas humbjes së Turqisë më 1878 nga rusët. Po përse ndodhi kjo ndarje kaq e fortë ndërmjet shqiptarëve të dy feve kryesore, sepse të dy komunitetet ishin të sunduara nga turqit osmanllinj”.
Në kendvështrimin tim, në njohuritë historike dhe përvoja personale 80 vjeçare, këto konkluzione të kujtdo qofshin nuk kanë asgjë të vërtetë. Në Lidhjen e Prizrenit, të cilën autori e përdor si argument dhe apelon duke u shprehur: “Historia është e dhimbshme dhe nëse duhet zbuluar e vërteta ajo nuk duhet të na kushtëzojë për të ardhmen e popullatës shqiptare dhe të trojeve shqiptare, por thjesht për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme në këtë realitet të ri ballkanik dhe Europian, sigurisht nëpërmjet integrimit”; nuk ëdhtë shprehur kundër unitetit shqiptar, përkundrazi atje u çimentua ndërgjegja kombëtare e etnisë shqiptare dhe me pjesmarrjen e intelektualëve shqiptarë të të gjithë besimeve fetare, anagjore (e njëjtë) ndodhi në Kongresin e Manastirit, me shpalljen e pavarësisë dhe në vazhdimësi shqiptarët pa dallime fetare vazhdojnë në unitet të ruajnë, mbrojnë dhe zhvillojn shtetin Shqiptar, pa harruar nderimin dhe respektimin e vëllezërve të farë e fisit tonë, arbëreshët dhe arvanitasit.
Nuk ka patur, as ka dyshime dhe është pranuar e vërteta se pushtimi nga perandoria osmane, si dhe perandoritë e tjera para saj, kanë dëmtuar në formimin e një shteti shqiptar të mirëfilltë, por nuk arritën asnjëherë çrrënjosjen nga vetëdija e këtij populli, etnitetin e tij. Duke mbajtur parasysh këto bindje, nuk gjej ndonjë element të fortë që të ketë ndikuar, siç thotë autori: “në radhë të parë dëmtoi binomin Fe + Atdhe= Shtet, duke dëmtuar fenë”. Gjykimet dhe mendimet e autorit, dëshiroj të jetë rrjedhojë e mos njohjes prej tij të konceptimit shqiptar të kombit, e shpien në përfundime të gabuara.
Koncepti shqiptar në përcaktimin e kombit, nuk përkufizohet me binomin që parashtron autori, por mbështet binomin: “Atdhe+gjuhë+zakone+ tradita=Etni-Komb”. Atdheu dhe populli që banon në ‘të, për shqiptarët është primar, i pa diskutuar: “Atdheu mbrohet, nuk diskutohet”; ndërsa besimet fetare janë subjektive, ato janë zgjedhje individuale, nuk diktohen, por pëlqehen sipas bindjeve të seicilit individ. Kjo është ndarja mes kombit shqiptar dhe kombeve që krijohen vetëm mbi bazën e bindjeve fetare. Ky qendrim është sanknsionuar edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit: “Atdheu është atdhé; feja fé; punét e ndame”.
Në këtë trajtesë nuk synoj kundërvënie ndaj askujt, sepse gjithkush ka mendimet e veta, por apeloj që çdo ngjarje, ndodhi të gjej pasqyrim të saktë, të drejtë dhe nëse nuk arrihet, në mendimit tim, mirë është të mos paramendohet apo paragjykohet. Është kjo arsyeja që detyrohem të ndalem në disa pjesë nga shkrimet e ndryshme që mendoj se nuk janë të bazuara.
Nuk mendoj të ndalem në shumë pjesë të tjera të shkruara, prandaj citoj disa nga ato që nuk sigurojnë informim të saktë, kështu: “Popullata e krishterë në veri të vendit ashtu në jug e ndikuar, e nënshtruar, e keqtrajtuar nga pushtuesi, u armiqësua edhe me popullatën e islamizuar aq sa duke e ndjerë veten e pambrojtur, ose u largua fare në Itali të veriut, Venedik ose në Jug në Kalabri. Tjetra kërkoi strehim dhe ngushëllim tek Kisha Sllave dhe Greke për shkak të reprezaljeve, duke mbijetuar, por duke sakrifikuar gjuhën me kalimin e kohës për shkak gjithashtu të presionit edhe të strehuesve (pas 1878)”.
Me një lexim të shpejt, pa e përtypur, qendrimet e autorit duken të pranuara. Nëse leximi bëhet i kujdeshëm dhe vendoset përballë realiteteve, asgjë që është shkruar nuk është e saktë, as e vërtetë. E vërteta në shkrim gjendet tek emigrimet, si rrjedhojë e keqtrajtimieve nga pushtuesit.Në kohën e atyre emigrimeve, popullsia e trojeve shqiptare ishte e krishterë, kjo e rrëzon tezën e armiqësimit mes tyre për shkak të besimieve; ndërsa e pavërteta qendron tek shprehja se emigracioni pas 1878 paska ndodhur edhe si efekt i armiqësisë brenda popullatës shqiptare mes tyre, si rrjedhojë e armiqësisë së shqiptarëve të krishterë, me pjesën tjetër të shqiptarëve të islamizuar. Tek ne, historikisht nuk është vërtetuar fenomeni i armiqësisë fetare, përkundrazi nderohemi dhe respektohemi për tolerancat fetare!. Prandaj ky përfundim, nuk është as i vërtetë dhe as i pranuar.
Nuk gjykoj aspak synimin e qëllimit të autorëve, por nuk kuptoj këmbënguljen e tyre, që gjithshka jo të mirë që ka ndodhur dhe ndodh në vendin tonë, ja ngarkojnë dyzimit fetar. “Sot, ndarja e heshtur shpirtërore, luftërat politike, strategjitë e ndryshme për të përparuar, mendoj se vijnë nga dyzimi dhe preferencat tradicionale fetare. Mendoj se është problem feja, që pengon në bashkimin spiritual dhe real të shqiptarëve: Secili komunitet kërkon historinë e vet, heronjtë e vet”.
Nuk mendoj se ka vend për tu komentuar, sepse është e kuptueshme, por kushdo që jeton në vendin tonë dhe e njeh historinë e popullit, përfshirë në ‘të edhe bashkëjetesën fetare, nuk do ta kishte guximin të nëpërkëmbte tolerancat fetare që mbretërojnë në zemrat e populit etnik shqiptar. E keqja, apo pengesat që kanë dëmtuar dhe dëmtojnë ecurinë, që kane ndarë trojet etnike dhe kanë shkaktuar emigrime, nuk janë dhe as nuk duhen kërkuar tek “dyzimet fetare” brenda nesh. Ato janë pjesë e strategjive tepër agresive, armiqësore dhe gllabëruese, të të huajve, duke filluar me romakët që coptuan Ilirinë, bizantinët që i ndërruan toponimet dhe skllavëruan dardanët, arbërorët dhe epirotët, osmanët që shkatërruan dhe përvehtësuan gjithshka. Po ashtu dhe të Fuqive të Mëdha që për interesa ekuilibrash, vendosën privilegje për shtetet e krishtera fqinje, duke shkaktuar drama dhe tragjedi ndaj ish Ilirisë, Arbërisë mejetare dhe Shqipërisë së sotme, përfshirë dhe bashkëkombasit tanë në trojet e tyre etnike, por në vartësi të shteteve të tjera.
Përfundimisht qendrimet armiqësore ndaj vendit dhe popullit shqiptar, duke u nisur nga L1B, nuk duhen kërkuar dhe gjetur tek “dyzimet fetare” brenda këtij populli, por “dyzimet fetare” i duhen kërkuar ish Fuqive të Mëdha dhe sot Bashkimit Europian.
Banorët e rajonit të Thesproti/ Çamërisë, të krishterë dhe myslimanë, të gjithë janë të etnisë shqiptare, ashtu si dhe shumica e banorëve të Labërisë, por për ortodoksinë grekë, vetëm banorët myslimanë të Çamërisë janë etiketuar me djallëzi “turq”. Edhe kjo shpifje është një argument tjetër për të vërtetuar dhunimin e banorëve për hir të besimit fetar dhe ekspansion territori-demografik në favor të shtetit të Greqisë.
Seleksionimi i banorëve të Çamërisë, me veçimin e “nofkën” turq, fjala vjen nga banorët e Labërisë, shfaq hapur qëllimin ekspansinist të rajonit etnik shqiptar të Çamërisë duke shfrytëzuar mundësinë që ju dha Greqisë me shkëputjen e padrejtë të rajonit nga Fuqitë e Mëdha në vitin fatkeq të 1913.
(Pjesë nga libri: “ENIGMA E ÇAMËRISË”.
Shënim (¹): Paionët-ose Peonët ishin fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit dhe në kufi me Dardanët. Julius Pokorny, konsideron se emri Panoni është në gjuhën ilire, nga “Pen” e cila shqiptohet me fjalët , “këneta”, “lagështi”. Banorët e parë të zonës, ishin Panonet, një grup i fiseve të afërt me ilirët.
Itali, më 20 mars 2019 studiuesi Fahri Dahri

Total
0
Shares
1 comment
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura