ARB, ALB, ALP, ARBI, ALBI, ALPI, ARBA, ALBA, ALBAN, ALBANIA ( III )

ARB, ALB, ALP, ARBI, ALBI, ALPI, ARBA, ALBA, ALBAN, ALBANIA ( III )

Nga Saimir Lolja, Toronto 06. 07. 2021

UJDHESAT BRITANIKE

ALBA, emri në gjuhën skoceze gaelic për Skocinë ose tërë Britaninë e Madhe, i ndeshur edhe si ALBANY (ang.), ALBANIA (lat.), ALBA ose ALBAN ose ALBAIN (irish), NALBIN (manx celtic), ALBAN (cornish celtic), YR ALBAN (welsh), ALBION (brythonic celtic). 

Mbretëria Alba mbuloi vitet 900 – 1286. Mbreti i parë i saj Donald II thirrej në gaelic “ri Alban” (mbret i Albës). Kur po kurorëzohej mbreti skocez Aleksandër III më 13 Korrik 1249, vjershëtari mbretëror thirri me të madhe: Benach De Re Albanne – Bekimet për Mbretin Alban! Në periudhën e viteve 1000-1250, mbretëria skoceze u zmadhua dhe emri kaloi në ALBANIA. Këtë emër e përdorën më pastaj shkruesit e ndryshëm dhe në anglishten e shekujve IX – XV fjala Albania kaloi në ALBANY. Kjo fjalë qe origjina e emërtimeve Albany në ShBA, etj. Lista për breznitë e mbretërve skotë/shotë gjendet tek teksti “Míniugud Senchasa Fher nAlba” i shekullit VII, i shtuar në shekullin XI me dokumentin Genelaig Albanensium. Një tjetër tekst i ngjashëm u shkrojt në shekullin X në gjuhën ire të vjetër për breznitë e mbretërve në hapësirën që mbulonte Skocinë perëndimore dhe Irlandën veriore të sotme.

DUAN ALBANACH ose Kënga e Skotëve/Shotëve është një vjershë e shkrojtur në gjuhën gaelic të shekullit XI. Ajo përmban 27 strofa dhe këndohej në oborret mbretërore duke rrëfyer sesi Albanus i dha emrin  Alba asaj toke. Ndërsa shkruesi Geoffrey of Monmouth (1095-1155) ka rrëfyer për legjendën e Brutit, pasardhësit të Eneas të Trojës, i cili pati tre djem të quajtur Albanactus (Albannach, gae.) i cili sundonte në ALBANIA (Skocia e sotme), Camber që sundonte në Cymru (Uelsi i sotëm) dhe Locrinus që sundonte në Loegria (Anglia e sotme)..

DUKE OF ALBANY (Dukë Albanie) ishte një titull i vënë djemve trashëgimtarë në familjet mbretërore skoceze dhe britanike, veçanërisht në dinastitë Stuart/Stewart dhe Hanover, në vitet 1389 – 1919. Lordi George G. Byron në vjershën e tij “Shtegtimi i Çajd Harolldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812) ka përdorur emërtimin ALBYN (….The war-note of Lochiel, which Albyn’s hills….).

Lumi që kalon në Glasgou të Skocisë quhet CLYDE (Klajdi), emër ilir që është në përdorim edhe në ditët e sotme. BBC Alba Tv është një dritare e dyanshme që përdor gjuhën skoceze Gaelic. Kuvendi skocez quhet “Pàrlamaid na h-Alba”. Tabela e mirëseardhjes në rrugën e madhe A7 para hyrjes në Skoci shkruan: Welcome to Scotland (ang.) – Fàilte gu Alba (gaelic). Që nga Marsi 2021, një lëvizje e re hyri në skenën politike skoceze me emrin Alba Party (ang.).

ALBION, emri për tan Britaninë e Madhe i ndeshur që në shkrimet për periudhën para erës sonë. Sot përdoret pak dhe ndeshet më shumë në vjersha. New Albion (Albioni i Ri) ose Albionoria (Albioni i Veriut) u parashtrua si emër për Konfederatën Kanadeze që po themelohej nga bashkimi i kolonive Canada, Nova Scotia dhe New Brunswick në vitin 1867. Admirali britanik Arthur Phillip, i cili qe edhe qeveritari i parë i tokëzënies në Australi, fillimisht i vuri emrin New Albion (Albioni i Ri) Gjirit Sidney atje. Pirati i punësuar Sir Francis Drake e quajti New Albion tokën e Kalifornisë së sotme kur zbarkoi atje në vitin 1579.

Studiuesit jo-shqiptarë e kanë ndeshur këtë fjalë Albion ose në rasën dhanore Albionis (lat.), Albiyon (pre-celtic), Albu ose në rasën dhanore Albann (old irish), Albio (gaulish, galatian) dhe kanë dalluar se ajo lidhet me fjalën “i bardhë” por nuk arrijnë të shpjegojnë më tej. Dokumenti Massaliote Periplus i shekullit VI p.e.s., disa të tjerë të shekullit III p.e.s. dhe libri Geographia e Ptolemeut në shekullin II e.s. përmbajnë fjalët Albionon ose Albion (Britania e sotme) dhe Lerne (Irlanda e sotme). Në vitin 930, mbreti anglez Ethelstan përdorte titullin “Rex et primicerius totius Albionis regni” (Mbret dhe Kryetar për tan Mbretërinë Albion). Në vitin 970, nipi i tij mbret Edgar Paqësori përdorte titullin “Totius Albionis imperator augustus” (Perandori i Parë i gjithë Albionit).

Një legjendë (përrallë e ndërtuar me ca nga tullat të vërteta) e botuar në shekullin XII në rrëfenjën “Historia Regum Britanniae” (Historia e Mbretërve të Britanisë) nga Geoffrey of Monmouth tregon se luftëtari Brutus bashkë me trojanët e tij arriti në Albion, ku jetonin gjigandë. Pasi Bruti e mundi gjigandin Goëmagot/Gogmagot (Gjëmadhin/Gegmadhin), dhe nisur nga emri i vetes ai e quajti atë vend Britani dhe ardhacakët e tij Britonë. Në një rrëfenjë tjetër, Geoffrey of Monmouth tregon për udhëheqësin nga Uellsi Conan Meriadoc, Prince d’Albanie, i cili themeloi në shekullin IV mbretërinë Bretagne/Britanny, që sot është gadishull në Francën perëndimore.

Edhe një legjendë tjetër e ëndërruar dhe përcjellur në formë vjershe (që të pëlqehet kur recitohet) u shkruajt në shekullin XIV nën emrin Rrëfenja e Albinës. Sipas saj, në vitin 3970 të krijimit të botës, një mbret i Greqisë (për të qeshur, sepse Greqia u formua vetëm në vitin 1830) u martua me 30 vajzat e tij. Përralla e neveritshme vazhdon me vajzat më të reja që zbuluan se vajzat më të vjetra donin të vrisnin babain-burrë të tyre që të mbretëronin vetëm ato. Pastaj vajzat më të vjetra u larguan me nxitim me anije dhe arritën në Britaninë e sotme dhe më moshatarja e quajtur Albina/Albine/Albyne i vuri emrin e saj tokës ku zbritën. Aty ato u martuan me djajtë dhe lindën gjigandë kurse  Bruti arriti aty 260 vjet pas Albinës.

ST. ALBANS, qytet i madh 32 km në veriperëndim larg Londrës, Angli. Qyteti ka emrin në kujtim të dëshmorit të krishterë të parë me emrin Alban (Albanus, lat.) pikërisht në të njëjtin vend; ngjarje e ndodhur në fillim të shekulli IV e.s. Shenjtërimi i tij bë në mesin e shekullit V. Kisha, festivale dhe vende të ndryshme i përkushtohen kultit të tij në shumë vende të botës. Në lidhje me këtë, ALBION & ALBANIUS ishte një opera e hartuar nga muzikanti Louis Grabu dhe libruesi John Dryden në vitin 1680, e cila vazhdon e luhet që atëherë. 

AMERIKA E VERIUT

ALBAN, një qytet i vogël në Qarkun Portage, Wisconsin, ShBA.

ALBAN VINEYARDS, vreshtat Alban në Qarkun San Luis Obispo, Kaliforni, ShBA.

ALBANIA, vendbanim pranë qytetit Jeanerette, në jug të shtetit Louisiana, ShBA. Shtëpia e madhe aty u ndërtua në vitet 1837-1842 nga Charles Francois Grevemberg, i cili zotëronte përreth 2600 ha me kallam-sheqeri. Tokat vazhdojnë edhe sot të prodhojnë sheqer nga kallami kurse shtëpia u ble në vitin 2005 nga artisti Hunt Slonem.

ALBANO, fshat në Qarkun Orange, shteti Virginia, lindje e ShBA.

ALBANY, një vend pushimi në ishullin New Providence, Bahamas.

ALBANY ose ALBANIA NOVA, kryeqyteti i shtetit Nju Jork në ShBA. Edhe Qarku i tij mban këtë emër. Të lidhur me këtë emër janë, p.sh., University at Albany, Albany Symphony Orchestra, ships USS Albany, Albany Lake, etj.

ALBANY, qytet, qytezë apo fshat edhe në shtetet California, Georgia, Illinois, Indiana, Iowa, Kentucky, Louisiana, Minnesota, Missouri, Nebraska, New Hampshire, Ohio, Oklahoma, Oregon, Pennsylvania, Texas, Vermont, Wisconsin, Wyoming.

ALBEE, fshatra në shtetet California, South Dakota, Michigan, ShBA.

NEW ALBANY, qytet apo qytezë në shtetet Indiana, Kansas, Mississipi, New Jersey, Ohio, Pennsylvania, Wisconsin të ShBA.

ST. ALBANS, qytete në shtetet Maine, Missouri, Vermont dhe West Virginia të ShBA.

ALBANY, rrethinë në veri-perëndim të qytetit Edmonton, Alberta, Kanada.

ALBANY, fshat të provincat Nova Scotia dhe Prince Edward Island, Kanada.

ALBANY RIVER, lum në veriun e lartëm të provincës Ontario, Kanada.

ST. ALBAN’S, qytezë në bregun jugor të ishullit Newfoundland, Kanadaja lindore.

SAINT-ALBAN, qytezë që nga viti 1830 në Province de Québec, lindje e Kanadasë. Emri i plote fillestar ishte Saint-Alban-d’Alton sipas dëshmorit të parë të krishterimit të quajtur Alban në Alton të Anglisë dhe shenjtëruar më vonë në Saint Alban.

AMERIKA QENDRORE DHE JUGORE

MONTE ALBÁN, një vendbanim i lashtë me piramida në Qarkun Santa Cruz Xoxocotlán, shteti Oaxaca, në Meksikën jugore. Qyteti u themelua në vitin 500 p.e.s e vazhdoi deri në vitin 750 e.s. Origjina e emrit nuk dihet dhe nuk shpjegohet atje.

ALBANIA, fshat në Qarkun Choluteca, jugu i Hondurasit.

ALBÁN, fshat në Qarkun Valle del Cauca, jugperëndimi i Kolumbisë.

ALBÁN, qytezë në Qarkun  Cundinamarca në Kolumbinë qendrore.

ALBANIA, emri i ri që nga viti 2000 për qytezën Calabacito në Qarkun La Guajira, verilindje e Kolumbisë.

ALBANIA, fshat në Qarkun Magdalena, në veri të Kolumbisë.

ALBANIA, fshat i vogël në Qarkun Boyacá, Kolumbia qendrore.

ALBANIA, qyteza në qarqet Santander dhe Tolima në Kolumbinë qendrore.

ALBANIA, një qytezë në Qarkun Caquetá në perëndim të Kolumbisë.

ALBANIA, një qytezë në Qarkun Sucre në veri të Kolumbisë.

CORREGIMIENTO DE ALBANIA, një fshat në Qarkun La Vega Cauca në perëndim të Kolumbisë.

LA ALBANIA, fshat në Qarkun Quindio, në perëndim të Kolumbisë.

SAN JOSÉ DE ALBÁN, qytezë në Qarkun Nariño në perëndim të Kolumbisë.

ALBANA, fshat i vogël në Provincën Santiago, Republika Dominikane qendrore.

ALBANO, fshat në bashkinë Santo Antônio do Leverger në shtetin Mato Grosso, Brazili perëndimor.

AZI + AFRIKË + OQEANIA E JUGUT

ALBAN, një fis në jugun e Kazakistanit.

ALBANA, emri i tanishëm Derbent, qytet në bregun e Detit Kaspik në jug të Republikës së Dagestanit pjesë e Federatës Ruse. Afër, në jug të tij, rridhte lumi ALBANUS i cili tani ka emrin Samur. Deri në shekullin IV e.s. Albana qe kryeqyteti i Albanias Kaukaziane e cila ishte pjesë e Perandorisë I Perse. Dokumentet historike e përmendin që në shekullin VIII p.e.s. Emri persisht Darband hyri në përdorim në fund të shekullit V e.s. Qyteti ndodhet në një rryp toke tre kilometra të gjerë ndërmjet Detit Kaspik dhe Vargmaleve të Kaukazit. Shkruesit romakë e shënonin Albaniae Pylae (Portat Albaniane). Si i tillë ajo ngushticë toke është porta e kalimit veri-jug dhe prandaj ka qenë historikisht nën pushtim nga perandori apo hordhi të ndryshme.

ALBANIA E KAUKAZIT, një mbretëri që nga fund-shekulli II p.e.s. deri në fund-shekullin IV e.s. e cila mbulonte gjysmën lindore të vargmaleve të Kaukazit. Në dokumente Albanët e Kaukazit përmenden së pari në shkrimet për betejën në Arbela (veriu i Irakut të sotëm) në vitin 331 p.e.s. ku u rreshtuan bashkë me persët përballë ushtrisë së Lekës të Madh. Në anën perëndimore kufizohej nga Iberia dhe më tej qe Kolçisi, në jugperëndim nga Armenia dhe në juglindje nga mbretëria Atropatene. Pasqyrimi i sotëm i saj është më së shumti në Azerbajxhan dhe jugu i Dagestanit.

Në vitin 65 p.e.s. Albania dhe tërë rajoni i Kaukazit u pushtua nga ushtria romake e drejtuar nga gjenerali Gnaeus Pompeius Magnus. Mbas dhjetë vitesh, një legjion tjetër romak Legio XII Fulminata vërshoi në ato anë. Veç disa valëve kalimtare të tjera pushtuese, Albania e Kaukazit mbeti nën perandorinë romake deri në mesin e shekullit IV kur u bë pjesë e Perandorisë Sasanide Perse dhe filloi të tretet.

Emërtimet e tjera për këtë rajon janë Aghuankose Aluank (arm), Arran (pers.), Rani (gjeorgj.) Sipas dokumenteve armene, murgu armen Mesrop Mashtots hartoi Abecenë për armenët dhe 52 shkronjat për gjuhën Udi të albanëve të Kaukazit. Gjuha e tyre nuk ka lidhje me Shqipen. Shkruesit e lashtë, që e vunë atë emër, pohonin se Albania e Kaukazit përmblidhte 26 fise dhe secili kishte të folurën e tij. Në fillim të shekullit IV, kisha armene u shtri përfundimisht në Albanian kaukaziane. Perdja islamike e mbuloi atë në mesin e shekullit VII kur Kalifati Rashidun (Arabia Saudite e stome) pushtoi Perandorinë Sasanide Perse në vitet 633 – 654; dhe Albania e Kaukazit u tret plotësisht.

ALBI ose Aëli, Āblī, Ālbī, Avli, fshat i vogël në Provincën e Azerbaixhanit Lindor, veriperëndimi i Iranit.

MONTALBAN ishte emri në vitet 1871-1982 për Bashkinë e tanishme Rodriguez në Provincën Rizal të Filipineve.

ALBANY, ose Cape Broders, që nga viti 1820 ishte një Qark në lindje të Afrikës së Jugut deri në vitin 1994 kur u riorganizua në Qarkun Cacadu.

ARBANÉ, fshat në lindje të Çadit, Afrikë.

ALBANY, qytet bregdetar në Australinë Perëndimore.

ALBANY CREEK, një rajon në veri-perëndim të qyteti Brisbane të shtetit Queensland, Australi.

ALBANY ISLAND, një ishull në shtetin Queensland, Australi.

ALBANY, një rrethinë veriore e kryeqytetit Auckland në Zelandën e Re.

ST. ALBANS, qytet në veriperëndim të Melburnit, shteti Victoria, dhe fshat në shtetin New South Wales në Australi.

ALBANUS GLACIER, një akullnajë 46 km e gjatë në vargmalet Queen Maud që rrëshqet në drejtim të perëndimit në Antarktikë. Nën-Admirali i famshëm amerikan Richard Evelyn Byrd Jr. e zbuloi atë në vitin 1934 dhe e quajti ashtu për nder të ndihmës që Albanus Phillips, Jr. i dha duke ia plotësuar nevojat e ekspeditave të tij të viteve 1928-1930 dhe 1933-1935 në Antarktidë.

  • FUND –  
    _____________________

ARB, ALB, ALP, ARBI, ALBI, ALPI, ARBA, ALBA, ALBAN, ALBANIA ( II )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura