FAHRI DAHRI: SHQIPËRIA REPUBLIKË E VJETËR APO REPUBLIKË E RE?!

Itali, 5 maj 2017: Republika e Shqipërisë, po mbyll 26 vitet në kërkim të përmbysje së “Republikës së vjetër” dhe krijimit të “Republikës së Re”.
Një synim i kahershëm, një shndërrim i domosdoshëm, sepse e deritashmja nuk përkon me identitetin e popullit shqiptar, historia e të cilit e ka vendosur në “Panteonin” e një populli liridashës, ekuilibrues, trolerant ndaj racave, etnive, besimeve fetare, bashkëjetues mes tyre, dashamirës, aspak ekspansionist apo shfrytëzues ndaj inferiorëve, dhe aspak pranues i inferiotitetit ndaj kujdo, sado i fuqishëm me mjete ushtarake, numur dhe kohëzgjatje të rezidencave të padëshirueshme por të ndodhura.
Vitet ikin dhe shqiptarët në vazhdimsi presin “kohën”. Rri njeriu dhe mendon: Ç’farë është koha? Cilën kohë presim? Pyetje të cilat kanë por edhe nuk kanë përgjigje. Pyetjet që marrin përgjigje, lidhen me përgjegjshmëritë, ndërgjegjshmëritë, moralin, seriozitetin e qendrimeve ndaj ngjarjeve. Ndërsa kur pyetjet nuk marrin përgjigje, shkaqet nuk duhen gjetur tek mos dija, por tek pa përgjegjshmëria, pa ndërgjegjshmëria, tek karrierizmi, egoizmi, dëshirat për të qenë mbi të tjerët, kur mungojnë aftësitë politike, profesionale, shkencore, etika, morali. Si rrjedhojë mbizotëron këmbëngulja e shoqëruar me kokëfortësinë, të cilat pasojnë humbjet personale, të grupit dhe dëmtojnë shoqërinë në masa të caktura dhe në raport me aftësinë intuitive të saj për të parandaluar të keqen.

Atëhere ç’farë është koha?. Koha është madhësia ose përmasa, me të cilën kuptohen dhe maten rrjedhat e ngjarjeve në gjithësi. Është kapja e momentit të ngjarjeve të ndodhura nga ndërgjegjja njerëzore. Ngjarjet përshkruhen në tre kohë, që janë e shkuara, e tanishmja dhe e ardhmja. Për të mos u lodhur, për përkufizimin e kohës i drejtohemi fjalorit anglisht të Oksfordit ku koha është përkufizuar si “procesi i vazhdueshëm dhe i pakufishëm i ekzistencës dhe ngjarjeve në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, e quajtur si e tërë”. Tjetër përkufizim është “sekuencë e vazhdueshme lineare (e drejtë) jo hapësinore nga ku ngjarjet dukshëm ndodhin sipas një rregulli të pakthyeshëm”. Për fizikën koha “është madhësi për përcaktimin e intervaleve midis periudhave të ndryshme gjatë së cilave ndodhin dukuri të ndryshme fizike”.
Pasi u njohëm me disa përkufizime të konceptit kohë, le të gjejmë rrugët për të sjellë “kohën” për tu shkëputur nga koha e Republikës së vjetër 26 vjeçare dhe të krijojmë “Republikën e Re” që na është vjedhur apo rrëmbyer.
Për të realizuar shndërrimin e “gjerave” të vjetra me të reja, gjë e cila është bërë tendencë ose prirje për shoqërinë tonë, domosdoshmëri objektive, duhet të njihemi me mënyrat e nevojshme për të përmbysen gjërat e “vjetra” dhe të krijohen ”të rejat”. Të gjithë e dimë se riciklimi nënkupton gjëra të vjetra, të përdorura, të hedhura (mbeturina, dikur i quanim mbeturina mikroborgjeze, sot le ti quaqjmë mbeturina mikrokomuniste), të cilat mblidhen dhe rifuten në ciklin e prodhimit, por para proçesit të “riciklimit”, mbeturinat klasifikohen, pastaj përdoren metodat e ripërpunimit duke i ndarë ato sipas përbërësave të tyre. Kjo metodë ndofta na ndihmon për të shndërruar Republikën e “Vjetër” në të “Re”, por kërkohen sakrifica, të cilat përmbushen me “skanimin” e personaliteteve politikë, ashtu siç po kërkohet të veprohet me “Vettingun”. Mbasi nxirren të dhënat nga “Vettingu”, fillohet me ndarjen sipas përbërsave, dhe para se të jenë element përbërës të “Republikës së Re”, duhet ti nënshtrohen klasifikimit për të qenë “lëndë e parë”. Gjatë këtyre proceseve mbahet parasysh edhe dallimi mes riciklimit dhe ripërdorimit, të cilat përdoren për të krijuar “personalitete” me mendime tërësisht të reja.
“Republika e Re” nuk i takon kategorisë së njerëzve të cilët asgjë nuk mund t’i shtyjë të lëshojnë pe?. Sigurisht kjo kategori njerëzish, këtë qendrim e mendojnë si palëkundshmëri apo vendosmëri. Qëndrime të tilla, nëse ndërmerren me arësyetim dhe llogjikë të shëndoshë janë të nevojshme dhe në rrethana të caktuara kanë ndihmuar dhe ndihmojnë në jetë, por në kushte të tjera kur përdoret jashtë llogjikës dhe ngjarjeve kohore atëhere kalohet në “kokëfortësi”, e cila në shumë herë më shpesh sjell humbje. Kur kokëfortësisë, në rastet e disave është pjesë e karakterit të tyre dhe përdoret për të shpëtuar “kokën”, atëherë mund të mos mbeten tërësisht të pa shpresë.
Kokëfortësia si dhe mendjemadhësia janë vese që tek njerëzit “elitarë” nuk duhet të kenë asnjë vend. Është mënçuri, nëse arrihet të merren mendimet e të tjerëve, dhe se kohë mbas kohe, i kushtohet vëmendje mendimeve, këshillave dhe akoma më shumë urtësi sigurohet kur pranohen dhe çmohen mendimet e të tjerëve, edhe kur ata mendojnë ndryshe.
Këmbëngulja për të ditur se ç’farë dëshirojmë, nuk është e dëmshme, përkundrazi ajo ndihmon shumë si në punë dhe në jetën e përditshme. Kujdes i posaçëm kërkohet të kihet parasysh në dallimin mes këmbënguljes dhe kokëfortësisë, pasi ato janë dy vese krejt të ndryshëm. Me këmbënguljen arrihet të realizohen qëllimet për të cilat nuk dëshirojmë të heqim dorë; ndërsa kokëfortësia pengon seriozisht në realizimin e atyre qëllimeve. Prandaj është tepër e rëndësishme të respektojmë dhe të reflektojmë ndaj këshillave apo dhe ankesave të të tjerëve. Këmbëngulja duhet, ajo ka karakter të pa dyshimtë, pozitiv, ndërsa mendjemadhësia dhe kokëfortësia janë ngulitje, fiksime.
Në “kohën” dhe momentin që ndodhemi, sidomos në të ashtuquajturën krizë, e cila është rrjedhojë e poleve politiko-partiake 26 vjeçare, do dëshiroja, ashtu si 90% e shqiptarëve, të arrihet të krijohet qoftë dhe një “baraspeshë”në mes të këmbënguljes dhe lakueshmërisë, e cila do të ndikonte ndjeshëm në zgjidhjen e problemeve, që na kanë “nxirë dhe penguar” në të ardhmen e vendit..
Çdo ditë shtypi i shkruar, mediat, televizori, na japin lajme të cilat nuk ndihmojnë aspak në përmirësimin e stresimit, rrjedhojë e përkeqësimeve të situatave politike, ekonomike, sociale në vend dhe atmosferës ndëretnike rajonale. Përsëri njeriu rri e mendon për kohën, për atë kohë kur të gjithë njerëzit të shikojnë punët e tyre, të kryejnë ato me përgjegjshmëri, profesionalizëm, plotësisht në përputhje me ligjëshmërinë, të pavarur profesionalisht, në të gjithë sektorët e jetës, në arsim, shëndetësi, ushtri, administratë, në çdo hallkë të sistemit të drejtësisë, në shërbimet sociale, bisnese, kudo.
Kur do të vijë ajo “kohë” që partitë politike, të jenë parti që ndërrtojnë politika për zhvillimin e vendit, për mirëqënien e shoqërisë, për të garuar me njëra tjetrën jo kush di të krijojë më shumë atmosfera “luftënxitëse”, apo kush është më e aftë për të shpifur, baltosur, apo kush tregohet më e aftë për përdorimin e fjalorit vulgar (tawdry); por ajo “kohë” se kush Parti do jetë më e përkushtuar në zbatimin e parimeve të demokracisë, cila parti do krijojë më shumë vlera morale, etike, apo kush parti do përpiqet më shumë se tjetra për të luftuar nepotizmin, pameritokracinë, korrupsionin e çdollojshëm, të kudogjindur dhe që bën përpjekje për zbatimin e ligjeve, që përpiqet seriozisht dhe konkretisht për ndërtimin e shtetit ligjor, shtetit të së drejtës?!.
Këtë “kohë” kërkojmë ne shqiptarët. Ndërsa krekosjet, këmbënguljet, kokëfortësitë, shpifjet, sharjet mes njëra tjetrës, nuk na pëlqejnë, përkundrazi na irritojnë. Ne e duam “Republikën e Shqipërisë”, le të quhet e “Re” apo shumë e Re”, por ajo duhet të qëndrojë fort e mbështetur në Ligjin Themeltar të shtetit dhe e pa lëkundur ndaj parimeve të demokracisë, të jetë e vendosur për të qendruar me këmbë në tokë.
P.S. Me shpresë se do të kontribuohet në arritjen e marrëveshjeve, pavarësisht se nuk duhej të degradonte në këto situata shqetësuese.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura