ENIS VELIU: SHTETI, PENG I INTERESAVE TË DY GRUPEVE – QË PO TENTOJNË TË PLAҪKITIN EDHE ATË QË KA MBETUR NË KOSOVËN E VARFËR!

Prishtinë, 24. 09. 2014: Zgjatja edhe më shumë e bllokadës do të shkatërrojë edhe më shumë vendin në aspektin politik e atë ekonomik, pasi që të dy grupet po tentojnë edhe më tutje të plaçkitin atë që ka mbetur në Kosovën e varfër, politikanët e së cilës bëjnë jetë evropiane në një shtet ku aplikohen standarde afrikane.
***

Inatet që kanë mes vete liderët politikë të vendit, po i paguajnë qytetarët e Kosovës. Që nga tetë qershori i këtij viti, shteti është pa Qeveri e Kuvend. E nga një shtatori, kësaj bllokade i është shtuar edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila është totalisht jashtë funksionit. Në këtë listë bllokadash hyn edhe Komisioni Kosovar i Konkurrencës, si dhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit që janë jashtë funksionit për shkak të skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve të bordit.
Por, përveç këtyre edhe shumë mekanizma tjerë, që direkt apo indirekt ndikojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të vendit janë në “pushim” prej kohësh.
Juridikisht partia e kryeministrit Thaçi (Partia Demokratike e Kosovës), është fituese e zgjedhjeve, pasi që së bashku me partnerët e koalicionit ka arritur të marrë 37 vende në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, dy herë radhazi dështoi të formojë Kuvendin në mungesë të numrave.

Inatet që kanë mes vete liderët politikë të vendit, po i paguajnë qytetarët e Kosovës.

Koalicioni paszgjedhor i emëruar si “LAN”, në të cilin bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe Nisma e Fatmir Limajt, po ia bëjnë të pamundur PDK-së formimin e institucioneve për ta qeverisur vendin. E bllokadën e ka fortifikuar edhe më shumë hyrja në marrëveshje për bashkëqeverisje edhe e Lëvizjes “Vetëvendosje” të Albin Kurtit.
Në aspektin politik këmbëngulja e Thaçit për të drejtuar ekzekutivin në katër vitet e ardhshme më shumë duket si një lloj sigurie se ai do të jetë i paprekur nga Gjykata Speciale që do të formohen në vendin tonë. E në aspektin ekonomik vartësit e tij mund të rrisin edhe më shumë kapitalin e tyre të zi.
Edhe këmbëngulja e Haradinajt në parim e ka një arsye të tij personale, por jo nacionale siç mundohet ta interpretojë ai në opinion.
Partia që drejton ai ka qenë opozitë që dy mandateve të qeverisjes Thaçi, kështu që edhe një mandat i tretë në këtë pozicion do ta rrezikonte në masë të madhe partinë e Haradinajt. Ky (Haradinaj) të gjitha pozitat ua ka falë partnerëve të koalicionit vetëm e vetëm që ta ruajë për vetë pozitën e kryeministrit.
Kështu që çdo përçarje e mundshme e koalicionit në fjalë do ta “djegë” rëndë Haradinajn, por edhe partinë e tij. Në një situatë pak a shumë të njëjtë është edhe LDK-ja e Isa Mustafës.
Ky i fundit në mungesë të guximit personal, ka nominuar Haradinajn për pozitën e kryeministrit, edhe pse partia që drejton ai ka dyfish më shumë vota se sa ajo e liderit të AAK-së. Por, mungesa e guximit për të mos u përballur me situata që do të krijohet në muajt në vijim, ai ia ka realizuar dëshirën e kamotshme të Haradinajt “me punu si kryeministër”.
Po ashtu, edhe për partinë e sapoformuar të Limajt, ky është shansi i fundit. Partia e tij direkt varet nga fati i koalicionit aktual, pasi që prishja e tij, apo edhe shkuarja në zgjedhje të reja partinë e Limajt sipas gjitha gjasave do ta lërë jashtë Kuvendit të Kosovës.
E partia e Albin Kurtit si duket në këtë rast ka harruar idealet dhe parimet që i ka promovuar deri më tash. Duke shfrytëzuar situatat kjo çdo ditë e më shumë po i vë kushte të cilat po ia pranojnë partnerët e koalicionit, pasi që të gjithë janë në “luftë për ekzistencë”.
Andaj zgjatja edhe më shumë e bllokadës do të shkatërrojë edhe më shumë vendin në aspektin politik e atë ekonomik, pasi që të dy grupet po tentojnë edhe më tutje të plaçkitin atë që ka mbetur në Kosovën e varfër, politikanët e së cilës bëjnë jetë evropiane në një shtet ku aplikohen standarde afrikane.

………………………………………………………………

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura