Tiranë, 5 prill 2020: Është fillim i muajit Prill 2020. Edhe vendin tonë e ka pllakosur makthi i sëmundjes së padukshme vdekjeprurëse e pagëzuar me emrin “Coronavirus-19” (COVID-19). Titujt e gazetave, ekranet televizive, shtetarë, politikanë, analistë kompetentë ose jo, të gjithë janë përqëndruar tek përpjekjet serioze që po bëhen për ngadalësimin e “virusit” dhe shërimin e të prekurve nga “Covid-19”.
Të dhënat statistikore, sipas News24, date 03/04/2020, në shkallë botërore raportohen 1,015,877 persona të infektuar, nga këta kanë humbur jetën 53,218 persona; ndërsa në Shqipëri deri sot janë 277 veta të infektuar dhe 16 persona kanë humbur jetën. Gjëndja më e rëndë në Europë me Covid-19, paraqitet në Itali me 115,242 të infektuar dhe 13,915 persona që kanë humbur jetën, mbas Italisë, me Covid-19 të rëndë paraqitet Spanja.
Gjithë Bota është në karantinë. Rrugët, sheshet, janë bosh; lëvizjet e ndaluara; janë kufizuar daljet nga shtëpia të këmbësorëve, pensionistët të izoluar; janë ndaluar udhëtimet tokësore, detare dhe ajrore. Shumë komente e trajtojnë “Lufta III-të Botërore”, dhe mire bëjnë. Është Lufta e III-të Botërore bakteriologjike, ndryshe nga dy luftërat, nuk ka krisma; frontet me kundërshtaritn janë të padukshme, tinzare, të fshehura, kërcënuese; karshillëk ndërluftues bëjnë heronjtë e vërtetë të sistemit të shëndetësisë.
Izolimet, ndalimet, karantinat e vendosura, si mjete mbrojtëse, i ngjasojnë qendrimeve izoluese, ndalimit dhe “frikës jo! Kujdesit po!” që i është diktuar dhunshëm komunitetin të shqiptarëve të Çamërisë dhe për jo pak kohë, por vazhdon prej 76 vitesh, që nga L2B.
Thirrjet e institucioneve shëndetësore dhe shtetërore në shkallë Botërore si dhe të çdo shteti:”Frikë jo! Kujdes Po”, i përshtaten realitetit. Një masë e vërtetë diktuese për tu ruajtur nga jetëmarrja e padukshme. Duam nuk duam nuk i “shpëtohet” ankthit, pasigurisë, njëlloj stresi i veçantë, pritshmëri e frikshme ndaj ndonjë fatkeqësie fatale dhe kjo jo vetëm personale, por pë rrethin familjar, për të afërmit, miqtë dhe shokët. Situatë e njëjtë me pasigurinë që na diktuan tërmetet e shtator-nëntorit të vitit 2019.
ââÂââÂââÂ
Në moshn 6 vjeç e gjysëm, ditë e premte e datës 22 korrik e vitit 1944, u larguam nga vendlindja, rrjedhojë e gjenocidit ortodoks grek dhe u vendosëm në Shqipëri. Kaluan plot 60 vjet të ikur nga vendi ynë pa u kthyer, asnjë lajm, asnjë informacion nuk u muar, gjithçka mbeti në heshtje, e dhimshme, e trishtueshme, e mbyllur, ashtu siç po ndodh dhe sot me situatën e krijuar nga “Covid-19”.
Kaluan plot 60 vjet, kur m’u mundësua një udhëtim për në vendlindje, por edhe ai udhëtim ishte i “fshehur”, nuk isha paisur me vizë, leje për të shkuar në shtetin ku ndodhej vendlindja ime, mbasi të gjithë banorët e lindur atje dhe të dëbuar vazhdon të mos u lejohet shkuarja që nga viti u dëbimit të shunshëm masiv (1944). Por kjo është një temë tjetër dhe që e kam shtjelluar të plotë në librat e botuara gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Gjatë vizitës që bëra, e vizitova gjithë rajonin e Çamërisë, sigurisht dhe fshatin e lindjes time dhe të paraardhësve të mi. Nuk do ndalem në përshkrimin e atij udhëtimi që bëra mbas 60 viteve ndërprerje, sepse e kam trajtuar në librin “Princesha e Ballkanit”, por do ndalem te problemi i veçantë, pikërisht tek gjuha e të folurës së banorëve të Çamërisë.
Isha në kalanë e Pargës, në hyrje të saj takuam një të moshuar (70 vjeçe) quhej Aleksandra. Bisedat i bëmë me të folurën e gjuhës tonë, çamçe. Ajo ishte çame e besimit ortodoks, unë çam i besimit mysliman, si i tillë unë isha dëbuar, kurse ajo jetonte në fshatin e saj, në vendlindjen e saj.
Biseduam me dialektin tonë dhe të dy ndjemë kënaqësi, por kënaqësitë ishin të ndryshme. Ajo u gëzua se takoi një bashkëvendas që ishte larguar 60 vjet më parë dhe u shmall duke folur në dialektin e saj e ç’penguar nga frika e censures së shtetit “demokratik” Grek që nuk lejon përdorimin e atij dialekti. Unë u gëzova që pavarësisht nga 60 vite të shkuara dhe censurës greke, e folura e gjuhës çam flitet (fshehurazi), nuk ka vdekur, është e gjallë jo vetëm tek të rriturit por edhe tek nipërit dhe gonet e etnisë çame me banim në vendin e tyre autokton.
Nga ai bashkëbisedim, i cili më la mbresa të thella, sot po shkruaj këtë artikull, për të nxjerrë në dritë të veçantat e gjuhës çamërishte, ku spikatet qartë trashëgimia e të folurës pellazgjike e ruajtur, e konservuar pikërisht nga banorët e komunitetit çam të rajonit etinik shqiptar të Çamërisë. Ashtu si fosilet(²)e nëndheshme të paraardhësve tanë të zbuluara nga arkeologjia, po trajtoj edhe fosilet e fjalëve të përdorura nga lashtësia antike nga pasardhësit e tyre që ndodhen mbidhé, si në dhéun e tyre dhe në territore të tjera. Po i quaj “Fjalë fosile”, por për atë komunitet është vetë gjuha e trashëguar nga pellazgjikja.
Kombi shqiptar, autokton në trojet e të parëve pallazgo-iliro-epirote, ka folur, flet dhe trashëgon gjuhën më të lashtë, gjuhën e vetme me të cilën deshifrohen gjuhët e vdekura. E folur që ka “shpëtuar” nga “coronaviruset” mohues të së vërtetës dhe i sigurtë në rivendosjen e gjithçkaje të mohuar padrejtësisht nga ardhacakët e jashtë Ballkanit.
Gjatë të shkelurit me këmbë në disa fshatra dhe nga të vështruarit e disa fshatrave të tjera, konstatova se pranë gërmadhave të shtëpive të shkatërruara, disa nga koha, disa nga dora shkatërruese e ortodoksisë greke dhe shtëpive të banorëve ortodoksë çamë, sigurisht ishin ndërtuar edhe shtëpi të tjera, me banorët që takuam biseduam “nën zë” duke folur me gjuhën “fosile”. Krahas bashkëbisedimeve me disa prej tyre, me veten time mendoja dhe se ashtu si arkeologjia gjatë kërkimeve nëndhé me gjetjet e skeleteve ka vërtetuar dhe vërteton identitetin e banorëve të Çamërisë, edhe hulumtimet dhe studimet kërkimore – shkencore në fushën e gjuhësisë e vërtetojnë identitetin dhe prejardhjen etnike të komunitetit të banorëve të djeshëm dhe të sotëm të Thesproti/Çamërisë.
Domosdoshmëri e detyruar nga ndërhyrjet brutale të perandorive të dymijëvjeçarit të pas Krishtit dhe të shteteve armiqësore, keqdashëse dhe ushtrues të dhunave të pashoqe edhe kundër trashëgimisë gjuhësore të etnisë tonë në përgjithësi dhe banorëve të Çamërisë në veçanti.
Përpara këtyre fakteve, mbështetur në dijet e mia, megjithëse nuk jam profesionist i gjuhësisë, nisur nga dashuria, respekti, dëshira që të nxirret nga errësira dhe trysnia afro 100 vjeçare e folura e Çamërishtes dhe me shpresë se institucionet përkatëse shtetërore, apo Akademia e Shkencave do të fillojnë të zgjohen nga gjumi për të realizuar kërkime shkencore në atë rajon dhe të marrën “guxim” për të treguar të vëtetat që janë shtrëmbëruar nga arësye të ndryshme, tashmë edhe të njohura.
Banorët e Rajonit të Çamërisë, e kanë ruajtur të folurën e veçantë të tyre, edhe si rezultat i hapësirës territoriale, e cila u siguronte kushtet e një “izolimi” nga popujt e tjerë, si fqinjët por dhe nga pushtuesit. Çamët nuk e flisnin gjuhën greke, fakt ky i njohur, por megjithatë për ta vërtetuar sjellim në kujtesë arësyen që ndikuan tek Marko Boçari, i cili kriojoi një fjalor të kufizuar në greqisht dhe shqip. Nevoja e një fjalori dy gjuhësh kishte qëllim që arvanitët dhe burrat çamë të mësonin greqisht sepse ajo ishte si gjuhë e tregëtisë në Ballkan. Po kështu ndodhi edhe me priftin e Paramëthisë (shek.XIX), i cili e përktheu Dhjatën në gjuhën shqipe, sepse besimtarët nuk e kuptonin të predikuarit në greqisht, etj.
Në ruajtjen e gjuhës së folur çame kanë ndikuar edhe ndjekjet e bëra ndaj tyre nga pushtuesit e ndryshëm, të cilëve u duhej që të jetonin të fshehur, sipas rasteve ndër shekuj, në male dhe ishuj të vetmuar larg lidhjeve me popujt e tjerë. Vërtet një e keqe, por ndihmoi që e folura çame të mbetet një gjuhë e pastër dhe e përdorur vetëm nga populli i asaj krahine, ruajti vjetërsinë dhe pastërtinë gjuhësore, ndërsa të folurat e arbëreshëve dhe arvanitasve, në kushtet e bashkëjetesës me gjuhë të tjera nuk e kanë ruajtësinë e plotë të gjuhës së stërgjyshërve të tyre.
E kam me të thëna se floriri sado kohë të kaloj nëndhé, kur ndodh që del mbidhé, ai e ruan freskinë, ndriçimin dhe vlerat e tij, njëjtë si në kohën e futjes nëndhé. Kjo ndodh me të folurën e thesprotëve/çamëve. Një e folur e gjuhës shqipe, por me të veçanta dialektore që na sjell të folurën e gjuhës më të parë në botë, e futur, si i thonë fjalës, shtatë pashë nëndhé nga fallsifikatorët e shumtë historikë.
Me që jemi këtu, shpreh kënaqësinë time të përgëzoj studjuesin preveziot (çam ortooks) z. Niko Stillo, lindur në krahinën e Çamërisë,
i cili i është përkushtuar studimit të gjuhës së vjetër shqipe, gjuhë të cilën e ka të mësuar nga buzët e nënës së tij; më pas dijet e marra ndër dyer të shumta arsimore, brenda dhe jashtë vendit të tij autokton, po jep një kontribut tepër të vlerësuar në zbulimin e të vërtetave gjuhësore të krahinës së tij.
Studjuesi Niko Stylos, në librin:“Fjalori i Marko Boçarit”, botim i shtëpisë botuese “Arbëria, viti 2007, ka trajtuar me kujdes, paanësi, me këmbëngulje dhe në mënyrë shkencore gjuhën, ose të folurën e gjuhës arvanite, siç e quan ai, duke hapur një fletë të re shkencore, e cila duhet studjuar dhe shkruar në vazhdimësi nga shkronjëtorë diturakë shqiptarë dhe albanologë. Nisur nga faktet historike, të cilat tregojnë strukturat drejtuese të shoqërisë etnike shqiptare, me treva të njohura kryesisht mbi baza fisnore, në konceptin tim, me sinqeritet, sugjeroj që gjatë shtjellimit të studimeve dialektore të mbahen parasysh përcaktimet e sakta të tyre. Për të qenë i kuptueshëm dhe korrekt, të shprehurit në librin e mësipërmë “Fjalor greqisht-arvanite e thjeshtë”, apo “Fjalë të greqishtes epirotase”, nuk besoj se shprehin plotësisht të vërtetën e të folurës dialektore sipas trevave tona.
Dihet në Mesjetë nuk kishte shtete të mirëfillta, edhe tek ne po ashtu, por dalloheshin sipas krahinave si: Dardania, Arbëria, Epiri etj. Në këtë konteks duhet trajtuar se nga kjo periudhë janë shkëputur shumë familje “arbërore”, disa drejt Greqisë, të tjerë shkuan në Itali. Të dy grupet e banorëve arbërorë krahas largimit, nuk diskutohet (Apriori) morën me vehte edhe të folurën e tyre, e cil ishte e njëjtë.
Në këtë këndvështrim dhe me qënëse nga ajo kohë e deri sot na ndajnë mbi 500 vjet, mendoj se e folura e asaj kohe duhet quajtur “gjuha e vjetër shqipe” dhe jo “arvanite e thjeshtë”. Po me këtë gjykim mendoj se nuk është e saktë edhe të shprehurit “Fjalë të greqishtes epirotase”, kur historikisht dihet se banorët e Epirit, për kohën që flitet, ishin vetëm të tre fiseve ilire (kaonë, thesprotë dhe mollosë) të cilët flisnin dhe flasin edhe sot pikërisht gjuhën e vjetër shqipe. Theksoj se kjo e vërtetë konstatohet e plotë vetëm me të folurën e banorëve autoktonë në rajonin e Çamërisë (në prefekturat e sotme: Thesproti, Prevezë dhe Artë). Kështu që pa dyshim duhet thënë: “Fjalë të Çamërishtes” dhe jo “ Fjalë të greqishtes epirote”.Nuk është dëshirë, por janë fakte.
Studjuesi Fahri Dahri – Tiranë, më 03.04.2020
VIJON …
Postime të Lidhura
HIPOKRATI AI QË PËRJASHTOI FENË NGA PRAKTIKAT E TRAJTIMIT TË TË SËMURËVE
Pashtriku.org, 20. 11. 2016: Hipokrati, në shumësinë e të të interesuarve ka zënë vend si Babai i Mjekësisë,…
DARDAN BELA*): KOMENTE TË LIRA PËR LIBRIN ALBUM ‘METAFORA MEMECE’ TË MOIKOM ZEQOS
Tiranë, 11. 02. 2013 – Libri album “Metafora Memece” i Moikom Zeqos më ka impresionuar shumë. Figurat grafike…
VERA ISTREFAJ: CIKËL POETIK – DEHJE NË BARDHËSI
Kukës, 19 dhjetor 2018: Vera Istrefaj: Cikël poetik – Dehje në bardhësi *** Mbi barkën…
XHELAL ZEJNELI: SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ (I)
Shkup, 17 gusht 2020: Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të periudhës së…