FAIK KRASNIQI: DUHET TË REFLEKTOJMË PARA SE TË FESTOJMË!

(Prishtinë, 26. 11. 2012) – Ka plot muaj që në Shqipëri dhe Kosovë trumbetohet 100 vjetori i pavarësisë, krijimi i shtetit shqiptarë. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm paranojak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do t’ua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do t’u sjellë mirëqenie…
Po si vijmë në këtë vit jubilar ne shqiptarët…
Le t’i analizojmë me radhë e në fund të bëjmë bilancin.
Kaosi politik:
100 vjet pas pavarësisë dhe 22 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri klasa politike mbetet e polarizuar dhe e futur në konflikte personale dhe në ballafaqim e luftë për kontroll të resurseve publike. Nepotizmi, korrupsioni, manipulimet mbesin prodhimet kryesore të fabrikës politike shqiptare.
Në të gjithë Evropën, vetëm në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë Shqiptare ende nuk ka zgjedhje të lira. Ende vidhen votat. Krahas Serbisë, vetëm në viset shqiptare kundërshtari politik shpallet armik dhe vritet, madje përmasa e krimit politik në hapësirën shqiptare është shumëfish më e madhe se te serbët.
Duhet të jenë me dhjetëra kundërshtarë politikë shqiptarë të vrarë nga viti 1990 e këtej – nga dora e shqiptarit. Polarizimi ekstrem ka çuar në paralizimin e sistemit politik, i cili nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim në të mirë të Shqipërisë pa kaluar nëpër drama të mëdha dhe pa ndërhyrjen e misionarëve ndërkombëtarë.
Gjendja në Kosovë nuk dallon shumë, sepse për çdo ditë po kopjohet modeli i kanibalizmit politik të Tiranës. Përballë kësaj situate nuk duhet pritur aspak respekt nga të huajt për dinjitetin politik të një shoqërie dhe të republikave me shumicë shqiptare në Ballkan.
Këtë e tregojnë edhe paraqitjet e shpeshta mediale të diplomatëve në Tiranë e Prishtinë: ata nuk flasin me zë të qetë, por bërtasin e qortojnë me vokabular jodiplomatik, sepse jo vetëm atyre u ka ardhur te hunda kjo anarki, të cilën jo rrallë e kanë krijuar apo mundësuar vetë me veprimet e tyre.

Kaosi ekonomik:
Shqiptarët në Shqipëri e Kosovë dhe gjetiu në viset e banuara prej tyre edhe 100 vjet pas pavarësisë shqiptare janë kryesisht konsumatorë të prodhimeve të huaja, jo se vetë nuk prodhojnë asgjë. Jo…! Ekonomia e tregut, heqja e barrierave doganore, konkurrenca e lirë mund të jetë diçka e mirë dhe mund të përvetësohet për aq sa është e dobishme.Por në të tilla zhbalancime e mos mbrojtje të prodhuesit vendas, detyrohemi të konsumojmë ”plehrat” e Evropës. Kjo tashmë është miratuar nga Parlamenti ynë:
Një shoqëri e cila lejon që ekonomia t’i plaçkitet nga biznesmenë të nëntokës dhe të privatizohet çdo gjë, nesër nuk do të jetë as pronare e ajrit. Fakti që nëntoka jonë u privatizua (Albpetroli), në të ardhmen ngelet të privatizojmë edhe hapësirat ajrore.
Një shembull frikësues na e ofron Kosova, ku një bandë lokale dhe ndërkombëtare në bashkëveprim prej vitesh privatizojnë e tjetërsojnë pronën shoqërore – pa koncept, pa ide, pa plan, pa strategji. Fitimi ndahet në stilin “aksham-pazari”. Një shembull tjetër është shkatërrimi i organizuar kriminal që po i bëhet prej vitesh natyrës, vijës bregdetare dhe kufijve tanë ujorë – jo nga një dorë e padukshme armiqësore, por nga njerëzit e pushtetit, nga familjarët e tyre, nga biznesmenët e pasuruar brenda natës.
Kaosi social:
Shqiptarët kudo në Ballkan janë më të varfërit mes popujve të kontinentit të vjetër. Ndryshimet kaotike të dy dekadave të fundit kanë krijuar një shtresë të hollë tepër të pasur dhe një shumicë që duhet të mbijetojë me rroga që s’janë më shumë se lëmoshë.
Dallimi është ekstrem, fyes, i trishtueshëm për një shoqëri: shtresa e mafiozëve dhe politikanëve pa ndjenja humane çlodhet në ambiente të shtrenjta pushimi të rivierës turke dhe shkollon fëmijët në shkolla private, larg “popullit të pistë”, derisa pjesa dërrmuese e qytetarëve duhet t’a korruptojnë mjekun që t’ua trajtojë fëmijët e sëmurë, duhet të çojnë fëmijën në shkolla publike, ku dominon dhuna dhe mungesa e kompetencës sociale nga personeli arsimor i lënë pas dore me vite. Kompetenca sociale e një shoqërie shihet në raport me të varfërit. Ndër shqiptarë as që ekziston një vetëdije për përmasën e mjerimit.
Kaosi mediatik:
Mediat shqiptare, në Tiranë e Prishtinë e gjetiu në viset shqiptare, me ndonjë përjashtim, janë vetëm tribunë e popullizmit dhe joprofesionalizimit, jo arenë e luftës së ndershme dhe të pakompromis për emancipim shoqëror. Pothuaj për çdo ditë shohim një horrllëk medial, një aleancë politiko-gazetareske në mbrojtje të krimit, ku gjithçka vihet në shërbim të ruajtjes së interesave të një krahu politik apo tjetrit, të një tarafi apo grupi mafioz. Në këtë rrëmujë interesi i përgjithshëm shoqëror nuk ka vend!
Shumica e medieve, e veçanërisht ato që mbahen me shpallje e reklama të pushtetit, si rasti i konstatur këto muaj me rreth 17 milion Euro, për media pro pushtetit, shpesh përdoren e keqpërdoren për qëllime të ngushta, egoiste, ndonëse me vetë faktin se e tundin flamurin e informimit të opinionit do duhej të ishin të kujdesshme në ruajtjen e disa parimeve publicistike bazë.
Në këtë anarki është “normale” që sot të mbrohet manipulimi i tenderëve dhe vjedhja e arkës së shtetit dhe nesër t’i këndohet në kor bëmave të Skënderbeut. Ka edhe më zi: dalin gazetarë e politikanë të korruptuar deri në fyt dhe thonë se e kanë idhull Hasan Prishtinën, i cili dhuroi krejt pasurinë për çlirimin e vendit të tij.
Kaosi me imazh:
Secili shqiptar që sot del në Evropë mund të bëjë testin e imazhit, kur një i huaj e pyet prej nga vjen. Mund të thotë nga Shqipëria dhe tjetrit do t’i shkojë mendja te mafia. Mund të thotë nga Kosova dhe tjetrit do t’i shkojë mendja te krimi e banditizmi, i përhapur prej vitesh nga grupe plaçkitësish anekënd kontinentit të vjetër. Derisa kombet e tjera bëjnë çmos të përsosin imazhin, shqiptarët edhe ndonjë aktivitet të tillë e nxjerrin në tender dhe e lyejnë me korrupsion.
Duke pasur parasysh gjendjen përgjithësisht të mjerë në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm paranojak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do t’ua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do t’u sjell mirëqënie.
Ky vit duhej të shfrytëzohej për një debat qëllimmirë e gjithëpërfshirës, për një atdhedashuri të re dhe kundër anarkisë patriotike. Atdhedashuri sot është shporrja nga pushteti e sundimtarëve antidemokratikë e të korruptuar dhe krijimi i alternativave të reja politike – ose së paku detyrimi i politikanëve për të ndryshuar pozitivisht, nëse kjo është e mundshme.
Atdhedashuri është të mbrosh ambientin dhe të zhvillosh ekonominë që krijon vende të punës. Atdhedashuri është të protestosh e të dalësh në rrugë sa herë që nuk pajtohesh me gjendjen ekzistuese dhe të luftosh për një Shqipëri e për një Kosovë të dinjitetshme, larg përrallave bajate me patriotizëm folklorik – përralla këto që tregohen pranë oxhakut patriarkal. Atdhedashuri është të bashkohen të gjitha partitë dhe lëvizjet patriotike shqiptare – dhe të hartojnë Platformën Kombëtare për Shqipërinë Natyrale.
– Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të “ALEANCA KUQ E ZI”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura