FAJI DHE FATI I MILIONA NËNAVE, QË NUK DINË TË RRITIN FËMIJË

FAJI DHE FATI I MILIONA NËNAVE, QË NUK DINË TË RRITIN FËMIJË

Nga Gjokë Dabaj, Durrës 26 gusht 2021

I përgjigjem menjëherë fjalës FAT! Cili është FATI i këtyre miliona nënave?!

1. Që t’i varrosin fëmijët para se të vdesin vetë!

2. Që të shohin fëmijët e vet nëpër burgje!

3. Që t’i shohin të droguar, më mirë vdekur se gjallë!

4. Që t’i shohin nëpër kazino, edhe aty më mirë vdekur se gjallë!

5. Që vajzat, bijat e tyre, të bëhen kurva dhe t’ua hipin, për pesë pará të qelbura, lloj-lloj qelbësirash!

6. Që fëmijët t’u mbyten detravet, rrëzuar nga skafe e gomone!

7. Që të pjellin nga 5-6 dhe të mos kenë me çka t’i ushqejnë!

8. Që të largohen fëmijët e tyre për diku, “për një jetë më të mirë”, jetë, ose e zezë, ose e dhjamur, pa ditur as nga vijnë, as ku shkojnë, ndërsa ato, pra nënat, të plaken qyqe vetëm, duke u “shmallur”, me lot për faqesh, pëballë qelqevet të kristalta të Ajfonëvet!

Ky është FATI i miliona nënave të sotme. Po FAJI i tyre, cili është?!

Faji i nënavet të sotme është, se ato, edhe kur arrijnë të lindin fëmijë, nuk dinë t’i rritin fëmijët. Do të them, pa pasur frikë se po gaboj: Dinë po aq sa një dele, sa një lopë, sa një dhi, sa një pulë!

Dhe tani, po të doni, mos e lexoni këtë që kam shkruar më poshtë!

1. Shkoni dhe shihni ku dhe si i lënë këpucët fëmijët dhe të rinjtë, kur kthehen në shtëpi! Ato këpucë të bukura, prej të cilavet, fabrikuesit e këpucëvet bëhen miliarderë thjeshtë duke ua ndërruar pamjet njëherë në javë. Ndërsa nënavet, me pamje fytyrsh nga më të ndryshmet, por gjithsesi fytyra idiote, as që u shkon mendja t’u japin urdhëra fëmijëvet të vet: O rregulloni këpucët, siç është për t’i rregulluar, o s’keni bukë për sonte! Vendosini në anë të murit, me majat kthyer nga muri dhe afër njëra-tjetrës, si dy kotiledonë të fasules, kur hapen! Të thonë kështu nënat dhe pastaj t’i lënë fëmijët të hyjnë e të ulen, në divanë, kolltuqe apo karrike. Kjo detyrë prej nëne të ketë filluar të kryhet, e pakta që kur fëmija të ketë qenë 3 vjeç.

2. Shkoni dhe shihni ku dhe si i lënë rrobat e fjetjes fëmijët dhe të rinjtë e sotëm! Ata të rinj dhe ato të reja që na shesin pordhë e fendë, duke ecur bulevardevet dhe duke hyrë nëpër shkolla e auditore fakultetesh, sikur janë elegantët më të përsosur! Nuk janë nëna ato që nuk i mësojnë praktikisht fëmijët e vet, qysh në moshën trevjeçare, si rregullohen rrobat e fjetjes, kur njeriu zgjohet dhe përgatitet për të filluar ditën e re! Nuk janë nëna ato që i lënë fëmijët të dalin nga dera pa e vënë e lënë çdo gjë në rregull në shtëpi!

3. Shkoni e shihni nëpër familjet e sotme, kush e përgatit gjellën, kush e shtron tryezën, kush i ngre nga tryeza enët, pjatat, lugët, pirunjtë, thikat, kush i lanë enët, pasi janë përdorur?! Madje shihni me çfarë rregulli hahet ushqimi në miliona familje të sotme! Aty nuk ka as mëngjes, as drekë, as darkë, që të vijë era familje dhe, një e tillë parregullsi, justifikohet me një fjali të vetme: “Kështu erdhi koha: të gjithë nëpër punëra, shkojnë e vijnë në orare të ndryshëm.”

Nënavet të sotme as që u shkon mendja që ato përsëri janë e mbeten nëna, çfarëdo rrethanash që të sjellë koha. Ato harrojnë që janë e duhet të mbeten zonja shtëpie në shtëpitë e tyre. Ato nuk i mësojnë fëmijët, qysh të vegjël, që të shtrohen bashkë në tryezat familjare, që të lajnë enët, qoftë edhe me radhë, që të pastrojnë banesën sa herë duhet dhe ashtu si duhet. Ato po pranojnë që t’i kryejnë vetë të gjitha punët si skllave, vetëm e vetëm “të mos ua prishin fëmijëvet” “gëzimin e jetës”! Një pjesë tjetër nënash e kanë gjetur terezinë ndryshe. Ato, o paguajnë shërbyese, o dalin e ushqehen nëpër restorante, duke harruar që, kjo mënyrë jetese, fëmijët e tyre mund t’i çojë para kohe në varr. Në varr moralisht ose, edhe moralisht, edhe fizikisht!

4. Shkoni e shihni si, sa dhe çfarë hanë e pine fëmijët e sotëm! (Ata që kanë çka me hangër e me pi!) Një nënë e mençur, largpamëse, nuk duhet kurrë t’i lejojë fëmijës të hajë sa t’i mbajë barku dhe të pijë ç’t’i dojë qejfi e sa të dojë. Sepse qejfi i tij dhe barku i tij mund të mos jenë matës të saktë të shëndetit të tij. Kur djali e pi një shishe koka-kolë në pak minuta dhe i “duhen” tri shishe të tilla në ditë, ç’përgjegjësi ka nëna?! Dhe, kur djali trashet e bëhet si brumbull qysh në moshën dhjetë vjeç, ç’përgjegjësi ka nëna?!

5. Bëjnë të rinjtë piknik, shëtitje diku në park a nëpër male, hanë edhe pinë në natyrë… Punë shumë e bukur! Por, i lënë, në vendin ku kanë ngrënë e pirë: koskat e mishit, copërat e bukës, kanaçet apo shishet e birrës, letrat e ambalazhit, mbështjelljet plastike, më keq se derri, më keq se dosa! Nënat largpamëse, nënat vizionare, jo thjeshtë femra që pjellin, nuk duhet të lejojnë të tilla kafshëri në fëmijët e tyre. Ato duhet të jenë, (Ta hajë dreqi!), aq të vetëdijshme, sa t’i marrin djemtë dhe vajzat e veta, t’i hipin në makina, t’i çojnë te vendi ku janë kryer të tilla ndotje dhe t’i detyrojnë bijtë e vet dhe bijat e veta, ta pastrojnë vendin që kanë ndotur.

6. Një pjesë nënash të sotme e dinë ç’është e quajtura “jetë nate”, sepse e kanë provuar vetë. Ç’të mira i sjell të riut e quajtura “jetë nate”?! Biznesit e dimë që i sjell shumë fitime. Por po pyes: Ç’të mira u sjell djalit të ri dhe vajzës së re?! “E mira” e parë është, se gjumin që e ka lënë mangut, do ta bëjë ditën. “E mira” e dytë, kush e bën mënyrë jetese “jetën e natës”, praktikisht, nuk punon, por punojnë të tjerët për të. “E mira” e tretë, e katërt, e pestë, e gjashtë… Le t’i llogarisë vetë nëna, sepse janë fëmijët e saj, ata që bëjnë të tillë “jetë” ! I ka pjellë ajo ata fëmijë!

7. Që fëmijët të mos bëhen verbërisht viktima të teknologjisë kibernetike, që të mos bëhen skllevër të celularëvet, (për të cilët prodhuesit po kujdesen që t’i përsosin vazhdimisht, si këpucët dhe si dyshekët Dormeo), nëna ka detyrë të kujdeset në të gjitha kohët. Sepse puna ka arritur deri aty, sa ato duhet të zgjedhin: O fëmijët e tyre të bëhen invalidë mendorë të përjetshëm, kretenë, idiotë, ose fëmijët e tyre të jenë njerëz normalë.

8. Përfundimisht, miliona nëna të kohës së sotme, megjithëse kanë mësuar të lexojnë, nuk lexojnë asgjë dhe nuk mësojnë gojarisht asgjë, as prej nënavet të veta, as prej gjyshevet. Ato janë nëna tërësisht empirike. Ato nuk dallohen në asgjë, prej nënës-dele e prej nënës-dhi!.. Një pjese të tyre, u duket sikur po e marrin informacionin në internet, por krejt ajo është një punë boshe, sepse rezultati po e tregon që, femra e sotme, o duhet ta kryejë mirë rolin që i takon si nënë, o do të bëhet edhe ajo shkaktare, midis një vargu shkaktarësh të tjerë, që ky njerëzim i sotëm të rrukulliset pakthyeshëm në greminën e vetasgjësimit nga më tragjikët, që pothuaj është e pamundur të pëfytyrohet.

…Kurrsesi nuk bëhet fjalë që gruaja e sotme të rikthehet në familje e të rimbyllet brenda familjes. Përkundrazi, nëna, gruaja, duhet të bëhet faktor vendimtar në të gjitha fushat e jetës njerëzore, por pa e harruar apo lënë anash detyrën e nënës! Detyrën e nënës në familje!

Për t’ia arritur këtij synimi, për të gjitha nënat e botës ka një postulat që duhet të zbatohet, detyrimisht dhe rigorozisht: Në familje, për fëmijët e vet, nëna është komandant i padiskutueshëm, ndërsa për burrin e vet dhe për të tjerët, ajo duhet të jetë: rabin, prift, hoxhë, komisar. Në shoqëri, nëna duhet të jetë edhe komandant, edhe komisar, duke i ndarë punët sipas prirjevet dhe aftësivet.

E kam thënë, më duket, edhe herë të tjera, por kjo duhet përsëritur me mijëra herë dhe nga qindra sociologë e filozofë: Nënat duhet të marrin përgjegjësitë qeverisëse për mbarëvajtjen në shoqërinë njerëzore. Njerëzimi fillon aty ku lind një fëmijë. Krijues i njerëzimit është femra që e lind atë fëmijë.

Atëherë, si mund ta “justifikojmë” që nënat, deri më sot, nuk janë forcë politike më vete?! Është koha për të vepruar ngutshëm! Madje, mund edhe të jetë vonë! Nënat, përfshirë aty edhe ato që duan të bëhen nëna, duhet sa më parë të krijojnë parti më vete, me programe nënash, nacionalë edhe gjithënjerëzorë. Vetëm kështu mund të shpresojmë që gjërat të kthehen në rrugë të mbarë.

Askush më tepër se nëna nuk ka të drejtë të përfaqësohet, si forcë politike më vete, në parlamentet e të gjithë shtetevet të botës. Po ashtu edhe në organizmat ndërkombëtarë. Nënat, më mirë se kushdo, dinë të mbrojnë interesat e fëmijëvet të vet. Që do të thotë, interesat, edhe të burravet, edhe të gravet.

Por, për t’ia arritur kësaj, ato duhet, me urdhëra të prerë dhe të përsëritur vazhdimisht, të vënë rregull në vendosjen e këpucëvet, sandalevet, çizmevet dhe shapkavet, në korridoret e banesavet të veta dhe paralelisht t’i kryejnë të gjitha ato që u thanë në krejt këto këshilla që, doemos, nuk mund të jenë, as përfundimtare e as të përsosura.

Durrës 4 gusht 2021

***

PËRÇARJA FILLON TEK EMRI

Nga Gjokë Dabaj

“Ndihmë, se mbaruem!”, pat thënë Pjetër Bogdani. Edhe unë po them: “Ndihmë, se mbaruam!”, por jo duke iu drejtuar së njëjtës perendi. Albin Kurti i thotë Republikës së Kosovës Kosovë. Nuk i thotë Shqipëri. Albin Kurti i thotë Republikës së Shqipërisë Shqipëri dhe kjo krijon përshtypjen sikur banorët e Republikës së Kosovës nuk janë shqiptarë, por janë kosovarë. Është një handikap terminologjik, i cili, o duhet të korrigjohet, ose do të vazhdojë të krijojë përçarje, deri në pamundësi edhe për ta ëndërruar bashkimin kombëtar, jo më për ta realizuar. Ed Rama Republikën e Kosovës e quan Kosovë. Nuk e quan, as Shqipëri, as pjesë e Shqipërisë. Për Ed Ramën, Kukësi gjendet në Shqipëri, Korça gjendet në Shqipëri, por Prizreni e Mitrovica nuk gjenden në Shqipëri. Si mund të ketë Ed Rama të njëjtat ndjenja, si për Korçën, edhe për Prizrenin, kur Prizreni, sado që flet shqip, në konceptin e tij, në formimin e tij kulturor, nuk është pjesë gjeografiko-terminologjike e Shqipërisë?! Por faji nuk është, as i Albin Kurtit, as i Ed Ramës. Faji është i profesorëvet tanë në Tiranë e në Prishtinë! I profesorëvet të gjuhës shqipe, i profesorëvet të historisë, i profesorëvet të gjeografisë, i profesorëvet të gazetarisë dhe i vetë gazetarëvet. Ata (i mbajtshin me shëndet diplomat dhe doktoratat!), as që e kanë vënë ujët në zjarr për ta rregulluar këtë terminologji. Profesorët e Berogradit e quajnë Kosovën Sërbi. Madje Sërbi e Vjetër! Profesorët tanë, përkundër njëmijë argumentevet shkencorë, nuk arrijnë ta quajnë Kosovën efektivisht pjesë të Shqipërisë. Në Prishtinë po qarkullojnë “teorira” për t’i thënë Kosovës Dardani. Kërkoj ndjesë për shprehjen, por nuk kam rrugë tjetër. Idiot pas idioti! Askujt prej këtyre truthartuarve, nuk i shkon mendja të propozojë për ta quajtur Republikën e Kosovës, për shembull, Republika e Shqipërisë Verilindore, por i shkon mendja ta quajë Dardani! Aty u ka ngecur mendja!  Madje, pa e ditur saktësisht nga vjen emri Kosovë, por duke dëgjuar somnambulët  sërbë, që  emri Kosovë na qenka emër mëllenje! Plakat tona thoshin: Zoti e baftë mirë! Dhe unë po them: Na ndihmoftë Shpirti i Kombit Shqiptar, për t’i kuptuar si duhet këto gjëra dhe për ta përdorur si duhet të paktën emrin e Atdheut tonë, për të ditur ku fillon e ku mbaron Shqipëria.

Durrës 13 gusht 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura