ARIOZOFIA E RIKTHYER NË KREMLIN…

Fokus Europe

ARIOZOFIA E RIKTHYER NË KREMLIN…

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin Prill 2022

1.

Tash sa vite, krahu i zhvilluar i Europës kishte hedhur në qarkullim filozofinë e dy shpejtësive.

Të parët, shpejtakët ishin ata vetë, ndërkohë që për të dytët, ngadalësit e jugut, ishte rezervuar një tren i javashtë. I harruar në stacionet periferike plot tym e braktisje.

Kuptimi i ndarjes ishte një tabelë: tabela e shkallëzuar e aftësive mes kombeve e kulturave të saj. E, njëkohësisht, justifikim i  mungesës së vullnetit për pritje. Për solidarësi të proklamuar komunitare…

Ky diferencim do të merrte ndër vite dhe një fill, një largesë të re përjashtuese.

Ishte vuajtja gjeopolitike që, e dremitur pak, zgjohej sërish e veshur në mantelin e kohës sonë.

Ndaj, interesat që quheshin stolisshëm “shpejtësi”, do të thërmonin akoma ëndrrën e Shtëpisë Europë.

Grindja e Morawieckit dhe Macronit i hiqte atë pak kallaj q’e mbulonte. Shtëpia funksiononte në syprinë e për ca punë të vogëla. Bashkimi nuk i’a doli të ngrihej mbi konceptin e shteteve postnacionale, madje as të shteteve postklasike.

Shqiptarët morën shenjën e zezë të ndalesës, kurse Morawiecki i Polonisë, si për të zbardhur një grimë prapaskenën,  dyshonte thellë e hidhshëm në telefonatat e Macronit me tiranin Putin. Për se keni biseduar, i vetëm e pa dëshmi? Fundja, i thotë, me Hitlerin nuk fliste askush!

I lënë kështu  shteghapur, Putin Grozny bën tutje në orgjinë e përgjakur…

Dhe fundin e saj e sheh të zymtë filozofi frëng Michel Eltchaninoff, që ka studjuar mendimtarët e admiruar nga diktatori rus. E dija, shkruan mandej ai, se meqë ishte ngritur në simbol unifikimi të nacistëve, metafizikëve e caristëve, do të  ndizte kurdoherë një luftë të madhe…

2.

Ndërsa në Berlin mori një kohë për reflektim opozitar, e djathta, tashmë  fashiste, konsolidohet në Belgrad e Budapest dhe afrohet tek froni në Paris.

Po pse të nemitet njeriu kur idiotët e dobishëm të Putinit shtojnë numrin dhe në radhët e socialdemokratëve gjermanë. Një publicist shkroi gjithë pezm se si Cdu-ja e Merkelit dhe Presidenti i rizgjedhur  Steinmayer varën Gjermaninë në gozhdën e orbitës ruse.

Për zonjën Angelë nuk e di, por tjetri, ndërkaq, ka trashëguar gjenealogjinë e tillë nga kancelari e miku i hershëm Schröder.

Ende sot qarkullon në Moskë termi figurativ që shenjëzon një  dinjitar të shitblershëm. Kur duan t’a korruptojnë dikë këshillojnë shkurt: “shrëderisazja”, që domethënë shrëderoje, e pra, korruptoje ditëziun.

Termi do të shfaqej i frymëzuar nga punët e pista ruse të kancelarit Schröder, që do të rrëzohej me pas njëj votëbesimi të humbur në Bundestag.

Në tregun politik gjerman të parafrorit ai vlente si një Rusi-njohës i shkëlqyer dhe kjo ishte arsyeja që mendohej ndërmjetës i vyer në Kremlin. Por, pa vonuar, dikush u kujtua se, më parë se Rusi-njohës, Kancelari i rritur jetim në familje punëtore, doli të ishte Rubël-njohës i pasionuar.

Tani, m’anë tjetër, a mund të cilësohen kaq vendimtare zgjedhjet në Francë? Mari Le Pen, njëmend i skaliste qysh herët me shkronja ari pllakën përkujtimore Europës së bashkuar. Por, së paku, e bënte hapur. Pa dredhje tinëzare. Pa hipokrizi. Dhe pa lojën e dyfishtë që ndjekë Macroni këmbëfshehtë. Ky, në fakt, e do një Europë unitare, veçse, si shprehej De Gol në një libër kujtimesh, me Francën në krye të kolonës së kombeve të saj.

Pastaj, njëj toni shantazhues, a nuk deshi të dëgjonte nga i ftuari Kurti në Paris: çfarë do t’i jepnin Serbisë për paktin e paqes… 

Ç’peshë ndryshimtare, pra, mund të ketë një statu-quo apo një alternancë legjislaturash në Paris?!

Pak peshë. Shumë pak!

3.

Marshi i paqes shtegton n’për Europë.

Ndërsa ndiqte ngjarjen, një reporter pak i thyer e me ironi, pyeste një pjesëmarrëse: po ç’del nga e gjithë kjo zhurmë? Asgjë, i’a ktheu ajo. Por s’mund të rrija e prehur në divan, ndërsa Europa digjet flakë.

Pastaj, pa besuar kush,

njëj mesazhi krejt të kundërt do të nisnin marshe të tjerë rusësh, rezidentë në Gjermani: në mbështetje t’zjarrtë të luftës së Putinit.

Një krahasim krejt i thjeshtë nxjerrë palët me përparësi të ndryshme.

Të parët, moralisht të lartë, duken të pandihmë e vetmitarë. Jehu i tyre nuk dëgjohet përtej shesheve rrethuar nga policia që do t’më kujtojë vargjet e mëdha: “kam parë njerëz vorfnjakë të lidhur, shoqëruar nga njerëz vorfnjakë të armatosur”!

Kurse të dytët, ata me flamuj Rusie e parulla lufte, moralisht janë të ulët, por vërehen përtej një hallakame rrugësh. Ulërima e tyre arrin deri në Moskë dhe  frymëzon shpirtërat demoniakë të errësirës dhe vdekjes.

Në kujtimet e Traudl Junge, sekretarja e fundit e tij, Führeri paskësh thënë: Gjermania vete e humbur, por ideologjia ime do të kthehet një ditë me fuqinë e religjionit.

Dhe ajo u kthye. Jo në Berlin, por në Kremlin.

Një diskurs është, vërtetë, i pikërishëm. As i pasaktë dhe as i parakohshëm.

Përse, prandaj, nuk shpallet barasshenja e ideologjisë putiniste me ideologjinë hitleriste? Dhe, poaq, ornamentika e tyre: kryqi i thyer dhe “Z”- ja ruse që lajmëron turrin ekspandiv drejt perëndimit.

Gjithçka është e njëjtë: plani, gjaku, morti, gjenocidi, dëbimi biblik, demagogjia dhe justifikimi teorik me racën ruse që, sipas Atit shpirtëror Aleksandër Dugin, duhet të marrë në dorëzim gjithë Euroazinë: që nga Londra deri në Vlladivostok!

Pastaj jo veç veprimi, por do të heshtohej e ndëshkohej dhe vetë fjala ose sintagma “luftë e drejtë e Putinit”. Gjithnjë me doktrinën e fajit dhe riedukimit kolektiv në fillesën e vështirë të demokracisë libertare.

4.

Prill, 2022 Berlin

LOJA E DYFISHTË E PREMIERIT SHQIPTAR

Sa të parrëzueshme këto fjalëurtat popullore.

Kujton libra të lexuar. Leksikonë thënjesh të arta. Fragment bisede me ndonjë të ditur. Por fjalën e vyer nuk e gjen dot.

Pastaj, papritur, nga thellësia e kohës dhe thesarit popullor, i’a beh ndihma e gjatëkërkuar.

Miku i përngjet mikut dyzet vjet përpara. Në fakt bëhet fjalë për miqësi krushqësh. Por kuptimi i saj është më i gjerë dhe në kohët që janë e do vijnë.

Ndaj këtë urti kërkoja për të zbërthyer afrinë intime, gati nyjëtare të Premierit shqiptar Ramës, me presidentin e serbëve Vuçiq.

Mirëpo njëj diferencimi të hollë: ndërsa serbi barrikadohet në interesat e vet jetikë, është shqiptari që përulet e sakrifikon për “miqësinë” historike.

I tillë, ai ndjekë shkollën e vjetër të hipokrizisë. Është çelës për funksionimin intern dhe maskën e bukur të afrisë vëllamërore.

E pra, të dy bëjnë lojën e ndyrë të dyfishtë. I pari, serbi Vuçiq, shpall kundërshtinë e okupimit të Ukrainës, sepse i volis një paralele me vendin e tij që i këputën Kosovën, ndërsa refuzon të sanksionojë Rusinë.

Ndërkaq, i vogli, shqiptari Rama, hedh po këtë tango, veçse, ndryshe nga dinakëria e dobishme serbe, shumë fatkeqe për kombin e vet.

Dënon, rrjedhimisht, agresionin rus, dhe i bashkohet sanksioneve perëndimore të cilat, në formatin shqiptar, s’janë veçse pjesë morale e frontit të madh. Mirëpo, vini re, i dërgon vëmendshëm  Moskës shenjën e tërthortë të mirëkuptimit.

Domethënë: flet me retorikë antiruse që humbet në erë, por, njëkohësisht, mbështet ekspoziturën e ligë të Putinit në Ballkan.

Europa përflaket. Bota trandet. Globalizmi dhe rendi i sigurisë përjetojnë vdekje klinike. Kurse ky, despoti i vockël shqiptar,  rikthen Ballkan-hapurin,ledhaton besnikërisht mikun (ngjashmëri e hershme paraprijëse dyzet vjet më parë…) dhe dizajnon aleancë komode me Serbinë.

Në dëm të atdheut dhe të paqes në Europë!

Jo çdo ditë, por çdo orë  pushteti e tij, është fatale për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët mbarë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura