(Pashtriku.org, 27. 02. 2013) – Sapo kalon Qafën e Thanës, vetëm 11 km larg doganës, befas para syve të shpaloset një hapësirë e kaltër si në një ekran filmi. Vështrimi ndjek vetiu përkundjen e valëve dhe rrëshqet ngadalë drejt brigjeve. Kjo është Struga e Maqedonisë, ku pjesa dërrmuese janë shqiptarë. Është Struga e bukur, e preferuara e turistëve të shumtë, Struga e mbrëmjeve poetike me poetë nga e gjithë bota që zhvillohen çdo vit. Por, ky qytet i bukur mban brenda vetes edhe diçka tjetër. Në ecejaket e shumta në shtetin fqinj kam zbuluar një fakt tepër interesant. Historiani Nebi Dervishi më thotë se në Strugë ka jetuar për gati 66 vjet djali i Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlora dhe gjithë arkivi i qeverisë së Vlorës ka ardhur dhe është zhdukur në Strugë.
Kush ishte Qazim Bej Vlora?
Qazim Bej Vlora është djali i parafundit i Ismail Qemalit, i cili ka lindur në vitin 1870 dhe ka vdekur në Strugë në vitin 1953. Nga viti 1900 deri në vitin 1919, ka qenë vazhdimisht pranë të atit, në çdo mbledhje dhe gati në të gjitha përpjekjet diplomatike për lirinë e trojeve shqiptare dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Ismail Qemali ka thënë për Qazimin, se ky djalë është “memoria ime”. Sipas shoqatës së historianëve në Strugë, Qazim Bej Vlora ka ardhur në Strugë në vitin 1936, me një dokumentacion të pasur nga babai i tij Ismail Qemali dhe me shumë dokumente origjinale të qeverisë së Vlorës. Në moshën 66-vjeçare është martuar me 29-vjeçaren Behije Sherif Masllafi, e cila ishte e veja e Inajet Bej Ohrit. Ajo kishte 4 fëmijë dhe ata njiheshin edhe më parë, pasi djali tjetër i Ismail Qemalit ishte i martuar me të motrën e Inajet Bej Ohrit. Më 1939-ën, kur pa se gjendja në Shqipëri ishte e turbull në prag të pushtimit fashist, ai vjen në Shqipëri dhe e merr të gjithë dokumentacionin e krijimit të shtetit shqiptar për ta siguruar. Kështu jetoi deri në vitin 1949, kur qeveria shqiptare e asaj kohe do t’i ndërpriste një pension që ia kishte akorduar qeveria e Zogut për Qazim Bej Vlorën. Në dimrin e vitit 1953, pas një sëmundjeje kronike në moshën 83- vjeçare Qazim Bej Vlora vdes dhe varroset në varrezat e Strugës. Bashkëkombësit e varrosën në mënyrë modeste, duke i lënë një shenjë një guri, ku shkruhej se ky është varri i Qazim Bej Vlorës.
* * *
Humbja e dokumenteve të qeverisë së Vlorës
Humbja më e madhe duhet konsideruar zhdukja e gjithë materialeve origjinale që ai kishte ruajtur nga qeveria e parë e shtetit shqiptar. Një pjesë i ka zhdukur policia e fshehtë serbe e asaj kohe, një pjesë ia ka marrë personeli i Komunës, i cili ia ka djegur së bashku me dokumente të tjera. Deri në vitin 1994 askush nuk fliste për Qazim Bej Vlorën, ndonëse e dinin të gjithë që ai ishte djali i Ismail Qemalit. Disa të moshuar e dinin vendin ku ai ishte varrosur, një varr i thjeshtë, i mbuluar nga barishtet. Në vitin 1997, shoqata e historianëve të Strugës, e cila hulumtoi me dëshmi dhe fakte mbi jetën e këtij patrioti të shquar, që ka qenë sekretari personal i Ismail Qemalit. Shtëpia e tij u shtetëzua nga komuna dhe më pas është ndërtuar “Euro Hotel Drini”. Shtëpia tjetër ku ka jetuar Qazimi, është në gjendje të mirë, me dy kate.
Aktiviteti i Qazim Bej Vlorës
Qazim Bej Vlora ka qëndruar gjithmonë pranë të atit. Veprimtaria e tij nuk ka qenë vetëm diplomatike. Ai ka zhvilluar edhe aktivitete ilegale, duke mbledhur armë dhe duke financuar çetat patriotike të luftëtarëve shqiptarë. Qazim Bej Vlora ka qenë njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, aktivist në qeverinë e Vlorës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar. Vdekja e tij në Strugë pothuajse kaloi në anonimitet të plotë duke lënë pas vetes një bibliotekë të pasur, së cilës ashtu si të dokumenteve të qeverisë, nuk i dihet fati.
Nderim Qazim Bej Vlorës…
Forumi i intelektualëve të Strugës, me ndihma të qytetarëve dhe të institucioneve e ka vendosur Qazim Bej Vlorën në piedestalin që ai e ka merituar. Kryetari i këtij forumi, Xhemi Hajredini thotë se një vizitë pranë këtij varri vlen për të pastruar ndërgjegjen tonë prej shqiptari se “ne nuk e kemi ditur se në varrezat e qytetit tonë prehej Qazim Bej Vlora”. Ky forum, siç tregon kryetari Xhemi Hajredini, ka krijuar me ndihmat e qytetarëve një varr dhe një pllakë dinjitoze që përjetëson veprën e Qazim Bej Vlorës.
– Hasan Prishtina, Qazim bej Vlora (djali i I.Qemalit) dhe Ismail Qemali –