MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (71)

Pashtriku, 16 shtator 2020:
8.1.10 Letër drejtuar të gjithë anëtarëve të Organizatës, botuar te GMLK “Materiale”
“Letër të gjithë shokëve
Të dashur shokë,
veprimtaria jonë revolucionare po ecën e sigurt në rrugën e saj të drejtë. Sukseset tona janë të pamohueshme; me gjithë vështirësitë, rreziqet, pengesat e shumta që po na vënë përpara armiqtë e tërbuar, jemi bërë të pandalshëm në realizimin e qëllimeve tona. Sado të egërsohen armiqtë nuk mund të na ndalin hovin tonë, sepse aspiratat tona janë aspirata të popullit.

Por në punën tonë nuk mungojnë të metat e gabimet. Ne asnjëherë nuk jemi dehur nga sukseset. Edhe në të ardhmen ne do të hulumtojmë të metat, gabimet e lëshimet dhe me kohë do të bëjmë ndreqjen e tyre.
Ne kësaj radhe, po ju shkruajmë për disa nga të metat, gabimet e lëshimet më të theksuara që vërehen te disa shokë. Qëllimi ynë i vetëm është që ato të evitohen dhe të mos përsëriten më. Ju pa dyshim do të nxirrni edhe vetë gabimet dhe të metat tuaja në shesh dhe do të gjeni mjete dhe metoda për ndreqjen e tyre. Besojmë se do të na shkruani për çdo sukses në këtë drejtim.
Po ashtu presim të na shkruani edhe ju për çdo çështje dhe të pasqyroni të metat dhe gabimet tona në to.
Në këtë mënyrë ne ndihmojmë njëri-tjetrin dhe koordinojmë veprimtarinë tonë, forcojmë unitetin tonë.
Çështjet që po i prekim në këta rreshta mos i lini kaq ngushtë, zhvilloni diskutime të gjalla rreth problemeve tuaja, zhvilloni kritikën dhe autokritikën e shëndoshë, mos lini asnjë gabim e të metë të fshehur, por nxirrni dhe ndreqni ato. Kështu të veproni jo në mënyrë fushate, tani kur ju shkruajmë, por sistematikisht…
Ngritja teorike dhe edukimi ideo-politik: …Paqartësitë janë pasojë e papunësisë dhe tradhtia shpeshherë është pasojë e paqartësive…Duhet punuar shumë që të jemi militantë, të kemi aftësi për ta edukuar drejt masën dhe të luftojmë në çdo fushë armikun. Duhet gjithashtu punë e madhe për t’i njohur ligjet e revolucionit, strategjinë e taktikën e tij…
Disiplina dhe konspiracioni: Çdo trajtim i gabuar i konspiracionit është njëkohësisht shtrembërim i metodave të luftës kundër armikut…
Burgu është shkollë për revolucionarin. Torturat, sado të tmerrshme të jenë nuk duhet të lëkundin as për një çast qëndresën tonë dhe besimin e vendosmërinë e patundur. Nuk ka forcë armiku që mund të mposhtë shpirtin tonë revolucionar. Kur armiku në burg kërkon prej nesh shokët tanë, nënshtrimin, me lajka ose tortura, është njësoj sikur në front të luftës të kërkojë dorëzimin tonë…
Mbledhjet:…Për të bërë një punë sistematike revolucionare, për të shqyrtuar bashkërisht problemet që dalin në veprimtarinë tonë dhe për të përcaktuar detyrat, është e nevojshme të mbahen mbledhje të rregullta. Duke pasur parasysh se mbledhjet shërbejnë efektivisht për edukimin e shokëve dhe për forcimin e unitetit ideologjik dhe organizativ të radhëve tona, duhet kushtuar rëndësi të madhe atyre. Mbledhjet duhet të mbahen rregullisht, të organizohet mirë puna e tyre dhe të bëhen përgatitje nga çdo shok që ato të zhvillohen në lartësinë e duhur. Çdo mbledhje duhet të ketë një rend të caktuar pune.
Në mbledhje duhet analizuar situata politike në vend dhe në botë dhe të nxirren konkluzione të drejta politike.
Secili duhet të raportojë për punën e tij, duke analizuar këtë punë për të nxjerrë të metat dhe gabimet që pastaj të ndreqen ato.
Për çdo mbledhje duhet të përgatiten punime me shkrim dhe të gjithë shokët duhet diskutuar për to. Diskutime të gjalla të zhvillohen edhe rreth materialeve tona të tjera, duke nxjerrë detyra konkrete prej tyre. Nuk duhet lejuar as shfaqjen më të vogël indiferentizmit te asnjë shok për problemet që shqyrton mbledhja. Mbledhja duhet të jetë çështje e të gjithë shokëve. Duhet të krijohen kushtet nga ana tjetër dhe duhet inkurajuar shokët që të diskutojnë pa ndrojtje. Diskutimet duhet të jenë të gjalla, luftarake dhe jo formale e pa shpirt revolucionar.
Në mbledhje duhet të kontrollohet kryerja e detyrave të çdo shoku dhe për çdo neglizhencë të merret qëndrim i rreptë dhe parimor.
Duhet t’i vëmë kujdes të veçantë zbatimit të një disipline të rreptë në gjithë veprimtarinë tonë. Duhet gjithashtu, të kritikojmë çdo të metë, gabim dhe shfaqje të huaj në radhët tona.
Çdo mbledhje duhet të nxjerrë detyra të reja për shokët, kurse për çdo detyrë duhet të merret vendim dhe për çdo shok duhet të caktohen detyrat konkrete.
Në fund të çdo mbledhjeje duhet të nxirren konkluzionet e saj.
Zgjerimi i radhëve: … Çështja e zgjerimit të radhëve është detyrë e vazhdueshme dhe shumë e rëndësishme. Në zgjerimin e radhëve duhet pasur parasysh kurdoherë parimet dhe kriteret tona të shëndosha.
Radhëve tona i duhen njerëz që çështjen e popullit e të Atdheut e bëjnë çështje të veten, njerëz që mbajnë të gjallë kurdoherë ndjenjën e pastër patriotike dhe internacionaliste, militantë të zgjuar, agjitatorë dhe propagandistë të zellshëm…
Në radhët tona nuk kanë vend arrogantët e prepotentët, karrieristët e megalomanët, oportunistët, servilët e të tjerë si këta. Shokët tanë duhet të jenë të edukuar që interesin vetjak t’ia nënshtrojnë interesit të përgjithshëm; ata duhet të jenë modestë, punëtorë të palodhshëm dhe të disiplinuar, të ndershëm dhe të sinqertë, besnikë e të gatshëm t’u ndihmojnë gjithanshmërisht dhe në çdo situatë shokëve. Radhët tona duan njerëz, jo të rehatisë mikroborgjeze e pasivë, por njerëz të iniciativës dhe entuziazmit, të gatshëm për çdo sakrificë, kur atë e kërkon interesi i popullit. Në radhët tona duhet të farkëtohen njerëz me pikëpamje të qarta politike e organizative, me moral të lartë komunist, të edukuar për të mos iu trembur rreziqeve, por që me trimëri e vullnet të pathyeshëm dhe me vendosmëri të patundur i bëjnë ballë dhe i kapërcejnë ato.
Çdo shok i radhëve tona duhet të qëndrojë në lartësinë e detyrave, t’u përgjigjet me vetëmohim atyre dhe të jetë konsekuent në zbatimin e vendimeve. Çdo shok i radhëve tona duhet të jetë i aftë të punojë në mënyrë të pavarur dhe në të gjitha kushtet. Janë shokë të mirë, jo ata që heshtin, qëndrojnë indiferentë, por ata që diskutojnë, shfaqin mendimin e tyre për të gjitha problemet, pa ndrojtje dhe kritikojnë hapët çdo të metë dhe gabim që vërejnë në punën e vet dhe të shokëve. Janë shokë të mirë, jo ata që fusin konfuzion ndër shokët, por ata që ruajnë dhe forcojnë unitetin e Grupit, jo ata që bëjnë ndarje e grupazhe, por ata që mbrojnë me çdo kusht Grupin tonë nga përçarësit, ata që ruajnë me vigjilencë të lartë pastërtinë e radhëve tona. Në radhët tona nuk duhet të ketë ndjenjë katastrofe, disfatizmi, luhatjeje e pasigurie, por bindje të patundur në fitoren e sigurt. Shokët e radhëve tona nuk duhet të vuajnë nga gjaknxehtësia dhe rrëmbimet e çastit, por duhet të kenë qëndrim të matur në çdo punë e të kenë durim e logjikë të shëndoshë. Njerëz me cilësi të tilla u duhen radhëve tona.
Gjatë zgjerimit të radhëve duhet pasur parasysh edhe strukturën; në radhët tona duhet të dominojnë punëtorët. Duhet pasur parasysh që të formojmë celula në çdo skaj të vendit, në çdo fabrikë e kombinat, në çdo ndërmarrje e minierë… Fshatarësia jonë është një forcë e madhe e aleate besnike e klasës punëtore, prandaj radhët tona duhet të kenë gjithashtu edhe fshatarë dhe puna jonë me fshatarësinë duhet të jetë e madhe. Puna me gratë është gjithashtu një çështje e madhe për revolucionin. Nuk duhet lënë anash as rininë shkollore e studenteske si dhe intelektualët revolucionarë.
Shokë,
Të vëmë në shërbim të revolucionit të gjitha forcat tona fizike e mendore dhe të mos kursejmë djersën as gjakun në rrugën tonë të drejtë!
Të qëndrojmë të patundur, konsekuentë dhe të marshojmë drejt fitores së sigurt!
Përshëndetje revolucionare (1)
(1) Letër të gjithë shokëve, të GMLK, “Materiale” 1978
VIJON …
_______________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (70)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10508

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura