PËRPARIM DEMI: SFERA E DIJES

Bukuresht, 26. 02. 2014 – Kam lexuar mjaft sa për të kuptuar se sa pak di dhe sa shumë më duhet të mësoj akoma. Më pëlqen shumë shëmbulli i krahasimit simbolik të dijes me sferën, ku sipërfaqja e saj përfaqson atë që di dhe volumi i saj (çfarë ka brënda saj) atë që nuk di. Kur rritet sfera, zmadhohet sipërfaqja e saj, pra rritet shkalla e njohjes, por në të njëjtën kohë volumi (e panjohura) rritet edhe më shumë. Raporti S/V (sipërfaqe/volum) i kësaj sfere zvoglohet në këtë rast. Kur sfera është e vogël raporti mes dijes dhe mosdijes është i madh dhe po ta zvoglojmë akoma, sfera bëhet pikë. Në këtë stad ajo ka vetëm sipërfaqe, ajo e pikës, pasi volumi i saj humbet. Ky raport i sferës së dijes, siç po e emërtoj unë, numerikisht lëviz nga zero e deri tek njëshi, ose në gjuhën matematikore themi se fusha e përcaktimit të raportit të sferës së dijes është brënda segmentit [0,1]. Kur sfera bëhet pikë, S = V dhe raporti S/V = 1.
Kështu duke përdorur simbolin e sferës për të përfaqsuar nivelin e kulturës dhe shkallën e dijeve të një personi, mjafton të bëjmë krahasimin e sipërfaqes së “sferës së tij” me atë të një sfere me madhësi standarte të pranuar nga gjithë shoqëria. Pikërisht këtu më lind një problem, pasi me gjithë kërkimet e mija, nuk kam mundur të gjej këtë vlerë standarte. Ka mundësi të mos kemi një gjë të tillë fare dhe unë po e humb kohën kot duke e kërkuar. Ndoshta shoqëria jonë se ka parë të nevojshme asnjëherë të ketë një standart për raportin dije/padije dhe as të financojë studime të kësaj natyre.

Në kohën e diktaturës e kishim kollaj punën, as që vrisnim mëndjen për gjëra të tilla, sepse puna ishte e zgjidhur mjaft mirë. Kjo hynte në atributet e partisë. Kur partia vendoste të të bënte të ditur, ishe i ditur automatikisht dhe askush nuk e diskutonte. Ndodhte që pas një farë kohe partia të ndëronte mëndje dhe të zbriste në klasifikimin që të bënte, nga i ditur të qiste injorant – dhe ashtu ishe me të vërtet injorant krejt, prap se diskutonte kush. Pra në punët e partisë nuk ngatërohej njëri. Kush guxonte atëhere të dilte kundra, punë me rrezik dhe plus merrje në qafë familjen dhe krejt fisin. Ne atëhere kishim vetëm një shumë të ditur, dmth ai që i dinte të gjitha, pastaj ishin nja dhjetë shkallë bosh, dhe më poshtë fillonin të numëroheshin të tjerët. Kur arrinte tek populli kjo s’kishte më fare rëndësi pastaj, bile as që e merrte mundimin njëri të shprehej apo ta vlersonte dijen.
* * *
Të kthehemi tek sfera. Ai njëshi që kishim ne atëhere, me siguri e kishte vlerën e raportit “zero”, shumë i dijshëm dhe i zoti ishte. S’kishte kandar ta maste aq i mënçur ishte. Ndërsa ne “harbutëria” e kishim “një”, ja po jua them unë, hiç or hiç, kurgjë s’dinim. Sikur mos na e thoshte partia neve, s’kishim për ti gjet kurrë gjithë ata armiq që kishim në gjirin tonë. Nejse, këto dy extreme i marr kollaj me mend, për ata të tjerët e kam pak të vështirë ta përcaktoj. Prandaj po provoj të zgjedh përmes një llogjike të thjesht të progresionit arithmetik. Shpesh tek ne përdorej shprehja, se dikushi nuk dinte as gjysmën e asaj që dinte tjetri. Përshëmbull, inxhinjeri s’dinte as gjysmën e asaj që dinte drejtori. Drejtori s’dinte as gjysmën e asaj që dinte ministri. Kur shkonte puna deri tek puntori arrinte kokoshi një thelë. Andej nga fshati as që diskutoheshin këto punë. Atje shumë shumë belbëzonte diçka kryetari i kooperatives dhe kaq. As kryagronomin se fuste njëri në kandar, punë katundi. Pra masa e gjysmës si njësi matëse, mesa më kujtohej, ishte në modë atëhere. Kështu kur ai i madhi e kishte vlerën e raportit “zero” dhe ne të tjerët e kishim “një”, atëhere ata poshtë të madhit me siguri që e kishin tek “gjysma”.
Në fakt, kush e mban mënd, që të hyje në kategorin e gjysmakut ishte punë e vështirë, rrugë e gjatë dhe e lodhshme. Mirë, kishte dhe nga ata që e trashëgonin nga prindi, domethënë sa dilnin në jetë, që spurdhjak hidheshin direkt tek gjysma. Por edhe këta e kishin një problem, se për ta e këshillueshme ishte të mbeteshin gjithë jetën tek gjysma. Nuk të linte partia as të hypje dhe aq më pak të zbrisje pa lejen e saj. Zbritja sidomos ishte fatale, se rrokulliseshe taposht, direkt armik i popullit bëheshe, apo poliagjent e them-thashe të tjera. Pra ishte keq fare kur të rrëshqiste këmba, prandaj duhej shumë kujdes, të ecje me mend në kokë, aty ke gjysma, jo më tutje.
Iku ajo kohë. Kam pak nostalgji për të, se ishte shumë e thjeshtë puna, të gjithë e dinin dhe nuk bënin zë. Tani janë ngatëruar keq punët, prandaj them se ishim të pa pregatitur. Tani s’ta mat njëri kokën me të vjetrën. Sot kemi aq shumë të zotë sa na mbaroi fare populli i thjeshtë. Normalisht duhej të kishim nga pak nga të gjitha nivelet. Jo ore jo, çfarë thua, kush e lë të bjerë më poshtë se tjetri. Kështu, ja po të marrim zanatin e shkrimtarit-të gjithë janë bërë shkrimtarë e filozof, a ta merr mëndja? Për gazetarë mos më pyet – të gjithë hiqen gazetarë pa diskutim (shikojeni në internet se e keni plot, do na pëllcasi si tullumbacja). Diplomat – këtu më rri, se këtë zonat e kemi në gjak, hiç mos e nga fare këtë punë. Për politikë dhe diplomaci kemi mbaruar të gjithë, që sa lindim, si i thon llafit e kemi marrë zanatin bashkë me qumshin e nënës. Kam nja dy këtu që të lënë pa mënd fare.
Halli është se ne meqë i kemi hyrë modernizimit, reformave etj., kemi ndruar dhe punën e sferës që të mat dijet apo kokën, si i thonë nga katundi. Sferën si ta rrotullosh po njësoj mbetet sferë, si topi i futbollit, prandaj nga kjo pikpamje u jap të drejt. Pra nuk ja gjen dot kollaj nga e ka fillimin dhe nga e ka mbarimin, kur është poshtë dhe kur sipër. Për shembull a ja gjeni dot mëndjen një politikani, ku fillon e ku mbaron, çfarë thotë e çfarë mendon? – jo e pamundur. Prandaj dhe ai raporti (S/V) i sferës tonë na është përmbysur, është bërë V/S. Kështu që në vënd që mileti të bëj karierë të merituar kur vlera e raportit të sferës së tij të zbresi drejt zeros, tek ne është e kundërta, bëjnë karierë ata të cilëve vlera e raportit të sferës u hypën sipër. Atje në maj ngjishen të gjithë tek “njëshi”. Siç duket, u gjykua si jo llogjike variant i parë, si të hypish shkallët e karierës kur të zbret vlera e raportit – jangllëç, anapolla kjo punë. Atëhere pasi e menduan mirë e ndryshuan, pra tani kur të hypën vlera e raportit të sferës, hyp dhe ti në pozitë. Haj ta themi shqip fare, sa më pak të dish aq me lart hypën. Mua më duket llogjike kjo, se kur e ke bagazhin e lehtë nuk lodhesh shumë shkallëve. Pale ata që janë pa bagazh fare, fluturojnë. Kështu po, e merr vesh robi tamam. Kur të arrish tek njëshi, dmth tek pika , je i madh fare. Në këtë pozicion s’ke shumë punë për të bërë, ç’të duhet kultura, s’do shumë mënd të heqish shkallën që mos hypin të tjerët pas teje.
E hoqe shkallën – rri rehat aty, mos b’zaj, dhe mos bëj gafë të zbresish se ta zënë vëndin sa të hapish e të mbyllish sytë. Ja kështu e pësoi Fatos Nanoja i shkret, ja zunë vëndin dhe mbeti jashtë i ziu.
* * *
Ehhh, halle halle kjo dynja dhe halli hallit nuk i ngjan.
Unë prap se kam të qartë, kur do nxjerim dhe ne një standart tonin për “kokat”. Kot për kuriozitet, që ta di dhe unë ku jam. Nuk them, na ngatëron pak dhe ajo puna e patriotizmit, se as këtë se masim dot, s’kemi standart të aprovuar nga kuvendi. Këto janë gjëra specifike alla shqiptare, andej nga perëndimi nuk i kanë këto probleme. Atje ka transparencë, gjërat dihen, diploma është diplomë, ta masin kokën shtatë herë pastaj ta japin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura