FATBARDHA DEMI: BINDU! – EMRI QË I DHANË ARBËRIT – PERËNDISË (I)

Tiranë, 26 shkurt 2018: “Ne pellazgë kemi lerë para se të lindtë hëna,
Kur Adami nuk ka qenë veçse ujë edhe pluhur,
Dhe të parët tanë s’ishin vetëm baballarë popujsh,
Porse ishin baballarë dhe të vetë perëndive.” – Naim Frashëri (1846 – 1900).
Këto vargje janë shkëputur nga poema “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”(1886) e Naim Frashërit dhe , në se vërtetohet si fakt shkencor, do të sillte një ndryshim thelbësor në shkencën e Historisë botërore të Lashtësisë.
Mirëpo përfaqësuesit e Albanologjisë zyrtare shprehen se : Të tilla pohime kaq kategorike tregojnë se ajo çka u intereson në thelb rilindasve shqipetarë në përsiatjet e tyre „etimologjike“ nuk është aq „akriba shkencore“ (saktësia shkencore-shen. im) sesa të vërtetuarit me çdo lloj mënyre i lashtësisë së bashkombësve të vet në trojet ku banojnë (…) Le të themi thjesht se një qëndrim i tillë, kur përballë greqishtes vihej një gjuhë pa monumente të lashta shkrimore, siç është shqipja, tregon edhe pasion edhe guxim por edhe një trajtim romantik të problemit. (Dhori Q. Qiriazi Par-Etimologjia dhe Historia ) (1)

Mohimi i vlerave të ardhura nga shekujt e kaluar, nuk është një çfaqje e papritur e shekujve modern, kështu edhe Ecateo i Miletit (550 pK. – 476 pK.) i quante „shumë qesharake“ tregimet e Helenëve (mitet pellazge-shën im). (2) Qëndrime të tilla mohuese ndaj trashëgimisë historike (që vijojnë fatkeqsisht edhe sot ndaj Rilindasve tanë), u kritikuan që në shekullin e 19, duke i vendosur studimet e kësaj fushe mbi baza shkencore. Johann Gustav Droysen (1808 – 1884) një nga revolucionarizuesit e historiografisë gjermane pohonte se: Thelbi i metodës në shkencën historike është të kuptosh duke kërkuar. (3), që do të thotë: Të kërkosh fakte, për të vërtetuar drejtësinë apo pavërtetsinë e tezave të studiuesve të mëparshëm. Si rrjedhojë e këtij ballafaqimi, disa prej tezave të mëparshme do të bien dhe do të zëvëndësohen me teza të reja, të tjerat do të rivërtetojnë drejtësinë e tyre, duke shënuar kështu zhvillimin e shkencës së Historisë. Kjo metodë (e debatit të fakteve) edhe sot është i vetmi mjet rinovues që ndiqet në botimet historike, sidomos ato mbi besimin parahistorik, ku vënd kryesues e zë veçanërisht GJUHA SHQIPE. Kjo është edhe teza e këtij shkrimi.
Xylander në vitin 1836 vuri në dukje se: «Një përcaktim me themel i popullit shqipetar dhe i gjuhës së tij, do të ndihmonte në sqarimin jo vetëm të historisë së atyre krahinave, në përgjithësi e errët, por ndofta edhe të shumë gjërave të historisë së përbotshme më të lashtë, si edhe të doktrinave kryesore e të vetë ndërtesës së gjuhësisë sonë moderne ». (4) Dy shekuj më vonë, Petro Zhei (Shqipja dhe Sanskritishtja , 2005), me ndihmën e shkencave dhe besimeve të lashta dhe moderne, e vërtetoi këtë intuitë të studiuesit hollandez: «Në morinë e fjalëve të shqipes, ka nga ato që më moshën e tyre mijëravjeçare, janë dëshmi të gjalla të dukurive e mentaliteteve më të lashta e primitive, që janë, si të thuash, « fjalë-fosile » që mbartin shekuj përfytyrime, gjëndje shpirtërore, fakte historiko-shoqërore, asociacione emotive, ngjarje mitollogjike etj., të cilat kanë dalë prej kohësh nga praktika e jetës, por jo pa lënë gjurmë mbi fjalën e artikuluar, e cila na vjen kështu nga thellësia e mijëravjeçarëve, si një mesazh i mistershëm e herë-herë i padëshifrueshëm. Gjuha jonë ka shumë nga këto fjalë-mesazhe, të cilat kanë befasuar në shekuj fantazinë e dijetarëve. (5) Një prej këtyre „fjalëve-mesazhe“ të gjuhës së sotme shqipe, ndodhet në mitollogjinë e Azisë së Largët …
Bindu – simbol i Syrit të tretë
Besimi në gadishullin Indian ka kaluar nëpër tre faza historike, të emërtuara:
– Vedizmi (~3000-500 pK),
– Brahmanizmi (600-500 pas K.) dhe
– Hinduizmi.
Emri Bindu i përket periudhës më të hershme, që lidhet me shkrimet e të ashtuquajturve-Rishi (fig.1 poshtë), në gjuhën sanskrite e cila nga studiuesit e sotëm pranohet si gjuha më e lashtë indoeuropiane. (6)

1.Skulptura e një Rishi në një kolonë të Phra Prang Sam Yod – Lopburi në Tajlandë. 2. Perëndia e zjarrit – Agni, me tre kokë dhe simbolin bindu në ball, hypur mbi një dash. Në dorë mban shigjetën e zjarrtë të ndëshkimit. 3. Altari i ritit Bindu kushtuar perëndisë Agni. (7)
Rishi (në zanafillë kanë qënë shtatë) ishin profet, shënjtorë dhe autorë të hymneve të Vedave, të cilët e kalonin jetën si asket, larg jetës tokësore. Ata cilësoheshin se kishin njohur « mënçurinë e përjetshme ». (8) Sipas traditës së Vedave, kryheshin ritet Bindu të quajtura Yajna, kushtuar Perëndisë së zjarrit Agni (fig.3 lart), i cili simbolizonte lidhjen midis njerëzve dhe qiellit hyjnor. (9) Riti i kultit të zjarrit (Agnichayana) ishte më i rëndësishmi në besimin e lashtë dhe nuk pranohej pjesëmarrja e njerëzve të huaj. Altari ndërtohej në formën e shqiponjës (fig.3) të rrethuar me enët e sakrificës dhe kokat e dashit apo dhisë ,kafshës që përdorej nga priftërinjtë për këtë rast. (10)
Bindi e ka origjinën nga fjala sanskrite (gjuha priftërore e Vedave) – BINDU, e përkthyer: „pikë uji“ ose „një pikë“. (The Sanskrit Heritage Dictionary de Gérard Huet) (11).
Ky emërtim përcakton një shënjë me ngjyrë të kuqe të vendosur në mes të dy vetullave, e përdorur sidomos në Indi, Bangladesh, Nepal, Siri Lanka etj. Fjala „bindu“ gjëndet në Nasadiya Sukta, tekstin më të lashtë të Rig Vedës, vepra e parë e shkruar në gjuhën priftërore sanskrite. Simboli Bindu besohet si qëndra e energjisë dhe e përqëndrimit, ku fillon krijimi dhe arihet njesimi (uniteti). Ay mbahet si një simbol i shënjtë i kozmosit në shprehjën e tij të padukshme. (12)
Sipas gjuhëtarëve, ky emër ka kuptim okult (të fshehtë për njerëzit e thjeshtë), i cili nga njohësit e besimit budist tibetian dhe në shkrimet e ndryshme, trajtohet si simbol i Syrit të Tretë ose Syrit të Mëndjes tek një person, ku përqëndrohet energjia shpirtërore. Kjo „energji“ hyjnore që ndodhet në formë të përgjumur, në besimin Induist emërtohet „Śakti“ dhe shpreh fuqinë e Zotit, i cili bën të mundur njeriun tokësor, në mënyrë të vetëdijshme të marrë pjesë në proçesin e krijimit. (13) Psikoanalisti Karl Jung (Carl Gustav Jung, 1875-1961) këtë filozofi besimtare e shprehte me shprehjen: «Kush shikon botën që na rrethon – ëndëron, ay që vëren brënda vetes-zgjohet » (14) Sipas njohësve të besimit dhe gjuhës sanskrite, fjala Bindu, në përkthimin letrar është: qëndra e komandës. (15)
Sipas vëzhgimit të objekteve të kultit dhe atyre arkeologjike, Bindu është një nga simbolet më të lashta në besimin aziatik dhe dëshmon periudhën më të herëshme të botkuptimit të shoqërisë njerëzore – besimin hënor.

(majtas). 1.Bindu në formë spirali në ball; 2.Perëndesha e korrjeve, qyteti Mohenjo Daro; 3.Perëndesha Kali; 4.Simboli Bindi në ballin e gruas indiane. (16)
Objekti i dytë është zbuluar në rrënojat e qytetit Mohenjo Daro në Luginën Indus dhe i përketë qytetrimit më të lashtë të Gadishullit indian i njohur nga studiuesit si «qytetrimi i Harapës» (civilisation Harapéenne, ~3300–1300 pK). Kjo figurinë përfaqëson Nënën e Madhe (Dea Madre) dhe perëndeshën e Tokës (Dhemitrën). Tre simbole rrethore mbi kokë (numri 3 është simbol kultik i Hënës) dhe fakti se pjesa më e madhe e figurinave të Mohenjo Daro-s janë të femrave, dëshmon se qytetrimi më i lashtë i Azisë lindore i përket periudhës së matriarkatit , i cili faktohet se i përkiste besimit hëror. Ky besim, në Gadishullin indian, do mbizotrojë në të gjitha periudhat e tij – gjatë Vedizmit, Brahmanizmit dhe Hinduizmit, siç e dëshmon “syri i tretë” tek perëndesha Kali i vendosur mbi hënën.
Nga faktet e mësipërme do të veçoj katër të dhëna të rëndësishme :
• Besimi i lashtësisë në Azinë e Largët ka qënë HËNOR i trashëguar në besimet e mëvonshme të kohëve moderne (hinduizmi, muslimanizmi, etj).
• Bindi i përket periudhës më të lashtë të besimit aziatik-Vedizmit dhe në gjuhën sanskrite e gjejmë në formën BINDU.
• Në Azinë e largët simboli Bindu njihet si “syri i tretë” i njeriut.
• Bindu (apo Yajna) përfaqson qëndrën e KOMANDËS dhe shpreh ENERGJINË KRIJUESE të mënçurisë së përjetshme. Të dyja këto veçori, në besimin parahistorik kanë qënë atribute të ZOTIT, fakt që paraqitet qartësisht në simbolet Bindu (fig.poshtë) në artin dhe objektet arkeollogjike të Gadishullit Indian.

(17) (duke filluar nga e majta) Fig 1,2,5,6, janë simbole të Krijuesit që gjënden të shprehura grafikisht në të gjitha periudhat e historisë njerëzore të Euro-Afro-Azisë. Fig.3 shpreh natyrën e dyfishtë të Zotit dhe energjisë krijuese (yáng ë yīn) në besimin hindu. Fig.4 pasqyron simbolin e besimit hënor(sellenizmit) të bashkësive fisnore pellazge – Hëna/Yll , ku ylli është shprehur me pikën, një nga simbolet e shumta në objektet arkeollogjike për Zotin, siç e shikojmë në të gjitha figurat e mësipërme. Fig.8 emërtohet “mandala” , shpreh momentin gjatë meditimit drejt banesës së perëndive dhe ka kuptim filozofik e trajtuar edhe si “harta kozmikë”. Në qëndër të saj ndodhet perëndia hënore – Buddha. Në historinë e shoqërisë njerëzore, emrat e shënjtë të lashtësisë janë trashëguar në toponime, emërtime të fiseve dhe të njerëzve. Në Indinë veriore ndodhen tribu Bindi. Vënd-bashkimi i tre lumenjve (Bindu Khola, Dudh Pokhri and Jaldhaka) në pjesën indiane emërtohet Bindi Dam dhe shumë emra njerëzish në Indi e mbajnë emrin e këtij simboli. (18)
Ajo që na tërheq vëmëndjen është se, fjala Bindu (Yajna Chakra) në besimin hindu nënkupton “qëndrën e komandës”, ndërkohë që në gjuhën sanskrite, shpjegohet si „ pikë uji“ ose „ një pikë“. Gjithashtu, në asnjë gjuhë aziatike apo europiane nuk gjëndet kjo fjalë, që ta shpreh gjuhësisht kuptimin e komandës. Vetëm tek shqipetaro-arbërit tek të cilët “bindu!” është folje e mënyrës urdhërore, shprehet pikërisht kjo ide. Fakti që një fjalë e gjuhës shqipe ndodhet në Rig Vedën e gjuhës sanskrite, e cila emërtohet nga studiuesit si gjuha më e lashtë indo-europiane, nuk është një “fantazi romantike” e kohëve moderne.
Siç e vë në dukje Petro Zhei në studimin “Shqipja dhe Sanskritishtja” (2006) : “Në vëllimin e parë vumë në dukje një afërsi të theksuar mes gjuhës shqipe dhe sanskrite. Kjo afërsi shfaqej, në rradhë të parë në një listë të gjatë gllosash (fjalësh) me të njëjtin kuptim (a të afërt) dhe me të njejtën formë (a formë tepër të përngjashme) në të dyja gjuhët (…) së dyti, në faktin se, tek një numër i madh fjalësh të përbëra të sanskritishtes, mund të dallohej rrënja e pastër shqipe, gjë që i motivonte këto fjalë sanskrite, dmth se i shpjegonte përse ato (fjalë-shën im) kanë atë kuptim. (19)
Një dëshmi tjetër e origjinës së fjalës «bindu» nga gjuha shqipe është fakti se, në gjuhën sanskrite të Vedave apo të kohëve më të reja, nuk gjen asnjë përdorim tjetër përveç atij të simbolit në ball, ndërkohë që tek shqip-folësit, jo vetëm që e ruan edhe sot kuptimin e “komandës” por përdoret edhe me forma të tjera. Tek vepra e Shtjefën Gjeçovit (Trashëgime thrako-ilirjane) lexojmë: “Shqyptari, i cilli kurdoherë e ka ruejt edhe e ruan fjalën e porosin e të parëve si syt e ballit e qi gojë-thana për komb t’onë âsht aq e bindueshme (hyjnore-shën im), e ka bâ qi t’i ruejt të pafyeme e të pa ndrrueme shum punë e doke e me jau vu mënden djale pas djalit për mos i qitun në harresë (…) Nana shqyptare e mson ferishten e vet me nderue e me bindue mikun(me ju bind dëshirës së mikut-shën im). (20) Do ta rikujtojmë më poshtë këtë dëshmi të rëndësishme të dialektit geg të gjuhës shqipe.
Por, siç është trajtuar gjërësisht në librin “Sellenizmi-Besimi që sundon botën“ (F.Demi), për të zbuluar origjinën e fjalëve të Lashtësisë, nuk mund të nisemi thjesht nga gërmat e njëjta që kanë. Ky rregull u përketë veçanërisht emrave të simboleve të kultit, toponimeve, emrave mitik apo të figurave parahistorike. Kuptimi dhe lidhja midis dy fjalëve të njejta (e cila mund të jetë rastësore, nga deformimi i bërë prej shkruesve apo për arsye të tjera), duhet të shprehet jo vetëm nga paraqitja e njejtë (apo e afërt, sipas dukurive të njohura gjuhësore) në shkrim, por të dëshmohet edhe nga besimi, mitologjia, arkeologjia, tradita folklorike, etj. Pra le të vijojmë kërkimin …
Simbolin e “Syrit të tretë” e gjejmë edhe në kulturën e lashtë të popujve të tjerë, si tek fiset e Azisë së Mesme, Europë, e deri të kontinentit Amerikan.

1 – Figurinë nga lugina e Eufratit ,mijëvjeçari i IVpK. 2- Objekt nga Mesopotamia (~ 900-600 pK. 3 – Horos fëmijë, Egjypt (1069-664 pK.) 4-Figurinë e periudhës Neolitike, Lithuania, Göttingen Museum. 5- Objekt arkeologjik nga Jaina Island, e fiseve Maya. (21)
Fig.1, i përket qytetrimit parahistorik të Luginës së Eufratit, ku «vrima» në ball ndërmjet dy syve (po në formën e vrimave, sikurse edhe tek fig.4) jep idenë e «syrit të tretë», i cili padiskutim i përket një qytetrimi shumë të lashtë dhe gjeografikisht të afërt me Gadishullin Indian. Petro Zhei duke ju referuar Juan E. Cirlot (1916 – 1973) pohon se: Pika ka kuptimin e unitetit, të origjinës dhe të Qëndrës. Ajo paraqet gjithashtu parimin e manifestimit, ndaj pra në disa mandala, Qëndra nuk tregohet por duhet të imagjinohet nga vetë iniciuesi. (…) Kështu shpjegohet përse Qëndra (=Zoti shën im), identikë me pikën mistike, paraqitet zakonisht si një vrimë. (22) Po të vërejmë objektet arkeologjike, pjesa më e madhe e artit të lashtësisë është e tejmbushur me pika, rrathë dhe vrima, shprehës të simbolit të Krijuesit në tokë.
Ngjashmëritë apo përputhjet në objektet arkeologjike të Amerikës dhe Azisë ishin vënë në dukje që në shekullin e 19 nga etnologu dhe antropologu amerikan Lewis H.Morgan (Lewis Henry Morgan (1818 – 1881), i cili theksonte se kjo dukuri e periudhës para-patriarkale, ishte e përhapur pothuaj tek të gjitha bashkësitë fisnore në botë. (23) Përhapja në një hapësirë kaq të gjërë gjeografike të të njëjtit simbol grafik, (krahas edhe shumë simboleve të tjera të njëjta si: svastika, kryqi, shqiponja, kau, nyja hyjnore, gjuha jashtë, spirali, etj) shpreh mundësinë e origjinës edhe të mitit të Syrit hyjnor (Bindu) nga i NJEJTI BURIM besimtar, fakt i cili duhet vërtetuar.
Mitin e “syrit hyjnor” e gjejmë të shprehur njësoj grafikisht (deri në detaje), në një tjetër qytetrim të famshëm, i cili ka patur lidhje që në periudhat më të herëshme historike me Azinë e Afërt dhe të Largët – ay i Egjiptit të lashtë.

1-Simboli Bindu brënda tre vijave, në ballin e Perëndisë kryesore të hinduizmit- Shiva; 2- Syri hyjnor në formë rrethi ndodhet në mes të dy syve , që studiuesit i quajnë “sytë e perëndisë egjiptiane Horus”.
Në fjalorin teofisik të Helena Balvatskit lexojmë se, në gjuhën sanskrite, emri i Perëndisë Shiva është “Trilochana”, që përkthehet “me tre sy” dhe në të gjitha skulpturat, ay paraqitet me simbolin Bindu në ball (24). Hëna vetullore tek koka, tre vijat horizontale në ball të ngjashme me të pllakës egjiptiane (fig.2) dhe trekëndëshi tek kjo e fundit, janë simbole me të cilat njëriu parahistorik ka përcaktuar femrën dhe historianët “periudhën e matriarkatit”, kur ka sunduar BESIMI i parë i njëriut, ay HËNOR”.
Tre vijat paralele – pohon Maria Gimbutas (…) kishin një kuptim simbolik, që në përiudhën e Paleolitikut të hershëm (para 40.000 e 30.000 viteve). Një nga shëmbujt më të qartë të simbolit të tre vijave është figura e Perëndeshës-femër. (25) Por a kemi të bëjmë tek fig.2 me simbolin “Bindu” (syrin hyjnor) dhe a njihej miti i tij në Egjipt?
Gjatë pushtimit ushtarak të Egjiptit (1798-1801) nga ushtria e Napoleon Bonapartit, drejtori i ardhshëm i muzeumeve franceze Dominique Vivant (1747-1825), në shënimet e tij (Voyage dans la Basse et la Haute-Égypte pendant les campagnes du général Bonaparte) përshkroi mbresat që i lanë tempujt e varreve të qytetit «Tintyra» ( Dendérah), që i përkisnin periudhës para-dinastike. Në një prej tyre, u zbulua edhe një bazoreliev (fig. poshtë) që tregonte njohuritë e sakta, që kishin priftërinjtë egjiptian mbi trupat qiellorë, sidomos në përllogaritjen e fazave dhe eklipseve të Hënës dhe rolit të saj në dukuritë natyrore dhe jetën e njëriut. Në këtë bazoreliev shikojmë një varg të perëndive kryesore të panteonit egjiptian, duke ngjitur shkallët të kapur përdore. Studiuesit shprehen se ata paraqesin fazat e ndryshimit të Hënës gjatë një muaji. Në të djathtë jepet Hëna në formën e saj të plotë, e mbështetur tek brirët e kaut (kafsha e saj kultike) dhe me një sy të madh në mes (Wedjat) që vështron Perëndinë Thot , me kokën e Ibisid.

(26) Tempulli në Dendérah.
Ky reliev dëshmon simbolin më të rëndësishëm të teologjisë së Egjiptit të lashtë – “Syrin hyjnor“ i cili njihet si “syri i Horosit” dhe lidhet me mitin dhe perënditë më të rëndësishme të besimit egjiptian: Osiris, motra /gruaja e tij – Isis, djali i tyre – Horos dhe xhaxhai i tij Seth.
Miti sipas studiuesve, u bë i famshëm në vitin 2350 pK. dhe i treguar me dy fjalë, përshkruan një vëllavrasje e cila përfundon me një hakmarrje po aq të egër. Sethi vrau mbretin që ishte njëkohësisht edhe vëllai i tij Osiris dhe përvetsoi fronin që i takonte trashëgimtarit të ligjshëm – Horosit, birit të viktimës. Me ndihmën e nënës, Perëndeshës Isidë, Horosi hakmerret duke e vrarë Sethin, por gjatë luftimit me të, i dëmtohet syri i majtë që përfaqësonte hënën. Me ndihmën e Perëndisë Thot, syri shërohet. Horosi e përdor syrin hënor për ringjalljen e të atit, Osirisit dhe fiton të drejtën e mohuar mbi fronin atëror. (27) .
Ky mit, nga studiuesit modern, trajtohet si pasqyrim i ngjarjeve historike të periudhës thinite (para-dinastike). Nga gërmimet arkeologjike në luginën e Nilit, mendohet se rreth vitit 3300 pK., u zhvilluan luftime midis dy qyteteve më të pushtetshme, Nekhen dhe Nubit. Mbas fitores së mbretit Menes i qytetit Nekhen, ay arriti bashkimin politik të dy mbretërive, që shënoi themelimin e Shtetit të parë dhe fillimit të Dinastive faraonike në Egjipt. Menes ishte mbreti i parë i racës njerëzore që qeverisi popujt e Nilit. (28) Perëndia mbrojtëse e qytetit të parë ishte shqipoja (fig.1 poshtë) dhe e të dytit, dashi (fig.3). Fakti që qytetet Nekhen dhe Nubit, si perëndi mbrojtëse kishin dy figura nga bota shtazore, dëshmon periudhën kur njëriu akoma nuk hyjnizohej, siç e dëshmojnë përmasat shumë të zvogëluara të mbretërve në krahasim me shqiponjën dhe dashin.

Në foton e dytë shikojmë faraonin me kokën e shqiponjës dhe hënën mbi kokë – Perëndinë Horos dhe me kokë dashi – Perëndinë Seth (fig.4). Këto foto dëshmojnë një kohë më të vonshme, historike dhe besimtare, kur njëriu (mbreti), merr rolin e ndërmjetësit me Krijuesin, ndërsa shqiponja dhe dashi shërbejnë më shumë si maska, për të shprehur NATYREN HYJNORE të pushtetit të tyre .
Studiuesit mendojnë se paraqitja e figurave njerëzore si perëndi, sipas objekteve arkeologjike, ka ndodhur gjatë mijëvjeçarit të katërt pK. (29)
Lista e kafshëve të hyjnizuara në artin e Egjiptit të lashtë është e gjatë, por në objektet arkeologjike të mbretërive të para, veçohen dy: delja/dhia dhe sidomos shqiponja, e cila pas fitores dhe bashkimit të arritur nga mbreti Menes, u bë perëndia mbrojtëse e të gjithë faraonëve gjatë 35 shekujve të mbretërimit të Dinastive në Egjipt. Përsa më sipër nxjerrim përfundimin se, mbi simbolin e “Syrit hyjnor” dhe mitin e tij, në të gjitha hapësirat gjeografike të lashtësisë, vërejmë tipare thelbësore të njëjta:
• Kanë patur të përbashkët besimin HËNOR.
• Në të tre qytetrimet më të famshme të lashtësisë (Egjiptit, Azisë së Afërt dhe të Largët), ka qenë simboli dhe miti MË I RËNDËSISHËM .
• SHQIPONJA dhe DASHI (dhia), kanë qenë kafshët që lidheshin me ritet dhe mitin e “syrit hyjnor”, siç dëshmohet edhe në ritin Bindu kushtuar Perëndisë së zjarrit-Agni.
• Boshti kryesor i mitit, lidhet më KRIJUESIN dhe perënditë më të hershme të sejcilit vënd, gjë që dëshmon lashtësinë e vetë mitit.
(VIJON…)

______________________________

FATBARDHA DEMI: BINDU! – EMRI QË I DHANË ARBËRIT – PERËNDISË (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7349
***
FATBARDHA DEMI: BINDU! – EMRI QË I DHANË ARBËRIT – PERËNDISË (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7350

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura