FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (3)

Tiranë, 17. 10. 2016: (‘Mbreti, gjyqi, ligja kanë , emra ç’prindët tanë i dhanë…’ – Xhuzepe Katapano) – Njohja e origjinës së emrit Dardan = shigjetë/heshtë, mund ta quajmë një dritëz të vogël në terrin që sundon mbi parahistorinë e fiseve arbërore dardane, si dhe rolin e tyre në hapësirën europiane dhe atë botërore. Kjo, për arësyen e thjeshtë se, pohimet e mendimtarëve tanë të shekujve të kaluar, fatkeqësisht nuk kanë tërhequr vëmëndjen e studiuesve për të dëshmuar vërtetësinë e tyre.
Studiuesi nga Çamëria, Hasan Tahsini, figura më e shquar shkencore në Perandorinë Osmane, ka shkruar se: DJEPI i Pellazgëve ishte pellgu i Dardanisë … (ku), kanë ekzistuar dhe ekzistojnë sot e kësaj dite, të gjitha kushtet optimale për paraqitjen e njeriut dhe të zhvillimit të qytetërimeve (revista Mecmua- i Ulum,1877). (1)

Një tjetër studiues i shquar, albanologu arbëresh Dhimitër Kamarda, pohon se: «Sipas Plutarkut, Pellazgu i vjetër, ishte mbreti i parë në Epir (Plutarco, Pirro) dhe sipas autorëve të tjerë (Strab. Erodot. Stef. di Bizan. Scimno), Epirotët ishin Pellazgë. (2) Me qënëse , zbulimi i së vërtetës historike, ndërmjet dy pohimeve të figurave të shquara arbërore, ka lidhje me studimin „Dardania e pazbuluar“ , do të duhet t’i japim përgjigje pyetjes:
A është Dardania vënd-origjina e Pellazgëve hyjnorë?
Origjinën gege të Pellazgëve nuk e mbështet vetëm HasanTahsini, edhe dijetari austrijak Von Hahn, në librin « Studime Shqiptare » (1854) pohon se: Shqipetarët janë autokton sepse rrjedhin drejtë-përdrejt nga Ilirët, sikurse edhe populli i Maqedonisë së Epirit, të gjithë të rrjedhur nga Pellazgët para-historikë »(3)
Edhe francezi Eduard Shnaider , origjinën e Pellazgëve e nxjer nga Iliria, vëndin ku banojnë yjet. (4)
Në botimet akademike botërore, miti i Dardanit trojan, jo vetëm që nuk lidhet me Pellazgët , por as edhe me fiset e DARDANISË (Kosovë), megjithëse kjo hapësirë gjeografike e ka mbajtur këtë emër deri vonë dhe fiset e saj janë përmëndur nga shkruesit e lashtë.
Arësyeja, sipas studiuesve është se: „Athina dhe Roma, dy qëndrat e mëdha të antikitetit, pasi përvetësuan shumicën e dijetarëve nga Pellazgët, u përpoqën të fshehin historinë e vërtetë. Për t’ia arritur qëllimit rrënuan nga themelet qytetet e tyre, dogjën gjithë librat dhe e kthyen historinë e vjetër të Pëllazgëve në mitologji helene që ta fundosnin historinë pellazgjike në errësirë sa më të thellë“. (5)
Përveç këtij fakti, për origjinën ilire të Pellazgëve, pengese per studimet e sotme është se, ne nuk i njohim provat gjuhësore dhe historike mbi të cilat janë mbështetur autorët e saj. Rruga e vetme mbetet kërkimi i fakteve historike të dardanëve arbër, nëpërmjet njohjes së besimit zanafillor dhe miteve që njihen sot. Këtu zë fill edhe sudimi ynë.
Siç e pamë (Dardania e pazbuluar, pj I) emri Dardan e ka origjinën nga rrënja „dard“ (= shigjeta/heshta). Për herë të parë ky emër çfaqet në „regjistrin“ e fëmijëve të shumtë të Zeusit, i lindur nga lidhja e tij me Elektrën, bijën e titanit Atlas. Fati deshi që të aratiset nga mbretëria e tij dhe të ngrejë në bregun e Azisë së Vogël një mbretëri dhe familje të re dardano-trojane, që e përjetësoi emrin e tij në ngjarjen më heroike të lashtësisë – Luftën e Trojës.
Një fakt tjetër na bën të mendojmë se emri Dardan, i familjes hyjnore mbi Olimp, nuk është i pari, që nënkupton se me këtë emërtim, ka patur figura të tjera mitike më të herëshme.
Hapësira ujore që lidh pjesën europiane me bregun e Azisë së Vogël, emërtohet ngushtica e Dardaneleve, emërtim që lidhet , sipas Diodore de Sicile (Vol XXIII, 134) me Përmbytjen e Dardanit .(6) Miti i Përmbytjes së Madhe është një ngjarje sa historike (The Black sea deluge William B. Ryan et Walter C.Pitman) (7) aq edhe simbolike. Ky mit shpreh vendosjen e një sundimi të ri administrativ dhe ushtarak të mbretërve të fuqishëm të lashtësisë, i simbolizuar me krijimin e një “race të re” njerëzore mbas një katastrofe ujore.
Sipas studiuesve, ky mit është nga më të lashtët dhe tek hellenët Përmbytja e parë që njihet është ajo e Ogyges (O Gyges), mbretit të Perëndive (Schol. Hesiod. Theog. 806)(8) Tek ky emër shkronja e parë “O”, është simbol besimtar që shpreh Zotin + Gyge (Gigë) emërtim i bashkësive fisnore të arbërve të veriut, të cilët edhe sot njihen si “gegë”dhe i vëndit të tyre – Gegëria. Shumë nga historianët e lashtë (Isidorus, Orig. lib. XI. 3. 13; Timaeus, fragm. 10, in Fragm. Hist. graec. I. 195; Diodorus, lib. IV. 21. 7),origjinën e këtij emri e nxjerin nga fjala gegeneis (gegët) – „të lindur nga toka“ (Gea).(9)

Michel-Ange Permbytja

Sipas Platonit (Timée ,Critias), kjo përmbytje solli zhdukjen e Atlantidës, të cilën Xh.Katapano (Thoti fliste shqip,f 16) e përcakton se ka ndodhur përpara 12000 vitesh. Përmbytjet në mitet e tjera janë më të vonëshme, si ajo e Deukalionit (Pindare “Les odes Olympiques” IX-157 -158), e Noe-s në Bibël (Genèse 7,1-8,22) e Nuh-ut në Kuran (sourate 11 ) etj. (10)
Mendoj se Përmbytja e Ogiges ka qenë ajo e Dardanit të Dardanisë, emri i të cilit (ngushtica e Dardaneleve) dhe e asnjë figure tjetër mitike, u përjetësua pikërisht aty ku u zbuluan gjurmët natyrore të kësaj katastrofe, afro 7000 -11000 vjet pK , pra shumë më herët se përmbytjet e përmëndura në pllakat e Mesapotamisë (Epopeja e Gilgameshit), e Biblës, Kuranit, si dhe në mitet e popujve të tjerë. Këtë fakt e vërteton edhe H.Balvatsky , e cila në Fjalorin e saj teosofik përmënd faktin se Kuretët (Dardani dhe Jasoni- do trajtohet më poshtë) në mitët parahistorike njiheshin si “Perënditë e Përmbytjes”. (Dei del Diluvio) (11)
Emërtimi Përmbytja e Dardanit e mbritur nga mitet e humbura të parahistorisë , vetëm se na dëshmon lashtësinë e emrit DARDAN në krahasim me mitin e Deukalionit dhe të Zeusit, ndërsa gjithshka tjetër është fshirë nga kujtesa mitike. Kur shkel mbi këtë truall të zhytur në eresirë, kërkimi ynë për të zbuluar historinë e lashtë të fiseve dardane dhe i Dardanit të parë, duket një nismë e pashpresë.
Siç dihet, deri në shekullin 17-18, mund të themi se burimi kryesor i ngjarjeve të parahistorisë kanë qënë mitet. Edhe në ditët e sotme ato zënë një vënd të rëndësishëm në librat e historisë mbi origjinën e popujve. Por mitet nuk kanë qëndruar të pa ndryshuara siç ka ndodhur me vizatimet e shpellave apo objektet arkeologjike. Mitet më të herëshme kanë pësuar modifikime, ripunime dhe plotësime me tregime dhe figura të reja. Këtë dukuri studiuesi K. Kerenyi (Prolegomeni allo studio scientifico della mitologia) e ka emërtuar “mitologema” dmth se “një material mitik gjatë zhvillimit të shoqërisë njerzore, në vazhdimsi rimodelohet…” (12)
Kjo dukuri ndodh, jo vetëm me kalimin e shekujve, por edhe nëpërmjet përhapjes së besimit në hapsira të tjera gjeografike. Kjo përhapje vertikale (me kalimin e shekujve) dhe horizontale (hapsirat gjeografike) e miteve, megjith ndryshimet që kanë pësuar format më të herëshme, ruajnë copëza, të cilat duke i ribashkuar na ndihmojnë të zbulojmë të vërtetën e ngjarjeve të kohës “pa dokumente shkrimore”.
Studiuesi francez Fustel de Coulanges (« La cité antique », 1864) këmbëngul se „ e kaluara nuk vdes kurrë tërësisht për njeriun e sotëm. Idetë janë transformuar dhe kujtimet janë zbehur, por fjalët kanë mbetur, si dëshmitare të pandryshueshme të besimeve që janë zhdukur. (13)
Por, krahas faktit të përshtatjes së miteve sipas kohës dhe hapësirës ku janë përdorur, duhet të kemi parasysh se, për të njejtën figurë mitike kemi emërtime të ndryshme. Mos njohja e kësaj dukurije i ka shtyrë studiuesit e lashtësisë, të mos bëjnë lidhjen e figurave dhe miteve me njera-tjetrën. Studiuesi arvanitas NikoStillo tek vepra e tij “Etruskishte Toskërishte” ka shëmbuj të shumtë në këtë drejtim.
Për ta bërë më të qartë këtë mendim, i cili është thelbësor për temën tonë, do të marrim në shqyrtim emrat dardan dhe kuret, në mitet e dy brigjeve të Adriatikut .
Djemtë që mbrojtën babanë e tyre foshnjë
Mitet që njeh lexuesi i sotëm në saj të Teogonisë së Hesiodit (shkVIII pK) dhe shkruesve të tjerë të lashtësisë, vërtiten rreth figurës qëndrore të parahistorisë – Zeusit dodonas dhe oborit hyjnor mbi Olimp. Tregimi i familjes olimpike zë fill me gjyshin e tij, Uranin (Uranos- Qielli) i cili me gruan e tij, Gean (Dhea-Toka), njihen si prindërit e racës më të lashtë njerëzore -të Titanëve .
Një prej fëmijve të Qiellit dhe Tokës, mbreti Kron , (emër i greqizuar i fjalës shqipe Kreu, dhe nuk ka lidhje me kohën e cila nga studiuesit lidhet me Hënën)(14) i frikësuar nga përsëritja e „fatit“ të të jatit të cilin e çfronësoi me luftë, i hante të gjithë fëmijët e tij të porsalindur. Për t‘u hakmarrë Gea, nëna e tij, e këshilloi vajzën e saj , që ishte njëkohësisht edhe nuse e të birit – Rean, në vënd të foshnjës që priste (Zeusin) të mbështillte në pelena një gur, që Kroni e gëlltiti pa kuptuar gjë. Rea e lindi foshnjën në një shpellë të malit Ida në ishullin e Kretës. Nimfat që jetonin aty e ushqyen me qumështin e deles Amaltea trazuar me mjaltin e bletës Melisa. Që të mos dëgjoheshin të qarat e foshnjës nga titani i pamëshirshëm Kron, përreth tij kërcenin valle „me hap të rëndë“ Kuretët (Curètes) shoqëruar me këngë plot britma luftarake dhe duke përplasur heshtat e tyre mbi mburojë. (15)
Mbasi mundi të jatin-Kronin dhe xhaxhallarët e tij titanë, Zeusi sundoi i gjith-pushtetshëm, në besimin dhe mitologjinë e Gadishullit Pellazgjik (Ballkani i sotëm), që nga mijëvjeçari i II pK deri në kohën e vonë greko-romake, kur ndriçimi diellor i djalit – Apollon, e zbeh kultin e tij. Por qëllimi i materialit tonë nuk është figura e Zeusit, por e kërcimtarëve luftëtarë të ishullit të Kretës, që ndihmuan të lindte foshnja e paracaktuar. Çfarë përfaqësonin Kuretët (Cureti) në mitët e lashta ?
Figura e Kuretëve kanë qënë pak të qarta edhe për shkruesit e lashtë. Studiuesit, duke parë se adhuroheshin si Hyjni në Tebë, Lemno, Frigji, Maqedoni dhe veçanrisht në Samotrakë, mendojnë se arësyeja e mosnjohjes, ka qënë natyra esoterike (e fshehtë) e kultit të tyre. Në shkencën esoterike, sipas Helena Balvatskit, emërtimi Kuretë përfshin figura të njejta me emërtimin Kabirë (Cabiri) dhe adhuroheshin si Perëndi të Mëdha, shpëtimtarët, mbrojtësit dhe udhëheqësit e Njerëzimit dhe askush nuk kishin të drejtë të përmëndte apo ta shqiptonte emrin e tyre. Priftërinjtë e Kretës së lashtë që i shërbënin kultit të Sibelës (Cibeles -Dhemitra e frigëve) emërtoheshin kuretë.(16)
Pierre Chomprè (Dizionario portabile delle favole) shkruan se shumë njerëz i quanin Kuretët të njejtë me Kabirët dhe vlerësoheshin si “Perëndi të vërteta” . Të parët që praktikuan kultin e tyre ishin Pellazgët në tempullin e ishullit të Samothrakës. (17)
Përgjithësisht mendohet se numri i Kabirëve (Kuretëve) të parë ka qënë dy, dhe sipas Atheniconiit (18) ishin vëllezërit: Dardani dhe Jasoni. Këtë fakt e dëshmojnë mitet sipas të cilave Dardani dhe Jasoni (fiset dardane) ishin krijuesit e riteve të hyjnizimit të TOKËS (Dhemitrës), të shërbenjësve-priftërinj që zhvillonin praktikat e misterit për Iniciatet (udhëheqësit e ardhshëm të bashkësive fisnore-shën im) (Diod. Sic. v. 48)(19) prandaj edhe ishulli i Samothrakës, i famshëm për këto rite, e kishtë emrin Dardania. (Pausanias vii.4, 3; Strabo x.457)(20)
Në kulturën Vinka ka shumë figurina që pasqyrohen me dy kokë dhe një trup (fig.1), që mendoj se janë të « Perëndive të vërteta »- Dardanit dhe Jasonit. Siç dëshmojnë studiuesit , miti i binjakëve është nga më të lashtët dhe i përhapur në një hapësirë shumë të gjerë gjeografike. Forma e kokës-zog, spirali -katror dhe tre vrimat në çdo krah, dëshmojnë natyrën e tyre hyjnore dhe lidhjen me Zotin.(21)

1- Kultura Vinka-Plocnik, mijevjeçari 5-të. pK. 2- Arkeologët janë shprehur se mund të jenë statujat e Dioscurëve , por mendoj se shprehin dy vëllezërit Kuretë. Sipas studiuesve i përkasin periudhës arkaike. Muzeu Archeologjik, Delfi, 600-580 pK.
Diodoro Siculo ( Bibliotheca historica V, 64 e sgg.) pohon se në mitet e banorëve të Kretës,Titanët kanë lindur në kohën e Kuretëve. (22) Pra Dardani dhe vëllai i tij , i përkasin brezit të titanëve dhe shkruesit e parë (Homer, Hymn. in Apoll. v. 335; Hesiodus, Theog. v. 630, 668) i quanin Kuretët Perëndi Titane. (23)
Tek Homeri (Hymn. In Apoll. v. 335-337; Iliad, XIV.v. 201) Titanët emërtohen “stërgjyshër të perëndive” (proto- parents of the gods) duke nënkuptuar Perënditë e Olimpit, dhe nga Virgjili janë quajtur “fëmijët e Tokës” (Virgil, Aen. lib. VI. v. 580). (24)
Nga sa më sipër del se, Dardani dhe Jasoni (fiset dardane) që i përkisnin brezit të titanëve , duke qënë më të lashtë se sa Perënditë e Olimpit janë emërtuar në besim “Perëndi të vërteta”. Duhet të kemi gjithëmonë parasysh se, siç na e vërteton edhe Hesiodi: “Perënditë dhe të vdekshmit (njerëzit) kanë të njejtën origjinë” (25)
Në mitet që lexojmë sot, ata paraqiten si fëmijë të Zeusit , i cili i përkiste brezit pasardhës, atij të olimpikëve (perëndive të Olimpit). Sipa mitit të lindjes së Zeusit del se : vëllezërit dardanë, e kanë mbrojtur « babanë » e tyre foshnjë nga gjyshi kanibal – Kroni.
I vetmi shpjegim në këtë rast është se, mitet e vonshme të cilat studiuesit i quajnë të periudhës mikeniane ( ~2000 pK), kanë përshtatur emrat e miteve zanafillore, fakt që u dëshmua edhe më lart, me mitin e vonshëm të përmbytjes së Deukalionit, krahasuar me atë të Dardanit. G. Dumezil pohon se triumfi i Zeusit dhe i perëndive olimpike, nuk shënon zhdukjen e hyjnive të kulteve zanafillore. Përkundrazi, një pjesë e trashëgimisë së herëshmë u trupëzua në sistemin besimtar olimpik (26)
Për sa më sipër, zbulojmë se emërtimi kuretë apo kabirë, nuk i përkiste Dardanit trojan, birit të Zeusit dhe as Dardanit, nipit të Kadmit i cili mendohet se ju dha emrin fiseve të Dardanisë (Kosovë) , por Dardanit të parë. Por, a ka mundësi studiuesi i sotëm, të vërtetojë përkatësinë etnike të Kuretëve , miti zanafillor i të cilëve nuk ka mbijetuar?
Traditat e arbërve, mjeti që zbulon origjinën e Perëndive të Vërteta me emrin Kuretë
Duke kërkuar gjurmët e fiseve dardane në parahistori, vërejmë se kudo ndeshemi me fakte që dëshmojnë origjinën arbërore të mitologjisë, e cila sot padrejtësisht emërtohet greke. Më poshtë po sjellim dy shëmbuj për këtë dukuri.
I. Sipas shkrimeve të autorëve të lashtë të sjella në Fjalorët e shekujve të fundit, Kuretët i mbanin flokët e gjatë, por kur armiqtë e tyrë gjatë luftimit i kapën për flokësh, filluan ta ruanin pjesën ballore, ndërsa mbrapa i lëshonin flokët pas kurizit duke i kapur apo në formë gërshete. (27)

VIJON…

______________________

FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (1)
https://pashtriku.org/index.php?kat=45&shkrimi=5441
***
FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (2)
https://pashtriku.org/index.php?kat=45&shkrimi=5442
***
FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (3)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5766
***
FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (4)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5767

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura