FATBARDHA DEMI: IDEOLOGJIA POLITIKE E HISTORIOGRAFISË EUROPIANE – LIDHUR ME PELLAZGËT

Tiranë, 31. 07. 2015 – Një historian e ka për detyrë ta ngrejë zërin e tij edhe kur e di se nuk do të dëgjohet. (Patrick J.Geary) – Më datë 21 – 22 shtator 2011, u zhvillua në Tiranë Kuvëndi i Parë mbi Pellazgët. Ishte një takim në nivel shkencor kushtuar origjinës së gjuhës dhe të popullit tonë. Çuditërisht, në këtë Kuvënd munguan «në bllok» përfaqësuesit e Albanologjisë zyrtare, në shënjë solidariteti me qëdrimin e historiografisë zyrtare europiane për këtë temë. Them europiane, duke nënkuptur edhe atë botërore, që e gjen burimin e studimeve të veta historike për lashtësinë, në historiografinë europiane.
• Përse historiografia zyrtare europiane nuk e përfshinë historinë e lashtë të arbërve, popullit që para dy – tre shekujve përbënte popullsinë më të madhe të Ballkanit, dhe ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në perandoritë më jetëgjata si: atë Pellazge, Romake, Bizantine dhe Osmane?
• Përse nuk mësohet, në institucionet gjuhësore dhe historike shqiptare dhe ato europiane, vëndi i veçantë i gjuhës shqipe ndër gjuhët e lashta dhe roli i saj në deshifrimin e shkrimeve të gurta, toponimeve dhe emërtimeve të mitologjisë?
• Mos vallë për faj të mungesës së njohurive?

Dihet se studime gjuhësore për gjuhën shqipe, ka patur që në fillimet e kërkimeve të gjuhësisë krahasuese (1786) që shënon lindjen e shkencës së gjuhësisë indo – gjermane (indo-europiane). Gjithashtu nuk kanë munguar pohime, si psh në «Nouveau Petit Larousse» (Paris 1950, f 1599) se: «Trakët e Lashtë, Frigët, Lidët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Italiotët (Sanitët, Oskët etj) dhe «shqiptarët e sotëm» janë degët kryesore të Pellazgëve». (1) Apo në Enciklopedinë e Madhe Greke (Vell 19 f873) se «stërgjyshërit e Shqiptarëve të sotëm, Pellazgët, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe, duke zhvilluar një qytetrim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të jashtëzakonshme» (2) Zbulimet arkeologjike dhe antropologjike të shek. 20, gjithashtu dëshmuan vijushmërinë e pandërprerë të arbërve nga Pellazgo – Thrako – Ilirët, në trevat ku gjënden edhe sot e kësaj dite. Tradita gojore, etnografia dhe shumë teknika moderne shkencore, kanë sjellë prova të reja dhe, siç shprehet historiani Arif Mati: «Dielli nuk mbulohet dot me shosh: Shqiptarët janë pasardhësit e fundit të Pellazgëve!».

Kjo lidhje gjenealogjike e arbërve, që do të zgjeronte dhe pasuronte studimet mbi banorët e parë europianë, në fakt është anashkaluar nga historiografia zyrtare europiane. Kur shprehem «historiografi zyrtare», kam parasysh botimet dhe studimet e Institucioneve të rëndësishme historike europiane dhe botërore, botimet Enciklopedike të mbas viteve 1950, por sidomos, dhe më e rëndësishmja, tekstet mësimore në Europë (përfshirë këtu edhe ato shqiptare). Vetëm periudha e diktaturës enveriane dhe gjakderdhja milosheviçiane e fundit të shek. 20, patën “fatin” të popullarizohen tek lexuesit europianë e më gjerë. Për shumë shqiptarë ky qëndrim përbën një «enigmë», meqënëse bëhet fjalë për Institucionet shkencore. Por duke u njohur me historinë e formimit të gjuhëve dhe popujve që banojnë sot në kontinentin tonë, me studimet e fushës së psikologjisë (shkencës, që duhet të jetë pjesë e pandarë e studimeve historike), panorama bëhet më e qartë.
Një nga dukuritë, që i ka lidhur pothuaj të gjithë shekujt e historisë njerëzore, ka qënë roli i ORIGJINËS (gjenealogjisë).
Mbretërit, Faraonët dhe heronjtë e lashtësisë, e lidhnin prejardhjen e tyre me perënditë. Kjo lidhje «fisnore» apo «administrative» (si përfaqësues të tyre në tokë) ishte pjesë përbërëse e sundimit mbi nënshtetasit e vet. Origjina përfaqësonte kështu, pushtetin dhe frikën (bindjen). Aleksandri i Madh edhe Pirroja, gjithashtu nuk i shpëtuan kësaj. Origjina «hyjnore» dhe lidhja me paraardhësit e lashtë, shprehej nëpërmjet simboleve që pasqyroheshin në veshjen, armatimet, bazorelievin mural, besimet, flijimet, etj. Antikiteti i vonë dhe Mesjeta, gjithashtu u përfshinë në “ndërtimin” e origjinës nga fiset dhe heronjtë e shquar të Mitologjisë homeriane apo greko – romake. Kohët moderne (shk. 18-19), shënuan industrinë më të zhvilluar historiko – kulturore të “gjetjes së rrënjëve të lashta” të popujve të sotëm europian.
• Përse ka patur e ka, edhe në ditët e sotme, një rëndësi kaq të madhe për popujt e sotëm dhe udhëheqësit e tyre, lidhja me fiset dhe heronjtë e antikitetit?
Sipas psikologut Marie-Louise von Franz “Forma fillestare, ka një peshë të madhe specifike mbi njeriun për faktin se, formojnë emocionet, kriteret morale dhe mendore, ndikojnë në raportet e tij me të tjerët, dhe formojnë përfundimisht, të gjithë fatin e tij…Tek njeriu, në trurin tonë, fillesat mund të veprojnë si forca krijuese ose shkatëruese: krijuese kur frymëzojnë ide të reja, shkatëruese kur ato vetë paralizohen duke u shndërruar në paragjykime të ndërgjegjshme, që bllokojnë mundësinë e zbulimeve të tjera”.(3)
Pikërisht, për këtë rol të rëndësishëm psikologjik, që luan origjina (në formën e Miteve) dhe simbolet, mbi instiktet (subkoshiencën) e njeriut, është shfrytëzuar për qëllime politike.
Visigotët, Frankët, Svevët, Gotët, Vandalët, Alamanët, Saksonët, Hunët, Avarët, Sllavët, e shumë fise të tjera, fillimisht në grupe të vogla luftëtarësh «të lirë», një pjesë të ardhur nga stepat aziatike, mbas betejash të vazhdueshme e kanë shtuar «popullin» e tyre me të mundurit. Ata ndërtuan mbretëri ku fliteshin gjuhë të ndryshme dhe ku secila bashkësi, praktikonte zakone dhe traditat e veta. Një pjesë e këtyre mbretërive mbijetuan, të tjerave s’iu dëgjua më emri. Kjo mbijetesë, u karakterizua nga përzierja, asimilimi apo «riformimi» i popujve, që filloi nga Antikiteti i vonë, vijoi me Mesjetën dhe përfundoi përgjithsisht në shek. 18-19. Këto mbretëri, siç ishte rasti i frankëve, “kur nuk arinin të paraqitnin origjinën e popujve të tyre drejtpërdrejt nga heronjtë trojanë, ndërfutin në pjesën më të madhe të rasteve, popujt e tyre në historinë greko – romake, mundësisht sa më në lashtësi”. (4) Ky ves, nuk ishte shpikje e mesjetës apo fillimit të kohëve moderne. “Plini i Vjetër, (Lexoni: Plinius der Ältere – Sh.B) në veprën e tij “Naturalis Historia” psh kënaqej duke kombinuar pjesë të shumta të burimeve, ndërmjet të cilëve edhe popuj të zhdukur prej shumë kohësh, me grupe etnike të kohës së tij. (5) ( Lexoni: Pliny the Elder, Naturalis Historia… – Sh.B)
Tregues i origjinës së përbashkët të “popullit”, duhej të ishte gjuha e njësuar, (qëllim pothuaj i parealizueshëm deri në kohët e vona) dhe besimi. Psh. në Europën mesjetare, në mbretërinë Prusiane, përveç gjermanishtes fliteshin edhe gjashtë gjuhë të tjera si polonishtja, letonishtja, lusitanishtja, estonishtja. Intelektualët ndërkohë preferonin të flisnin në frëngjisht. (6) Kurse në Francën e fillimit të shek.20, “që kishte kufij politik shekullor dhe ku normat relative për përdorimin e gjuhës u përpunuan gjatë shekujve, vetëm 50% të banorëve flisnin frëngjisht, si gjuhë të nënës. Të tjerët flisnin një shumëllojshmëri gjuhësh dhe dialektesh romane”. (7)
Pas rënies së Napoleonit, Fuqitë e Mëdha europiane filluan të mendonin për “Rendin e Ri”, hartën e re politike të Europës (Kongresi i Vjenës 1815). Mbretëritë kërkonin krahas supremacisë ekonomike dhe ushtarake, edhe atë historike. Ndërsa romakët në lashtësi shpallnin se vetëm populli i tyre kishte histori, gjermanët e shek.19 shpreheshin se vetëm ata «nga të gjithë nacionet e tjera të Europës moderne» kishin «mbetur në vëndbanimet e tyre të origjinës, të popullit nga ridhnin» (8) Për të propaganduar “origjinën” dhe ”lidhjen“ e pandërprerë të popullit të tyre me lashtësinë, në Europën e shek.19, ndërmjet viteve 1876 dhe 1879, u themeluan 250 katedra universitare të filologjisë dhe historisë (9). Ky shekull, shënoi ndërgjegjsimin e politikës për rolin e madh që luante inteligjenca, për aritjen e synimeve të tyre ekonomike dhe ushtarake. Ata mbështetën e financuan studimet dhe botimet e gjuhëtarëve, folkloristëve dhe letrarëve.
Arsyen e forcës ndikuese, të “pasurisë historike dhe kulturore” tek njeriu, na e sqaron psikologjia. Figura e shquar e kësaj fushe, Karl G.Jung shprehet se: «Njeriu domosdoshmërisht ka nevojë për ide dhe rregulla të përgjithshme, që i japin kuptim jetës së tij dhe që e lejojnë të përcaktoj vëndin e tij në shoqëri. Kur është i bindur se ato kanë një kuptim, ai gjen forca të përballojë situata nga më të jashtëzakonshme; në rast të kundërt, ay e ndjen veten të mposhtur, kur në kulmin e fatkeqsisë është i detyruar të pranojë përfshirjen në një ngjarje pa kuptim» (10).
Historiani Patrick Geary pohon se «janë pikërisht dukuritë e natyrës mendore – që nga ekstremizmi fetar, deri tek ideologjia politike – që kanë mbjellë numrin më të madh të viktimave në histori, me përjashtim të kolerës.» (11) Një nga çfaqjet e ndikimit nxitës të origjinës, është edhe formimi i ndjenjës së krenarisë. Tek arbërit, ajo qe një ndjenjë pozitive, mbështetëse dhe drejtuese në veprimtarinë e tyre. Në takimin me Papa Piun II, Skënderbeu, që kishte vajtur për të kërkuar ndihmën e princave dhe Kishës katolike, ju drejtohet me krenari “Të parët tanë kanë qenë epirotë nga të cilët ka dalë Pirroja me nam… në thënç se Arbëri është pjesë e Maqedonisë, atëhere të parët tanë i pranon edhe më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin, u futën gjer në Indi” (12)
Ideologjia që e udhëhoqi këtë proçes të gjatë historik (të formimit të popujve të sotëm) qe «e drejta e fitimtarit». Kështu, me «të drejtën e pushtuesit» justifikohej çdo pretendim territorial, i trashëgimisë së origjinës, të pasurisë kulturore, arkeologjike, historike etj., deri edhe ajo gjuhësore. Kështu psh, gjuha kishtare sllave e ndërtuar nga Cirili dhe Metodi në shek. 11, u quajt “gjuhë ilire” (Illyrica lingua). Kjo “e drejtë”, sipas historianit P.J.Geary, është ligjëruar: «në shek.1 për gjermanët, shek.5 për frankët, shek. 6 dhe 7 për kroatët (fiset sllave-shën im), shek 9-10 per hungarezët…(dhe) ka përcaktuar njëherë e përgjithmonë kufijtë gjeografikë të pronësisë ligjore. (13). Në ditët e sotme, historiografia zyrtare europiane (dhe ajo shqiptare) i ka mbushur tekstet shkollore dhe studimore me perëndi, fise, heronj dhe materiale arkeologjike të lashtësisë së hershme, me përcaktimin si “greke”, megjithëse as vete Homeri “nuk i përmënd aspak Helenët as si popull grek dhe as si komb grek”.(14) “Për të gjithë këta popuj, për të cilët na është thënë se janë në zanafillë të „grekëve“, asnjë dokument antik nuk jep ndonjë shpjegim të saktë dhe të besueshëm”. (15)
Edhe objektet arkeologjike dhe ndërtimore të popujve pellazgë, emërtohen si dëshmi të autoktonisë apo pasurisë “kombëtare” të popujve sllavë, kur dihet historikisht ardhja e këtyre fiseve në Europën lindore dhe më vonë në Ballkan, në periudhën Bizantine. Për rrjedhojë, kanë hyrë në fondin e trashëgimisë historike sërbe, Manastiri i Shënjtorëve Mihail dhe Gabriel megjithëse materialet arkeologjike tregojnë se është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Kjo dukuri vërehet edhe për kisha dhe manastire të moçme si, Kisha dhe Manastiri i Deçanit, Graçanicës, Shënjtorëve Mihal dhe Gabriel në rrethin e Prizrenit, Kisha e Zojës Prenë në Prizren, komplesi i Patriarkanës së Pejës, Kisha e Shën Shtjefnit në Mitrovicë dhe «deri më sot, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme» (Jahja Draçolli «Monumentet e Kultit gjatë Mesjetës në Kosovë»). Këtu nuk duhen fajësuar vetëm pseudo – historia sërbe apo greke, por edhe gjunjëzimi përpara historiografisë zyrtare europiane, edhe kur ka fakte që pohojnë të kundërtën, si dhe mungesa e botimeve historike të popullit tonë në gjuhët e huaja, nga ana e institucioneve shqiptare Albanologjike.
Ideologjia politike agresive, e bazuar tek «rizbulimi i origjinës», ju dha jetë programeve për «rifitimin e së drejtës historike» me anën e dhunës.
Një nga çfaqjet më të errëta të kësaj ideologjie, shprehet në teorinë e “racës superiore” që e ktheu popullin gjerman në një mekanizëm të verbër, për pushtime dhe krime çnjerezore. Kjo ideologji e kishte zanafillën në fund të shek. 15, kur intelektualët gjermanë u mrekulluan me tiparet e fiseve gjermanike, të përshkruara nga Taciti (historian latin v.120, në shkrimet e të cilit kishte deformime të historisë). Botimet e intelektualëve të shek.18, 19 mbi historinë e popujve gjermano-folës, që përfshinte pothuaj pjesën më të madhe të Europës, ligjeruan “të drejtën historike” për rifitimin e territoreve “të humbura”. Në shek. 21, kjo “e drejtë historike” për pronësi, pasqyrohet tek pretendimi për “djepin” e sërbëve, Kosovën (Shqipëria Veri-Lindore) dhe “vorio-epirin” e grekëve për Shqipërinë Jugore.
Historia ka dëshmuar se, studiuesit, u kanë paraprirë politikave agresive të qeveritarëve të tyre. Kjo dukuri dëshmohet në tekstet shkollore të shtetit grek, ku nxënësit mësojnë për jugun “autokton grek” të pushtuar nga shqiptarët. Ky frymëzim “historik” ndez subkoshiencën e popullsisë greke dhe të rinisë ushtarake, thirrjet e së cilës në parakalimet e tyre, nuk kanë asnjë dallim nga histerizmat e rinisë hitleriane të viteve ‘40. Shpërthime të natyrës naziste, “shqiptarët në krematorium!”, që ushtuan në rrugët e Shkupit në demonstratat e vitit 1997, vazhdojnë edhe sot të nxiten nga rrethet studimore historike maqedonase me botimin e Enciklopedisë së Maqedonisë (2009). Sipas saj, shqiptarët nuk janë autokton por të ardhur “tinëz” kryesisht pas shek. 16 dhe masivisht pas shek.18.
Ky botim i Akademisë maqedonase (e redaktuar edhe nga disa antishqiptarë) na sjell ndërment faktin se si “në vitet ’30 të shek. 20, elita intelektuale sërbe tubohej në Klubin kulturor sërb në Beograd, të drejtuar nga Slobodan Jovanoviç, profesor i së drejtës së shtetit në Fakultetin e Drejtesisë (Beograd). Sipas kësaj elite të shkollës sërbe, shqiptarët nuk ishin komb, por mysylmanë, mbetje apo mbeturinë turke në Ballkan… Me 1986 akademikët sërbë nxorën një memorandum që parashikonte rikthimin në kohën e karagjorgjeviçëve…për të kishin punuar tetë akademikët më të njohur…midis tyre edhe Ludomir Tadiç, babai i kryetarit të Sërbisë, Boris Tadiçit”. (16) Megjithë djersën e derdhur nga akademikët për bazën “historike” të pretendimeve territoriale, politikanët e sotëm serbë, u detyruan të pranojnë “se qëllimi i tyre është që të marrin 20 për qind të tokës së saj, në veri (të Kosovës-shën im), një tokë e pasur me minerale dhe burime ujore. Deklarata u bë nga kreu i delegacionit sërb për negociatat me Kosovën, Borisllav Stefanoviç ”. (17)
Si përfundim: Popullsitë «fitimtare» të kontinentit europian, që gjatë rjedhës së kohërave u trazuan, u asimiliuan apo mbidominuan, në mbretëritë shumë-etnike që krijuan, kanë përthithur bashkë me kulturën materiale dhe shpirtërore të popujve të mundur, edhe historinë e tyre. Historiografia zyrtare europiane, që e ndërtoi «origjinën» e saj mbi historinë e qytetrimit greko-romak, nuk dëshiron të dalë e vërteta historike e popujve autokton me rrënjë mijëravjeçare. Lind pyetja, se si kombi arbër mundi t’i shpëtojë asimilimit të plotë apo përzierjes me popujt e tjerë? Kjo “mrekulli”, siç e emërtojnë studiuesit, ka arësyet e veta historike, që kërkon trajtim në një material tjetër.
Problemi i ORIGJINËS në ditët e sotme e gjen shprehjen e vet në debatin: kombësi – identitet nacional.
Përse disa nga “analistët” tanë, këmbëngulin se “identiteti nacional” nënkupton “kombësinë”? Pikërisht për t’i hapur rrugën zhdukjes së kombit shqiptar dhe për të mbuluar të vërtetën historike se: Historia e formimit të popujve të sotëm europianë, është e ndryshme nga historia e formimit të popullsisë së sotme shqiptare dhe arbëreshe. Sot emërtimi «kombësi» përdoret saktësisht tek arbërit, ndërsa popullsitë e sotme europiane, me të drejtë e përcaktojnë veten me «identitet nacional» dhe jo bashkësi «etnike» franceze, gjermane, angleze, bullgare, sërbe, maqedonase, greke, etj., sepse historikisht nuk janë të tilla. Këtë fakt e pohojnë edhe studiuesit, duke e lidhur krijimin e identitetit nacional me shekullin18-19. Ndryshimi është thelbësor sepse: E para (kombësia, etnia) lidhet me vijushmërinë mijëravjeçare të popullit në trevat ku gjëndet edhe sot e kësaj dite, me gjuhën, traditat kulturore, zakonore dhe simbolet e njëjta, pavarsisht ndryshimit të kushteve historike. Historianët i përcaktojnë këta popuj si «identitete natyrale» apo «biologjike». Të dytët,”identitetet nacionale”, lidhen me ligjet, fenë, klasën shoqërore dhe vijën kufitare mbretërore apo perandorake, të ndryshueshme sipas kushteve historike, e për rrjedhojë është një identitet «jo i qëndrueshëm», është një identitet «ligjor» apo «kostitucional». Ky dallim për përcaktimin e popujve, njihej që në lashtësi.
Sipas historianit Patrick J.Geary, Bibla njeh dy modele të popujve:
I pari, i mbiquajtur “goyim” (përkthyer “etni“, “gjini”) është biologjik. (Lexoni: Goi (Nichtjude dhe Deceiving the Dumb Goyim – Sh.B) Modeli tjetër i popullit është “l’am” (përkthyer “popull”) që është populli i Izraelit, një bashkësi kostitucionale. “Populus romanus”, në dallim nga popujt e “huaj” ishte i vetmi që kishte një histori. Kjo histori ishte ajo e lindjes së popullit romak, i kuptuar si një bashkësi njerëzish që pranonin të njëjtin ligj. Nuk bëhej fjalë për një bashkësi të origjinës, gjeografike, të kulturës, gjuhës apo traditave.” (18) Ndërsa “romakë” u mbiquajtën ata që pranonin ligjet e Romës, izraelitë apo popull i Zotit, emërtoheshin të gjithë ata që pranonin Marrëveshjen e lidhur në malin Sinai. “Të dy këto bashkësi, populli i Izraelit dhe populli romak, janë përcaktuar në mënyre kostitucionele dhe jo biologjike.” (19).
Me synimin për të krijuar në shek. 21 një “komb” të ri (një praktikë e ndjekur edhe më parë në Ballkanin e shek. 19 me “kombin” malazez, bullgar dhe më ’45 atë maqedon), disa “intelektualë” shqiptarë (analfabetë të historisë), dolën me propozimin donkishotesk, për të krijuar një «komb kosovar». Mbrapa këtyre ideve, të hedhura në masmedia, fshihej në fakt, synimi politik për të tjetërsuar kombin shqiptar, në “popull kostitucional” kosovar, të pagëzuar me simbolet e BE’së (flamurin blu me yje të verdhë) dhe momentin “historik” të Marrëveshjes së Ahtisarit. Historia e këtij “populli kostitucional” e shkruar sipas modelit “biblik” dhe “romak”, do të pëlqehej dhe do bëhej e pranueshme nga Politika dhe Historiografia Europiane.
Fitimi i «së drejtës së qytetarisë» të historisë së Kombit Arbër dhe gjuhës së tij, në Historiografinë zyrtare Europiane dhe atë Botërore, do të ishte shprehje e demokratizimit të kësaj shkence dhe çlirimit nga përdorimi i saj politik. Do të shënonte njëkohësisht edhe «të drejtën e qytetarisë” për shkencën e Pellazgologjisë, e cila dëshmon mbijetesën e popullit të parë europian, nëpërmjet gjuhës, traditave kulturore dhe simboleve të shqiptarëve. Por veçanrisht, mbijetesën e tiparit më thelbësor të stërgjyshërve të tyre: Dëshirën për të jetuar TË LIRË, NË TOKËN E TYRE!
________________
Referencat:
(1) – f17 Nermin Vlora Falaski« Prona gjuhësore dhe gjenetike »1997.
(2) – f18 N.Vlora, po aty.
(3) – f307 Carl Gustav Jung “Njeriu dhe simbolet e tij” Tea, 2011.
(4) – f72 Patrick J.Geary “Il mito delle nazioni. Le origini medievali dell’Europa”Carocci, 2009.
(5) – f61 P.Geary, po aty.
(6) – f38 P.Geary, po aty.
(7) – f 45 P.Geary, po aty.
(8) – f39, 40 P.Geary, po aty.
(9) – f44 P.Geary, po aty.
(10) – f70 Carl Gustav Jung “Njeriu dhe simbolet e tij” Tea, 2011
(11) – f 35 Dhimitër Pilika “Pellazget origjina jonë e mohuar”
(12) – f32 P.Geary.”Il mito delle nazioni.” Carocci 2009
(13) – f28 P.Geary,po aty.
(14) – f232 Arif Mati “Shqipëria, Odisea e një populli parahelen” Plejad,2007.
(15) – f363 Arif Mati “Mikenet=Pellazgët” Plejad, 2008.
(16) – Xhelal Zeneli “Deshmi e një ideologjie antihistorike” 17. 02. 2011 www.merbraha.com/index.php?news=3041)
(17) – Bota&Rajoni, Shtator 13th, 2011 “panorama”
(18) – f62, 65 P.Geary “Il mito delle nazioni” Carocci, 009.
(19)- f65 P.Geary, po aty.
***

– STUDIME TË NJEJTA –

DHIMITRI PILIKA: PELLAZGËT ORIGJINA JONË E MOHUAR
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=765

===================================

ARIF MATI: SHQIPËRIA (HISTORIA DHE GJUHA) ODISEJA E

PABESUESHME E NJË POPULLI PARAHELEN
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=773

***

DR.ARIF MATI (MATHIEU AREF): PELLAZGËT DHE GJUHA E TYRE
HAPE:
 https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=2231

==========================================

ELENA KOCAQI: ROLI PELLAZGO – ILIR NË KRIJIMIN E

KOMBEVE DHE GJUHËVE EUROPIANE
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=1019

======================

**************************************
(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura