FATBARDHA DEMI: MISTERI dhe TERRI i emrit GREK (I)

Tiranë, 14 shtator 2020: Atje lart në ato male, një ditë udhë prej këtu (Shkodrës), njerëzit jetojnë siç kanë jetuar para njëzet shekujsh, para se të dinte kush për grekët, romakët apo sllavët. Atje lart ka qytete parahistorike, gjallërojnë legjenda, këngë e zakone që kurrë s´i ka dëgjuar kush. Francesa Hardi
Ky frymëzim historik i albanologes Francesa Hardi dhe amerikanes Rose W.Lane u bë shkas i një «kuvëndi » të pazakontë deri më sot në shkencën e Lashtësisë, ku u përballën legjendat popullore të malësorëve shqipetarë të Thethit, me botimet e studiuesve botërorë, mbi popujt e parë të Gadishullit dhe origjinën arbërore apo greke të Aleksandrit të Madh (356 – 323 p.e.r.).
Miket dëgjuan të habitura emrat e 21 mbretërve paraardhës të Lekës së Madh, siç e thërrisnin ata, si dhe Emadhinë e Mat-it (Shqipëri) ku ai kishte lindur. Rreth zjarrit të vatrës, plaku i shtepisë së Sadri Llukës, u tregoi se ky bir i dy prindërve shqipetarë, u pais me shumë dituri nga bashkombasi i besuar i Filipit II-të të Maqedonisë, Aristoteli (384-322 p.e.r.) i fisit të Ajeropit, i vendosur në Maqedoni.

Aleksandri i Madh (356 – 323 p.e.r)

Në qëndër të këtij «kuvëndi» shtrohej problemi i origjinës etnike të figurave historike dhe mitike të popujve në Gadishullin pellazgjik (ballkanik), që vijon t´i përball studiuesit edhe në ditët e sotme. Duke qënë një problem që lidhet me të VËRTETËN dhe METODËN në shkencën historike, do të nisim me gjurmimin historik dhe gjuhësor mbi fiset që emërtohen «greke» dhe «shqipetare».
Grekët si fise Indoeuropiane
Historia e Lashtësisë fillon me ardhjen e fiseve Indoeuropiane, midis të cilëve edhe fiset «greke». Gjuhëtari Francesco Villar (Gli indoeuropei e le origini dell’Europa. Lingua e storia.) pohon se: «Fiset indoeuropiane të etnis greke, janë çfaqur në Greqi në periudhën e Bronxit (…) Këto fise vinin, ka shumë mundësi, nga Epiri dhe Thesalia qëndrore, duke zhvilluar në Greqi atë që ne e përcaktojmë Qytetrim mikenian, qytetrim që rënohet rreth shk.XII p.e.r, kur, ka shumë mundësi, janë çfaqur në gadishull fiset, gjithmonë indoeuropiane, të Dorëve». (1)
Nga 14 teza të shtruara në shk.19-të e deri në ditët e sotme dhe e para historikisht, origjina e fiseve Indoeuropiane shikohet në Indi, bazuar tek gjuha sanskrite e pranuar si më e lashta. Kjo ide u mbështet nga Gordon Childe (The Aryans,1926) me teorinë e tij, mbi pushtimet e fiseve të ashtuquajtura «arjane» të stepave aziatike, që u përhapën drejt Perëndimit. (2)
Giuseppe Ciardi-Dupre në Enciklopedinë Italiane (1933) sqaron se shprehja «indoeuropian» duhet kuptuar si «popuj që flasin gjuhët indoeuropiane» (…) Me një fjalë, ka një lloj gjuhësie indoeuropiane, por nuk ka asnjë fis apo racë indoeuropiane. (3) Metoda e ndjekur për tezën «indoeuropjane» ka qënë krahasimi i fjalëve të përbashkëta apo të ngjashme në gjuhët e popujve të ndryshëm, me synimin e zbulimit të histoisë së gjuhëve në Euro-Azi dhe të gjuhës «mëmë» – rrënjë e pemës gjuhësore.
Kjo metod ka pesë mangësi kryesore :
1. Janë krahasuar gjuhët e vjetra me të rejat, si dhe dukuritë gramatikore, si mbaresat, parashtesat, nyjet, kohët e foljeve, etj., që janë dukuri të periudhave më të vona historike të gjuhëve në studim.
2.Nuk është marrë parasysh historia e popujve, mbi gjuhët e të cilëve bëhej studimi, lëvizjet dhe përzierjet (sidomos me ato mongole) që kanë pësuar ndër shekuj apo çfaqja e vonshme si popull dhe gjuhë, siç janë fiset sllave të Gadishullit ballkanik.
3. Nuk është marrë parasysh dallimi midis gjuhëve «naturale» (i popujve parahistorik) dhe atyre të ndërtuara artificialisht (gjuhët kishtare apo të shekullit 18-19).
4. Mos përqëndrimi tek fiset Atllantido – Pellazge, fiset e para që njeh historia europiane. Emigrimet dhe pushtimet e tyre, për një periudhë shumë të gjatë kohore, kanë lënë gjurmë në popullsinë e Euro-Afro-Azisë. Gjuha e tyre gjallon akoma, e folur dhe e shkruar, dhe me një fond të pasur dialektor dhe folklorik tek pasardhësit e tyre historik.
5. Përjashtimi në studim, i shkencave të tjera ndihmëse si Besimi (emrat në teologji dhe mite, emërtimet e riteve, objekteve fetare, etj.), Historia, Arkeologjia (epigrafet), Gjeografia (emërvendet), dhe sidomos Dialektologjia e gjuhës shqipe, të cilat kanë lidhje me lashtësinë e gjuhëve dhe të popujve, etj.
Mangësinë më të rëndësishme në metodën e Gjuhësisë krahasuese dhe historike e zbulon Petro Zhejit «Shqipja dhe Sanskritishtja» duke theksuar se: gjuha e cila e shpjegon kuptimin gjuhësor të fjalëve në gjuhët e tjera (që përputhet tek emrat edhe me mitin – shën im), që ato vetë nuk e arrijnë ta bëjnë, është më e lashta.
Poshtë kemi tre shëmbujt, një i mitit pellazg (grek, sipas Historisë botërore) dhe dy fjalë nga mitet budiste në gjuhën sanskrite.
a- Emri më i rëndësishëm i mitologjisë Dodonase – Zeusi, sipas Pitagorës shqiptohet «Zan». Mbas shumë kërkimesh, pohon Dr.Arif Mati, në studimin e gjuhëve europiane, e madje të ashtuquajtura «indo-europiane» (të vjetra dhe të reja),vetëm gjuha shqipe arrin ta bëj të kuptueshëm atë, nëpërmjet dialektit geg të Shqipërisë: Zan, Zani që do të thotë – zë, zëri. E kjo përputhet plotësisht me vetë kultin e Zeusit në tempullin e Dodonës (orakullit të përmëndur në të gjithë Lashtësinë parahelene dhe arkaike).Të kujtojmë, se Pitagora rridhte nga një familje me origjinë tirrenase (Tirrenët ishin etni të afërta me Pellazgët) dhe ka gjasa, që ai ta mbante akoma mënd gjuhën prindërore. (4)
b- Satya Loka (Sans.) – shpjegohet: Vëndi i pastërtisë dhe mënçurisë së pafund. Në gjuhën sanskrite fjala «lok» nuk tregon «vënd», ndërsa në dialektin geg të shqipetarëve edhe sot kjo fjalë përdoret për vendin.
c- Trilokhana (Sans.)- Emri i perëndisë më të rëndësishme në Indi-Shivës. Këtu kemi tre fjalë të pastra shqipe: tre (dial çam- tri)+lok/vënd+Hana = vëndi i Zotit/Hënë, e cila në besim simbolizohet me numrin 3. (5)

Sipas mitit, syrit i tretë i Shivës ndodhet në ball dhe shpreh vendin e «energjisë krijuese» të Zotit-Hëna (dial.geg Hana), të cilën e mban mbi kokë.
Të tre rastet e marra nga shkrimet e sanskritishtes dhe greqishtes, që mbahen sot si gjuhët më të lashta, dëshmohet se vetëm gjuha shqipe arrin t´iu jap kuptimin e saktë gjuhësor. Duke marrë në shqyrtim fjalë jo rastësore, por të përsëritura të sanskritishtes, pohon Petro Zheji: «Arrijmë në përfundimin se gjuha shqipe është më e lashtë se sanskritishtja», (6) rrjedhimisht, Atllantido-Pellazgët ishin fiset me gjuhën më të lashtë në historinë e Euro-Azisë. Vincenzo Gioberti (1801-1852), një prej figurave kryesore të Rilindjes italiane, pohon se gjuha shqipe përmban gjurmë të gjuhëve që qarkullonin në Greqi, para pushtimeve deukalioniane, dmth para formimit të popullsisë që emërtohet «hellene». (Primato, Bruselles 1844T.II, p.133) (7)
E trajtuar gabim, nuk është vetëm teza «indoeuropiane» e shk.19, por edhe përcaktimi i drejtimit të emigrimeve parahistorike. «Është e qartë se nuk mjafton të nxjerrësh përfundime vetëm nga gjuha! – pohon Lidio Cipriani (Creta e l´origine mediterranea della civiltà), i cili grumbulloi fakte mbi popullsinë e tre kontinenteve që rrethojnë Mesdheun. Në këndvështrimin e antropollogjisë, edhe sot Kreta dhe jo Greqia, dikton nevojën e një përmbysje të plotë të tezës së drejtimit të valëve emigrimuese zanafillore të qytetrimit të sotëm europian: Jo nga Azia drejt Mesdheut, por prej tij në Azi; jo nga Veriu në Europën Jugore (teza «kurgan» e Maria Gimbutës-shën. im), por nga Mesdheu drejt Europës Veriore». (8) Ishin pellazgo-ilirët, vëren Xh.Katapano, që duke kaluar nëpër Kaukaz, i janë ngjitur vargmalit të Himalajave që në epokën e Gurit. (9) Nga këto marshime drejt Lindjes, grykat shkëmbore të maleve të Kaukazit, në lashtësi emërtoheshin «Portat e Albanit». (10)
Fiset Pellazge dhe Dardano-Iperiote, siç dëshmohet në një material të mëparshëm (F.Demi Nga Dodona në Tibet) patën një ndikim të fuqishëm mbi popujt aziatik. Mjafton të kujtojmë se «syri i tretë» i Shivës, emërtohet me foljen e gjuhës shqipe «bindu» dhe në ritet e tij përdoren simboli i shqiponjës dhe i dhisë. (F.Demi, Bindu – emri që i dhanë Arbërit Perëndisë) Këtë ndikim të fiseve shqip-folësve e ka ndjerë edhe Egjipti, fakt i përmëndur nga Platoni (11) dhe trajtuar për herë të parë shkencërisht prej eruditit arbëresh Xhuzepe Katapano (Thoti fliste shqip).
Ngjashmeritë gjuhësore (jo gjithmonë të trajtuara shkencërisht) të popujve europian, me gjuhën priftërore sanskrite, burojnë nga PUSHTIMET e fiseve pellazge, ndërsa me popujt e tjerë, sidomos të hapësirës Kaukaziane dhe Azisë së Afërme, nga NGULIMET e fiseve të tyre gjatë lashtësisë (fakt që nuk merret parasysh kur flitet për huazimet gjuhësore).
Për rrjedhojë: Kanë qenë fjalët e gjuhës pellazgo-shqipe apo rrënjët e huazuara prej saj, shkaku i ngjashmërive midis gjuhëve të Lashtësisë Euro-Aziatike.
U zgjatëm jo pa qëllim mbi këtë tezë, sepse në shk.18-19 u ndërtua origjina më antishkencore e popujve dhe gjuhëve europiane, veçanrisht kur flitet për «fiset idoeuropiane greke» apo «protogreke», për të cilat nuk dihet gjuha që kanë folur, besimi, ritet, mitet apo traditat e vëndit (të panjohur) të origjinës, të sjella me vete në «atdheun e ri».

(12) Kjo duket qartë edhe në pasqyrën e hartës, e bazuar tek gjeografët e lashtë, përveç rasteve kur emërvëndi Megàle Hellàs (Hellas i Madh) për Siçilinë dhe kolonitë e Gadishullit italik, të shkruesve latinë të shekullit të 3-të, nga autorët modern u zëvëndësua me «Magna Graecia» (Greqia e Madhe).
Bizancio thotë se popujt e Greqisë (e jugut të Gadishullit Pellazgjik dhe Anatolisë-shën im) kanë qenë: jonët, aveadi, beotët, eololët, kaonët, lakonët dhe kolonitë e tyre si pontiçi, bithini, trojanët, arjanët, kariet, lyçi, panfili, çirenei etj. Homeri në Iliadë i quan athinasit Jonë, së bashku me kolonitë e tyre, ndërsa maqedonët dhe epirotët si fise Akeje. (13)
VIJON …

____________

FATBARDHA DEMI: MISTERI dhe TERRI i emrit GREK (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10506
***
FATBARDHA DEMI: MISTERI dhe TERRI i emrit GREK (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10509
***
FATBARDHA DEMI: MISTERI dhe TERRI i emrit GREK (GJUHA SHQIPE – DËSHMI E SË VËRTETËS HISTORIKE) (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10509
***
FATBARDHA DEMI: MISTERI dhe TERRI i emrit GREK (IV)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10521

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura