FATBARDHA DEMI: NGA DODONA NË TIBET (I)

Tiranë, 10. 06. 2014 – (Atlantidën, mbi historinë e së cilës janë shkruar mbi 20 mijë libra, e kam rikujtuar sepse mendoj se raca ilire prej saj ka ardhur. Xhuzepe Katapano)
I Ëndra e Hitlerit

Kjo ëndër zuri fill pikërisht në shkretëtirën e Saharasë, aty ku Piramidat madhështore të Faraonëve, qëndrojnë si të tërhequra mbrapa ndërtimit më të lashtë – SFINKSIT – vepër e Atlantidëve, që i kishin shpëtuar Përmbytjes.
***
Më 1938, falë mikpritjes së derës mbretërore shqipetare të Egjiptit, studiuesi Xhuzepe Katapano, vendosi të priste rrezet e para të agimit pranë Piramidave të Saharasë, një rit i lashtë i fshatrave arbëreshe të Siçilisë.

Edhe mbas 46 viteve, kur e mbaroi veprën e tij «Thoti fliste shqip», ai e kujton këtë çast magjik: «Drita e Lindjes, ndërsa ngjitej drejt qiellit, përhapej me ngjyrim të zbetë trëndafili që forcohej gradualisht, duke ndriçuar qetësisht Sfinksin, me ato buzët e trasha të palëvizshme, në përputhje të plotë me emrin, i cili, si të gjithë emrat në zanafillë, tregonte thelbin dhe funksionin e tij: SFINGE. (SFJET+GJË, do të thotë «s’flet gjë, hesht», zbërthyer nga studiuesi Bernardo Bilota (1843-1918) «Studime filologjike rreth parahistorikëve» Kastrovilar, 1915) (1)
Sfinksi është emërtuar “Varri i Hermesit”, i njohur në Egjiptin e Lashtë me emrin shqipetar «Thot» (ai që thot/na flet) nga doktrina e të cilit u frymëzuan Iniciuesit e Mëdhenj të njerëzimit si Rama (cikli arian), Krishna (inicimi bramanik), Orfeu (misteret dionisiake), Pitagora (misteret e Delfit), Platoni (misteret eleuziane) dhe Moisiu (misioni izraelit). (2) Askush deri më sot nuk ka mundur të hyjë në varrin e Thotit. Sfinksi ashtu si shqiponja e Ilirëve apo e Perandorisë Romake, përfaqëson DRITËN dhe DIJEN në përgjithësi (në dialektin çam, fjala «di» do të thotë «dije» dhe «u bë dritë»). (3)
Viti 1938, për rastësi të fatit, do të shënonte dy nisma që lidheshin me ndërtuesit e Sfinksit:
E para, ajo e Xh.Katapanos që zbuloi alfabetin fonetik të hieroglifëve egjiptianë, me anën e gjuhës shqipe.
E dyta, nisjen e ekspeditës gjermane për të zbuluar misteret e dijeve të Thot-it, të kyçura në heshtjen e përjetshme të Sfinksit.
Ishte Himleri (Heinrich Himmler), themeluesi i repartit special SS, që ia ushqeu këtë ëndër Fyhrerit të tij. Të dy kreret e nazizmit, shpresonin të zbulonin shkencën e Atlantidëve dhe sidomos formulat magjike, që të sundonin Botën si Arianët mitikë. Sipas filologëve dhe antropologëve gjermanë të shek. 19-20, gjermanët e kohëve moderne ishin me origjinë nga popujt e lashtë Arianë.
Ferdinand Osendovski, në librin e tij (Ferdinand Ossendowski «Bêtes, hommes et dieux») pohon se disa Lama të Tibetit, i kishin folur për një vënd të fshehur në thellësi të tokës të emërtuar “Agati” (në shqip: ag/dritë +Ati/Zoti dmth Zoti-Dritë) që ishte vënd-qëndrimi i Mbretit të Botës. Një mbret i jashtzakonshëm që ndër shekuj kontrollon fatet e njerëzimit. Himler ishte i magjepsur nga Tibeti dhe ishte i bindur se pikërisht aty, ishte origjina e racës ariane dhe aty ruheshin forcat e lashta të pushtetit.
Ekspedita me shkencëtarë gjermanë e udhëhequr nga biologu Ernest Shefer (të gjithë anëtarë të trupave SS) u nis nga porti i Gjenovës në 21 prill të 1938, në drejtim të Indisë britanike për të kërkuar “rrënjët e humbura të popullit gjerman”.


Ernst Schäfer (1910-1991)

***

Geheimnis Tibet: Deutsche Tibet Expedition Ernst Schäfer 1938/39

Pas afro katër muajsh përpjekjesh për t’u lejuar të hynin në “qytetin e ndaluar” budist – Lhasa, grupi i shkencëtarëve gjerman më së fundi qëndronte përball tij. Antropologu Bruno Beger, kishte marrë urdhër nga Hitleri të zbulonte ngjashmëritë e kafkës midis popujve gjermanike dhe tibetianëve. Sipas Hitlerit, në rast se kjo vërtetohej, çdo forcë magjike që kishin trashëguar dijet e tibetianëve nga Arianët e lashtë, ju takonin edhe gjermanëve. Vetë ekspedita ishte emërtuar «Trashëgimia e Paraardhësve» (Héritage des Ancêtres).
Beger bëri qindra matje atropometrike të formës së kafkës, mbi vetullat, përmasat e fytyrës, por me gjithë kujdesin që patën kërkimet e tij, tiparet e gjermanëve nuk ishin të ngjashme me ato të banorëve aziatik në Tibet. Studiuesi nuk gjeti aty as ndonjë banor me flokë bjondë dhe sy bojë qielli. Të gjithë shkencëtarët i mundonte pyetja: A ka ekzistuar vërtetë një racë ariane dhe a ndodheshin vërtet në Tibet dijet dhe formulat e tyre magjike?
Megjithatë Sheferi ariti të marrë lejen për të vizituar fortesën Orion-Burakan, të ndërtuar nga Mbreti i parë i Tibetit para 1500 viteve.
Për habinë e madhe të shkencëtarëve gjermanë, në vend të dijeve magjike të Arianëve të lashtë, në Tibet ata gjetën simbolin e tyre nazist “Svastikën”, me përmasa gjigande të shtrirë mbi faqen e një mali me emrin “Kalash”.
Mali i shenjtë budist Kalash në Tibet
Prej shpateve të tij buronin tre lumenjt më të mëdhenj të Botës. Mali Kalash mbahej si një mal hyjnor nga tre besime të ndryshme të Azisë dhe ndodhej 1500 km në perëndim të qytetit të Dalaj Lamës në Tibet. Fillimi i luftës së II Botërore e detyroi Sheferin të ndërpriste kërkimet e mëtejshme dhe të kthehej mbrapsht.
Vetëm pas afro 50 vitesh nga ekspedita gjermane në Tibet, 200 km larg malit të shenjtë Kalash, u zbuluan gërmadhat e një mbretërie të lashtë tibetiane. Kryeqyteti i Mbretërisë legjendare Kuke ishte gërmuar tërësisht në brendësi të një mali. (4)

Këtu po e lemë ekspeditën e Sheferit dhe ëndrën e humbur të Hitlerit dhe do të nisim një “ekspeditë” të re: Zbulimin e Mbretit / Perëndi, që sipas traditës të popujve prehistorikë, i dha emrin e tij malit të shenjtë – KALASH dhe popullit mitik më të famshëm të lashtësisë.
II Kalashët , ushtarë të Aleksandrit ?
Koloneli anglez Robertson, qe i pari europian që zbuloi në fund të shekullit 19, në veri të gadishullit Indian, mes Vargmalit të Hindukushit (Afganistani Verior), Pamirit (Taxhikistan) dhe Karakorumit (Pakistani Verior / Himalajë) një popullsi të racës europiane që jetonte në izolim të plotë nga popullsia aziatike që e rrethonte. Një luginë e kësaj zone malore dhe banorët e bardhë të saj, emërtohen gjithashtu si mali i shenjtë i budistëve tibetjan: Kalash.
Kalashët banojnë në malet e Hindukushit në krahinën afgane të Nuristanit dhe në atë pakistaneze të Çitralit në pjesën veriperëndimore të Pakistanit (në luginat Bumburet, Rumbur dhe Birir). Janë një fis, me popullsinë që jeton në luginën e Hundëzës të rafshnaltës së Pamirit.

Gjuha që flasin, “burushaski” (gjuhë e burrave në shqip) nuk ka asnjë lidhje me dialektet e folura në gadishullin indian. Sipas gjuhëtarëve, gjuha e kësaj popullsie, për shkak të afrive mund të futet në familjen e gjuhëve dene-kaukaziane (dene-caucasica) ku bëjn pjesë gjuha baske dhe e kaukazisë qëndrore. Gjuhëtari Ilia Kazul (Ilija Casule) mendon se gjuha burushaski, shpreh ndikimin e një gjuhe të lashtë indo-europiane. (5) Analizat e ADN-së së kalashëve dhe hundëzakëve, dëshmuan lidhjen gjenetike të tyre me popullsinë europiane.
Studiuesit shqipetarë, duke krahasuar gjuhën e kësaj popullsie me gjuhën shqipe, kanë vërejtur jo vetëm rrënjë të përbashkëta, por edhe fjalë të njejta që përdorin kalashët dhe shqipetarët e ditëve të sotme. Kjo përputhje çfaqet qartas në toponimet si psh: Lugina ‘Hundëza’- hundë; një vend moçalor emërtohet ‘Baltor’ si dhe qyteti ‘Balti’ – balta; mali Bubullimating që mund të lidhet me fjalën e shqipes -bubullimë; Nuristan (nur-një pamje bukurie, dial çam). Po edhe vargmali i Himalajave, sipas studiuesit Arif Mati vjen nga gjuha shqipe (mal maja) (6) Vetë emri i gadishullit e ka burimin nga besimi dhe gjuha e pellazgo-shqipetarëve: Hindi=hyn (në dialektin çam ‘hin’)+ Di-a, dmth vëndi ku ka ardhur/hyrë Zoti, emër që e ka edhe gjuha më e përhapur në Gadishull – hindi. Edhe filozofi Sami Frashëri (1850 –1904) e emërtonte Hindi.
Nga studiuesit e huaj nuk është gjetur origjina dhe kuptimi gjuhësor në gjuhët europiane, aziatike apo sanskriten e lashtë, për këto toponime dhe për vetë gjuhën ‘burushaski’.
Ngjashmëria e madhe e kalashëve në veri të Gadishullit Indian, me shqipetarët e Gadishullit ballkanik, vërehet edhe në traditat historike kulturore, në ritet e simbolet e besimit dhe të jetesës së tyre të përditshme. “Zakonet rrojnë jo vetëm me shekuj-vëren J.G.Hahn- por edhe me mijëra vjet, bile kemi (edhe sot) zakone të vjetra, të cilave nuk ua dimë kuptimin” (7)
Në vitet 20 të shekullit të kaluar, amerikania Rose Lane udhëtoi drejt Malsisë së Shalës në Veri të Shqiperisë. Në atë qoshe të harruar edhe nga Zoti, u hap një debat me një malësor të moshuar i cili ngulte këmbë se Filipi II, i jati i Aleksandrit, rridhte po nga raca ilire si e shoqja, Olimbija (Mirtali, stërmbesë e mbretit të Mirmidonëve, Akilit). Një djalosh që po dëgjonte kundërshtimin e mikes së largët, e cila siç duket nuk i njihte “ligjet” e shqipetarëve, u hodh: “Shqipetarët martohen me shqipetarët. Filipi II u martua me një grua prej popullit të vet, siç ka qenë gjithëmonë zakoni. Po të ishte grek, asnjë i parë i shqipetarëve nuk do t’i jepte bijën për grua” (8) Kjo traditë mijëravjeçare u shkel mbas 1945. Por Hundëzakët e ruajnë me fanatizëm edhe sot këtë zakon. Ata nuk martohen me të huaj.
Kalashët nuk i varosin të vdekurit, por i lenë deri sa treten në sipërfaqe të tokës, zakon që e gjejmë edhe në disa krahina shqipetare. Banorët në Karmë dhe Galishtë të Malësisë së Veriut të Shqipërisë, i kishin treguar albanologut Nopça, se të parët e tyre i linin mbi sipërfaqen e tokës të vdekurit dhe vetëm kur mbeteshin kockat, i varrosnin. (9)
Ashtu si iliro-shqipetarët, kalashët-hundëzakë nuk e pranonin nënshtrimin ndaj të huajve dhe kanë luftuar për lirinë e tyrë. Sipas të dhënavë historikë, për 900 vjet ata kanë patur principatën e tyre dhe kanë jetuar të pavarur nga ndonjë shtet i huaj deri në vitin 1974.
Udhëheqësit kalash, në kohët e vjetra emërtoheshin TSIAM (Çam-popullsia e Thesprotisë), që më vonë u zëvëndësua me titullin MIR (i miri/i urti në shqip). Studiuesi Gulliam Darlling, pohon se, në gojëdhënat kalashe “Tsiam” është vëndlindja e kombësisë së tyre ku shpresojnë se do të kthehen një ditë. Sipas Aristidh Kolës, vend-ndodhja burimore e kalashëve është tek lumi i lashtë thesprotas ‘Thiamis’, prej nga rrjedh edhe vetë emri i Çamërisë. ‘Tsiam’ domethënë Çam. (10)
Dhia Amaltea, sipas mitit pellazg, ushqeu Zeusin e Dodonës me qumeshtin e vet në ishullin e Kretës. Për adhurimin e dhisë në trojet arbërore, ka shkruar Plini i vjetër,Varoni, Eliani, Atheneu, etj. Dhinë e gjejmë të vizatuar në shpellën paleolitike pranë Butrintit (Shën Marinës) para afro 40 000 viteve. (11)
Edhe për kalashët dhe hundëzakët, dhia është kafshë hyjnore dhe gdhendin në dyert e shtëpive dy brirë dhije, si simbol të mbrojtjes së tyre nga Perendia Dezau (dhias-Zeus) dhe mbajnë për nder të tij, një zjarr të pashuar në shtëpitë e tyre.(12) Në fig. (a) kemi një skulpturë, të fundit të shk19, të Kafireve Bashgali gjetur në Luginën Kalash të Pakistanit. Është një skulpturë gruaje në fron me dy brirë dhije mbi kokë. Në fig (b) Koka e Zeusit pellazg me brirë dhije dhe fig.(c) Përkrenarja e Heroit kombëtar të shqipetarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut me një kokë dhie (Muzeu i Vienës).

Sipas gojdhënave të tyre, kalashët dhe hundëzakët e quajnë veten pasardhës të ushtrisë së Aleksandrit të Madh -Iskanderit, që është edhe emri i Heroit Kombëtar të shqipetarëve dhe një emër shumë i përhapur dhe në ditët e sotme.
Po a janë vërtet kalashët, burrat dhe gratë që e shoqëruan Aleksandrin e Madh deri në Indi?
Unë mendoj, se faktet e sipër-permëndura e mbështesin këtë origjinë sipas gojdhënave të tyre. Por, emri KALASH dhe SIMBOLET e besimit që i kanë ruajtur deri në ditët e sotme, zbulojnë një prejardhje shumë më të lashtë, se sa koha e pushtimeve të Aleksandrit në Indi më 326 pK
III Kalash = Swastika
Do t’i trajtoj këto emra me anën e gjuhës shqipe, e nisur nga fakti i ngjashmërive të popullsisë kalashe në gjuhë, zakone dhe simbolet e bësimit, me ato të trashëguara nga shqipetarët e ditëve të sotme. Jo pa qëllim kam vënë shënjën e barazimit midis emrit të malit Kalash dhe emrit të simbolit Svastika. Këto dy emra, siç do ta shikojmë më poshtë, jo vetëm që dëshmojnë përkatësinë e tyre pellazge, por edhe kanë të njejtin kuptim simbolik në besimin hënor të Dodonës dardano-thesprote. Këto dy fise (të Kosovës dhe Iperisë), ishin jo vetëm NJE GJINI (Titanët=Tanët, gjaku ynë) siç e tregojnë edhe Mitet, por edhe formuan besimin istitucional të pellazgëve në Dodonë.
Në këtë drejtim na ndihmon materiali i dy studiuesve të njohur të shkrimit pellazg, Luftulla dhe Liljana Peza, të cilët shprehen se: “Sipas mendimit tonë, duke gërmuar në domethënien e fjalës Swastika, del se kjo fjalë ka ardhur nga dy fjalë pellazge/shqipe, që më pas janë huazuar nga gjuha sanskrite. Pjesëza e parë e fjalës “ Sw” vjen po nga gjuha e lashtë pellazge Su=Zu (Zeu). Emri përbëhet nga dy fjalë: Zeu (Zeus) + ast d.m.th. “Zeusi asht” (dial.geg). (13)
Unë do t’i shtoj edhe pjesën “Ka” (Sw+ast(i)+ ka), jo si mbaresë (në para-histori nuk ka patur mbaresa apo nyje), por si një fjalë e cila shpreh kuptimin e krejt emërtimit dhe do të thotë “Zeu është Ka (u)”. Zbërthimi i emrit të sipër-përmendur mbështetet edhe tek miti dhe skulpturat pellazge të Minotaurit (fig.a).

(a) Minotauri pasqyrohet me kokë kau. (b) Minotauri me trup kali dhe kokë njeriu.
Mendoj se pasqyrimi më i hershëm i Minotaurit ka qënë me trupin e kaut, siç e dëshmon edhe emri (fig. a). Kau dhe kali, siç do ta shikojmë më poshtë, mbartin të njejtin simbol në besimin hënor të pellazgëve (fig.b).

Edhe emri Kalash ka po të njejtën ndërtim: Kal+ ast, që në gjuhën e sotme bën Kal+ash(t) ku nënkuptohet emri i Mbretit, siç ndodh edhe sot kur themi “është luan” pa thënë emrin e njeriut. Po ky emërtim, vërehet edhe tek emri Deukalion, i cili së bashku me familjen shpëtuan nga përmbytja e madhe dhe krijuan racën e re njerëzore : Deu/Zeu+kal+i on dmth Mbreti/Perëndi kali ynë (apo Zeu kalorësi i jonë). Sipas albanologut G.Hahn ky emër vjen nga gjuha shqipe “dhe-u” (14) Por studiuesi nuk na e shpjegon pjesën tjetër të emrit dhe i marrë si “dhe-u”, nuk ka kuptim sipas mitit. Plutarku dhe Aristoteli gojdhënën e Deukalionit e lokalizojnë në krahinën e Dodonës në Çamëri dhe J.G.Hahn shprehet se : “Besoj që (ky emër-shën im) është shumë i vjetër dhe priftërinjtë e Dodonës e kanë përdorur në vendin e tyre”. (15) Po këtë emërtim e gjejmë si toponim në Shqipëri – Kalimash : Kal+im+ash(t) dmth Zeu/kal i jonë.

(a) Perëndia Apollon me kuaj me krahe shqiponje (b) Kau i shenjtë, Perëndia Api në Egjiptin e lashtë . Brirët e tij në formën harkore mbajnë hënën e plotë, si Perëndia hënore Isis, që dëshmon për besimin pellazg në Egjiptin e lashtë (c) Kokë kau e gjëndur në Akropolin e Mikenës, shk 16 pK.
Siç vërejnë studiuesit, në besimin e kalashëve, kali kishte një rëndësi të veçantë. Në shekullin 20, kur europianët mblodhën dhe restauruan objektet e kulteve të tyre, pjesa më e madhe e figurave prej druri ishin ato që paraqitnin kalin. Edhe në materialet arkeologjike të ilirëve, Dioskurët, binjakët e Zeusit paraqiten gjithmonë të shoqëruar me kuaj. Në mitet pellazge, kuajt me krahë shqiponje çojnë çdo vit Apollonin në vendin e Ipe-borealëve, fise dardane të Kosovës (Ipe- dial.çam- shqiponjë+ borë dmth shqiponjat e vendit të borës) (foto ‘a’ lart). Shqipetarët ritnin kope të mëdha me kuaj të racës. Këtë na e dëshmon edhe Pukëvili « …qentë e tmershëm (molosë-shën im) që ruajnë kopetë e bagëtive dhe kuajt e famshëm të Shqiperisë janë më të mirët në Turqinë Europiane, si nga bukuria e trupit ashtu dhe nga shpejtësia e vrapimit » (F.Pouqueville, Voyage dans la Gréce, Paris ,1820) (16)
Në këtë pikë të “ekspeditës” sonë duhet të sqarohen dy probleme:
Së pari: Përse emri “ka-u” = “ka-l” (‘ka’është rrenja) në kuptimin simbolik të besimit pellazg?
Së dyti: Nga e ka origjinën Mbreti hyjnor i Tibetit me emrin Kalash?
Dua të theksoj, se sqarimi i këtyre dy pikave, lidhet me problemin më të rëndësishëm të Historisë së lashtësisë europiane: Vërtetësinë me fakte, të ekzistencës historike të fiseve ARIANE dhe vëndin e ORIGJINËS së tyre. Që të sqarohet pika e parë duhet të zhytemi në thellësitë e para-historisë, në përiudhën kur në besimin e njeriut primitiv, nuk ishin krijuar akoma mitet e Perëndive me pamjen e njeriut.

 VIJON…

 …………………………………………………………..

FATBARDHA DEMI: NGA DODONA NË TIBET (II)
HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=2879

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura