(Tiranë, 29. 07 2012) – (Shqiptari është i hapur për të gjitha idetë e bukura, të mëdha, për të gjitha bëmat e shkëlqyera… – Pashko Vasa). Kriza ekonomike që ka përfshirë shtetin Grek, e ka detyruar elitën intelektuale greke, t’iu bëjë analizë, jo vetëm shkaqeve ekonomike dhe politike të saj, por edhe atyre historike. Në median shqiptare apo në faqet elektronike, janë komentuar dy nga këto « studime ». I pari, në fillim të vitit 2012, është një dokumentar mbi filozofinë e formimit të shtetit Grek, trajtuar nga një grup historianësh (Anemon Productions «Legjenda kombëtare»). I dyti, në maj të këtij viti, dy shkrime të gazetarit Dimitrios Epikouris «Rrënjët social-kulturore të krizës ekonomike greke» dhe «Shteti modern Grek». Nuk po ndalem për problematikat e shumta që paraqesin këto analiza. Siç shprehen vetë historianët grekë, metoda që përdorin për të shkruar historinë e shtetit të tyre, i cili ka synim bashkimin kombëtar, realizohet «vetëm në sferën e fantazisë me rithurjen e historisë… (dhe) me reduktim të historisë. Që të bëhet ky reduktim në histori, disa herë duhet të fshihen faktet. »(1) . Është në përgjegjësinë e tyre profesionale, që të bëjnë analiza “historike” për vëndin e tyre, që bazohen tek fantazia, reduktimi apo fshehja e fakteve historike. Ajo që më tërhoqi vëmëndjen është vlerësimi që i bëhet popullsisë shqiptare, që përbën popullsinë bazë dhe element qëndror në ngjarjet historike të jugut ballkanik të shk.19 (kur u formua shteti Helen).
………………………………………….
Në dokumntarin “Legjenda Kombëtare”, studiuesit grek sjellin thënien e “babait të historisë helene” Kostandin Paparigopulos, (Constantine Paparrigopoulos 1815-1891) i cili duke folur për popullsinë e shtetit modern Grek, dhe heshtur për shqiptarët autoktonë myslymanë dhe të krishterë, ngre lart realizimin e “kombinimit ideal të cilësive greke dhe shqiptare… ndërsa cilësitë greke kanë epërsinë intelektuale, një fisnikëri kulturore, cilesitë shqiptare (sipas tij, të pazhvilluar kulturalisht) sjellin në racën greke gjallëri, vrull, trimëri dhe bashkimi i këtyre dy të dhënave afirmojnë Greqinë moderne”.(1)
Edhe gazetari Dimitrios Epikouris, në të dy artikujt e tij, pa i përmëndur me emër, por shumë qartë të nënkuptuar, shprehet se: «Greqia e sotme në asnjë mënyrë nuk është e lidhur as gjenetikisht dhe as kulturalisht me botën e moçme dhe popullin që dikur banonte në këtë truall… Një numër i ndjeshëm i tyre ishin pajtuar nga osmanët që të shërbenin në ushtri ngaqë banorët vëndës ishin të sertë dhe luftarak… Është e pamundur për pasardhësit e hajdutëve të pulave dhe deleve , që rronin në majë të bjeshkëve dhe brënda shpellave , që rrallë laheshin, që grabisnin gratë nga prindërit e tyre dhe plaçkisnin katundet, të kuptojnë si funksionojnë kombet e qytetruara… midis këtyre popujve, dhe grekëve të moçëm nuk ka kurrfarë ngjashmërie as fizike, estetike apo mendore.. Këta barinj të sertë e malësorë, nisën të besonin se ata nuk ishin vetëm pinjollë të grekëve (pellazgëve-shën im) të vjetër, por edhe një popull i bekuar nga Perëndia”(2)
Pavarsisht metodës pseudo-historike, të këtyre materialeve, është e pa natyrshme që historianët dhe intelektualët shqiptarë, të mos reagojnë për deklarata të tilla raciste. Për arsye politike, padrejtësisht edhe vetë shqiptarët nuk e njohin historinë e tyre dhe ndihen inferiorë ndaj popujve europianë dhe atyre ballkanik. Për të gjykuar mbi nivelin kulturor të popullit tonë, për kohën që flitet në “analizat” e autorëve grekë, ju drejtova periudhës së Rilindjes Greke, që përfshin Mesjetën e vonë (shk.14-15), deri në luftën çlirimtare që kurorëzoi formimin e shtetit të Helladës (1822, në fakt Shtetit të parë Shqiptar).
Duke përcaktuar figurat më të shquara të fillimit të Rilindjes europiane, historianët ndërmjet 21 emrave të shquar si Giordano Bruno (1548-1600), Tommaso Moro (1478-1535), Erasmo da Rotterdam (1466-1536), Charles de Bovelles (1479-1553), Martin Lutero (1483-1546), Francesco Bacone (1561-1626) etj, vendosin në vënd të parë Giorgio Gemisto Pletone (1355-1452). (3) Për Gjergj Xhemisto-Pletonen, ashtu sikurse edhe për shumë figura të shquara me origjinë arbërore të jugut ballkanik, nuk jepet përkatësia etnike. Ata emërtohen “bizantinë”ose “grekë”, ndërkohë që historikisht këto emërtime, nuk njiheshin as në kohën e Perandorisë (bizantine) dhe as gjatë periudhës otomane. “Nëpërmjet një abuzimi, pjesa e fundit (e periudhës së Perandorisë Romake të Lindjes-shën im) u quajt Perandoria Bizantine ose Perandoria Greke. Këto janë gjëra që i njeh çdokush… Në qoftëse më vonë Perandoria u quajt greke kjo s’do të thotë në asnjë mënyrë, që ishte një krijim grek” (f49 Pashko Vasa “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”) Zyrtarisht banorët emërtoheshin “romei” duke nënkuptuar lidhjen e herëshme me qytetarinë romake, por jo përkatesinë etnike. Emërtimi “bizantinë” u bë popullorë nga studiuesit francezë, si Montesquieu (1689–1755), një emër me peshë në jetën kulturore të shk. 18… (4)
Giorgio Gemisto Pletone (1355-1452)
……………………………………………..
Nga Gjergj Xhemisto Pletone na ka ardhur një dëshmi e rëndësishme për origjinën e tij. Në Perkujtimoren kushtuar Perandorit arbër Emanuele II Paleologut, ai bën një “leksion” historie: “Ne, mbi të cilët ju sundoni dhe keni pushtet, jemi helenë (arbër të besimit pagan-shën im) nga raca, siç është dëshmuar nga gjuha jonë dhe shkollimi ynë stërgjyshor(tradita)… Sepse në këtë tokë del, që vetë këta helenë (pellazgët-shën im) kanë jetuar gjithmonë, aq sa mund të kujtojë kujtesa njerëzore; asnjë njeri nuk ka jetuar para tyre …vetë helenët, duket se kanë qënë zotëruesit e saj dhe nuk e kanë braktisur kurrë” (5) (Helenë=Pellazgë arbër, është dëshmuar nga faktet historike, por nuk është objekt i këtij shkrimi). Pletone jetoi në periudhën e kthesave të mëdha të historisë njerëzore: Fundin e periudhës së errët Mesjetare, fundin e Perandorisë njemijëvjeçare (Bizantine) dhe çfaqjen e pushtuesit Otoman, fillimin e epokës së Rilindjes europiane dhe Kohës Moderne të zhvillimit tregëtar (nacionalizmit ekonomik), zbulimeve të rëndësishme gjeografike e shkencore, pushtimeve koloniale, të hovit cilësor në fushën e kulturës dhe sidomos të vendosjes së bazave të filozofisë iluministe.
Pletoni ndikoi fuqishëm mbi elitën europiane, me veprimtarinë e tij mësimdhënëse, studiuese dhe shkrimeve të shumta. Sipas biografit të tij, Moreno Neri: “Emri i tij gjen hapsirë në të gjitha librat italiane kushtuar historisë së mendimit filozofik” (6) “Është përcaktuar si vetë simboli i Rilindjes, në varrin e tij është vendosur epitafi: Princi i filozofisë në kohën e tij” Mbiemrin e dytë “Pletone”, që ja vuri vetes, e ka origjinën tek synimi që ndoqi gjatë të gjithë jetës së tij, afro njëqin vjeçare, për t’i bërë të njohura intelektualëve dhe sunduesve bizantinë dhe atyre europianë, idetë e Platonit, besimet dhe mësimet “e pastra nga ndotja e mëvonshme”, të krijuesve zanafillorë të Dinastisë Pellazge, të përfaqësuar nga Zarathustra (Zeusi apo i biri) dhe pasuesve të tij. Elita europiane e njohu Pletonen me rastin e një ngjarjeje madhore fetare, hapjen e Kuvëndit të Ferrarës-Firence (1438-39), për bashkimin e Kishës Latine dhe Ortodokse. Perandori bizantin, Giovanni VIII shoqërohej nga afro 700 prelatë ortodoks, ku Pletone ishte laiku i vetëm. (7) (Lexoni: Moreno Neri: Le ragioni dell’oblio di un filosofo come Pletone
http://www.engramma.it/eOS/index.php?id_articolo=585 – Sh.B)
Pa u futur në arsyet historike të kësaj nisme, si nga ana e Papatit latin dhe Perandorit bizantin, që u gatua shumë vite përpara këtij Kuvëndi dhe përfundoi në një flluskë sapuni, ardhja e Pletones në Perëndim, shënoi një kthesë rrënjësore në mendimin filozofik që i çeli rrugën, filozofisë së Rilindjes europiane. Ndjekës të ideve të tij, qenë figura të shquara si Kozimo de Mediçi, Marsilio Ficino, Nikola Makiaveli, Lorenco de Mediçi, Ciriaco d’Ancona apo Françesko Guaçiardini, Erazmo e Thomas More, dhe deri tek Niçja i kohëve të vona. Pletone ishte njohës i mirë jo vetëm i trashëgimisë shkencore-filozofike-fetare të Pellazgëve, por edhe të historisë dhe teologjisë së fesë katolike, ortodokse dhe asaj islame. Ai jetoi në periudhën e çthurjes së shtetit bizantin dhe veprimtarisë dogmatike të feve “të reja” (të sipër-përmëndura). Sipas Pletones: “Fetë, në një farë mënyre përfaqësojnë degët e një peme, ezoterizmi është trungu, dhe shkenca e lashtë janë rrënjët e tij; sa më shumë zgjaten të parat nga trungu, aq më shumë ato janë larguar nga e vërteta” (8). Pletone nuk ishte ateist, por këmbëngulte në ushtrimin vetëm të një besimi, atë burimor dhe ezoterik (pellazg), kështu do të zotëronte një paqe universale. Dalja e besimeve të tjera (katolike, ortodokse dhe islame) sipas tij, kishte sjellë vetëm konflikte njerëzimit. Duke marrë parasysh, se në këtë periudhe, Kisha ishte një pushtet paralel me sundimtarët, këto mësime të Pletonit përbënin një rrezik edhe për vetë jetën e tij. Për këtë arësye, veprën më të rëndësishme të tij, “Traktati mbi Ligjet”, një program për reforma politiko-fetare, e shkroi pothuajse në fshehtësi (9) Siç pohonte Giacomo Leopardi, për veprimtarinë e Pletones në “Discorso”: “ Më tepër se sa një ushtrim paqësor i erudicionit, veprimtaria e tij qe një mision heroik”. (10)
Pletoni në takimet me intelektualët perëndimore, zhvilloi biseda mbi Orakujt Kaldaike, si përfaqësues të doktrinës së Zarathustrës, e konsideruar si burimi kryesor i shkencës diellore të Lashtësisë dhe mbi Pitagorën e Platonin, si përfaqesuesit më të mëdhenj të kësaj diturie. Pletone “haptazi formuloi doktrinën, drejt së cilës aq shumë nga shokët e tij gjatë dy shekujve të shkuar, kishin kërkuar kuturu; mitin e prejardhjes së drejtpërdrejtë dhe trashëgimisë nga helenët e kohëve të vjetra” (11) Ky zinxhir lidhës i traditës niste nga Minosi, Likurgu, Numa, Prifterinjtë e Dodonës, Shtatë të Diturit, Parmenida, Timeo, Plutarku, Porfirio, Giamblico, Magjistaret e deri edhe Brahmanet. (12) Në Perëndim, Lashtësia studiohej për të mësuar gjuhën (greqishten klasike) dhe Platoni pothuajse nuk njihej, kurse Aristoteli gjatë përkthimeve kishte pasaktësira dhe devijime nga origjinali. Është merita e Pletones, që bëri i pari ANALIZËN e mendimit filozofik të Lashtësisë dhe kritikën pikpamjeve të Aristotelit në Perëndim. Më 1439, Pletoni shkruan “Mbi dallimet midis filozofise platonike dhe asaj aristoteliane” që nxiti një debat të madh tek intelektualet perëndimorë.
Figura e shquar e Rilindjes italiane, Kozimo de Mediçi i ndikuar nga këto biseda, vendosi të hapë një Akademi për studimin e Platonit në Firence, që u ndoq nga ajo e Romës, Napolit etj. (13) Pletone, qe i pari që grumbulloi tekstet mbi besimin dhe shkencën pagane nga autorët e lashtë dhe deri në kohën e tij, duke formuar një bibliotekë të emërtuar sot “Corpus Hermeticum” (shkencat ezoterike). (14)
Filozofi arbër, jo vetëm përcolli arritjet e para-ardhësve të tij pellazgë, por i pasuroi me zbulimet e reja, me të cilat u njoh në Perëndim. Kështu u bëri të njohur dëgjuesve të tij europianë, veprën “Gjeografia” të Strabonit që nuk njihej deri në atë kohë, duke ndikuar tek nismëtarët e parë, si Kristofor Kolombo, për zbulimin e rrugëve të reja drejt Lindjes duke u nisur nga Perëndimi.
Interesi i madh i elitës perëndimore për mësimet e Platonit, diktohesh nga kërkesat e forcave të reja ekonomike, shkencore dhe intelektuale, për liri të mendimit dhe veprimit, nevojës për një drejtim qeverisës të fortë, të bazuar në ide të shëndosha filozofike dhe të udhëhequr nga njerëz të ditur. Organizimi shtetëror i qytete-shteteve, sidomos Spartës e Athinës dhe bëmat e Aleksandrit të Madh, kishte ngjallur admirimin e Perëndimit, i cili kërkonte të vendoste një “Rend të Ri” me “Udhëheqës të fortë e të ditur”. Veprimtaria e Pletones synonte që njohuritë e tij, t’i shërbenin një qëllimi praktik, sidomos për bashkë-kombasit e tij: “Lulzimi i shteteve – theksonte – varet veçanërisht nga vlera e doktrinave filozofike mbi të cilat bazohen institucionet e tyre” (15) Gemisto Pletones i përkasin studime jo vetëm të fushës së filozofisë, teologjisë apo mbi administrimin e Shtetit, por edhe të astrologjisë, muzikës, historisë, gjeografisë, etj. Më 1433 Gemisto shkruan “Manualin e astronomisë” (“Ordine dei mesi e degli anni ed enumerazione dei giorni”). Manuali përfshin një kalendar të ri, që imiton atë të përdorur në lashtësi, me një përcaktim të rreptë të muajve hënorë dhe viteve që fillojnë me hënën e re, që ndjek solsticin dimror (16) Disa nga veprat e Pletones janë: “Orakujt magjikë të dishepujve te Zarathustrës” dhe dy “Komentet”, “Lutja ndaj Zotit Një” dhe “Dëshmi natyrale të Zotit”, “Historia e Islamit nga vdekja e Muhametit deri në pushtimin e Kretës 827-828” , “Mbi historinë e Asirëve dhe Medëve”, “Mbi fushatën e Aleksandrit të Madh”, “Mbretërit maqedonas dhe përshkrimi i Thesalisë”, që vlerësohen si veprat e para te Pletones, (17) si dhe “Korigjimi i disa gabimeve të Strabonit” “Përgjigje Skolarios”, “Traktati mbi muzikën”, “Përmbledhje e doktrinave të Zarathustrës dhe Platonit”, “Traktati i Legjeve”, “Traktati i Virtytit”, “Përshkrimi i Peloponezit”, “Përmbledhje e disa elementeve të retorikës”, “Traktati mbi Homerin” etj. (18)
Leonik Tomeu (1456-1531)
……………………………………..
Dihet, se në qiellin e natës, ku sundon perëndia pellazge Sellenë, (Hëna) nuk ndrit kurrë një yll i vetëm. Kështu, Gjergj Xhemisto Pletone, i vlerësuar si “filozofi më i madh i kohës së tij”, ka patur bashkë-kombas të shquar para-ardhës, kolegë të kohës së tij, por edhe në vitet e shekujt e mëvonshëm. Jo më pak i rëndësishëm është edhe emri i Mikele Kostandino Psellos (1018-1078) ,filozof, shkrimtar, politikan dhe historian. Universiteti i Kostandinopolit i kishte dhënë titullin “Konsull i filozofëve”. Më 1453, murgu Leonardo da Pistoja zbuloi gjatë një udhëtimi nëpër Maqedoni, 14 libra origjinale të M.Psellos mbi Thotin (Ermete Trismegisto) të titulluara “Hermetica” që u përkthyen në latinisht me urdhër të Kozimo de Mediçit dhe i shërbyen rrymës neoplatonike të Rilindjes europiane. Fusha e studimeve të tij përfshinte probleme të astronomisë, mjekësisë, muzikës, juridike, fizikës, matematikës, etikës, teologjisë, alkimisë, topografisë etj. Adhurimi i tij për Platonin dhe filozofët paganë, (që ngjallën reagimin e Kishës ortodokse) shpaloset në komentet e tij mbi Orakujt kaldian dhe shkrimet ezoterike. (19) ( Lexoni këtu: http://sphinx-suche.de/satanismus2/psellos.htm – http://de.academic.ru/dic.nsf/meyers/111761/Psellos – Sh.B)
Ndërsa Gjergj Gemisto Pletone përcolli trashëgiminë fetaro-shkencore pellazge në Perëndim, Mihail Trivoli (1480-1556) nga qyteti shqiptar i Artës, përhapi idetë filozofike të humanizmit në Lindje. Historianët e sotëm grekë, që na emërtojnë si të prapambetur kulturalisht, nuk e njohin faktin, se ka qenë traditë e familjeve shqiptare, që vijon edhe në kohët e sotme, që t’i arsimonin fëmijët në shkollat më të mira, brënda dhe jashtë vendit. Duke ndjekur këtë traditë, që dëshmohet tek të gjithë eruditët arbërorë të Rilindjes “greke”, edhe Mihail Trivoli i ndoqi mësimet e larta në shkollat e Italisë, Francës dhe Spanjës. Në Itali, qe nxënës i figurave më në zë të kohës si: Angiolo Polizano (1454-1494), Marsilio Ficino (1433-1499), Giovanni Pico Mirandola (1463-1494), si dhe i filozofit, historianit dhe astronomit me origjinë shqiptare, mësuesit të Kopernikut, Leonik Tomeu (1456-1531). Veprimtaria e tij emancipuese dhe përhapëse të ideve të Iluminizmit dhe Rilindjes, u zhvillua në Rusinë cariste të Ivanit të Tmerrshëm, ku akoma zotëronte fryma e prapambetjes mesjetare. Sot ai njihet si humanisti i parë i Rusisë, megjithëse studiuesit tanë të historisë, sikurse edhe për shumë figura të tjera të shquara të kulturës europiane me kombësi shqiptare, nuk e dinë se ka ekzistuar ndonjëherë. Me mbritjen e tij në Moskë (1518), ai nisi një veprimtari të gjërë filozofike, pedagogjike, etike, publicistike e sidomos në përkthimin e veprave më të njohura të humanistëve perëndimorë si dhe hapi shtypshkronjën e parë moderne. Edhe sot emri i tij zë vënd tek përkthyesit më të mëdhenj të botës, me 150 vepra të përkthyera (sipas Proel Promotora Espanjola de Linguistica www.proel.org/traductores/maksim/htm)
Me gjithë këto merita dhe përkushtimin në emancipimin e shoqërisë ruse të shk 16, që nga viti 1525 e deri në fund të jetës së tij, ai e kaloi në internim, në vëndet më të humbura të Rusisë, duke i ndaluar shpesh edhe leximin apo shkrimin e librave, si dhe dëshirën e zjarrtë për të kaluar pleqërinë në vendlindjen e tij. Sado që ndodhej larg, Mihal Trivoli-Artioti i kushtoi atdheut të tij shkrime, ku vënd të rëndësishëm zinin bëmat e Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Kjo figurë e shquar e kombit arbër, e pa njohur dhe vlerësuar nga institucionet fetare shqiptare, më 1988 u shpall nga inkuizitorët e vet, Shënjtor i Orthodoksisë Ruse. (20)
Do të duheshin shumë faqe dhe studime, për t’i zbuluar dhe bërë të njohura, emrat dhe kontributin e njerëzve të shquar, në fusha të ndryshme të shkencës dhe kulturës, me origjinë arbërore për periudhën e të ashtuquajturës Rilindje Greke (shk. 14-19). Por, le të përmëndim këtu vetëm disa nga figurat e shk. 19, (kohë që është në qëndër të “analizave” të autorëve grekë të lart-përmëndur) që luajtën rol kryesor politik dhe kulturor në jugun ballkanik, dhe bënë emër e u vlerësuan lart edhe në Perëndim. Edhe në këtë kohë, gjejmë figura të shquara që në historiografinë greke dhe botërore të emërtuar si “grekë” apo ju anashkalohet etnia, megjithëse objekti i veprimtarisë së tyre, zbulon qartësisht përkatësinë e tyre.
Nën titullin “Njerëz dhe shoqëri të shquara të Rilindjes Greke”, një vënd të rëndësishëm zë Adamantios Korais apo Diamant Kora (1748-1833) (21) propogandues i ideve të iluminizmit, shkrimtar, gjuhëtar, mjek, leksikograf dhe erudit. Forca e mendimit të tij politik, e bëri të vlerësuar si në Paris ku kaloi kohën më të madhe të jetës së tij, ashtu edhe në Greqi. Me origjinë ishte nga ishulli i njohur arbër i Kios. Për t’i qëndruar larg pushtimit otoman, fillimisht studioi në Amsterdam dhe më vonë në Montpellier (Francë) në Fakultetin e Mjekësisë. Aty u njoh me filozofinë europiane të kohës së tij, David Hume, Condorcet, Helvetius dhe Volterin[]. Mbasi mbaron studimet, Adamant Kora (1787) niset për Paris , pikërisht në kohën e shpërthimit të Revolucionit francez, që pati një ndikim të madh në mendimin politik të tij. I ushqyer me këtë filozofi të re, Adamanti Kora u bind se pavarësia politike e vëndit të tij, varej nga shkollimi dhe ngritja kulturore e morale e popullit. Për këtë qëllim ai propozonte të botoheshin autorët e lashtë në gjuhën popullore (arvanitase-shqipe) në mënyrë që të lexoheshin jo vetëm nga ata që kishin studiuar greqishten klasike, por edhe nga njerëzit e thjeshtë. Sipas mendimit të tij, Lashtësia ishte burim drite për kulturën dhe themeli për shkencën. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi themelor të të mësuarit, A. Kora braktisi profesionin e mjekut dhe ju përkushtua studimeve gjuhësore. Më 1813 ai shtron problemin, në se në shkolla, duhej të përdorej “gjuha e pastër” (greqishtja e përpunuar klasike) apo gjuha e popullit (arvanitase-shqipe). (Lexoni këtu: https://catalyst.library.jhu.edu/?q=%22Kora%C4%93s%2C+Adamantios%2C+1748-1833%22&search_field=subject – Sh.B)
Problemi i gjuhës, në fund të shk. 18 dhe fillimit të shk. 19, sipas fakteve historike, u bë një çështje ndërkombëtare. Në vëndin e shtetit të ardhshëm të Helladës, ku zotëronte popullsia arbërore, përdorej gjuha shqipe. Faktet historike dëshmojnë se edhe Asambleja që doli nga fitimtarët e Kolokotronit, e mbledhur në Astro të Nauplise në dhjetor 1822, në një votim të parë, vendosi për gjuhën shqipe si gjuhë të komunikimit. (22)
Por, elita europiane, që e njihte Lashtësinë nëpërmjet shkrimeve dhe përkthimeve në greqishten artificiale klasike, krijuan bindjen, se ishte ajo, gjuha e heronjve të Luftës së Trojës dhe e kulmit të zhvillimit filozofik dhe shkencor, të Lashtësisë. “Në thelb të Gjuhësisë (gjermane-shën im) ishte imazhi i grekut hyjnor, imazh artistik edhe filozofik.” (23) Tek «Greqia antike» Perëndimi shikonte origjinën e tij, për rrjedhojë, në Shtetin e Helladës gjithshka duhej t’iu kujtonte Lashtësinë, pra edhe gjuha. Për këtë rësye, europianët këmbëngulën për “t’ia rimësuar popullit”, gjuhën e tij të kulluar «greqishten e filozofëve të antikitetit». Ky qëndrim i elitës europiane ishte në përputhje edhe me qëllimin e Kishës ortodokse. Në shk. 18 dhe 19, gjuha klasike greke “kishte të bënte me studimin e kotë, të pafrutshëm të fjalëve, gramatikës, sintaksës dhe shprehjeve retorike.” (24) Nën ndikimin e ideollogjisë europiane, për një gjuhë të shtetit dhe jo të shumicës kombëtare, Adamanti Kora iu vu punës për “pastrimin” e gjuhës “demotiki” dhe afrimin e saj me “greqishten klasike” duke krijuar gjuhën “katharevousa” (një përzjerje e gjuhës priftërore klasike me gjuhën demotiki-të arbërve) që u emërtua “gjuha moderne greke”. Për ironi të fatit, gjuha greke me të cilën sot përshkruhen nënshtetasit me origjinë arbërore si “pasardhësit e hajdutëve të pulave dhe deleve, që rronin në majë të bjeshkëve dhe brënda shpellave, që rrallë laheshin, që grabisnin gratë nga prindërit e tyre dhe plaçkisnin katundet”, është sajuar pikërisht nga elita kulturore e tyre. Këtu më vjen ndërmënd thënia e një malësori nga krahina e thellë e Shalës, udhëtares amerikane Rosse Lane në vitet 1920, “Kur e kemi fjalën tek greku, të mos harrojmë ç’kanë thënë të parët: Lisi i tha sëpatës “Pse më pret, kur s’të kam bërë gjë?” dhe sëpata ia priti “Ti vetë më ke dhënë bishtin!” (25) Vendosja e gjuhës katharevousa, në fund të shk. 19, solli përplasje të mëdha midis përkrahësve të gjuhës zyrtare dhe asaj dimotiki (arbërishte-shqipe). Në Enciklopedinë Britanike, për A.Korën shkruhet: “ndikimi i tij mbi gjuhën dhe kulturën Greke, mund të krahasohet me atë të Dantes në Itali dhe Martin Luter në Gjermani”.(26) Për t’i njohur bashkombasit me idetë e reja iluministe të lirise dhe të drejtave civile, që kur ishte në Francën e mbërthyer në zjarrin e Revolucionit, ai përkthen «Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve» (1789). A.Kora synon një shtet demokratik të lirë, në qëndër të të cilit të jetë Drejtësia dhe Humanizmi. Mbas studimit të Kushtetutës së Francës, Anglisë dhe asaj Amerikane, ai propozon se sistemi demokratik i shtetit të ardhshëm, duhej t’i afrohej atij të Anglisë dhe Amerikës. Ndër librat që ka shkruar vlen të përmëndet një Enciklopedi prej 26 volumesh (1805-1819) ku përfshihen punimet e Sokratit, Plutarkut, Strabonit, «Politika dhe Morali» i Aristotelit, Platonit, Ksenofonit etj. Puna e gjatë e A. Korës me shkrimet greke të Lashtësisë, Mesjetës dhe shk.19 si dhe traditës gojore, pasqyrohet në një përmbledhje me titull “Të trazuarit” (Mèlanges) me pese vëllime (1828-1833), ku përfshihen edhe poemat e T. Prodrome (shk.12) si dhe Fjalorin e parë bashkë-kohor, të greqishtes së lashtë dhe asaj moderne, një punim leksikografik i rëndësishëm për gjuhësinë. Ai është edhe autor i një numri të madh pamfletesh politike. (27)
Athanas Psalida (Athanasios Psalidas 1767-1829)
………………………………….
Një emër tjetër i shquar, bashkë-kohës i A.Korait, qe Athanas Psalida (Athanasios Psalidas 1767-1829), novelist, eseist dhe filozof. Kishte lindur në Janinë, një nga qëndrat e mëdha kulturore të Perndorisë Otomane. Gjatë periudhës së sundimit turk, shkollimi varej në pjesën më të madhe nga Kisha ortodokse. Në shk. 16 u hapën shumë shkolla me nismën e Patriakëve Geremi II dhe Cyril Loukaris, ku bëhej studimi i librave dhe i shkrimeve të shenjta. Në shk.18, pas përpjekjeve të intelektualëve të shquar të kohës, u bë e mundur hapja e shkollave ku studiohej filozofia dhe shkencat. Një prej këtyre intelektualëve ishte edhe Athanas Psalida, i cili punoi si drejtor i shkollës së qytetit të tij për 25 vjet, duke futur lëndët e historisë, gjeografisë, shkencave natyrale, ekonomike dhe gjuhëve të huaja. Ai i siguroi shkollës instrumente për shkencën e astronomisë, për eksperimentet në kimi dhe fizik, si dhe të gjimnastikës. Shkolla e tij vuri në shërbim të popullit bibliotekën e saj të drejtuar nga mësues të përgatitur. Në këtë kohë, Athanas Psalida ishte një nga personalitetet e shquara të Janinës. Me gjithëse kishte mësuar gjuhën greke në rini, edhe kur u bë një nga mësuesit më me zë të Janinës, gjithmonë përdorte gjuhën «demotike»(arbërishte-shqipen). Ai qe kundër gjuhës “katharevousa” (një përzjerje midis greqishtes arkaike dhe demotikes). Emri i A.Psalidas lidhet me një nga sundimtarët më të njohur ballkanik, Ali Pashë Tepelenën i cili e mbante si këshilltar dhe shpesh e dërgonte me misione dipllomatike pranë oborreve perëndimore europiane. Gjatë luftës së Ali Pashës me Perandorinë Otomane, A.Psalida gjen strehim në Zagori (1820-1822) dhe më vonë në ishullin e Korfuzit, ku merr titullin e doktorit të Akademisë Joniane. Për shkak të përqafimit të ideve «ateiste» të Volterit dhe idealeve të Revolucionit francez, nuk lejohet të japë mësim. (28)
Vetëm një studim i thjeshtë i Rilindjes së emërtuar “greke”, bëri të mundur të zbulohet një pjesë e vogël e Mozaikut të shkëlqyer të personaliteteteve me origjinë arbërore. Një punë më këmbëngulëse dhe afatgjatë shkencore, do të nxirrte në dritë shumë emra të tjerë, të elitës kulturore, shkencore dhe politike arbërore, të botës helenike por edhe asaj europiane, si psh Basilio Bessarione(1408-1472) i quajtur edhe Giovanni Trebisonda, kardinal dhe humanist shumë i njohur në Perëndim. Rridhte nga fisi i Komnenëve, dhe gjatë të gjithë jetës së tij, qe një nga adhuruesit e ideve të Gjergj Xhemisto Pletones. Për të mos u zhdukur e gjithë trashëgimija e lashtë pellazge, me rënien e Kostandinopolit më 1468, i dhuroi bibliotekës së San Markos në qytetin e Venecias ku jetonte një komunitet i madh bashkë-kombësish, 482 libra, që i kishte kopjuar apo blerë gjatë të gjithë jetës së tij. Këto libra, siç shprehej “janë plotë me fjalë e të mënçurve, shëmbuj të të lashtëve, zakonet, ligjet dhe besimi (paganë-shën im)” (29). Po kështu Neophytos Dukas (Duka,1760-1845) autor i shumë librave dhe përkthimeve nga greqishtja e lashtë, emërtohet si një figurë e rëndësishme e Rilindjes Greke, vinte nga krahina e Zagorisë (Shqipëria e jugut), etj.
Neophytos Dukas (Duka,1760-1845)
……………………………………………
Padituria e studiuesve dhe analistëve grekë, në fushën e shkencës historike, shprehet qartazi në materialet e tyre. Në rast se, do të merrnin mundimin të njiheshin me shkencën ezoterike të Pellazgëve (nga e ka burimin edhe emërtimi “helenë”), do të zbulonin se edhe vetë emri “shqiptar” dhe i vëndit “Shqipëri”, do të thotë : Popull dhe Vënd Hyjnorë. Pra siç thotë një shprehje e jonë popullore: ”Dielli nuk mbulohet dot me shoshë”. Si përfundim, është thelbësore për studiuesit e historisë dhe elitën ballkanase, të kuptohet fakti se në shk.21, racizmi historik është dëshmi e mos-shkëputjes nga mendësia ideollogjike dhe politike e së kaluarës, një prej burimeve të konflikteve të reja midis popujve dhe pengesë për ecjen drejt së ardhmes paqësore europiane.
__________________
Literatura e shfrytëzuar:
(1) http://www.youtube.com/watch?v=23kvAhdYgwY&feature=youtu.be
(2) www.pashtriku.org
(3) La riscoperta di Platone nel Rinascimento… Giornale di Filosofia www. Giornaledifilosofia.net/…/filosofiaitaliana/sch
(4) Che significa il termine “bizantino” se niente puo definirsi con tale… digilander.libero.it/ortodossia/bisanzio.htmEn cache – Pages similaires
(5) f61 f21Romilly Jenkins “Bizanti dhe bizantizmi” Plejad, 2001
(6) f7 Moreno Neri “Pletone Trattato delle virtu” Bompiani Testi a Fronte, Milano 2010
(7) f76,77 po aty
(8) f12 po aty
(9) f104 po aty
(10) f14 po aty
(11) f36 Romilly Jenkins “Bizanti dhe bizantizmi”Plejad, 2001
(12) Giorgio Gemisto Pletone www.filosofico.net/pletone.htmEn cache – Pages similaires
(13) po atyEn cache – Pages similaires
(14) Moreno Neri “I Misteri di Giorgio Gemisto Pletone” -Rito simboliko…www.ritosimbolico.net/studi2/studi2_10.html-
(15) f65,66 Moreno Neri “Pletone Trattato delle virtu” Bompiani Testi a Fronte, Milano 2010
(16) f67 po aty
(17) f36 po aty
(18) it.wikipedia.org/wiki/Giorgio_Gemisto_PletoneEn cache – Pages similaires
(19) Michele Psello it.wikipedia.org/wiki/Michele_PselloEn cache – Pages similaires
(20) Kolec Traboini “ E vërteta përvëluese e Aristidh Kolës”
(21) en.wikipedia.org/…/Modern_Greek_Enlightenme
(22) f38 Ardian Klosi “Netët Pellazgjike të Karl Reinholdit 1850-1860” K&B Tiranë, 2005)
(23) f342 Martin Bernal « Athina e zeze » Shtepia botuese 55, Tirane 2009
(24) f21Romilly Jenkins “Bizanti dhe bizantizmi”Plejad, 2001
(25) f140 Rosse Lane “Majat e Shalës”Argeta-LMG, 2004
(26) fr.wikipedia.org/wiki/Adamántios_Koraïs
(27) po aty
(28) Athanasios Psalidas Wikipedia
(29) f262,263 Moreno Neri “Pletone Trattato delle virtu” Bompiani Testi a Fronte, Milano 2010
……………………………………………………
(FOTO’ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)
Greetings! Very helpful advice in this particular post! It is the little changes that make the most important
changes. Thanks a lot for sharing!