DR.MOIKOM ZEQO: PËRMENDORJA E DENJË PËR VASIL LABOVITIN

Pashtriku.org, 30 shtator 2017: (Parathënia e librit: “Përmendorja e munguar” i autorit Shpëtim A. Emiri) – Sa herë shkoj në Gjirokastrën Hijerëndë, metropolin e Jugut shqiptar, lëviz nëpër kalldrëmet sinjë puzzle e Historisë dhe shoh (rishoh) tabelën në portën e shtëpisë së Vasil Labovitit, mjekut legjendar dhe gjirokastritit të pashembullt.
Tabela e emrit është si kartvizitë lakonike si nga kujtesa e shekujve. Vasil Labovitit i shkon përsëmbari thënia e Juvenalit: “Vitam impedere vero!”dmth “Jeta në shërbim të së vërtetës!”
I lindur më 12 prill 1902 dhe vdekur në 1980 jetë kronikore e këtij personazhi të madh, dhe pa një të dytë të Gjirokastrës, është plot e përplot jetë të qindra mijëra njerëzve.
Mjeku Vasil Laboviti qe sfiduesi i vdekjes!

Dr.Vasil Telemak Laboviti (1902 – 1980)

***
Fillimisht ai mësoi në Gjirokastër e në Stamboll, studjoi në gjimnazin e Korfuzit dhe mbaroi studimet e larta mjekësore në universitetin e Graz-it në Austri, ku u diplomuan edhe emra të shkëlqyer si Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Hasan Ceka, Skënder Luarasi etj. Mbas mbarimit të studimeve universitare Vasil Labovitin e kërkuan pesë universitete të botës: e Graz-it, Vjenës, New Jorkut, Athinës, Manilës, dhe Stambollit.
Por Vasili u rikthye në Gjirokastër. Përfundimisht!
***
Scripta manent! E shkruara mbetet!
Është pikërisht intelektuali i njohur, njeriu i përkushtuar, miku im i nderuar Shpëtim A. Emiri, që shkroi librin “Përmendorja e munguar”.
Por Vasil Laboviti është i pavdekshëm, mbi të gjitha mungesat dhe boshëllëqet.
Shpëtim A. Emiri ka shkruar një libër të shkëlqyer.
Duhej ky libër për të gjithë ne. Është i domosdoshëm dhe jetik ky libër. E meriton këtë libër Gjirokastra dhe biri i saj i mrekullueshëm, Vasil Laboviti.
Mjeku Laboviti qe një kalorës triumfues i jetës.
Deri sa vdiq bëri mbi 50 000 opercione kirurgjikale. Si gjinekolog ai është Dëshmitari i lindjes së mijëra e mijëra fëmijëve, të cilët, i ndihmoi të vinin në jetë.
Me kulturë të gjerë, universale, ai kishte një vetëdije inkandeshente të dashurisë për Gjirokastrën dhe Shqipërinë.
Në vitet e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare Vasili qe me prijëtarët dhe martirët e lirisë.
Letra dëshmuese, e botuar në këtë libër, e Haki Toskës, flet qartë për vizionin dhe trimërinë civile të Vasil Labovitit.
Por kryengjarje që e pavdekëson karakterin e tij është ajo e Sheshit të Çerçizit në 27 dhjetor 1943, kur nazistët hitlerjanë kishin grumbulluar pengje qytetarët gjirokastritë për t′i ekzekutuar, si hakmarrje mizore.
Qe pikërisht Vasili, që shmangu tragjedinë.
Shumë herë e lanë në heshtje këtë gjë, heshtën, ose e përgojuan, e mitizuan, apo edhe e letrarizuan, por duke ju shmangur rolit ekskluziv të patjetërsueshëm të mjekut hero Vasil Laboviti.
Vasili e kish luftuar vdekjen me kirurgji dhe ilaçe.
Por këtë herë, si askush tjetër, e luftoi dhe e mundi vdekjen me mendje.

***
Me kuptimin simbolik përballë plotfuqishmërisë së Perandorisë Hitleriane qëndroi me dinjitet një shqiptar i vetëm, fill i vetëm, pa armatime, pa ushtri, sfidoi dhe fitoi në këtë Duel të Pabarabartë.
Dhe kush tjetër e ka bërë këtë gjë?
Me këtë optikë Vasil Laboviti është personazh semantik.
Libri i Shpëtim A. Emirit duhet lexuar nga të gjithë.
Tiranë 31 maj 2017
_________________

Vasil Laboviti

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura